KULTURË

“Historia (shkenca) nuk është sport i të gjithëve”

12:00 - 22.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Fatmira NIKOLLI




Në sheshpushimin e shkallëve hyrëse para Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një kuartet harqesh luan “Katër stinët” e Vivaldit. Muzika klasike si art i elitës, është veçse hapi i parë i qëllimit, imazhit dhe mesazhit që kërkon të përcjellë institucioni qendror i shkencës në vend. Në këmbë para tyre, qëndron tenori Kastriot Tusha, ndërsa sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave Vasil Tole, pret të ftuarit. Për herë të parë, jepen Çmimet Shkencore Kombëtare të Akademisë së Shkencave (nisin me vitin 2016), çka është ngjarje- në kohët kur ushtri botimesh luftojnë njëra-tjetrën me tituj e shpesh pa përmbajtje, në kohët kur çdokush që ka dëshirë, boton atë që ka dëshirë, duke ngritur e rrëzuar teori me lehtësinë e shkrimit të një fjalie. “Mundus vult decipi” do të thoshte Matteo Mandala. E megjithëse “bota do që të mashtrohet”, çmimet, janë së pari, luftë ndaj “shkencës së çdokujt”.
Ceremonia nis me Himnin e Flamurit interpretuar nga Kastriot Tusha, ndërsa salla ngrihet në këmbë. Janë marrë nëpër duar 49 punime të 50 autorëve. Ajo çka entuziazmon kreun e Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkutin, është prurja cilësore, çka e nderon atë edhe përballë familjeve të Radovickës e Çabejt, emrat e të cilëve mbajnë dy prej çmimeve të mëdha, kushtuar studiuesve/shkencëtarëve të karrierës, ndërsa më tej ai do ta vërë theksin te brezi i ri, që siguron të ardhmen, me shpresë një brez po aq serioz sa hijet që lënë pas emrat e mëdhenj të themeluesve të Akademisë.
Në një sallë që nuk pipëtin asnjë zë, sikundër rrallë ndodh, dëgjohet: “Synojmë të forcojmë urat me brezat e rinj siç synojmë të hapemi me institucionet. Ne i përgjigjemi kështu një detyre të ligjit për Akademinë e Shkencave dhe statutit të saj. Këto çmime që japim sot, vijnë edhe si nevojë për dallimin e shkencës së vërtetë”. Muzafer Korkuti i rikthehet idesë së kahershme (për të cilën shkroi në “GSH”), për çmime që përtej vlerësimit në vetvete të atyre që e meritojnë, është, në fakt, një certifikim cilësie, përkundrejt diletantizmit, amatorizmit, dhe asaj që shënuam më lart, luftë ndaj shkencës së çdokujt.
“E kemi pasur të vështirë-, thotë Korkuti, – sepse veprat e paraqitura për konkurrim u vlerësuan si vepra me origjinalitet, cilësi e kërkesa të larta shkencore, çka na bën të jemi të lumtur se bëjmë dallimin e cilësisë shkencore e promovimin e saj publik”. Ripohon, qëllimin për fuqizimin e kërkimeve. Nëse si hap i parë janë çmimet, hapi i dytë, do jetë një grupim premtuesish.
Kemi vendosur të krijojmë akademinë e të rinjve, thekson Korkuti, duke folur për një rrethim të rinjsh premtues, për të cilët do ketë stimuj, në mënyrë që të funksionojë si organizim. “Kemi besim se prej këtyre rretheve të të rinjve, do të dalin edhe konkurruesit e ardhshëm për anëtarë të Akademisë”, vëren shpresëplotë kreu i saj tanimë në moshë të thyer, me sytë në kërkim të pasardhësve, në vendin ku spikat sasia, po jo domosdoshmërish cilësia. Ndërsa viti i ardhshëm përkon me përvjetorë  më rëndësi të themelimit të Akademisë, të Kongresit të Drejtshkrimit dhe Skënderbeut, lajmërohet edhe një çmim për veprën më të mirë kushtuar Heroit Kombëtar.
ÇMIMET
Juria e përbërë nga Muzafer Korkuti kryetar dhe anëtarët Akademik i asociuar Gjovalin Shkurtaj, Akademik Edi Pinguli, Akademike e asociuar Aurela Anastasi,  Akademik Floran Vila, Akademik Fahrudin Hoxha, Geron Kamberi, Vilma Tom?o,  Prof. dr. Ferit Duka, Prof. dr. Andrea Maliqari, Amanda Vrana, Prof.Enver Hysa, me votim të fshehtë kanë votuar  për Çmimet “Çabej” e “Radovicka” që u shpërblyen me 1 milionë lekë të rinj, si edhe për “Kërkuesi e ri në Albanologji e Shkenca Natyrore” që u shpërblyen me 500 mijë lekë të rinj. “Është vlerësimi im i parë institucional. Vjen nën hijen e rëndë të Akademisë së Shkencave e nën hijen e Çabejt e Budës. Libri im, dhe më ndjeni për mungesën e modestisë, ka një avantazh- është më i paraqitshëm. Po kjo është meritë e Bujar Hudhrit(botues i Onufrit).
Më bëhet qejfi që ishte libër historie  ky që merr çmimin Çabej, se në një kohë diletantësh, jep një mesazh- historia s’është sport për të gjithë e jo të gjithë mund të merren me të”. Pëllumb Xhufi merr në dorë statujën e punuar enkas për rastin nga Maks Velo dhe pret urimet. Studimi i tij monografik “Arbërit e Jonit” Tiranë 2016 merr çmimin “Çabej” dhe shpërblehet me 1 milionë lekë të rinj, ndërsa studiuesi pret urimet.  Monografia u kushtohet shekujve të Mesjetës të Arbërve jonianë, njohur dhe si Shqipëria e Poshtme. Plotëson për herë të parë shpërpjesëtimin e trashëguar në këtë dije, duke tejkaluar kufizimet e deritashme të kësaj shkence qoftë në aspektin konceptual, qoftë në atë hapësinor. Vepra mbështetet në burime të reja, të pa këshilluara deri më sot, kryesisht perëndimore. Autori saktëson rast pas rasti shtrembërimet e historisë së arbërve të nën-Vjosës, si dhe çmonton manipulimet romantike me përcaktimet që gjenden në burime për etnicitetin e besimin. Çmimi Shkencor “Petrit Radovicka” shkoi për Niko Panon me veprën “Pasuritë ujore të Shqipërisë”, një studim i gjerë dhe kompleks, është rezultat i kërkimeve gjysmëshekullore për resurset hidrike të Shqipërisë, të realizuar me metoda bashkëkohore, me kontribut të shquar për shërbimin hidrometeorologjik në fushën e pasurive ujore të Shqipërisë me ndikim teorik e praktik në kërkim – zhvillim, si dhe në fushën e arsimit e të edukimit të kërkuesve të rinj.
Çmimin “Kërkuesi i ri më i suksesshëm në shkencat albanologjike” e fitoi botimi “Katërungjillëshi i dekoruar i Korçës” (Kodiku i Korçës), Athinë 2012 me autorë Andi Rëmbeci dhe Sokol Çunga, ndërsa konkurronin dhe Gjon Berisha e Nebi Bardhoshi. Në fjalën e mbajtur, veç falënderimeve, Çunga, kërkoi vëmendjen e institucioneve shtetërore për botime të tilla, ndërsa botimi në fjalë është financuar nga KOASH dhe Shoqëria Biblike. Është një botim specifik, në të cilin bashkohen disa kompetenca: të njohjes së historisë së krishterimit, të paleografisë dhe historisë së shkrimeve dhe dorëshkrimeve, të gjuhës greke mesjetare, të metodave të transkriptimit dhe transliterimit, të hermeneutikës. Për dorëshkrimin që i është kushtuar vepra Akademia e Shkencave ka shprehur interesim kërkimor qysh në vitin 1981, kur Petraq Pepo u ngarkua të bënte një përzgjedhje burimesh në dobi të historisë së Shqipërisë, që u vu në qarkullim për përdorim të brendshëm. Libri përmban studimin introduktues, tejshkrimin dhe përkthimin, si dhe riprodhimin anastatik. Bën pjesë në botimet e luksit. Shënjon një arritje në fushën e tekstologjisë kritike biblike-ungjillore dhe përbën një shembull për vënien e burimeve kishtare, sidomos të kodikëve kronografikë (regjistra) në funksion të ndriçimit të historisë kombëtare.
Kërkuesi i ri në shkencat natyrore e teknike u shpall Rigers Bakiu për monografinë “Evolucioni molekular i peptidit RFamide i piroglutamilizuar dhe receptorit jetim të proteinës G të çiftëzuar”, është një kontribut i dobishëm në kuptimin e mekanizmave të rregullimit të aktivitetit të lëvizjes, gjumit dhe të efektit mbrojtës në sëmundjen Alzheimer.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. “Është sporti i enveristëve”-ka dashur të thotë Xhufi. Pra duhet të jesh bir sigurimsi, komunisti e persekutori që të bësh histori.
    Falëminderit Xhufi, por e dinim këtë.

    Përgjigju ↓