Kryesore

Falen borxhet ndaj ISSH, përfitojnë të vetëpunësuarit, ja kushtet

09:17 - 23.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ornela MANJANI

Të vetëpunësuarit në bujqësi që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore gjatë pesë viteve të fundit mund të përfitojnë nga falja që hyn në fuqi në fillim të majit. Në ligjin për faljen që është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare thuhet se fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, që nuk kanë paguar kontribute nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2016. Kushti i vetëm është pagesa e kontributeve brenda datës 31.12.2017.

SI TË PËRFITONI NGA SKEMA

Personat që nuk kanë asnjë vit të mbuluar nga sigurimet për shkak se s’kanë punuar, ose gjatë kohës që kanë punuar kanë qenë të pasiguruar kanë shanse për të marrë pension pleqërie. Ata mund të përfitojnë nga dy vendime qeverie, VKM nr. 77, datë 28.01.2015 dhe në VKM nr. 653, datë 22.07.2015. Qytetarët e interesuar mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi, por duhet të plotësojë dy kushte.  E para, duhet të kenë tokë bujqësore dhe të banojnë në të njëjtin rreth ku ndodhet toka në pronësi ose në përdorim dhe të zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale. E dyta, personi duhet të banojë në fshat dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale, edhe nëse ka tokë në pronë- si ose në përdorim, me vendndodhje në rrethin fqinj.

Burime zyrtare nga Instituti i Sigurimeve bëjnë të ditur se masa e kontributit vjetor për sigurimet shoqërore është 38,400 lekë, nëse banoni në zonë fushore dhe 29,400 lekë nëse banoni në zonë malore (Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë).

Vitet e siguruara  mund të plotësohen si i vetëpunësuar në bujqësi, duke paguar kontributet për këto periudha, sipas masës së mësipërme të kontributit vjetor për sigurimet shoqërore

KUSHTET PËR T’U SIGURUAR

Sipas ligjit për sigurimet shoqërore, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte: të ketë mbushur moshën 16 vjeç, të jetë i/e aftë për punë, çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension, nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë.

Sipas ligjit, i vetëpunësuari në bujqësi duhet: të banojë në të njëjtin qark ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale dhe të banojë në fshat, megjithëse tokën mund ta ketë në qarkun fqinj.

DOKUMENTET

I vetëpunësuari në bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi këto dokumente: Certifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, vërtetimin e pronësisë mbi tokën të lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të komunës ose bashkisë, ose akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (psh., qiramarrje). Sipas ligjit, në çdo rast për sigurim të periudhave për vitin korrent si dhe për periudha të kaluara do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore/blegtorale. Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi, plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”.

Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare, ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës, zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese. Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”. Këto dokumente në asnjë rast nuk duhet t’u dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

PËR TË VETËPUNËSUARIT NË BUJQËSI

Pagesa, 29 400 lekësh në vit

Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.

Pagesat, 38 400 lekë në vit

Në zonat fushore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.

 

PAGESA E KONTRIBUTEVE

Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.

I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.01.2015 e në vazhdim mund të derdhë kontributet për sigurimet shoqërore kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.01.2015 e në vazhdim mund t’i derdhë kontributet për sigurimet shoqërore kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkërisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj. Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, llogaria bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilat aplikohen edhe kamatëvonesat përkatëse

Përfitimet nga skema

Përfitimet që rrjedhin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi: Kuotat e ulëta të pagesave të kontributeve për sigurimin shoqëror, si rrjedhojë e politikave favorizuese shtetërore. Për një vit vjetërsie në punë në shtet një i/e vetëpunësuar në qytet paguan 60 720 lekë, ndërsa i/e vetëpunësuari/a në zonat fushore paguan 38 400 lekë në vit. I/e vetëpunësuari/a në zonat malore paguan vetëm 29 400 lekë në vit. Përfitim të vjetërsisë në punë, ku njohja e periudhave për të cilat janë paguar kontribute njihet vjetërsi në marrëdhënie pune me shtetin. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues/e, sipas rastit, i/e:

– Pensionit bazë të pleqërisë.

– Pensionit të pjesshëm të pleqërisë.

– Pensionit të reduktuar të pleqërisë.

– Pensionit të invaliditetit.

– Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.

– Pensionit familjar.

– Të ardhurës për barrëlindje.

– Shpërblimin për lindje fëmije


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.