MILOSAO

Historia e princ Muzhaqit dhe kontit Gjuriç Vladan, dy nipat e Skënderbeut që luftuan përkrah tij

07:51 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Avni ALCANI*

Dy nipat e Skënderbeut, Muzhaq Komnen Golem Araniti dhe Gjuriç Vladani, kanë qenë figura të njohura të aristokracisë shqiptare të shekullit të 15-të dhe nga kapedanët më të shquar të ushtrisë arbërore. Nuk dimë shumë për jetën e tyre, pasi, për fat të keq, mungojnë si burimet historike dhe ato arkivore, por, ato pak informacione që kanë mbërritur, i përshkruajnë të dy si luftëtarë dhe kapedanë të shquar, të cilët luftuan përkrah Skënderbeut kundër ushtrisë Otomane, që ishte fuqia më e madhe ushtarake e kohës.

*   *   *
Nuk dihet se kur dhe ku ka lindur Muzhaqi i Angjelinës, por disa të dhëna për jetën e tij i kemi nxjerrë nga libri i M. Barletit:”Historia de vita et gestis Skanderbegi, epirotarvm principis” dhe libri i Gjon Muzakës: “Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi”. Barleti shkruan se Muzhaq Golem Araniti ishte një “burrë i pashoq për mjeshtërinë e luftës” (Barleti 1983: “Histori e Skënderbeut”, botim shqip, faqe 242) dhe se ai thirrej “Muzaka i Angjelinës, por që thirrej edhe me mbiemrin Golem Arianiti…” (Po aty, faqe 402). Kurse Gjon Muzaka shkruan se ai quhej”Muzak Komneni(por)që thirrej nga populli i Angjelinës”(Muzaka 1996: “Memorie”, botim shqip, faqe 36).
Muzhaqi del në pah në vitin 1443, pas kthimin e Skënderbeut në Krujë. Për të pritur Skënderbeun ishin mbledhur për ta uruar një pjesë e madhe e krerëve të aristokracisë arbërore dhe”ndërmjet të tjerëve, -shkruan Barleti,-  ishin: Muzaka i Angjelinës, nip nga e motra Angjelinë…”(Barleti 1983: faqe 120). Gjon Muzaka jep të dhëna të rëndësishme për familjen dhe lidhjet e Muzhaqit me Aranitët e tjerë. Në vijim të shkrimit tonë do të njihemi me pjestarë të familjes së tij, si dhe do të zbulojmë pronat në zotërim të Muzhaqit dhe vendndodhjen e tyre

Barleti dhe Muzaka shkruajnë se babai i tij ishte Vladan Komnen Araniti, kurse nëna quhej Angjelina Kastrioti, e cila ishte motra e Gjergj Kastriot Skënderbeut (Barleti, 1983: faqe 402; Muzaka, 1996: faqe 45). Vladani kishte dy vëllezër: Gjergj Komnen Aranitin, vjerrin e Skënderbeut, dhe Muzhaq Golem Komnen Aranitin, babain e Moisi Golemit(Barleti 1983: faqe 402). Gjon Muzaka, i cili ishte bashkëkohës i Muzhaqit, por ka qenë edhe kunat i tij, pasi ky i fundit ishte martuar me motrën e Gjonit, Zonjën Maria Muzaka (Muzaka, 1996: faqe 36), shkruan se ai kishte një vajzë të quajtur Princesha Porfida Komninati, e cila ishte edukuar në oborrin e Mbretëreshës Johana, gruas së mbretit Ferdinand të Napolit(Muzaka, 1996: faqe 45). Princesha Porfida ishte martuar me një aristokrat italian, i quajtur Juli i Valinjanos, që mbante titullin e Baronit të Abrucit. Ata patën katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza dhe të katër fëmijët u martuan me dyer të familjeve të mëdha të Mbretërisë së Napolit në Itali(Muzaka1996: faqe 36).
Për mungesë dokumentacioni është shumë e vështirë që të identifikohen se kush ishin pronat në zotërim të Muzhaqit dhe ku ndodheshin ato. “Ne nuk jemi të informuar konkretisht, – shkruan Dh. S. Shuteriqi, – as nga dokumentet vendase, as nga ato perëndimore, as nga ato osmane, se cilat ishin emër për emër, domenat e Aranitëve, cilat të njërit e cilat të tjetrit prej tyre”(Shuteriqi 1981: faqe 134). I vetmi kronikan që flet për pronat e Muzhaqit të Angjelinës është Gjon Muzaka, i cili shkruan se  ato ishin një kështjellë që quhej Biesca (Bjeshka) dhe disa fshatra që janë në Cermenica (Çermenika) dhe Tamadi (Shëngjergji i sotëm), por pa i përcaktuar me emër (Muzaka 2006: faqe 36). Lind pyetja se kush kishin qenë fshatrat në Çermenikë dhe Tomadhe në zotërim të Muzhaqit të Angjelinës? Për t‘i gjetur ato do të na duhet që të ndjekim një shteg të veçantë, atë të tjetërsimit që pësuan pronat e Muzhaqit pas vrasjes nga së tij osmanët dhe të largimit të familjes Araniti nga Arbëria.
Është i njohur fakti se sulltani i shpërblente renegatët dhe tradhëtarët që kishin vrarë apo kishin kapur rob fisnikë të lartë, duke u dhënë atyre pronat që kishin qenë në zotërim të fisnikëve.”Osmanët i kanë shpërblyer tradhëtarët vendas”, – shkruan Shuteriqi në studimin e tij “Aranitia në vitin 1467” (faqe 139). Tradhëtarët që zunë të gjallë Moisiun, shkruan historian O. Schmitt në librin e tij “Skënderbeu” (Tiranë 2008), sulltani i kishte shpërblyer duke u dhënë pronat që kishin qenë më parë në zotërim të tij (faqe 250).Në Defterin emëror të vilajetit të Dibrës, Dulgobërdës, Rijekës dhe Çermenikës të vitit 1967 (871 h.) shkruhet se “… Jusufi (Josifi) dhe Gjoni… zunë tradhëtarin Muzak, (dhe) për çdo vit marrin pjesë që të dy në fushime ushtarake”.(Arkivi i Institutit të Historisë: Defterit emëror të Vilajetit të Dibrës, Dulgobërdës, Rijekës dhe Çermenikës, faqe 69). Sipas historianëve, Muzaka i përmendur në dokumentin turk është “dëshmori Muzakë i Angjelinës…” (Shuteriqi 1981: faqe 138-139).Historiani O. Schmitt-i shkruan se “… Muzaka i Angjelinës (u mbërthye) nga një arbër i quajtur Gjon, i cili e bëri këtë vepër së bashku me Jusufin, një mysliman; sulltani i shpërmbleu bujarisht këta të dy “ (Schmitt 2009: faqe 250-251). Cilat kishin qenë fshatrat që i patën marrë dy renegatët shqiptarë si shpërblim të tradhëtisë së tyre? Sipas Defterit osman aty shkruhet se timar i Jusufit dhe Gjonit janë fshatrat: Gradec (Gradec), Lubnik(Lunik), Neçte (Neshtë) dhe Kostenjani (Kostenjë) (AIH: faqe 69-70). Sipas kronistit Gjon Muzaka pronat në zotërim të Muzhaqit në Tomadi kishin qenë katër fshatra, të cilat, shkruan ai, ndodhen në Marguesi, pranë Palolës (Muzaka 1996). Në Defterin e përmendur osman, krahina e Tomadhesë emërtohej si “Krahina e Tamadhesë në vilajetin e Çermenikës”,d.m.th., që kjo krahinë ishte nën juridiksionin e Vilajetit të Çermenikës dhe timar i disa fshatrave në Tomadhe është përsëri Jusufi (Josifi), i cili pati zënë rob Muzhaqin dhe si shpërblim ka marrë fshtrat Shëngjergji, Padholi dhe Kasalla,që, si dhe fshatrat e mësipërm të Çermenikës, kishin qenë më parë në zotërim të robit të tij, Muzhaqit.
*   *   *
Dy biografët e Gj. K. Skënderbeut, Marin Barleti dhe Dhimitër Frangu, kanë përshkruar në veprat e tyre një galeri me personazhe dhe ngjarje nga më të rëndësishmet të shekullit të 15-të, atë të betejave që shqiptarët zhvilluan kundër ushtrisë otomane. Një prej tyre ka qenë Gjuriç Vladani, i cili kishte lidhje shumë të ngushta me Skënderbeun. Kështu, p.sh., Marin Barleti shkruan se Gjuriç Vladani ishte një “burrë prej parisë së tij (Skënderbeut) dhe shumë i zoti (Barleti 1983: faqe 258), se”ishte në lidhje gjaku me Skënderbeun” (Barleti: faqe 604) dhe”nip prej motre”i tij (Barleti 1983: faqe 537). Kurse Dhimitër Frangu, kur përshkruan betejën e ushtrisë së Skënderbeut në Itali, i cili kishte vajtur për të ndihmuar Mbretin Ferdinant të Napolit, shkruan se “Skënderbeu… i kishte ndarë ushtarët në tre skuadrone. Njërin syresh do ta udhëhiqte vetë, tjetrën e vuri nën komandën e Moisiut, kapedanit të tij të shquar dhe skuadronin e tretë ia besoi Kontit Givriç, nipit të vet trim”(Franku 2000: faqe 35). Fan S. Noli, në librin “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468” (botim shqip, Tiranë 1967), shkruan se pas emrit të Kontit Givriç është Konti JuricVladani (faqe 91). Emri Givriç mendojmë se ndofta është shkruar gabim nga botuesit apo përkthyesit e librit. Është jashtë çdo dyshimi që Frangu në citimin e mësipërm bën fjalë për Gjuriç Vladanin, pasi ngjarja e përshkruar më sipër është shumë e njohur dhe Kont Gjuriçi kishte komanduar njërën pjesë të ushtrisë shqiptare, kur ajo luftoi në Itali kundër ushtrisë së familjes franceze të Anzhuve. Në lidhje me këtë ngjarje M. Barleti do të shkruante se “Skënderbeu e kishte ndarë ushtrinë e vet në tri pjesë, prej të cilave njërës i kishte vënë në krye Moisiun nga Dibra, tjetrës Gjuriçin…” (Barleti 1983: faqe 537).
Emri i Kontit Gjuriç është përmendur edhe dy herë të tjera në librin e Frangut. Në faqen 36 emri i tij është shkruar Givriçi:”Moisiu dhe Givriçi,dy kapedanë të Skënderbeut,- shkruan ai, – erdhën në krye të ushtarëve të kapur rob…” (Franku 2000: faqe 36). Kurse për ngjarjen e njohur të vitit 1465, atë të betejës së Vajkalit, ku u zunë të gjallë prej Ballaban Pashës tetë kapedanë të ushtrisë së Skënderbeut, Frangu e shkruan Jurici (Frangu 2000: faqe 52).Ai e përshkruan kështu ngjarjen në fjalë: “Moisiu, Jurici, Muzhaqi i Angjelinës, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi… harruan për një çast porosinë e Skënderbeut që të mos e kalonin vendin e caktuar dhe krejt papritur u gjendën në mesin e luginës së Vajkalit. E atëhere, skuadroni i armikut, që rrinte fshehur atje, u hodh i tëri mbi të tetë kapedanët…” (Frangu 2000: faqe 52).
Pamë më sipër se M. Barleti shkruante se Gjuriç Vladani ishte nip prej motre i Skënderbeut. Por djali i kujt prej vajzave të Gjon Kastriotit ishte Gjuriçi? Dihet se Gjergj Kastrioti ka pasur pesë motra, të cilat ishin Mara, Jella, Angjelina, Vlajka dhe Mamica. Mara ishte martuar me Stefan Cernojeviçin, sundimtarin e Malit të Zi dhe kishte patur me të dy djem, Gjergjin dhe Gjonin (Barleti 1983: faqe 122). Jella ishte martuar me Stres Balshën dhe kishte tre djem: Gjergji, Gjoni dhe Boiku ( Barleti, 1983: faqe 120). Angjelina ishte martuar me Vladan Komnen Aranitin dhe, sipas Barletit e Gj. Muzakës, kishte pasur Muzhaqin e Angjelinës (Muzaka 1996: faqe 45). Vlajka ishte martuar me Gjin Muzakën, por burimet historike nuk japin asnjë informacion nëse kishin pasur fëmijë. Gjuriçin e përjashtojmë që mund të kishte qenë fëmija i tyre, për shkak se, së pari, ai do të duhej mbante mbiemrin e familjes “Muzaka” dhe, së dyti, sipas traditës, ai duhej të kishte si mbiemër emrin e të atit, në këtë rast “Gjini”, ndërkohë që dihet se ai nuk i ka pasur kurrë asnjë nga këto dy mbiemra. Motra e vogël e Skënderbeut, Mamica, kishte qenë e pamartuar deri në kohën kur ky i fundit ishte kthyer në Shqipëri (viti 1443). Skënderbeu, për arsye të konjukturave politike, e martoi motrën e tij me Muzak Topinë, me të cilin ajo pati vetëm një djalë, që quhej Reposh (Schmitt 2009: faqe 151, 152).Në vitin 1981 Dhimitër S. Shuteriqi në një studim kushtuar Aranitëve, të titulluar “Aranitia në vitin 1467” dhe të botuar në revistën “Studime historike” (Nr. 1, Tiranë 1981), shkruan se Muzhaqi i Angjelinës ka patur edhe një vëlla, i cili quhej Gjurik Vladani (Shuteriqi 1981, faqe 134). Shuteriqi është i vetmi historian që e përmend Gjuriçin si vëlla të Muzhaqit të Angjelinës, por ai nuk sjell asnjë argument për të vërtetuar një fakt të tillë. Në fisnikërinë shqiptare të shekullit të 15-të ishte traditë që djemtë të merrnin si mbiemër (llagap) emrin e babait të tyre. Kështu, p.sh., djali i Jellës dhe i Stres Balshës, shkruante Barleti, thirrej Gjergj Stresi, duke marrë si llagap emrin e të atit (Barleti 1983: faqe 120). Nga Barleti kemi informacionin se Gjuriçi mbante si llagap emrin “Vladani”. Thamë më sipër se Angjelina, motra e Skënderbeut, ishte e martuar me Vladan Aranitin, ndaj do ishte e natyrshme që një djalë i tyre të mbante si llagap emrin e babait të tij. Gjuriç Vladani, që Barleti shkruante se ishte “nip prej motre” i Skënderbeut, ishte djali i motrës së tij, Angjelinës, gruas së Vladan Komnen Aranitit  dhe vëllai i Muzhaqit të Angjelinës. Mendojmë se këtë rrugë argumentiduhet të ketë ndjekur edhe Prof. Shuteriqi, kur pati shkruar se Gjuriç Vladani kishte qenë vëlla i Muzhaqit të Angjelinës.
Por çuditërisht Gjon Muzaka nuk e përmend Gjuriç Vladanin si djalë të Vladan Aranitit, apo vëlla të Muzhaqit të Angjelinës. Shkaku duhet kërkuar te qëllimi që kishte Gj. Muzaka kur shkroi “Memorien”, e cila u hartua për t’u treguar pasardhësve të tij se ku i kishin pasur pronat Muzakajt dhe rrethi i tyre familjar. Muzhaqin e Angjelinës ai e kishte kunat, burrin e motrës, pra dhe një pjestar të familjes së tij.Nuk kemi informacione për jetën e Gjuriçit, nëse kishte qenë i martuar dhe nëse kishte lënë trashëgimtarë. Po të supozohet se ai nuk ka lënë trashëgimtarë, atëherë Gj. Muzaka e kishte lënë qëllimisht Gjuriçin jashtë “Memories”. Të njëjtën gjë ai kishte bërë edhe me tre djemtë e Gjergj Aranitit, Thomain, Kostandimin dhe Aranitin, të cilët nuk i kishte përmendur, pasi Gj. Araniti i kishte pasur me një grua italiane, në një kohë që i kishte përshkruar të 8-të vajzat e tij që i kishte pasur nga martesa e mëparshme me Maria Muzhakën, hallën e Gj. Muzakës.
Pas kthimit të Skënderbeut në Arbëri në vitin 1443, dy djemtë e Angjelinës, Muzhaqi dhe Gjuriçi, qenë ndër të parët fisnikë që u radhitën në ushtrinë e dajës së tyre. Muzhaqi i Angjelinës, shkruan Barleti, ishte i pari nga krerët e fisnikërisë shqiptare që mbërriti në Krujë për ta përshëndetur dhe për t‘i dhënë përkrahje Skënderbeut (Barleti 1983: faqe 93).Skënderbeu, në misionin e tij të rëndësishëm për të çliruar trevat e ardheut të tij, që kishin pushtuar otomanët,u mbështet te dy djemtë e Angjelinës. Ai u besoi dy nipërve momentet më të rëndësishme të betejave që zhvilloi kundër ushtrisë osmane. Në çdo betejë, si brënda por edhe jashtë kufijve të atdheut të tyre, të dy fatosat e Aranitëve treguan një guxim dhe trimëri të rrallë. Të dy qëndruan në ballë të betejave kundër osmanëve dhe në shumicën e betejave ata qenë sëbashku dhe krah për krah me njëri-tjetrin. Gjatë rrethimit të 2-të të Krujës, kur Sulltan Murati II u vu vetë në krye të ushtrisë otomane, Skënderbeu dërgoi Muzhaqin e Angjelinës dhe Gjuriç Vladanin për të vrojtuar kampin e ushtrisë rrethuese dhe për të parë vendin lidhur me sulmin e mundshëm të ushtrisë osmane.”Për të vërejtur kampin e armiqve dhe për të parë mirë gatitjen e tyre lidhur me sulmin kundër qytetit, – shkruan Barleti, – dërgoi më parë Muzakën dhe Gjuriç Vladenin… ndërsa vetë qëndroi atje dhe po priste në një heshtje varri, gjersa të vinin ata dhe të merrte vendim se ç’duhej të bënte”(Barleti 1983: faqe 258). Momenti më i rëndësishëm dhe më i vështirë për të dy vëllezërit ka qenë kur ata luftuan kundër Moisi Golemit, i cili ishte djali i xhaxhait, por që kishte tradhëtuar Skënderbeun, dajën e tyre dhe ishte bashkuar me Sulltanin. Skënderbeu e kishte ndarë ushtrinë e tij në dy pjesë.”Ushtria jonë, – shkruan Barleti, -ishte ndarë më dy krahë, nga të cilët njërin e mbajti Muzaka, i quajturi i Angjelinës, tjetrin Gjuriç Vladeni”(Barleti, faqe 461). Dy vëllezëritu vendosën përballë ushtrisë osmane, që ishte e komanduar nga Moisiu. Pas kërkesës që Moisiu i bëri Skënderbeut për dyluftim, ky nuk mundi që të përballej me prijësin e shqiptarëve dhe u largua me turp nga fusha e betejës. Kjo strategji e Skënderbeut pati qenë e jashtëzakonshme, pasi, duke i vënë Aranitët përballë njëri-tjetrit, e bëri të pamundur dyluftimin vëllavrasës dhei siguroi fitoren e ushtrisë së tij. Pas kësaj beteje, Moisi Golemi i kërkoi ndjesë Skënderbeut dhe, pas faljes, ai i qëndroi besnik Kastriotit deri në fund të jetës së tij.
Gjuriç Vladani u shqua si ushtarak dhe kapiten i sprovuar edhe gjatë invazionit ushtarak që zhvilloi Skënderbeu në Itali, kur shkoi që të ndihmonte mbretin Ferdinant të Napolit. (Barleti,Po aty, faqe 537).
Tre Aranitët e famshëm: Moisi Golemi, Muzhaqi i Angjelinës, Gjuriç Vladani dhe disa prej kapedanëve më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut, patën një fund të hidhur. Në Betejën e Vajkalit, shkruan Barleti,këta kapedanë, “të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç’duhej…” (Barleti, 1983: faqe 604). Ndër të parët u hodh në sulm Moisi Golemi, të cilit Skënderbeu i kishte besuar komandën e përgjithshme të ushtrisë, dhe pas tij u hodhën Gjuriç Vladani, Muzhaq Komneni, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Koka dhe Gjin Maneshi.Ata ranë në kurthin e ngritur nga Ballaban Pasha dhe, pasi u kapën të gjallë, u dërguan të lidhur këmbë e duar në Stamboll. Atje u turturuan deri në vdekje.”Me vdekjen e tyre, – shkruan M. Barleti, – e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake” (Barleti, faqe 604).

*   *   *

Emrat e Muzhaqit të Angjelinës dhe Gjuriç Vladanit ruhet ende në kujtesën e banorëve të krahinës së Çermenikës dhe të fshatarave të tjerë që kanë qenë zotërime të tyre. Në fshatrat Polis dhe Gurakuq të Çermenikës jetojnë ende fise që mbajnë si llagap emrinMuzhaqi, si trashëgimtarë të Muzhaq Komnen Golem Aranitit. Në fshatin Sopot, i cili ndodhet në kufi me fshatin Polis, njëri nga fiset më të lashta të tij mban emrin Ngjelina (Angjelina). Mali më i lartë, që ndodhet mbi fshatin Neshtë quhet Guri i Muzhaqit, i cili ngrihet si një përmendore gjigande, në përkujtim të emrit dhe të lavdisë së dikurshme të Muzhaqit të Angjelinës, Princit të Çermenikës. Emrat Gjuriç, apo Gjuriçe, duket se ka qenë emra të zakonshëm në fshatrat e krahinës së Çermenikës, që kishin qenë nën zotërimin e djemve të Vladan Aranitit. Në regjistrin kadastral osman të vitit 1467 në fshatin Neçte (Neshtë) ishte regjistruar një banor me emrin “Gjurece, biri i Gjergjit” (Arkivi Institutit të Historisë: “Defteri emëror i Dibrës, Rjekës, Gollobordës dhe Çermenikës”, faqe 69), kurse në fshatrat Kuturman dhe Shmil të Çermenikës gjendet edhe sot e kësaj ditefisi me emrin Gjura, i cili s’është tjetër veçse shkurtimi i emrit Gjuriç.
*Titulli origjinal i librit është PRINC MUZHAQI I ANGJELINËS DHE KONTI GJURIÇ VLADANI, DY NIPAT E SKËNDERBEUT QË LUFTUAN PËRKRAH TIJ


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.