KULTURË

Luçia Nadin: Nicolo Franco, shqiptari që përhapi kultin e Zojës në Venecia në shek.XV

11:00 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Luçia Nadin




Kulti i Zojës së Këshillit të Mirë në hapësirën veneciane, sipas dëshmive të hershme, regjistrohet të ketë një përhapje të gjerë gjatë shtatëqindës në shumë provinca të Venedikut, Trentinos, Emilia Romanjës: kjo ndodhi sigurisht pas nxitjes së Klementit XI, papa Albanit, me origjinë familjare të vjetër shqiptare, siç njihet.
Nuk është e njohur saktësisht se kur ndeshet në Shkodër kulti i Zojës së Këshillit të mirë; në Fjalorin Historik Kishtar të Moroni-t lexohet në zërin Gjenacano se në kohën e transferimit të Shtëpisë së Shenjtë të Nazaretit – pra fundi i shekullit XIII – është shfaqur në Shkodër një figurë e Zojës, e cila u nderua fillimisht me titullin e Zojës së Detyrës së Mirë, në vijim i ndryshuar në Zoja e Këshillit të Mirë.
NDËRKOHË, QYTETI I VENECIAS
Një figurë e Zojës së Këshillit të mirë, një pikturë brenda një kornize të madhe dhe të çmuar, të gdhendur, u nderua pranë sheshit Shën Marku në kishën e Shën Gallos, i cili qe një Orator azil për shtegtarët që shkonin në tokën shenjtë; por nuk ka data të sigurta rreth fillimit të kultit: brenda altarit të quajtur i Zojës së Këshillit të Mirë mbahej deri në shekullin e XVIII ajo pikturë, për të cilën u humbën gjurmët më pas. Në Oratorin e Shën Gallos dihet se mbërritën shqiptarët në Venecia që nga shekulli XV. Në vitin 1442 komuniteti i shqiptarëve në Venecia u mblodhën për të parën herë në shoqatë, pranë kishës së Shën Severo ku, sipas një tradite historiografike që lidhet me Françesko Sansovino, ishte ngritur në kuvend kushtuar Shën Gallo-s (tezë e hedhur poshtë nga Corner në librin e tij Eçlesiae Venetae). Atje që nga viti 1442 komuniteti shkroi një “Mariegola” të tijën, domethënë librin që rregullonte jetën e anëtarëve të vetë komunitetit. Në vitin 1448 “Shkolla e Shqiptarëve” pati njohje zyrtare nga ana e autoritetit venecian dhe u shpërngul pranë Kishës së Shën Mauricio-s: bëri si mbrojtës Shën Gallon, Zojën, domethënë Zojën Tonë të Shkodrës dhe Shën Mauricio-n; Cronica Veneta sacra e profana (Venecia, Pietteri, 1736) thotë se në vitin 1447 në Shën Mauricio ishte i pranishëm tashmë një altar, i cili i kushtohej së Lumes Virgjër dhe Shën Gallos dhe se një figurë e tillë ishte akoma e ruajtur në shekullit XVIII. Kemi të bëjmë me Zojën e Këshillit të Mirë? Nuk jemi në gjendje ta pohojmë.
Në dokumentet historike dhe artistike “zyrtare” që kanë të bëjnë me Shkollën e Shqiptarëve, titulli specifik i Këshillit të Mirë nuk del në pah.
Në pikturat e porositura te Vittore Carpaçio në vitin 1504 për të zbukuruar sallën e mbledhjeve brenda “Shkollës”, u paraqitën gjashtë histori të Jetës së Maris: Lindja, Paraqitja në Tempull, Mrekullia e shkopit të lulëzuar, Nunciata, Vizitacioni, Vdekja. Në veshjen e gurtë nga Istria të fasadës së “Shkollës” të realizuar në vitin 1532 duken të gdhendur pajtorët e saj: Shën Gallo, Shën Mauricio dhe Zoja që mban në krahun e majtë Fëmijën në një pozicion ndryshe nga ai që na intereson këtu, ai i Zojës së Këshillit të Mirë, variant i Glykophilousa. Në antiportën e Matrikullës së “Shkollës” e shkruar në Shtatëqindën nga origjinali i vitit 1552, sot i humbur, duket figura e Zojës së Ngjitur në Qiell. Pra, në ikonografinë zyrtare të “Shkollës së Shqiptarëve”, në qytetin e Venecias, ka qenë gjithmonë Maria, me ngjarje të jetës së saj, Maria jo në titullin specifik Zoja e Këshillit të Mirë. Kjo duket se vërtetohet vetëm në Oratorin-Kishë të Shën Gallos.
Aktualisht një kopje me vlerë të vogël artistike është në kishën e Shën Shtjefnit, kishë pothuajse ngjitur me atë të Shën Mauricio-s pranë së cilës deri në gjysmën e shtatëqindës pati selinë “Shkolla e Shqiptarëve”.
PRAPATOKA E VENECIAS & NICOLO FRANCO
Flukset e mëdha migratore të Shqipërisë qendrore e veriore përgjatë Katërqindës, me kulmim pas dy rrethimeve të Shkodrës të vitit 1474 dhe 1478, kanë përfshirë të gjitha tokat e Serenissima: një politikë e kujdesshme integrimi nga Senati shpërndante, le të themi kështu, ardhjet sipas kritereve të përkatësisë shoqërore në tokën që kishin lënë, natyrisht si garanci shërbenin dëshmitë personale (vetë certifikim do të thoshim në kohët moderne).
Rregulltarët e shumtë shqiptarë të emigruar u vendosën shpesh në pika nevralgjike, për shembull në zona kufitare të shtetit: shenjë kjo e vlerësimit që i rezervohej klerit shqiptar në lidhje me “besnikërinë” ndaj Republikës. Dhe pra pikërisht nga regjistrimi i pranive të tilla në Dioqezat e ndryshme – punë kërkimore akoma për t’u bërë në pjesën më të madhe të saj- mund edhe, në ndonjë rast në të cilin kjo punë është kryer, të gjejmë në gjurmë arti të mbijetuar pikërisht porositë shqiptare. Kështu ka ndodhur në zonën e Belluno-s, ku në Mel një Ciborio i madh, ndoshta një monument i nënkuptuar i Skënderbeut, mund të admirohet edhe sot, vepër e porositur në vitin 1465 nga famullitari shqiptar Gjergj nga Novo Monte (sot në Kosovë). Në të njëjtën mënyrë ka ndodhur në shumë kisha të prapatokës venedikase në të cilën shfaqen skulptura të mrekullueshme që u porositën nga ai që sot mbahet si skulptori më i madh i drurit i Venedikut të periudhës së Rilindjes: Paolo Campsa, djali i Aleksandrit që kishte migruar nga Shkodra në fundin e viteve shtatëdhjetë të katërqindës.
Nuk habit pra që është gjetur kulti i Zojës së Këshillit të Mirë në një zonë të krahinës së Trevizos, kult i nxitur nga një meshtar shqiptar që drejtoi, duke filluar nga vitet tetëdhjetë të katërqindës, bashkësinë rregulltare dhe kishën e Shën Felicita di Romano, në kufi me Asolo (vend i njohur, sepse në të u dërgua mbretëresha e Cipro Cornaro, pas lënies së kësaj mbretërie Republikës së Venecias): kemi të bëjmë me Nicolo Franco, që jetoi gjatë dhe vdiq nëntëdhjetëvjeçar në vitin 1535. Një personalitet që u bë nxitës i një debati të gjatë lidhur me pronësinë e Shën Felicita (me anekset) që përfshiu vetë atë Nicolo Franco, me origjinë nga Danja, nipin e tij Girolamo Zorzi i quajtur Messio, i mërguar së bashku me të ëmën nga Shkodra, me vëllezërit e Shën Sebastianit të Venedikut. Të dy, dajë dhe nip, dhe mbi të gjitha i nipi gjithnjë i mbështetur nga Curia Romane kërkonin pozitën e tyre prej emigrantit, se i ishte dashur të braktisnin tokën e tyre pasi kishin mbrojtur si politikën venedikase ashtu edhe krishterimin perëndimor.
Nuk e dimë nëse Nicolo Franco ishte i afërm i Demetrio Franco, historian i Skënderbeut, famullitar i Briana-nës, pranë Noale, ku e zëvendësoi Palë Ëngjëlli, i biri i Pjetrit, nipi i ipeshkvit Palë, ambasador i Skënderbeut në Venedik. Në luginën e Shën Felicita-s, atje ku e gjatë qe prania e rregulltarëve shqiptarë rreth ‘400-ës dhe ‘500-ës, mund të gjendet sot gjurmë e saktë e kultit të Zojës së Këshillit të Mirë, që mund të lidhet pikërisht me praninë e Nicolo Franco. Ky e solli kultin duke e “importuar” nga Gjenacano apo nga Shkodra? Nuk ka dokumente specifike që e qartësojnë. Kush shkon sot atje në atë vend takon një kapelë në të cilën ruhet – e ribërë në tetëqindën – një figurë e Zojës së Këshillit të Mirë, që mbetet me shekuj në mëshirën popullore si pajtore e vetë luginës, akoma dhe veçanërisht në trazirat e luftërave botërore të nëntëqindës.
HISTORIA
Ja historia, megjithëse me dokumentacion ende jo të plotë.
Në luginën e Shën Felicita-s, në rrëzë të maleve Grappa, lulëzonte ende gjatë Mesjetës një panair-treg i rëndësishëm dhe kishte një kuvend benediktin që shkallë-shkallë u rrënua, edhe ai pjesë e një krize akoma më të gjerë të Benediktinëve në territoret e Padovës dhe të Trevizos, pasojë e skizmës së perëndimit. Gjatë dhjetëvjeçarit të tretë të shekullit të XV rilindja fetare përfshin edhe kompleksin e Shën Felicita-s; në vitin 1482 Papa Sisto IV emëron në prioratin e Shën Felicita-s shqiptarin Nicola Franco, i cili do ta mbajë për dhjetëra vjeçarë, duke ia lënë pastaj si trashëgimi, me testament të vitit 1532, të nipit Girolamo Zorzi të quajtur Messio (gjë që do të ngjallë një mosmarrëveshje të gjatë me Girolamini-t e Venedikut, siç e thamë).
Historiani i tetëqindës i luginës, Bortoli, shkruan që ishte pikërisht Nicolo Franco që solli atje kultin e Zojës së Këshillit të Mirë, që i dha shpejt jetë ngjarjeve të mrekullueshme:
“Dhe meqenëse janë për t’u përmendur kultet të vjetër të Luginës së Shën Felicita-s, nuk është pa vend të njihet se si, me të ndodhur mrekullia fillestare e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra (Shqipëri) në vitin 1457 (siç) në dheun e Gjenacanos, një shqiptar i quajtur Nicolo Franco, Prior i kuvendit të eremitëve, ndoshta pasardhës nga dy tregtar Gjergj dhe Scherj që nga deti dhe nga toka ndoqën mrekullisht figurën e shenjtë, bëri, pak larg nga kuvendi, duke e vendosur në një nike të gërmuar në një shkëmb të quajtur Scalon, figurën e dashur e Këshillit të Mirë në kujtim të mrekullisë më të re të shënuar dhe në mbrojtje të Pedemontani di Romano dhe Semonzo (dy fshatrat e afërt) në ngjitjen e shtigjeve kryesore të malit. Pasi u shkatërrua kuvendi, në fillim u zhduk piktura, duke u parë vetëm vendi i gdhendur në shkëmb dhe duke mbetur tradita e pikturës së Marisë. Me gjithë këtë guri i Zojës së Këshillit të Mirë nuk u zhduk dhe përkundrazi pas dy shekujve u ngrit edhe më i gjallë se më parë”. Pra, thotë Bortoli, qe Nicolo Franco që solli kultin e Zojës së Këshillit të Mirë në luginë, në rrëzë të malit Grappa.
Lugina e Shën Felicita-s qe braktisur gjatë Pesëqindës, u shkatërruan kuvendi dhe kisha (e cila si pasojë e një përmbytjeje ishte rindërtuar nga vetë Nicolo Franco), por mbetën shenjat e besimit në një figurë të Zojës e vendosur në rrëzë të Scalon-it, gjithashtu, edhe në një “kapitel”, të ngritur në hyrje të luginës, më vonë e mbrojtur nga një veshje e jashtme. Një hartë e vitit 1690 e porositur nga kardinali Giorgio Cornaro lidhur me pasuritë e tij në luginë shënon një kapelë, ndoshta e ndërtuar në rrënojat e një ndërtese fetare të mëparshme; pastaj, nga një relacion i vitit 1723, edhe ajo del e zhdukur. Qe në fillim të tetëqindës që banorët e Semonzo-s dhe Romano-s (dy vendet më të afërta me vendin në fjalë, e thamë) deshën të rindërtonin në formë më elegante “kapitelin” e vjetër, duke ringritur atë kult të Zojës së Këshillit të Mirë gjithnjë të kultivuar, për shekuj, në luginën e Shën Felicita-s: në vitin 1816 ishte ngritur tashmë dhe figura e Zojës e portretizuar aty ju besua penelit të Stefano Marcadello. Një zgjerim i strukturës pasoi një shekull më pas, duke ruajtur pikturat e brendshme dhe akoma edhe sot është vend shtegtimi dhe lutjeje. Teksti i fundit të tetëqindës i Bartoli-t, i lartshënuar na intereson për disa arsye, përtej pasaktësive të ndryshme – data – dhe hipotezat plot fantazi – variantet e tregimit të konsoliduar në hapësirat e zonës së Lazios, domethënë prejardhja e mundshme e Frankut nga tregtarët Gjergji dhe Scherj.
Portreti i shenjtë ishte vendosur larg nga kuvendi, ku fillonin shtigjet që të çonin drejt maleve që mbizotëronin luginën e Shën Felicita-s; ajo ishte vendosur në një farë zgavre të vogël që gjendej në fillim të shtigjeve që çonin në majën e maleve dhe ata që duhet të fillonin ngjitjen i porositeshin pikërisht mbrojtjes së Zojës; një pushim fillestar, pra përpara Scalon-it, vetë emërtimi i tij (shkallë, shkallare e madhe) tregon ngjitjen. Qenë ato me siguri njëkohësisht edhe shtigje të shtegtimit të gjësë së gjallë. Ishin shtigje të vështira, që të çonin në dy shpate të malit Grappa.
Por pikërisht vendndodhja e figurës së shenjtë brenda luginës së Shën Felicita-s, në rrëzë të shtigjeve që të çonin në majë të maleve Grappa, mund të na sjellë në mendje një vendndodhje të ngjashme të kishës së Shën Maria Madalenës përballë Kështjellës së Shkodrës, për të cilën flet ipeshkvi Radovani: Edhe në atë rast kemi të bëjmë me një kishëz, e cila gjendet në rrëzë të shumë shtigjeve që të çonin në majën e Taraboshit, përballë kështjellës së Shkodrës. E ngjashme duket vendndodhja mes luginës dhe malit, vend nisjeje, dhe mbërritjeje në kthim, ecjeje, të personave dhe gjësë së gjallë. Një detyrë të ngjashme mbrojtjeje nga ana e Zojës ndaj udhëtimit dhe ndaj rreziqeve të pashmangshme të lidheshin me të. Përtej kapelës, ndërtuar në kujtim të një kulti që kishte zgjatur pra për shekuj në luginë, është e dukshme ende sot edhe zgavra në shkëmb në të cilën ishte vendosur nga Nicolo Franco figura e parë e Zojës së Këshillit të Mirë në brendësi të luginës në rrëzë të maleve Grappa. Të moshuarit e atij vendi dëshmojnë që ende para pak kohësh i janë drejtuar asaj ata që duhej të ndërmerrnin ngjitjet e vështira, për të pasur nga Zoja mbrojtje dhe këshillë lidhur me rrugën që duhej të ndiqnin, gjatë një udhëtimi të rrezikshëm.
Në tregimin tradicional të dy shqiptarëve, që janë duke emigruar nga Shkodra (krahaso Moroni, Fjalori Historik Kishtar), lexojmë se ato thërrasin në ndihmë për udhëtimin e tyre mbrojtjen e Zojës së Këshillit të Mirë dhe janë dëshmitarë të ngjarjes mrekullibërëse të resë, e cila mbështjell Figurën e Shenjtë duke e transportuar pastaj drejtë tokës italiane, drejtë Gjenacanos. I porositen pra “këshillës” së Zojës përpara udhëtimit. Dëshmia e kultit në luginën e Shën Felicita-s ligjëron pra arritjen e një përfundimi: udhëtimi i Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra në Gjenacano qe pothuajse ikonë vetë e Udhëtimit, lidhur me pasiguritë, ankthet, peripecitë që lidheshin me atë.
Edhe shqiptarët që kishin mbërritur në Venecia në Oratorin-Kishë të Shën Gallo-s duke vendosur një figurë të Zojës së Këshilli të Mirë, ishin udhëtarë, tregtarë të lidhur me shkëmbimin tregtar mes dy brigjeve të Adriatikut, mes portit të Shën Sergut në Shkodër dhe portit të Venecias në veçanti. Rasti i luginës së Shën Felicita-s në prapatokën veneciane, me kultin e Zojës të vendosur atje në katërqindën e vonë nga rregulltari shqiptar Nicolo Franco, ndërkohë ka vërtetuar një vend nderimi të panjohur për shumë kënd, ka hapur lidhje të papandehur mes Shkodrës, Venecias, Gjenacanos në një rrjet vajtjesh e ardhjesh, lidhjesh dhe ngjashmërish mbresëlënëse, sa që mund të shohim me sy tjetër Zojën e Këshillit të Mirë si Zoja e Udhëtimit, mbështetje në rreziqet e një udhëtimi të mirëfilltë, ashtu edhe në vendimet e “udhëtimit” në jetën shpirtërore. Dhe përsëri me sy tjetër, mund të shihet Zoja e Këshillit të mirë si Zoja e udhëtimit të madh të atij që është i detyruar të emigrojë nga toka e tij, kështu që mund ta quajmë edhe Zoja e Eksodit, e cila e mbështetur nga Hyji Shpëtimtar, mund të drejtojë udhëtimet e mëdha epokale të emigracioneve të detyruara, siç ka ndodhur për migrimin e madh shqiptar të shekujve XV dhe XVI.
*Arkivi Venecia


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. “Gazeta Shqiptare” – jeni te vetmit ne llojin tuaj!
    Ajo eshte Zoja e Shkodres. Nuk e kisha pare asnjehere me vulen tuaj ne gjoks e qe mbulon gjysmen e fotos e te kesaj fotoje qe duhet te paraqiste afreskun e plote!!!!!
    Nuk e di ku jeni rritur? Ne pyllin e marrezise berishiane???

    Përgjigju ↓