KULTURË

Replika/ Fatos Lubonja: Henri Çili, grabitqar! Pse e pranova në hetuesi që babai im shante Enverin

18:41 - 24.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një dokument i dëshmisë së Fatos Lubonjës në gjyqin ndaj të atit Todi Lubonja ka shkaktuar një debat të ashpër mes Henri Çilit dhe vetë Lubonjës gjatë ditëve të fundit. Në këtë procesverbal, rezulton se Lubonja i thotë hetuesve se babai i tij, Todi Lubonja shkruante gjëra armiqësore për Enver Hoxhën.

Çili është botuesi i librit që publikoi dokumentin, me autor Dashnor Kaloçin si dhe e ka ndjekur këtë çështje në “Mapo”-n e tij. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të Lubonjës.

Në mes të debatit është futur edhe Ismail Kadare, i cili e ka akuzuar Lubonjën se kur ka denoncuar të atin, ka përmendur edhe se “Todi ishte simpatizant i Kadaresë” duke bërë kështu një lloj denoncimi që sipas tij e ka rrezikuar vetë shkrimtarin. Më poshtë, për të kuptuar më shumë, mund të lexoni reagimet e të gjitha palëve.

Sot, Lubonja ka bërë një tjetër shkrim të gjatë në “Panorama” ku flet edhe për disa persona që e sulmojnë, të cilëve ai u di edhe “pseudonimet” si bashkëpunëtorë të Sigurimit.

PJESE NGA ARTIKULLI I LUBONJES

Fill pas botimit të shkrimit tim “Edi Rama narçizizmi malinj dhe shoqëria shqiptare”, si për ta ilustruar çka shkruaja, filluan sulmet denigruese kundër meje në stilin e manipulatorit pervers. Titujt bombastikë qenë se Lubonja paska “shitur”, “denoncuar”, “spiunuar” të atin dhe se duhen hapur dosjet e këtyre lubonjëve se pse këta kanë dashur të fusin në burg edhe Kadarenë.

Ishte një gjellë e gatuar një herë në kuzhinat e universitetit privat UET, por duke mos pasur ndonjë më të mirë e ringrohën dhe ua dhanë shqiptarëve në restorantet e tyre, ku vetëm era e së vërtetës nuk ndihet. Për t’i dhënë edhe ca më shumë shije, nxorën nga prapaskena ku qëndronte edhe kuzhinierin e parë, Kadarenë vetë, me një letër që përforconte akuzën se unë paskam dëshmuar se ky paska ndikuar Todi Lubonjën dhe se nuk ma falte këtë denoncim politik.

E kam dhënë një herë përgjigjen ndaj këtyre akuzave në nëntorin e kaluar, ku citoj edhe Giani Rodarin “Në vendin e gënjeshtrës e vërteta është një sëmundje”, por mendoj se lufta për ta mbajtur gjallë të vërtetën nuk duhet reshtur pasi përndryshe kultura e manipulatorëve perversë, do të vazhdojë ta dehumanizojë këtë shoqëri edhe më keq se ç’e ka dehumanizuar – siç e provon edhe ky sulm kaq i ulët.

Është në logjikën e kësaj kulture dominante të pushtetit të sotëm që vegla kryesore e këtij manipulimi është Henri Çili, sinonimi i regjimin të ri të grabitjes së shqiptarëve nga një grusht njerëzish.

Vetëm në Shqipëri ndodh që universiteti të ketë gazeta të përditshme që bëjnë politikë dhe që godasin edhe kundërshtarët e pushtetit, deri edhe gazetarë e intelektualë, siç është universiteti privat i këtij personi. Vetëm në Shqipëri ndodh që universitetet në vend se të jenë qendra proteste e emancipimi të shoqërisë, vatra të mendimi të lirë, janë fabrikues gënjeshtrash, qendra korruptimi të intelektualëve, të blerjes së heshtje së tyre dhe, në rast të kundërt, të shantazhimit e denigrimit.

Nga shkrimtari që aspiron të marrë çmimin Nobel do të pritej që të thoshte një fjalë të vetme për masakrën që po përjeton kultura dhe arsimi në Shqipëri nga këta universitete dhe të bashkohej me Lubonjën, që ka denoncuar vazhdimisht veprimtarinë antiarsim të këtyre personazheve. Por ky, përkundrazi, bashkohet me Çilin, pranon favore e oferta që Lubonja ia ka refuzuar dhe bashkëpunon me pushtetin e tij sepse ky i pastron ferrat si Lubonja, që medemek e pengojnë që ky të marrë çmimin e madh.

Siç e kam thënë edhe në shkrimet e nëntorit, në dosjen time hetimore, të cilën sapo e kam shfletuar faqe për faqe, nuk ka asnjë rresht pyetjeje dhe asnjë rresht përgjigjeje për Kadarenë. Emri i tij pra nuk ekziston në deponimet e mia në hetuesi. Dokumenti nga kanë nxjerrë frazat që i kanë manipuluar është një përmbledhje e deponimeve në gjyqin tim, të xhaxhait dhe burrit të hallës, që janë futur në dosjen e tim eti, të cilin, siç thashë, e gjykuan veçmas, pak kohë pas nesh. I pyetur nga prokurori se ç’mendonte Todi Lubonja për letërsinë në vendin tonë, siç tregon teksti i shkruar me dorë nga sekretarja, përgjigjja ime ka qenë se “ka pëlqyer shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli. Për të tjerët thoshte që këta nuk shkruajnë mirë, nuk kanë kurajë pse vuajnë nga skematizmi. Ky ka qenë mendimi i tij për letërsinë tonë”. Pas kësaj vazhdon fjalia “për ditarin babai im nuk ka dijeni”.

Emrat e Kadaresë dhe të Agollit i kam përmendur në mbrojtje të tim eti, siç kam thënë edhe se për ditarin nuk kishte dijeni. Sepse këta dy autorë konsideroheshin asokohe, si dy buajt që tërhiqnin qerren e letërsisë sonë të realizmit socialist – siç shprehej Mehmet Shehu për ta. Agolli asokohe u bë kryetar i Lidhjes dhe gëzonte besimin maksimal të partisë; Kadarenë e kishte lëvduar Enver Hoxha vetë për “Dimrin e madh”. Veçanërisht përmendja e Agollit e provon këtë që them, sepse im atë, në të vërtetë, për letërsinë e Agollit në atë kohë nuk kishte konsideratë.

Në daktilografimin e shkrimit me dorë, hetuesit, në stilin e tyre manipulues, kanë hequr emrin e Agollit dhe kanë zëvendësuar “skematizmin” e “të tjerëve” me “të tjerët kanë frikë”. Emrin e Agollit hetuesit e kanë hequr, jo pse e ndanin atë nga Kadareja si shkrimtar të pushtetit, por për ta përputhur me dëshminë e Luarasit, i cili kishte deponuar se im atë nuk e vlerësonte letërsinë e Agollit. Por edhe nga deponimet e Luarasit, në vendet ku përmendet Kadareja, nuk flitet për një shkrimtar të lidhur me “idetë armiqësore” të Todi Lubonjës, të cilin Sigurimi donte ta mbërthente, por si shkrimtar “për të cilin (Todi) tregonte miqësi e simpati”, që në rrafshin letrar e pëlqente, por gjithsesi e konsideronte shkrimtar të pushtetit me kufizimet e asaj letërsie.

E pra, ku qëndron këtu denoncimi im kundër Kadaresë? Medemek se e pëlqente Todi Lubonja. Po këtë e dinin të gjithë, siç dinin se kishin edhe miqësi, siç dinin se Kadarenë e pëlqente edhe Enver Hoxha etj. Por sot, pasi ka ndërtuar mitin e kundërshtarit të regjimit me manipulim fraza mund të bëhet edhe denoncim armiku. Kështu, veglat e Kadaresë, në versionin e para disa muajve, e manipuluan frazën time dhe i hapën gazetat me titujt sikur paskësha deponuar se Todi Lubonja thoshte se “vetëm Kadare shkruan të vërtetën”.

Në asnjë nga dy versionet e dosjes nuk gjendet fjala “e vërteta”. Kurse në interpretimin e fundit, manipulimi bëhet edhe më i trashë. Në bashkëpërkim me ish-kryehetuesin Qemal Lame, Kadareja e interpreton frazën time sikur të kem thënë se është Kadareja, (medemek më i rrezikshmi i armiqve të regjimit asokohe) që e paska “ndikuar” Todi Lubonjën, i cili më ka ndikuar mua?! E vërteta është se në një autokritikë të asaj kohe Kadareja thoshte se për gabimet e tij kanë ndikuar lajkat që i bënte armiku Todi Lubonja. Dhe, po të donte vërtet Sigurimi ta mbërthente, siç pretendon ky, kjo frazë mund ta rëndonte më shumë sesa fraza ime se e simpatizonte Todi Lubonja.

Siç e kam thënë edhe në përgjigjet e mëhershme, unë kam ditur gjëra që mund ta komprometonin Kadarenë. P.sh. se im atë e kishte mik që hynte e dilte në shtëpinë tonë e se ai kishte dijeni për shkrimet që m’u kapën, madje se ndoca nga poezitë që janë në dosje ia kisha dhënë për t’i lexuar. Por as më kanë pyetur dhe as më ka shkuar ndërmend t’i them.

Megjithatë, në vend se të më falënderojë sadopak, ai më akuzon si denoncues i tij. Madje, deklaron edhe “nuk e fal Lubonjën” për denoncimin që më ka bërë. Çfarë manipulimi i shëmtuar! Më kujton historinë se si dhurimin e dorëshkrimit të romanit “Dimri i madh” diktatorit e paraqiti sikur t’ia kishin marrë me dhunë. Kuptohet se hallin në rastin tim e ka te kritikat që i kam bërë frymës nacionalkomuniste të veprës së tij si shprehje letrare e ideologjisë së regjimit, ku s’mungojnë edhe racizmi dhe homofobia; te manipulimi i historisë, jetës dhe veprës së tij (si p.sh. historinë e poemës Pashallarëve të kuq, që e shiti si vepër kundër regjimit), si dhe te denoncimi që i kam bërë modelit të intelektualit që ai përfaqëson.

Në vend se t’u përgjigjej këtyre kritikave me fakte dhe argumente, – mendoj se edhe me ndjesë aty ku ka ndryshuar mendim, – zbret në këtë nivel të ulët që, veç tjerash, e demaskon edhe si shkrimtar. Sepse këtë tragjedi të familjes sonë, me babë e bir të burgosur e me krejt familjen me fëmijë të porsalindur të internuar, përveçse me intrigë të shëmtuar, e trajton sipas stilit të sendërgjive të tij socrealiste kur denigronte armiqtë e pushtetit të asaj kohe, në shërbim të servirjes së një të vërtete të rreme, që sot i duhet pushtetit të ri.

Në vazhdën e këtyre sulmeve ndaj meje dha së fundi një intervistë, ku më quajti “shpifës ordiner”, pasi paskësha thënë, duke përmendur Zylyftar Ramizin, se ka qenë spiun i Sigurimit me pseudonimin “gjenerali”. Në fakt, unë di mjaft gjëra, edhe pseudonime di jo pak. Madje, di edhe të disa prej veglave që po përdoren për të më sulmuar, por nuk jam marrë ndonjëherë me to. Kam qenë e mbetem i mendimit se e keqja e atij regjimi nuk janë këta, veçanërisht kur bëhet fjalë për viktima të rekrutuar në shtrëngim, – siç kanë qenë edhe dy personat që u bënë shkak i gjetjes së materialeve që na futën ne në burg, – por janë ata që i rekrutuan dhe i përdorën.

Nëse ndokush i bën sulmet kundër meje i kondicionuar nga vetja me pseudonim që ka brenda vetes i bëj thirrje të çlirohet e të mos thellohet në të keqe. Të gabosh është njerëzore, të vazhdosh të gabosh është djallëzore – thotë një fjalë e urtë. Për sa i përket pseudonimit “gjenerali”, ndonëse i goditur në mënyrën më të ulët, nuk kam thënë as ato që di, as ashtu siç pretendon Kadareja, por se libri i botuar për të provuar ndjekjen e Kadaresë nga Sigurimi, që merret me dokumente nëpër shtyp e gjyqe, është manipulativ dhe selektiv sepse nuk ka përmbledhur edhe shumë dokumente që flasin për të kundërtën, ndër të cilat edhe thënien e Zylyftar Ramizit.

Kam përmendur mes tjerash edhe historinë që ka shkruar Nasho Jorgaqi se si Kadareja ka shkuar tek ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, për t’iu ankuar se s’kishin punuar aq e sa duhet për të zbuluar agjentët e sovjetikëve në radhët e kolegëve të tij dhe shpërblimin që mori për këtë: një makinë të re nga ato që kishte sjellë Ministria e Brendshme.

Ky po, mban erë denoncim të pastër, për të cilin s’di t’i ketë dhënë ndonjë përgjigje Jorgaqit. Ndërsa që libri është selektiv e provon edhe fakti se në dokumentet hetimore që e përmendin emrin e Kadaresë nuk kanë futur deponimim i Mihallaq Luarasit, edhe pse e kishin në të njëjtën dosje. Pse nuk e kanë bërë? Sepse, edhe Luarasin e ka përdorur, siç ka bërë me Lamen e të tjerë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, për të goditur, pas vdekjes, Todi Lubonjën nëpërmjet botimit të një libri të sponsorizuar nga botuesi i tij.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Perderisa e ke denoncu ate qe te ka rrit !cfare mund te prese dikush nga ti .. (kto te folmet si filozof nuk te pijne uje me)..edhe me ato pseudonimet qe di ben presion ???..ja nje sigurims i mirefillte si e nxjerr koken

    Përgjigju ↓
  2. z .Fatos

    Kushdo qe flet per ty ose bashkevuajtesit tane nuk ka asnje merite.Ato nuk i njohen kurre burgjet famekeqe te Enverit dhe metodat mizore te hetuesise se asaj kohe.Cdo i arrestuar ishte FAJTOR, dhe kjo nuk le aspak diskutime.Ceshtja eshte mos u merr me te vegjelit ,kur ke mundesi te besh me teper dhe e ardhmja ka vend per ty dhe te gjithe ne qe vuajtem diktaturen.NDERIME DHE RESPEKT

    Përgjigju ↓