KULTURË

Fotot/ Stërnipi i Skënderbeut në Shkodër: Heroi ishte katolik. Si duhet të jenë marrëdhëniet shqiptaro-turke

13:31 - 25.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Senad Nikshiqi,

Gazeta Shqiptare

 

SHKODËR – “Nuk duhet që të varfërohet kultura shqiptare përmes kulturës turke”. Ky është mesazhi që jep nga Shkodra stërnipi i Skënderbeut Loris Castriota Skanderbegh. Kjo përgjigje e trashëgimtarit të Heroit tonë Kombëtar vjen pas vizitave të njëpasnjëshme të kryeministrit Rama në Turqi me presidentin Erdogan dhe cilësimit të turqve si vëllezër të shqiptarëve.

“Në Turqi e dimë se ka shumë shqiptarë që jetojnë atje. Duhet që Shqipëria të ketë raporte shumë të mira me Turqinë por më duket që edhe në Itali ka shumë shqiptarë sepse shumë italianë të jugut kanë origjinë shqiptare prej mijëra vjetësh dhe shumë të tjerë që kanë ardhur pas vdekjes së Skenderbeut. Kultura është e përbërë prej shumë aspektesh dhe duhet të merret më e mira që vjen prej shumë vendeve.

Por në qoftëse përmes kulturës së Turqisë tentohet të harrohet kultura shqiptare unë nuk mendoj se është një zgjedhje e duhur. Mendoj që duhet të mbahet një zgjedhje që shërben për të na pasuruar të gjithëve dhe jo vetëm të pasurohet kultura turke dhe të varfërohet kultura shqiptare. Historia na tregon që raportet e Shqipërisë me pjesën tjetër të botës kanë qenë më shumë me pjesën lindore dhe perëndimore sesa me Turqinë. Turqia ka sjellë shumë kulturë të sajën dhe ka qëndruar këtu në Shqipëri për shumë shekuj dhe ndoshta ka bërë që të fshihen shumë gjëra të historisë shqiptare”.

Stërnipi i Skenderbeut ka edhe një apel teksa i kërkon shtetit shqiptar që të mendojë për të drejtat e shqiptarëve në të gjithë botën.

“Apeli im është që qeveria në Shqipëri të mendojë për të drejtat e shqiptarëve në të gjithë botën. Bëjmë mirë që kemi raporte të mira me vende të tjera ku jetojnë shqiptarët por pa harruar që Shqipëria është një shtet i madh, shqiptarët janë një popull i madh dhe nuk kanë nevojë që të jenë pamja e dikujt tjetër. Kanë nevojë që të jenë të lirë, inteligjenca dhe dijet e tyre të jenë të çlirta”.

PREJARDHJA E HEROIT KOMBETAR

I pyetur edhe për debatin mbi fenë dhe preardhjen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, stërnipi i tij mohon çdo akuzë duke thënë se Heroi Kombëtar ishte një katolik dhe një shqiptar i veriut.

“Historia e Skenderbeut njihet. Ai i përkiste një familje të veriut dhe nga shumë sinjale kuptojmë që Skenderbeu e kishte edhe fenë katolike. Natyrisht që në ato vite ku historia të bëntë dhe të detyronte për të shkuar si i burgosur tek pallati i Sulltanit dhe aty nuk mund të qëndroje katolik. Nevojitej që aty të konvertohej në musliman. Kjo ka ndodhur për një periudhë edhe për Skenderbeun kur është rritur në oborrin e Sulltanit. Por ai ka treguar me sjelljen e tij dhe kur i është dhënë mundësia ka treguar edhe fenë e tij të vërtetë. Sidomos në një nga betejat e fundit kur la të lirë një nga gjeneralët turk sepse gjenerali kishte furnizuar në mensë me peshk ushtarët shqiptar ditën e premte kur nuk mund të hahej mish që do të thotë se Skenderbeu shihte principet e fesë katolike. Familja kur ka ardhur në Itali kishte një fe katolike dhe nuk ka ndryshuar”.

Shqipëria është një vend që meriton integrimin në BE deklaron stërnipi i Skenderbeut.

“Shqipëria është një vend në zhvillim, është një vend me vullnet të pasur për të qenë në Europë dhe shqiptarët e meritojnë që të integrohen në Bashkimin Europian. Ekonomia dihet që nuk është në maksimum por mendoj se është në kushtet e disa prej vendeve europiane që mbahen si të pasura”.

Loris Skanderbegh mori pjesë në ardhjen e 65 arbëreshve në Shkodër duke e quajtur këtë bashkim të tyre me shqiptarët si të jashtëzakonshme. Me këngë, valle e kostume tradicionale të ruajtura në mbi 5 shekuj arbëreshët u pritën në Shkodër nga shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat në manifestimin që mban emrin “Vallja e Fitores”, e trashëguar në më shumë se 5 shekuj tek arbëreshët dhe festohet çdo vit duke përkujtuar fitoren e ushtrisë të Skenderbeut në 24 prill të 1467-ës në betejën e fundit me osmanët teksa mesazhi i atij triumfi ishte “ndalni vajtimin për të rënët dhe shijoni gëzimin e fitores”. Arbëreshët kanë ndezur flakadanë në 5 kala shqiptare mes të cilave edhe në kalanë “Rozafa”.

GSH.al


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.