KULTURË

Katër botime të reja në Ditën Botërore të Librit

10:30 - 25.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në Ditën Botërore të Librit, “Botimet Poeteka” sjell për lexuesit 4 autorë dhe libra të rinj; Dasa Drndic nga Kroacia, Niklas Luhmann nga Gjermania, Jurij Hudolin nga Sllovenia dhe Ognjen Spahic nga Mal i Zi.
Botimi i Dasa Drndic “Fëmijët e urrejtjes dhe të dashurisë” është cilësuar nga kritika si roman i jashtëzakonshëm i letërsisë bashkëkohore mbi temën e holokaustit, një kryevepër e krahasuar me punët mjeshtërore të Primo Levi-t a “Nekropoli” i Boris Pahor.
Libri (përktheu Ben Andoni) është përkthyer në të gjitha gjuhët e mëdha të kontinentit dhe nga botues së rëndësishëm. Drndic i ofron lexuesit një tregim polifonik, gjithëpërfshirës, imponues, mbi pushtimin nazist të Italisë veriore dhe më gjerë. Vepra rri mirë pranë kryeveprave të De Lillo-s, Mailer-it e Sebald-it. Në të viktimat gjejnë përmendoren e vet. Ekzekutorët dhe soditësit e verbër janë të ngjashëm, vargjet e poetëve të mëdhenj dhe fletët me nota muzikore kthehen në kujtesë tronditëse, ku kriminelët, depozitimet, fotografitë dhe hartat gjenealogjike e risjellin, për të mos e harruar kurrë, atë urrejtje, atë dhunë dhe dashuri.
“Short cuts” përkthyer nga Anila Shuka, është libri i njërit prej teoricienëve më të rëndësishëm në fushën e sociologjisë dhe nga mendimtarët më të shquar gjermanë të shekullit XX, Niklas Luhmann.
Në vitin 1952, Niklas Luhmann filloi ndërtimin e kartotekës së tij të famshme. Vitet 1960/’61 e gjejnë në SHBA, pasi fiton një bursë për në Universitetin e Harvardit, ku edhe njihet me sociologun amerikan Talcott Parsons, një ndër etërit e teorisë së sistemeve. Qysh atëherë, ai do t’i kushtohej gjithnjë e më shumë kësaj fushe. Në vitin 1997 u botua vepra kryesore e tij, “Shoqëria e Shoqërisë”, një teori sociologjike me karakter universal, rezultat i një pune 30-vjeçare. Niklas Luhmann-i konsiderohet si një ndër mendimtarët më të shquar gjermanë të shekullit XX, krahas Jürgen Habermas-it (Jyrgen Habermas), me të cilin ka zhvilluar edhe shumë polemika shkencore. Vdiq më 6 nëntor 1998, në Wrlinghauzen (Oerlinghausen) pranë Bilefeldit.
“Thjeshtri” i Jurij Hudolin i kushtohet dhunës në familje, por nuk është thjesht jeta dhe përvoja e një fëmije të keqtrajtuar, është panorama e një epoke në kapërcyell, në kohën kur një rend i ri social po afrohej për të gjithë ne. Përkthyer nga Nikollë Berishaj, romani “Thjeshtri” i Jurij Hudolin, i paraqet lexuesit pamje të gjalla, shqetësuese të një fëmijërie shumë të vështirë, diku në një fshat të vogël në Istria, në fund të viteve tetëdhjetë: një fëmijë që rritet prej një nëne shumë joshëse, por të plogët, me një baba që mungon dhe, mbi të gjitha, me një njerk të vrazhdë e të dashuruar me vetveten – karakter tipik ky i tranzicioneve. Është një histori mbi dhunën në familje. Në historinë intime të familjes së përfshirë nga pakënaqësia, gjejmë tharmin shoqëror. Por kjo nuk është thjesht jeta individuale dhe përvoja e një fëmije të keqtrajtuar. Ajo është edhe panorama e një epoke në kapërcyell, në kohën kur një rend i ri social po afrohej për të gjithë ne.
“Fëmijët e hansenti” i Ognjen Spahiç – fitues i Çmimit Europian të Letërsisë, 2104 – përmes metaforës brilante komunizëm-lebër, sjell me elegancë, por pa mëshirë, pamjet e një bote që lexuesi i ka ndeshur me përmbysjen e regjimeve totalitariste, frikën për ta thënë deri në fund të vërtetën, trishtimin, humorin dhe horrorin në kohë krizash. Është fundi i viteve 1980. Europa është gati të ndryshojë përgjithmonë. Në një cep të Rumanisë, dy burra presin që edhe realiteti dhe fati i lebrozit që u ka rënë për pjesë të ndryshojë. Ky libër unik dhe tronditës ofron pamjet e një bote që lexuesi nuk i ka ndeshur më parë. Frikë për të thënë të vërtetën, mprehtësi, trishtim, surrealizëm, miqësi dhe horror. Ky roman i jashtëzakonshëm i Ognjen Spahi? na rrëmben drejt udhëtimit përmes vendeve ku revolucioni po ndodh, duke ndryshuar edhe mënyrën tonë të të vështruarit mbi këtë kapitull të historisë. Përkthyen nga origjinali Janka Trifonova Selimi dhe Milena Selimi. Ognjen Spahi? (Podgoricë, 1977) është nga romancierët e mirënjohur nga Mali i Zi. Përveç gjuhëve të rajonit, ky roman është botuar edhe në anglisht, frëngjisht, italisht, sllovenisht, rumanisht, në gjuhën hungareze dhe në atë maqedonase.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.