EKONOMI

“Infeksione spitalore në QSUT, 4 mostra me E. Coli dhe Stafilokok”

10:26 - 27.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

 

Pacientët e operuar në pavijonin e Kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë infektuar me E. Coli dhe stafilokok. Të dhënat bëhen publike nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilit, të gjitha mostrat e mara në plagët operatore kanë rezultuar pozitive ndaj këtyre infeksioneve. “Nga totali i 4 mostrave të marra në plagët operatore në pavijonin e Kirurgjisë Nr.1, 3 prej tyre rezultuan me E. Coli dhe një mostër e marrë në plagën operatore rezultoi me Staphylococcus Aureus (Stafilokok)”,- bën me dije ISHP. Ndryshe paraqitet situata në 44 mostrat e ambienteve të sallës operatore, të cilat rezultuan negative, pasi ishte bërë dezinfektimi dhe sterilizimi i tyre. Megjithatë, sipas ISHP-së, sallat operatore të qendrës spitalore më të madhe në vend nuk i plotësojnë standardet e nevojshme për të shmangur mundësinë e infektimit. “Në bllokun e sallave operatore nuk ka sistem aspirimi. Nuk ka sistem filtrimi të ajrit brenda në bllokun operator”,- thekson ISHP. Po ashtu, gjatë vlerësimit ambiental është konstatuar mosrespektimi i rregullave standarde, i hyrjes në ambientet e sallës operatore. Ndërkohë që në dhomën e zgjimit, dhomën parapërgatitore të pacientit për t’u futur në operacion, në dritare u mor mostër, e cila gjithashtu rezultoi me E. Coli, pasi injeksionet përgatiten në shiringa dhe lihen në dritare, gjë që është jashtë protokolleve klinike. Mostrat në ambientet e sallës operatore dhe në plagët postoperatore janë marrë për periudhën janar-mars 2016.

Infeksionet spitalore

Infeksionet spitalore mund të përkufizohen si “një infeksion që pacienti e merr gjatë kohës që është i shtruar në spital për arsye ose gjendje të tjera. Pra, ky infeksion nuk ishte prezent në momentin e shtrimit të tij në spital. Infeksionet spitalore përfshijnë infeksionet e marra në spital, të cilat mund të shfaqen edhe pas daljes së pacientit nga spitali si dhe ato që prekin stafin mjekësor që punon në spital. Sipas ISHP-së, “përqindja e infeksioneve spitalore është një tregues (indikator) kyç i cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor”. “Indikatori i cilësisë është një masë, e cila shfrytëzohet për përcaktimin e shkallës së përmbushjes së një standardi, ndërkohë që matja e shkallës së infeksioneve është një nga indikatorët e vlerësimit të performancës”,- shton ISHP.

Rekomandimet

Nisur nga rezultatet e mësipërme, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon një sërë masash parandaluese, për të shmangur në maksimum infeksionet gjatë operacioneve. “Një program sistematik për parandalimin e infeksioneve spitalore përfshin: Hyrjen strikte në ambientet e sallës operatore, larjen e duarve pas çdo manipulimi mjekësor, të bëhen manipulimet dhe mjekimet e plagës me doreza dhe pas çdo manipulimi ato doreza të hidhen, të lahen duart dhe të dezinfektohen, të evitohet hyrja e shumë vizitorëve në pavijon”,- thotë ISHP.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.