OPINION

Kavajë, demonstro si në ‘90-tën, pa parti

07:33 - 27.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Rexhep RRUGEJA




Qytetarë e Kavajës, kur u ngritën më 25 mars të vitit 1990 për liri-demokraci nuk njihnim as Parti Demokratike, as Sali Berishën e as Azem Hajdarin apo studentët e dhjetorit, pasi këto janë plot 10 muaj prapa qytetarëve të Kavajës. Ndërsa qytetet e tjera të Shqipërisë jetonin mes frikës dhe ankthit. Diçka kish lëvizur në Tiranë e në Shkodër, ku më 14 janar të 1990-tës rreth 3000 qytetarë të Shkodrës vendosën të hidhnin bustin e Stalinit, i cili ishte i vendosur në lulishten e qytetit. Të përbetuarit e Shkodrës ranë në pranga, ndërsa rreth 3000 mijë qytetarë qëndruan gjatë në heshtje përballë bustit të diktatorit pa e hedhur atë. Natën e 20 dhjetorit duke gdhirë 21 dhjetori, me urdhër të Ramiz Alisë, statuja hijerëndë e Stalinit u hoq.

Njëherësh bustet e tij u hoqën në të gjithë vendin. Tirana, Shkodra dhe Shqipëria, pas disa dekadash u zgjuan pa Stalinin. Ndërsa qytetarët e Kavajës thërrisnin nëpër rrugët e qytetit ‘liri-demokraci, Enver-Hitler, poshtë diktatura etj.’. Kavaja protestoi plot dhjetë muaj e vetme kundër diktaturës komuniste dhe u bë qyteti i parë i demokracisë në Shqipëri që mposhti frikën. Por, pas 27 viteve politika shqiptare e deformoi historinë e këtij qyteti në shumë aspekte të saj. Pra, politika e ditës ka për qëllim projektimin: E ardhmja të zëvendësojë të kaluarën, jo stabilitet në trojet etnike dhe zhdukjen e nacionalizmit. Pësimet shpirtërore të një populli të tërë, që i shembët vatra, që i shuhet zjarri, që i thyhet e gjithë e ardhmja dhe i hapet një humnerë në të gjithë jetën e tij është në prag. Shqiptarët kanë marrë një goditje të rëndë me pasoja afatgjata. Kjo do të thotë, një shpërfillje e tallje deri në cinizëm me shqiptarët nga shqiptarët kundër shqiptarëve, me shembjen gjoja të komunizmit, sistemi nuk u braktis, dosjet nuk u hapën, sepse në sistem do të vendoseshin po ata sistemues të diktaturës komuniste.

Tani lufta deri në eliminimin e të rrezikshmëve për marrje pushtetesh sapo ka filluar, pozitarët mbërthehen fort pas karrigeve pushtetare, për t’i shpëtuar eliminimit qoftë edhe fizikisht, ndërsa opozitarëve po u këndohet kënga e dosjeve. Për të bërë një shtet të fuqishëm e të ndarë nga politika nuk duhen bërë pazare partiake e ndarje karrigesh. Si pozita, ashtu dhe opozita pavarësisht se cila qeveris, kur ndërrojnë vendet, luajnë rolin vetëm për të shkatërruar çdo gjë që është bërë më parë. Atëherë, ku është leverdia në këtë rast?! Politikanët pasurohen taksa paguesit  poshtërohen duke u varfëruar. Në punën shtetërore futen njerëzit e partisë, të fortët, miqtë e politikanëve dhe ata që japin para, pjesa më e madhe mbetet në rrugë.

Prona, që është gjëja më e shtrenjtë nuk u dha nga të dyja partitë e mëdha. Mosdhënia e pronës solli sorollatje të ish- pronarëve nga njëra gjykatë në tjetrën si dhe vëllavrasje me njëri-tjetrin. Ish-të përndjekurit politikë u dogjën e u masakruan për të marrë dëmshpërblimet që iu dhanë me ligj. Bregdeti i bukur i Kavajës u shit, në vend të pishave janë ndërtuar pallate gjigante, që ngjasojnë me bunkerët e Enverit. Sot nuk shoh ndonjë fabrikë apo uzinë që të punësohen qytetarët e Kavajës. Të dyja partitë e mëdha heqin dhe vendosin njerëzit në punë sipas interesit të tyre. Njerëzit që janë të punësuar kanë frikë ta ngrenë zërin për korrupsionin papunësinë e pjesëtarëve të tyre e jo më të kritikojnë drejtuesit.

Pensionet dhe asistenca janë qesharake, droga ka dalë sheshit. Në Shqipëri ka edhe shumë probleme të mëdha. Për këto probleme duhet të ngrihet populli i Kavajës për të protestuar dhe jo për partitë politike. Diktatura në Shqipëri është ulur këmbëkryq dhe populli është në gjumë, përderisa proteston kur e thërret partia tamam si në kohën e Enverit. Populli i Kavajës duhet të ngrihet për liritë dhe të drejtat e tij, që i janë mohuar krejtësisht dhe jo për partitë politike. Të dyja partitë e mëdha e me pjellat e tyre bëjnë pozitë dhe opozitë në kurriz të popullit.

* Autori është dekoruar me titullin “Mirënjohja e qytetit” të Kavajës për kontribut të çmuar në lëvizjen demokratike në Kavajë

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.