Intervista

Bletët i zë hashashi, flet specialistja: Nuk ka mundësi, kjo bimë s’i tërheq

09:45 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Ola MITRE

Bletët nuk i tërheq bima e canabisit, ndërkohë që ekzistojnë një sërë shkaqesh që mund të çojnë në humbjen e tyre”. Deklarata vjen nga pedagogia e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Lumturi Sena, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare” shpjegon arsyet se, përse bletët nuk e “preferojnë” këtë bimë.

Znj. Sena,  çfarë është humbja e familjeve bletë?

Ky fenomen karakterizohet nga largimi nga zgjoi i bletëve punëtore mbledhëse (më të mëdha në moshë), duke lënë kështu mbretëreshën, gjeneratën dhe bletët e folesë. Familja bletë nuk mund të mbajë vetveten pa bletët punëtore dhe është e destinuar të vdesë. Rreth zgjoit nuk vërehen bletë të vdekura. Të gjitha këto çojnë në humbjen e familjeve bletë që është quajtur ÇD (Colony Colapse Disorder).

Cilët janë disa nga shkaqet që mund të çojnë në humbjen e tyre? 

ÇD vjen si pasojë e efektit të një sërë faktorëve, përfshirë këtu edhe infeksionet virale, ose parazitare, medikamentet që përdoren për trajtimin e bletëve, bimët e modifikuara gjenetikisht, streset e të ushqyerit si dhe përdorimin e pesticideve. Megjithatë, asnjëri prej këtyre faktorëve, i marrë veçmas, nuk është provuar që të jetë përgjegjës për këtë fenomen. Ka të ngjarë që një kombinim i këtyre faktorëve të kontribuojë në sëmundshmërinë e kolonive të bletëve në mbarë botën.

Së fundi, është folur për humbjen e bletëve si pasojë e kanabisit. Në vlerësimin tuaj si specialiste, a mund të ndodhë që bletët “t’i zërë hashashi”?

Siç dihet, në vendin tonë këtë vit ka pasur një humbje të ndjeshme të familjeve bletë (mbi 30%, sipas Shoqatës së Bletarëve të Shqipërisë). Shumë bletarë, madje me keqardhje mund të theksoj se midis tyre ka edhe bletarë me përvojë, nxitojnë të deklarojnë që këto humbje janë për arsye të bimës Cannabis Sativa. Sigurisht një situatë e tillë shqetësuese në bletari paraqitet edhe në vende të tjera dekadën e fundit. Por ka një sërë shkaqesh që kanë ndikuar në humbjen në masë të madhe të familjeve bletë. Në përgjithësi bletët tërhiqen nga bimët që janë prodhuese të mira të nektarit dhe të polenit. Nga ana tjetër, lulet, të cilat polenizohen me anë të insekteve, priren për të prodhuar nektar të bollshëm për të tërhequr bletët dhe insektet e tjera polenizuese. Bletët nuk tërhiqen nga aroma e bimës së kanabisit. Bletët i kanë shumë të zhvilluara organet e ndijimit. Ato tërhiqen nga ferromonet në lidhje me bletët e tjera dhe për të kërkuar nektarin. Gjithashtu, ato tërhiqen nga ngjyra dhe forma e lules. Këto cilësi nuk i ka bima e kanabisit, prandaj dhe nuk është shumë atraktive për t’u vizituar nga bletët. Bletët nuk kanë neuroreceptorë që t’i lejojnë ato për të kapur elementët psikoaktivë që janë prezent në bimën e kanabisit. Sipas studimeve, receptorët kanaboidë janë prezentë te gjitarët, por jo tek insektet. Mungesa e neuroreceptorëve të tillë te bletët, ka bërë që ato të mos jenë të familjarizuara me bimën e kanabisit si edhe njerëzit.

Përse nuk i tërheq bletët bima e kanabisit?

Bima e kanabisit polenizohet me anë të erës, prandaj nuk i tërheq bletët. Aroma e saj nuk i tërheq bletët, as ngjyra dhe, mbi të gjitha, nuk prodhon nektar. Bletës mjaltëse për të prodhuar mjaltë i duhet nektar dhe jo polen. Por kanabis është një burim i mirë poleni (bimë mashkullore). Sipas Dalio, J.S., bletët mjaltëse mund të interesohen për polenin e kësaj bime vetëm ne rastet kur mungojnë kullotat e tjera.

Po në rastin kur mungojnë kullotat e tjera dhe bleta interesohet për këtë polen, a ekziston mundësia që kjo të reflektohet edhe në mjaltë?

Mundet që eksudati i një bime përdoret nga bleta për të prodhuar mjaltë dhe mbi këtë bazë të spekulohet rreth prezencës së prekursorëve të lëndëve kimike psikoaktive. Edhe nëse rezulton që mjalti të përmbajë alkaloide të tilla, produktet e bletës nuk do të jenë psikoaktive pa i ngrohur ato me qëllim që të konvertohen alkaloidet nga gjendja inactive në active (dekarboksilimi). Bletët konsumojnë mënjen (produktet e ekskretimit të disa insekteve, të cilat jetojnë apo frekuentojnë bimën e kanabisit), prandaj edhe ndonjë interes i bletëve për të frekuentuar këtë bimë mund të bazohet në prezencën e mënjës, ose për marrjen e ujit ose të rezinës. Asnjë nuk ka ekzaminuar përbërjen e përmbajtjes së zorrëve të bletëve që kanë ardhur nga kullota e kanabisit, madje as përbërjen e propolisit të tyre.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.