OPINION

Çfarë do ndodhë me Ilir Metën president?

07:32 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Blendi FEVZIU




 

Ilir Meta pritet të zgjidhet nesër Presidenti i ri i Shqipërisë. Ai bëhet kështu, presidenti i shtatë i Shqipërisë pluraliste dhe, pa dyshim, më i dobëti në listën e paraardhësve të tij. Më i dobëti jo për hir të staturës politike (pas Berishës që drejtoi presidencën në vitet 1992 – 1997, ai është pa dyshim personaliteti më imponues), por si pasojë e kompetencave që janë sot më të paktat dhe më të reduktuarat që nga viti 1991. Roli i presidentit u reduktua në mënyrë drastike në Kushtetutën e vitit 1998, ai u reduktua akoma në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, dhe së fundmi u zhvesh edhe nga pak kompetenca të mbetura në vitin 2016, në ndryshimet që iu bënë pas reformës në drejtësi.

Po përse Meta po lakmon postin e presidentit? Përse ai po lë një parti që po vinte e bëhej më dominuese në skenën politike shqiptare, gati-gati faktor përcaktues, dhe po shkon në një zyrë që më shumë i ngjan ceremonialit sesa vendimmarrjes politike? Përgjigjja nuk është e thjeshtë, por ajo pa dyshim ka disa pista.

E para, Ilir Meta e kishte aspiruar postin e Kreut të shtetit që në vitin 2012. Në marrëveshjen e 2013-ës, siç dëshmon një nga gazetarët që ka qenë më pranë Ramës dhe Metës, Baton Haxhiu, ndarja e pushtetit ka qenë e tillë: Rama kryeministër dhe Meta president. Pra, Meta nuk po bën asgjë më shumë, por po shkon në pretendimin e tij të vjetër. Ai e di mirë që, ndryshe nga presidentët e tjerë (përjashto Berishën dhe deri diku Topin), nuk po shkon atje për të mbyllur karrierën politike, por për ta hapur atë edhe një herë. Ai po kërkon një periudhë tranzitore për të krijuar imazhin e njeriut që bashkon palët, duke synuar të mbajë në këmbë edhe LSI-në. Një president me parti, është gjithnjë shumë më i fortë sesa një president që është propozuar nga partia dhe i humb lidhjet me të. Pra, Presidenca është vetëm një fazë tjetër tranzitore në karrierën e Metës. Së paku kështu duket.

E dyta, është koha! “Opinion.al”, që njoftoi sot e para kandidimin e Metës, ka qenë e informuar se Meta e pretendonte postin e presidentit pas zgjedhjeve. Ndërkohë që Rama ishte i prirur ta niste në presidencë përpara zgjedhjeve. Por situata ka lëvizur me shpejtësi pas refuzimit të opozitës. LSI-ja e humbi datën ligjore të regjistrimit me PS-në në një koalicion dhe do të detyrohet të dalë në zgjedhje e vetme. Në mungesë të PD-së, rezultati i përftuar do jetë pa dyshim i deformuar dhe jo real. Humbëset më të mëdha do të jenë LSI dhe PDIU, votat e të cilave nuk do jenë të nevojshme për PS-në, që do ketë vetë votat e domosdoshme për të ngritur dhe mbajtur qeverinë. Në këto rrethana, koalicioni pas-zgjedhor do jetë formal, por jo funksional. Kësaj gjëje i është trembur Meta. Ai ka llogaritur që pas zgjedhjeve posti i premtuar mund t’i refuzohej apo t’i shmangej, ose mund të përftohej një situatë e re politike e paparashikuar, dhe ka vendosur të garojë tani.

Kjo mazhorancë i ka votat. Meta do të jetë nesër president dhe Rama ka arritur fiks atë që ka dashur. Nxjerrjen qoftë edhe përkohësisht, për 5 vite nga skena politike aktive e njeriut që e kërcënonte më shumë në postin e kryeministrit. Pas daljes së Metës nga skena, ai ka tashmë vetëm një rival, Bashën.

E treta, nuk dihet se çfarë do prodhojë për politikën vendimi i Metës. Nuk dihet se çfarë do sjellë për LSI-në dalja nga fushata e Metës, por vështirë që partia e tij, pa të, të arrijë objektivat që kishte vendosur.

Gjithsesi Meta duhet të jetë i qetë sot, por akoma më i qetë duhet të jetë Rama, që ia arriti ta shmangë, së paku për ca kohë, aleatin dhe rivalin e tij brenda mazhorancës!

“Opinion.al”

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Fevziu merr poza qe te le pershtypjen se ai i di te gjitha, dhe eshte nje mendimtar qe nuk e ka shoqin, me fal veç atij italianit kokeqethur apo rruar. More fevzi po ku ishte ti deri para disa oresh qe nuk le analize pa bere, nuk le mendime te vlefshme pa thene, nuk le hamendesime pa i shfaqur, por veç nje gje nuk e ke thene . Cilen: ate qe nuk ke thene asgje, nuk ke gjetur asgje me analizat e tua, si ti dhe shume analiste te tjere, gjoja analiste, sepse keni folur kot, siperhere. tung Zgorro zgorroviç

    Përgjigju ↓