OPINION

“Vdekja e bardhë” dhe censura e filmit

07:33 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Moikom ZEQO

 

Debati për ndalimin e filmave shqiptarë ka qenë debati më i pakuptimtë dhe më i marrëzishëm i kohëve të fundit.

Unë kam shkruar për këtë gjë disa herë.

Unë jam për lirinë e plotë të shprehjes jo vetëm të ideve politike, por dhe të veprimtarive artistike dhe kulturore. Të mos harrojmë që filmi është një veprimtari artistike shumëdimensionale.

Të bësh një projektligj dhe ta dërgosh në Kuvend për ta votuar për aprovim, do të thotë të krijosh zyrtarisht censurën zyrtare. Nëse aprovohet ky ligj i papranueshëm, ai do të ketë dhe një zyrë, njerëz, pra do të krijohet një institucion që duhet të merret me zbatimin e këtij ligji.

Pra, Shqipëria krijon kështu Zyrën e Censurës Zyrtare.

Të mos harrojmë se dhe në periudhën komuniste nuk kishte  formalisht një institucion të censurës zyrtare.

Por kishte forma të tjera censuruese të vrazhdëta  të karakterit ideologjik. Dhe kjo ka qenë një gjë tejet  e dënueshme.

Por si mundet në një shoqëri demokratike të flitet për censurën dhe ndalimin e filmit shqiptar?

Filmi shqiptar, ose arti i shtatë, është një krijim i vonë i shek. XX. Ky film krijoi origjinalitetin e padiskutueshëm të vet.

Jo vetëm filmi artistik, por edhe filmi dokumentar jo vetëm që nuk duhet djegur dhe ndaluar, por duhet të shërbejë si një instrument arkivor për studime dhe konkluzione.

Të ndalosh filmi shqiptar është një censurë e shumëfishtë. Domethënë, të ndalosh një film do të thotë që ke ndaluar tërë aksesorët përbërës. Ndalon lojën e patjetërsueshme të aktorëve. Ndalon dhe muzikën e filmit.

Por si mund të ndalohet muzika e filmit? Dihet që muzika nuk është vizuale. Muzika nuk ka fjalë. Pra, fjalët shprehin koncepte politike.

Muzika pa vizualitet dhe pa fjalë është një akt më abstrakt, kuptohet emocional, dhe nuk mund të censurohet dhe dënohet për arsye ideologjike apo politike.

Zelli i tepruar për të shpallur “vdekjen përfundimtare” të filmit shqiptar nga ana e disa shkrimtarëve ose, edhe ndonjë aktori, tregon mangësitë kulturore, tregon mungesën e lirisë së vërtetë që ka në kokat e tyre.

Unë jam me mendimet e drejta që dhanë regjisorët Pirro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti apo aktorët Elvira Diamanti dhe Reshat Arbana.

Si mund të ndalohet filmi shqiptar kur tërë insertet politike të komenteve në mediat elektronike për politikën e ditës, për shprehjet e politikanëve në TV, paralelizohen dhe qesharakëzohen me shprehje nga personazhet e filmave shqiptarë?

Shumë e habitshme kjo gjë.

Por nuk është problemi këtu. Problemi është në konceptin e lirisë së një shoqërie. Nuk mund të ketë liri në një shoqëri me censurë të ideve.

Për gati 3 shekuj inkuizicioni i dogji heretikët për idetë e tyre, por nuk mundi të vrasë dhe të shfarosë idetë e tyre.

Historiani i madh venedikas Paulo Sarpi (1552-1626) ishte kundër kërkesës për lejen për botim (imprimatur). Censura ndaj librave është një censurë ndaj mendimit të lirë.

Censura mund të bëjë të kundërtën, në vend të harresës mund të sjellë forcimin e kujtesës për një autor ose për një krijim. Dua të tregoj diçka historike.

Një shkrimtar mesatar romak Fabricio Vejenti shkroi disa pamflete në kohën e perandorit Neron ku tallej me senatorët dhe me Neronin.

Pamflete të tilla përqeshëse kishte shumë në atë kohë, por “fama” e tyre kalonte menjëherë pasi shpejt bëheshin jo aktualë.

Por pushteti perandorak në rastin e Vejentit bëri një gabim të madh – i ndaloi shkrimet e tij, ndërsa atë e larguan nga Italia.

Kjo gjë menjëherë ia tërhoqi vëmendjen lexuesve që e shumëfishuan kuriozitetin për t’i lexuar pamfletet e shkrimtarit të dënuar.

Historiani i famshëm Tacidi e komenton në “Analet” këtë ngjarje dhe thotë në esencë se, nëse këto pamflete do të liheshin të lira do të binin në harresë.

Edhe veprat artistike kanë ligjin e tyre të konkurrencës.

Veprat me nivel më të lartë estetik i lënë në hije veprat me nivel më të ulët estetik. Përkundrazi, ndalimi do të bënte të kundërtën.

Dua të përmend përsëri John Miltonin për librin e tij gjenial “Areopagjitika” te vitit 1644, që është, në fakt, kërkesa e tij dërguar parlamentit anglez kundër censurës.

Miltoni është kundër të gjitha llojeve të censurës. Censura është kundër natyrës së njeriut.

Censura është dukuri fenemonologjike e vendeve diktatoriale. Si mund të kemi një shoqëri të lirë dhe demokratike me censurë?

Më kujtohet që kam lexuar se gjatë kohës që inkuizicioni përpilonte listën e librave të ndaluar, pra Indeksin e Ndalimit të Librave, që quheshin të dëmshëm dhe të rrezikshëm, lindi shprehja popullore e kudo dëgjuar latine :“Natoabitur Romae, legetur ergo”, – “Roma e ndalon, pra duhet lexuar”.

Dijetari i madh kroat me origjinë shqiptare Aleksandër Stipçeviq botoi në 1994 në Zagreb librin “O SAVRSENOM CENSORU”- “Censori i përsosur”.

Është një histori e censurës në shekuj.

Ai flet për të gjitha llojet e censurave që kanë ekzistuar.

Midis  të tjerave flet edhe për censurën e materialit audovizual (filmi, televizioni etj.).

Propozuesit e ligjit kundër ekzistencës normale të filmit shqiptar duhet ta kishin lexuar patjetër këtë libër të mrekullueshëm.

Veç të tjerave, autori i librit thotë se materiali i quajtur autovizual, në kohën e sotme të teknologjisë së sofistikuar mund të riprodhohet me një lehtësi të pabesueshme jo thjesht nga profesionistët, por nga cilido njeri.

Është e pamundur që të bëhet fjalë për të zhdukur çfarëdolloj filmi të kujtdo vendi me një urdhër juridik, ndërkohë që pakufishmëria teknologjike e bën ligjin e ndalimit qesharak dhe aspak funksional.

Le të shpresojmë që debati për filmin ta ketë pasur një vlerë: vlerën për të parë se si e konceptojnë njerëzit lirinë e mendimit.

Një kufizim i lirisë së mendimit do të ishte një mjerim kombëtar. Një liri e mendimit do të ishte një premisë për emancipim kombëtar.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Je flori Moikom Zeqo, Jan te rrale burra si ty dhe do te deshiroja shume qe brezi i ri te pjelli intelektual si you.
    Te uroje gjithe te mirat dhe shendet te plote

    Përgjigju ↓