POLITIKË

Basha, edhe dy muaj e gjysmë mandat në krye të PD, ja kur votohet për kreun e ri

16:09 - 12.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Valentina MADANI

Lulzim Basha më datën 23 korrik të vitit 2013 hyri në selinë e PD-së si kreu i ri i demokratëve. Një muaj pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare katër vite më parë, PD-ja zgjodhi pasardhësin e Sali Berishës përmes votimit “një anëtar, një votë”. Lulzim Basha përballë  të ndjerit Sokol Olldashi fitoi 80.39% të votave. Por, më 23 korrik, Bashës i përfundon mandati dhe ende nuk dihet nëse PD-ja për shkak të situatës së vështirë politike do të jetë në gjendje të realizojë zgjedhjet e reja për kreun e ri të PD-së. Duket paksa e vështirë që zgjedhjet të realizohen brenda afatit që lejon statuti i partisë, duke marrë shkas nga fakti që opozita kërkon me këmbëngulje shtyrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Zgjedhjet parlamentare u paraprijnë atyre në PD dhe gjasat janë që ato të shtyhen për shkak të situatës së tensionuar në vend, por burime brenda PD-së bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare” se edhe nëse ato zhvillohen më 23 korrik, Lulzim Basha do të zgjidhet sërish kryetar i PD-së. Katër vite më parë KQZ-ja e PD-së, e ngritur enkas për numërimin e votave nxori Bashën fitues me 32 371 vota, ndërsa Olldashi mori 7 896 vota. 105 mijë anëtarë të PD-së me kartën dixhitale në dorë, shoqëruar me pasaportë biometrike apo kartë identiteti iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit kryetarin e tyre të ri.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar i PD-së, Lulzim Basha i garantoi demokratët për ringritjen e shpejtë nëpërmjet një opozite të fortë, që do të ketë në themel respektimin e zërit të anëtarëve të saj dhe interesit të qytetarëve.

Kurse z.Berisha shprehu bindjen se zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike mund të vlerësohet, siç tha ai, një fillim i shkëlqyer i një fillimi të ri. Por kandidati për postin e kryetarit të PD-së, Sokol Olldashi, e cilësoi procesin zgjedhjes së kryetarit të ri si të deformuar, duke lënë qartazi të kuptohet se rezultati ka qenë i paracaktuar. Z.Olldashi numëroi të gjithë problematikën e hasur ditën e votimit, si argument të kritikave ndaj procesit. Ndërkohë, menjëherë pas zgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të PD-së, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi procesin e votimit.

“Në një moment të vështirë të PD, demokratët u ngritën për t’i dalë zot partisë së tyre! Me pjesëmarrjen e tyre në çdo takim, gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, me qytetarinë dhe emancipimin e tyre, demokratët dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti. Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj në ditë të vështira, të bindur se PD kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proces emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. PD ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t’i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores!”, është shprehur zj.Topalli.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.