EKONOMI

Kreditë e buta, Paskali: Fituesit do shpallen gjatë muajit qershor

09:15 - 13.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

Fituesit e kredive të buta do të shpallen në muajin qershor”. Lajmi bëhet me dije nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje procedurat që duhet të ndjekin personat e interesuar për të aplikuar dhe për të përfituar nga ky program.

Znj. Paskali, tashmë Bashkia e Tiranës ka filluar zbatimin e programit të kredive të buta. Çfarë parashikon ky program?

Projekti social i Bashkisë së Tiranës për subvencionimin e interesave të kredisë apo siç njihet programi i kredive të buta u miratua në muajin shkurt të vitit 2017. Ai ofron mundësinë e mbështetjes së interesave të kredisë për qytetarët e Tiranës që duan të blejnë një shtëpi. Ky program parashikon, që qytetari të paguajë një interes fiks në masën 3% për periudhën që do ta marrë kredinë (15 ose 20 vjet), ndërkohë që bashkia paguan pjesën tjetër të interesave të tregut. Është një impenjim, që bashkia e merr për një kohë të gjatë, në kuadër të programeve sociale. Ne jemi në momentin që jemi duke përzgjedhur bankën fituese dhe brenda 10 ditësh besoj se do të hapim shpalljen në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, për t’u bërë thirrje qytetarëve që janë të interesuar për këtë program. Natyrisht, ne kemi qytetarë që kanë aplikuar më parë, sepse ka qenë një program i njohur për ta.

Çfarë do të ndodhë me këta qytetarë: a është i vlefshëm aplikimi i tyre?

Qytetarët që kanë aplikuar para muajit mars do të duhet të ripërsëritin dokumentet, sepse vlefshmëria ligjore e dokumenteve, si për shembull certifikata apo dokumenti hipotekor kanë një vlefshmëri 3-mujore. Për këtë arsye, këta qytetarë duhet t’i rifreskojnë dokumentet. Ndërkohë që, ata qytetarë që kanë aplikuar pas muajit mars, thjesht duhet të presin shqyrtimin e dosjeve nga komisioni.

Ku kryhet procedura e dorëzimit të dokumentacionit?

Procedura fillon në njësinë administrative ku qytetari banon. Atje është një formular, që iu është dërguar njësive e që plotësohet nga qytetari. Pas plotësimit të tij, bashkëngjitur është edhe lista e dokumenteve që duhet të dorëzojë ky qytetar. Janë një sërë dokumentesh, por të gjithë iu drejtohen të gjithëve, sepse duhet zgjedhur specifika për çdo qytetar. Për shembull një qytetar që nuk mbështetet me ndihmë ekonomike, nuk ka nevojë të dorëzojë vërtetimin për ndihmën ekonomike. Ose, nëse dikush nuk ka persona me aftësi të kufizuar në familje, natyrisht që s’i nevojitet një dokument që e vërteton këtë. Pra, çdo qytetar do të zgjedhë dokumentet e asaj kategorie që i përket. Me përfundimin e dokumenteve që kërkohen, kjo dosje ose dorëzohet në njësinë administrative dhe kjo e fundit e kalon pranë Bashkisë së Tiranës ose qytetarët mund t’i dorëzojnë drejtpërdrejt pranë sportelit të pritjes së qytetarëve që ne kemi në Bashkinë e Tiranës.

Kur do të fillojë verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar nga qytetarët?

Pas mbylljes së thirrjes 1-mujore, që do të jetë e hapur për qytetarët do të fillojë shqyrtimi i dokumentacionit. Pra, përpara se ne të kalojmë në listën e atyre personave që do të përzgjidhen për të marrë një kredi të butë, kemi vlerësimin e dokumenteve që bëhen nga një komision vlerësimi. Më pas, me nxjerrjen e fituesve të mundshëm të një kredie, lista e fituesve miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak dhe më pas i kalon bankës së nivelit të dytë, që më pas ka procedurat e veta për të shqyrtuar dokumentacionin.

Programi i kredive të buta është një program social strehimi, por aplikantët duhet të kenë një nivel të caktuar të ardhurash për të përfituar. Çfarë duhet të kenë parasysh aplikantët në këtë drejtim?

Natyrisht, ky program social i drejtohet një kategorie me të ardhura të mesme e kryesisht çifteve të reja që punojnë në një punë shtetërore apo private. Pra, që kanë të ardhura në familje, por që s’mund të përballojnë interesat e kredisë konsumatore apo interesat e tregut. Kryesisht, ne i jemi adresuar çifteve të reja, duke pasur parasysh edhe faktin që janë një nga kategoritë që do të vazhdojnë të punojnë për 30-40 vitet e ardhshme e që kanë mundësi edhe të financojnë këtë kredi. Nga ana tjetër, është një kategori që ka nevojë të mbështetet për të filluar me shtëpinë e parë. Ajo që dua të theksoj në këtë drejtim është fakti se kemi të bëjmë me një çështje sociale, që lidhet me numrin e fëmijëve. Ne sot jemi ende një popullsi e re, por që ka një tendencë për të ulur numrin e fëmijëve në familjet tona. Kjo për shumë shkaqe dhe shtëpia është një nga arsyet se përse çiftet e reja tentojnë të shtyjnë lindjen e një fëmijë apo të bëjnë vetëm një fëmijë. Në këtë pikëpamje ne po mendojmë edhe për Shqipërinë e 2050-ës dhe jo sot për sot. Sa i takon të ardhurave, ka një tabelë me 2 elemente kryesore: numrin e pjesëtarëve të familjes dhe të ardhurat. Për shembull, nëse do të zgjidhnim një familje me 1-3 persona, e cila sipas programit përfiton afërsisht 3.6 milionë lekë, të ardhurat që duhet të kenë janë minimalisht prej 39 mijë lekësh dhe një maksimale me rreth 66 mijë lekë. Pra, kemi një kufi ku lëvizin të ardhurat e familjes. Pastaj në varësi të numrit të pjesëtarëve, është përcaktuar kufiri i të ardhurave dhe shuma e parave që do të mund të përfitojnë.

Kur pritet të dalë lista e fituesve nga ana e Bashkisë së Tiranës?

Ne aktualisht jemi duke përzgjedhur bankën e nivelit të dytë dhe pasi të kemi përzgjedhur bankën do të hapim edhe thirrjen për aplikime. Kjo thirrje do të zgjasë një muaj dhe menjëherë pas mbylljes së saj do të fillojmë shqyrtimin e dokumentacionit. Ndërkohë që, në mbledhjen e parë të radhës së Këshillit Bashkiak do të çohet lista e fituesve të këtij projekti. Pra, besoj deri në fund të qershorit procesi do të jetë mbyllur.

Sa do të jetë numri i përfituesve?

Numri i familjeve që do të mbështetet nga ky program për këtë vit është 1000. Bashkia e Tiranës për këtë vit ka vënë në dispozicion një buxhet prej 97 milion lekësh apo rreth 1 milion dollarë, për financimin e interesave të kredisë.

A do të vijojë zbatimi i këtij programi në vitet në vijim?

Natyrisht, ne e kemi lënë të hapur për ta ripërsëritur edhe në vitet e ardhshme. Nevoja për strehim ka gjithmonë, duke qenë se qyteti i Tiranës rritet me ritme të shpejta. Kemi rreth 20 mijë qytetarë, që çdo vit nisin banimin në Tiranë, çka do të thotë se nevojat për strehim do të jenë gjithmonë. Ky është një projekt që favorizon kategoritë që përmendëm më sipër e që në radhë të parë ka një impakt social. Por, ai është i rëndësishëm edhe për tregun imobiliar sepse s’duhet të harrojmë që kemi një stok apartamentesh të pa shitura në kryeqytet. Kjo do të vërë në lëvizje edhe atë treg të pasurive të paluajtshme dhe njëkohësisht do të xhirojë para në ekonominë e vendit.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.