EKONOMI

Qeveria “harron” të miratojë listën e re të barnave, si penalizohen pacientët

09:41 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

Këshilli i Ministrave ka ‘harruar’ të miratojë listën e re të barnave me rimbursim, e cila sipas një njoftimi zyrtar të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të duhej të kishte hyrë në fuqi, që prej datës 1 maj 2017. Pavarësisht se ky shërbim mbulohet aktualisht nga lista e miratuar një vit më parë, vonesa e hyrjes në fuqi të listës së re duket se penalizon një sërë përfituesish. Kjo pasi, vetë FSDKSH-ja njoftoi në datën 27 mars 2017 se lista e re do të pasurohej me 30 barna të reja. “Fokusi dhe filozofia e zgjerimit të listës së rimbursimit këtë vit është pikërisht te sëmundjet me përhapje të gjerë në popullatë, sikurse janë sëmundjet e zemrës dhe veshkave.

Një vëmendje e veçantë u është kushtuar të sëmurëve me tumor, për të cilët janë shtuar në listën e rimbursimit barna që shkurtojnë kohën e hospitalizimit të tyre”,- thuhej ndër të tjera në njoftimin e FSDKSH-së. “Dy prej shërbimeve më të rëndësishme që ofron Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor për pacientët, lista e barnave të rimbursueshme dhe paketat e shërbimeve shëndetësore, janë zgjeruar, duke shënuar kështu progres të dukshëm në kujdesin për pacientët në nevojë”,- shtohej në këtë njoftim. Por, kur kanë kaluar rreth 3 javë nga muaji maj, qeveria nuk e ka miratuar ende këtë vendim. Ndërkohë që, vendimi tjetër, që lidhej me paketat e shërbimeve shëndetësore që financohen nga FSDKSH-ja në spitalet private, është miratuar qysh në mbledhjen e datës 26 prill dhe tashmë ka hyrë në fuqi.

Ndërkaq, “lajmi i mirë” që erdhi në datën 27 mars fliste edhe për kategorinë e fëmijëve, që sipas vetë Fondit deri më tani janë pak të përfaqësuar në listë. “Lista e re e barnave me rimbursim mbulon edhe një kategori shumë të ndjeshme por më herët, pak të përfaqësuar në listë, sikurse është ajo e fëmijëve”,- thuhej në njoftim.

Në atë kohë, FSDKSH-ja bëri publike edhe një listë me ilaçet e reja që do të përfshiheshin në Librin e Barnave me Rimbursim, ku futeshin anti-diabetikët; barnat kundër obezitetit në pacientët që vuajnë nga diabeti dhe sëmundje kardiologjike; ilaçet për kardiologjinë, të cilat e çojnë trajtimin e pacientit nga monoterapia në kombinime të terapive të ndryshme; Për shërbimin e Nefrologjisë; Për shërbimin e Psikiatrisë si dhe ilaçe për onkologjinë, me rëndësi për pacientët që vuajnë nga sëmundje tumorale, të cilat shkurtojnë kohën e hospitalizimit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.