OPINION

Zgjedhje me zgjidhje, apo thjesht një marrëveshje dypalëshe

07:53 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Zoje JAKAJ




 
Në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, me një shtrëngim duarsh – që dukej më tepër si mes dy miqsh – para dyerve të Kuvendit, kryeministri Rama e kryetari i opozitës, Basha njoftuan për arritjen e një kompromisi të pranueshëm nga të dyja palët sipas paketës “McAllister+”. Më në fund, një ogur i mirë për jetën politike të vendit, e cila dukej se nuk po shkonte gjëkundi, por sa nga njëra anë në tjetrën, duke pritur dëshpërimisht se çfarë do zgjidhin ndërkombëtarët (SHBA mbeten shpëtimtarët tanë) të bënin për të na shpëtuar nga ngërçi, që prej muajsh na ishte ulur këmbëkryq në mes të vendit. Ajo që më së shumti Shqipëria kishte dhe ka si nevojë imediate këto kohë janë garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, me përfshirjen e partive opozitare, duke qenë se vetëm pak ditë kanë mbetur nga data paraprake e zhvillimit të tyre, e cila do të jetë një muaj më vonë, nëse do të marrim parasysh se shumë pika të paketës së propozuar përveçse e përfshijnë këtë shtyrje të zgjedhjeve parlamentare, kërkojnë edhe njëherë rikthimin e Parlamentit aktual për të bërë një sërë ndryshimesh rrënjësore si në Kodin Zgjedhor, po ashtu edhe në atë Penal. Dhe kjo nuk do të thotë se opozita e rrëzoi 18 qershorin, por se garantimi i një procesi zgjedhor demokratik për një vend që kërkon aderimin prej kohësh në BE dhe është anëtar i NATO-s është i pamundur në kushtet e deritanishme. Shqipëria sot, por edhe opinioni ndërkombëtar janë të ekzaltuar nga arritja e kësaj marrëveshjeje, sepse të jemi realistë, demokracia jonë përveçse po rrezikonte mosbindje civile për të mos votuar, po rrezikonte edhe ekzistencën e saj nisur nga të gjitha zhvillimet politike të kohëve të fundit. I vetmi zhvillim pozitiv në këtë drejtim, që ezauron edhe një nga pikat e paketës fillestare “McAllister” ishte zgjedhja e presidentit me shumicë të konsiderueshme, edhe pse në raundin e katërt e pa pjesëmarrjen e opozitës – në rastin e Shqipërisë duket “normale” se në çdo rast parlamentarët tanë kështu zgjedhin të veprojnë. E përveç ekzaltimit e “dritës në fund të tunelit”, Shqipëria ende është e ngrirë – si mund të zbatohen me ndershmëri, në kaq pak kohë, propozimet e paketës “McAllister+”? Vërtet nuk dihet saktësisht së nga çfarë hoqi dorë opozita e nga çfarë kryeministri, por ajo që shihet qartë është se e gjithë paketa më tepër se sa një plan masash për të zgjidhur krizën politike, ngjan me atë çfarë një qeveri së bashku me Parlamentin duhet të bëjë në vazhdimësinë e ekzistencës së tyre. “OK” i dhënë në orët e vona për marrëveshjen Rama–Basha i kthen sytë edhe njëherë nga vetingu aq shumë i përfolur. Që më në fund ky proces do të realizohet është e dukshme, pasi përveçse në një nga pikat e paketës theksohet kthimi i opozitës në Parlament për formimin e komisioneve të vetingut, shumë të tjera lidhen ngushtë me të duke filluar që nga ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive politike, në luftën kundër drogës e me përfundim te dekriminalizimi. U deshën sërish ndërkombëtarët për të shtrënguar duart Rama-Basha. U desh që i gjithë populli shqiptar të kalonte në gjendje amullie që krerët e dy partive më të mëdha të viheshin në gjendje pune… sikur vetë faktori “parti të dyta” e “partnerë qeverisës” të ishin dëgjuar më parë, kjo gjendje do të ishte shmangur se kriza politike nuk zgjidhet vetëm mes partive të mëdha. Vullneti i mirë nga pjesa tjetër e partive politike duket se ka ekzistuar që para se të shtyheshin afatet për regjistrimin e tyre në procesin zgjedhor. Arritja e marrëveshjes, e një konsensusi për të miratuar paketën e integruar amerikane që i jep zgjidhje krizës, krijon besim për zgjedhje të lira dhe është e mirë për të gjithë e ku më në fund u pa me përgjegjshmëri e racionalitet nga liderët tanë politikë. Megjithatë, marrëveshja është lajm i mirë, edhe pse shumë vonë për të përmirësuar zgjedhjet e zgjidhjet në këtë vend, por mjafton që të gjithë do të përballen me votën. Populli, mbase këtë herë ka një lloj mënyre e do të jetë më i arsyeshëm e më racional të zgjedhë atë që i duket më pro interesave të tij. Shkurt, duhet të ketë një lloj balance mes partive politike, se ndryshe vendi do kthehej përsëri një hap mbrapa e zgjedhjet do ishin regres, jo progres e përmirësim i jetës politike të vendit, që përkthehet në më shumë varfëri dhe shtim papunësie. E thënë ndryshe, ka vetëm një fitore që është e dukshme, që ra një lloj qetësie totale në masën e gjerë popullore, që u shërben zgjedhjeve pa eksese e të pranueshme nga të gjitha partitë. Të shpresojmë se do numërohen votat me drejtësi e transparencë e pas kësaj të vijë një qeveri, e cila do i shërbejë popullit dhe interesave të tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.