OPINION

Rama-Basha po kthejnë bipolaritetin në politikë

07:25 - 20.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Nga Mimoza KOÇIU




 

Pas 90 ditësh plot tension politik e qytetar, me akuza, mosmarrëveshje, taktika, prapaskena, lobime shpesh të pandershme, ka qenë një moment sa i pabesueshëm, aq edhe lehtësues për të gjithë, arritja e një marrëveshje politike mes kryeministrit Edi Rama e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Një lehtësim se Shqipëria nuk do rikthehej 27 vjet pas, për të bërë zgjedhje pa opozitën.

U lexua si maturim politik i Edi Ramës, që nuk e ka aspak pikë të fortë tolerancën, ndaj kujt mendon ndryshe nga ai. U lexua si fitore e Lulzim Bashës, që në 90 ditë qëndresë, u anatemua, me e pa të drejtë, për mungesë nuhatje politike, në përmbushjen e kauzës së tij, për zgjedhje të lira e të ndershme.

Dukshëm, edhe Rama, edhe Basha, kanë benefitet e veta nga marrëveshja e arritur, por të dy bashkë kanë hedhur një hap formal, të qartë e të hapur, drejt ngushtimit të hapësirave në fushën politike, vetëm për dy lojtarë, ata vetë.

Për tre orë kokë më kokë, u morën vesh, pa nevojën e aktorëve vendas, e atyre ndërkombëtarë, edhe pse të nxitur prej tyre.

Një tokje, ishte gjesti informal, që zëvendësoi shtrëngimin tradicional të duarve mes të dyve, në orën 01 e 14 minuta të mëngjesit të 18 majit, si formalizim i një bashkëpunimi që thyen tabu, por edhe çdo model të deritanishëm në Shqipëri, pasi u shpall se do vazhdojë përtej 25 qershorit.

Një karakter protagonist si Rama, që i lë dritat e skenës Bashës, për të shpallur për mediat se ishin marrë vesh më së miri, duhet të ketë shkaktuar jo pak takikardi politike, së pari, në partinë e Ilir Metës, që u gjend para faktit të kryer.

Mbetet mbresuese lëvizja strategjike e kryeministrit të vendit. Deri një orë para se t’i bashkohej tryezës taktike të kryetarëve të partive parlamentare në kryesinë e Kuvendit, deklaronte se nuk kishte çfarë të negocionte me Lulzim Bashën. Por përballë partive të unifikuara pro marrëveshjes McAllister, Rama rrezikonte të mbetej i vetëm, e do duhej të pranonte një marrëveshje të imponuar. Kjo do e rikthente pas, në përsëritjen e 22 korrikut, marrëveshjes historike për reformën në drejtësi, e cila mban vulën e presionit Meta-Basha. Prandaj Edi Rama iu drejtua atij takimi me një ide të qartë: ta arrinte vetë atë marrëveshje, duke u ulur, për t’u marrë vesh seriozisht me Lulzim Bashën.

Basha u tërhoq nga dy momente që i kishte shpallur si të domosdoshme,16 korriku, data e re e zgjedhjeve, e parashikuar në paketën McAllister dhe identifikimi e numërimi elektronik i votës. Por Rama i ofroi, çka e quajti vetë, një big Mac (një McAllister të madh), duke i dhënë si këmbim mes të tjerash, 6 ministra, një zëvendëskryeministër, kreun e KQZ-së, e disa drejtori qendrore, për të garantuar paanshmëri në procesin zgjedhor. Me garancinë se Basha do votojë vetingun e institucionet e tij sa më shpejt në parlament, Rama mori kështu trofeun e liderit, që arriti marrëveshjen me opozitën, e mbi të gjitha, vendosi një kanal bashkëpunimi me Bashën, që do shkojë përtej 25 qershorit, e që mund të prodhojë edhe surpriza të tjera në sesionin e ri parlamentar. Të shpallurat deri tani, janë reforma kushtetuese e ajo zgjedhore.

Praktikisht Rama dhe Basha kanë institucionalizuar me atë marrëveshje, një tryezë të përhershme koordinative mes tyre, mbase më funksionale se ajo që Rama kishte me LSI.

Të gjitha këto detaje, shkojnë përtej kauzës së zgjedhjeve të lira e të ndershme, tashmë vulosin një realitet të ri: arena politike në Shqipëri po shkon drejt bipolaritetit, por edhe zbehjes së kufijve ndarës maxhorancë-opozitë. “Humbësi“ i madh këtë herë, njëlloj si në prill të 2008-ës, do jetë LSI-ja, një déjà vu, që vështirë ta kishte parafytyruar Ilir Meta, pasi u nxor formalisht në pension politik për të paktën 5 vjet, nga aleati i vet qeverisës. Edhe pas vizitës në zyrën e Berishës, e reflektoi mërinë që marrëveshjen e mësoi nga mediat, ndërsa thumbimi nuk mungoi në “urimin“ që marrëveshja të zbardhej plotësisht, qartazi, pa referencë për pjesën e shkruar të saj, që iu servir publikut në një sinkronizim perfekt orari nga PS e PD.

Duhet thënë se në këto tre vjet e gjysmë bashkë, LSI ka asistuar edhe me bekimin e saj, në fuqizimin politik e institucional, gradual, por të qëndrueshëm të Edi Ramës. Në tre muajt e protestës së Bashës, ajo ka qenë protagoniste e presionit të dukshëm e të padukshëm ndaj Ramës, për dialog me opozitën, por asnjëherë e akteve në vetë të parë. Një “bezdi“, që Rama e hoqi, duke i dhënë këtë goditje të dytë LSI-së, pasi më herët e kishte larguar Metën nga skena aktive politike.

Padyshim që kjo marrëveshje është një arritje edhe për Lulzim Bashën, profili i të cilit, u forcua në tre muaj, më shumë se ç’kishte ndodhur në gati 4 vjet në krye të PD. Megjithëse humbi kohë të çmuar duke refuzuar propozimin McAllister më 25 prill, ia doli të dilte fitimtar nga një situatë e vështirë, ku të gjithë i kishte praktikisht kundër, e kur vetë ndërkombëtarët, po e artikulonin pa doreza, si legjitim, një proces zgjedhor pa opozitën.

Edhe nëse nuk arrin rezultatin që pretendon më 25 qershor, Lulzim Basha ka marrë tashmë legjitimitetin e interlokutorit me rivalin politik, në një bashkëpunim të projektuar për të shkuar përtej zgjedhjeve.

Çka mbetet për t’u parë është zbatimi i pjesës së pashkruar të marrëveshjes, deri ku do shkojë përpjekja e Ramës e Bashës për ta bërë bipolare arenën politike shqiptare, e, nëse kjo periudhë mjalti mes të dyve, do sjellë maturimin e demokracisë shqiptare drejt modelit funksional, ku pozita e opozita ushtrojnë me përgjegjshmëri fuqinë që u kanë deleguar qytetarët, e pse jo, Republikën e re që premton Basha, apo dobësimit të mëtejshëm të kësaj demokracie hibride, përmes marrëveshjeve formalisht konsensuale, ku fitojnë gjithnjë të dyja palët.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.