OPINION

Bernard-Henri Levy dhe solidariteti shqiptar

07:33 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga SHABAN MURATI




Kultura europiane e së vërtetës dhe e së drejtës u përball edhe njëherë me brutalitetin dhe obskurantizmin e nacionalizmit fanatik serb, kur këto ditë një nga figurat më të shquara të elitës së sotme intelektuale europiane, filozofi, shkrimtari, regjisori dhe publicisti i mirënjohur francez, Bernard-Henri Levy, u bë objekt i një sulmi fizik dhe verbal në një aktivitet kulturor në mes të Beogradit. Ky sulm i ulët ndaj filozofit dhe humanistit të njohur të të drejtave të njeriut, nuk u shkaktua nga ndonjë fjalim i momentit i Bernard-Henri Levy-it, i cili ishte mysafir për të marrë pjesë në 10 maj në festivalin e filmit dokumentar me filmin e tij “Peshmerga”, kushtuar luftës së kurdëve kundër organizatës terroriste të “shtetit islamik”. Filozofin e gjuajtën me tortë dhe me vezë, e sulmuan fizikisht, dhe në sallën e aktivitetit njerëz të organizuar thërrisnin sharje kundër tij dhe mbanin parulla “Levi mbron vrasësit imperialistë”, “Levi ka mbrojtur ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimin e Jugosllavisë”, etj. Ishte një veprim i organizuar dhe i përgatitur si një hakmarrje dhe si një ndëshkim për pikëpamjet dhe qëndrimet e njohura përparimtare të filozofit francez në kohën e konflikteve në ish- Jugosllavi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.

Pra, ishte shprehje e një hakmarrje primitive për qëndrimet e tij të 20-25 viteve më parë, dhe një dëshmi e ringjalljes të së kaluarës fashiste dhe agresive të Serbisë, e cila guxon dhe sulmon sot publikisht një nga zërat më të shquar të mendimit të lirë dhe demokratik europian. Bernard-Henri Levy ka qenë ndër të parët mendimtarë dhe intelektualë europianë me famë ndërkombëtare, që kuptoi dhe demaskoi qysh në fillim politikën kriminale të diktatorit serb, Sllobodan Millosheviç, dhe të keqen e madhe, që ajo politikë paraqiste për Jugosllavinë, për Ballkanin dhe për Europën. Ai ka qenë një mbrojtës i flaktë ndërkombëtar i së drejtës së popullit boshnjak dhe të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe kundër agresionit serb. Bernad-Henri Levy është ndër të parët zëra influentë të elitës europiane, që ka kërkuar ndërhyrjen për qëllime humanitare të Perëndimit në Jugosllavi për të ndaluar spastrimin etnik, që forcat policore dhe ushtarake të Millosheviçit po zbatonin në Kosovë. Bernard-Henri Levy është ndër figurat e njohura intelektuale të pas luftës së dytë botërore, që ka mbajtur lart idealin e vlerave civilizuese europiane të lirisë dhe të demokracisë. Verbëria nacionaliste serbe nuk mund t’i falë atij veprimtarinë humane dhe platformën e lirisë së mendimit, kundër të cilave makina represive millosheviçiane përdori instrumentet e luftës dhe të masakrave, njësoj si nazistët.

Ajo, që ndodhi në Beograd, me sulmin fizik dhe verbal kundër filozofit dhe humanistit Bernard-Henri Levy, është tepër domethënëse dhe merr rëndësi të veçantë për të kuptuar më qartë të vërtetat e sotme të hidhura të Serbisë, raportet e saj gjenetike me të kaluarën e errët dhe natyrën e vërtetë të rrugës, ku po ecën sot shteti serb dhe shoqëria serbe.

Ajo, që ndodhi në Beograd, me sulmin fizik dhe verbal kundër një europiani të madh, është sulm ndaj mendimit të lirë europian, ndaj vlerave dhe civilizimit europian, ndaj orientimit demokratik europian, të cilat i mishëron filozofi francez. Ajo dëshmon se Serbia ende nuk është shkëputur nga e kaluara, dhe se e kaluara nacionaliste dominon në mentalitetin e shoqërisë së sotme serbe. Kjo është një dramë e madhe, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe për shtetin serb, por edhe për zhvillimet e sotme dhe të ardhme në rajonin e Ballkanit. Këtë tablo reale e analizoi dhe e përcaktoi saktë dhe me vërtetësi, vetë filozofi francez, i cili në konferencën e shtypit në Beograd, pas sulmit kundër tij, deklaroi: ”Demokracia nuk ka triumfuar akoma në Beograd. Jo çdo kush në këtë qytet është gati të dëgjojë të vërtetën. Rroftë Europa dhe rroftë Serbia në BE! Jam krenar, që kam mbrojtur trashëgiminë antifashiste të Europës këtu para jush. Ju miqtë e mi serbë akoma jetoni në një regjim, që mund të quhet demokraturë, që përdor zgjedhjet dhe aparencën e demokracisë për të shtypur shoqërinë civile dhe liritë”.

Është një analizë e mprehtë, e cila fiton rëndësi të veçantë ballkanike dhe europiane, duke pasur parasysh zërin, që e thotë. Ajo tërheq vëmendje në plagën thellë të sistemit politik sot në Serbi, i cili nuk u demokratizua kurrë realisht dhe që është një hibrid i demokracisë me diktaturën dhe ku zgjedhjet janë një farsë për të shtypur liritë dhe të drejtat e njeriut. Kjo do të thotë që edhe vetë sulmi, që iu bë filozofit, është produkt i këtij sistemi politik dhe i mjedisit antidemokratik, në të cilin jeton Serbia. Dhe kjo është kaq e vërtetë, sa që ndaj filozofit të shquar francez nuk pati asnjë lloj kërkesë falje nga ana e kryeministrit serb apo nga ministri i Jashtëm serb, të cilët nuk kanë lënë kriminel lufte serb pa e glorifikuar zyrtarisht. Nuk është e rastit që në këtë klimë pajtimi të heshtur të garniturës qeveritare serbe me aktin e turpshëm, një nga udhëheqësit më agresive të nacionalizimit serb, krimineli ndërkombëtar i luftës, Vojislav Sheshel, i cili është zgjedhur deputet i parlamentit të Serbisë, deklaroi në tribunën e parlamentit serb me gjuhën e tij të njohur fashiste, se Bernard-Henri Levy “meritonte diçka shumë më të keqe, se sa një tortë në fytyrën e tij”.

Skena e turpshme, që ndodhi në Beograd, mendoj se shërben si një leksion ndriçues për diplomacinë europiane për të kuptuar portretin e vërtetë të shtetit dhe të shoqërisë serbe. Ajo vlen për të kuptuar se Serbia, ndonëse është pranuar me indulgjencë nga BE si shtet kandidat dhe ka hapur edhe bisedimet e pranimit për anëtare, është shumë larg parametrave të meritës për të qenë një shtet kandidat për në BE. Është larg, sepse nuk është shkëputur me ndërgjegje nga e kaluara fashiste e kohës së Millosheviçit. Është larg, sepse madje e glorifikon atë periudhë krimesh dhe masakrash kundër popujve joserbë dhe i ka ngritur monument kriminelit më të madh të luftës në ish-Jugosllavi. Është larg, sepse jo vetëm mentaliteti fashist i regjimit të Millosheviçit, por edhe kuadrot dhe strukturat e asaj kohe mizore janë ende në fuqi në shtetin e sotëm serb. Grupet fashiste, si ai që sulmoi filozofin francez në mes të Beogradit, ndjehen të inkurajuar, kur shohin se kryeministri i tanishëm serb, presidenti i tanishëm serb, ministri i Jashtëm i tanishëm serb, kryetarja e tanishme e parlamentit serb, etj. janë që të gjithë ish-pjesëtarë të qeverisë së Sllobodan Millosheviçit. Ndjehen të inkurajuar, sepse partia serbe në fuqi, që drejtohet nga kryeministri Aleksandër Vuçiç, ka vënë në podiumet e nderit kriminelët ndërkombëtarë të luftës. Krimineli i luftës, Veselin Slivajçanin, i dënuar me dhjetë vjet burg nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në Hagë, është ftuar disa herë nëpër veprimtaritë politike dhe elektorale të partisë qeveritare. Në një nga këto veprimtari të “Partisë Progresiste Serbe”, krimineli i mësipërm i luftës deklaroi: “Unë jam këtu, sepse Aleksandër Vuçiç dhe vëllai i tij Andrej më kanë mbështetur gjatë kohërave të këqija, kur u arrestova dhe u dërgova në Hagë”.

Grupet dhe mentalitetet fashiste dhe ultranacionaliste ndjehen të inkurajuar, kur shohin se figura kriminale të periudhës millosheviçiane mbajnë poste të lara ushtarake dhe zyrtare sot. Para pak kohësh shoqata e mirënjohur joqeveritare serbe “Qendra e Ligjit Humanitar” shfaqi një dokumentar, ku akuzon shefin e shtabit të sotëm të ushtrisë serbe, Ljubisha Dikoviç, për përfshirje në krime lufte në Kosovë dhe për operacione të fshehjes së kufomave. Sipas dokumentarit, rreth 1400 civilë janë vrarë në vitin 1999 në zonat e Kosovës, që ndodheshin nën kontrollin e Brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave, të komanduar nga Ljubisha Dikoviç. Por kriminelë si Dikoviç i mbështet qeveria, dhe kryeministri Vuçiç e mori në mbrojtje publike, duke deklaruar se “personalisht jam i bindur se Dikoviç nuk është kriminel lufte”. Pjesë e përkrahjes qeveritare është edhe fakti që radiotelevizioni publik i Serbisë refuzoi ta shfaqte dokumentarin e mësipërm për krimet në Kosovë.

Sulmi i grupit fashist serb kundër filozofit dhe mendimtarit të mirënjohur francez është një atentat brutal ndaj lirisë së mendimit dhe të drejtave të njeriut dhe të popujve, në emër të të cilave Bernard-Henri Levy ka përkrahur të drejtat e popullit të Kosovës për liri. Në këtë plan, sulmi ndaj filozofit francez duhet konsideruar edhe si një sulm ndaj interesave të lirisë dhe të demokracisë së popullit të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Ndaj filozofi francez meriton një shprehje të fuqishme solidariteti nga organet shtetërore dhe zyrtare të Kosovës dhe të Shqipërisë, nga mediat dhe shoqëria civile në të dy shtetet shqiptare. Veproi drejt ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili reagoi menjëherë duke dënuar sulmin e ndodhur në Beograd ndaj Bernard-Henri Levy-t si “akt antieuropian dhe anticivilizues”.

Solidariteti shqiptar me filozofin francez duhet parë si detyrim moral, kombëtar dhe njerëzor ndaj një luftëtari të shquar të lirisë dhe miku të madh të çështjes shqiptare. Solidariteti është një vlerë, që dëshmohet gjatë gjitha kohërave, dhe shqiptarët e kombi shqiptar duhet ta shprehin mirënjohjen e tyre në mënyrë të vazhdueshme, për të ruajtur dhe forcuar miqësitë e mëdha me personalitete europiane dhe ndërkombëtare, përkrahës të çështjes së lirisë dhe të pavarësisë së kombit shqiptar. Miq si Bernard-Henri Levy janë nder për çdo shtet e për çdo popull. Është rasti për një mirënjohje të re shqiptare ndaj Bernard-Henri Levy-t, për çka ai ka bërë për çështjen e Kosovës, dhe për çka ka bërë dhe bën për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të popujve në Europë dhe në botë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Përgëzime dhe respekte Z. Murati.
    Preokupimi juaj dhe vlerësimi për kontributin e Z. Bernard në problemin kosovar është një preokupim i ligjshëm shoqëror.
    Më vjen keq kur konstatoj se njerëz me titull profesor në Tiranë, frankofon që mburren se mbajnë leksione filozofie në universitete franceze qëndruan në heshtje në momentin e dhunimit të filozofit Levy në Beograd. Ky ishte momenti kur filozofët tanë të prononcoheshin me forcë në shtyp, në gazeta franceze aq më tepër në mbështetje të filozofit francez. Mirëpo për fat të keq heshtin ngaqë duket që nuk janë në atë lartësi arsyetimi social filozofik të denjë për tu konsideruar seriozisht, në këtë rast në ndonjë gazetë kryesore franceze. Bëjnë filozofi shqiptare në Tiranë e janë të papërfilshëm më tej Tirane.
    Respkte Z. Murati

    Përgjigju ↓