KULTURË

MILOSAO/ Kapurani: Me Enver Hoxhën s’luhet më me amatorizmin ulëritës që po ndodh në Shqipërinë tonë të gjorë

08:29 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Intervistë me studiuesin e Kadaresë, Dr. Anastas Kapurani. Si e shikon ai veprën e shkrimtarit të njohur shqiptar, pikëlidhjet me letërsinë bashkëkohore, kontributet në pasurimin e saj, si edhe shumë elementë të tjerë që e veçojnë veprën e Kadaresë





Intervistoi Ben ANDONI

Libri  juaj  “ Kadare  ose  Liria  e  Fjalës  së  Penguar “,  megjithëse  është  i  ardhur  në  një  lëmë  të  tërë  studimesh  për  shkrimtarin  e  njohur,  ka  zënë  një  vend  të veçantë  falë  trajtimit  tuaj.  Ju  lutem,  a  mund  të  shpjegoni  për  publikun  metodologjinë  në  këtë  studim?
“Unë  nuk  vajta  tek  Ismail  Kadare  ngaqë  një  ditë  të  bukur  thashë:  sot  do  shkruaj  për  Kadarenë.  Në  fakt  dëshira  kish  qenë  atje  për  shumë  kohë  dhe  më  fliste  e  pagojë.  Në  tavolinën  e  punës  ishin  përherë  një  emër  dhe  një  libër  që  nuk  shkuleshin  së  andejmi,  por  me  një  kusht  të  lumtur:  duke  qenë  aty,  bënin  më  shumë  vend  për  emra  të  tjerë  të  mëdhenj  nga  bota  e  artit.  Ky  emër  dhe  ky  libër  ishin  një:  Kadare.  Sa  zgjati  kjo?  Shumë  zgjati,  gjer  në  çastin  kur,  jo  unë,  por  foli  libri  dhe  më  çoi  te  sivëllai  i  tij  më  i  afërt,  aty  ku  libri  rrëfehet  si  në  pasqyrë.  Nga  libri –  tek  libri,  kështu  nisi  rrugëtimi  im  me  Kadarenë  në  botën  e  tij  të  paanë,  duke  shkelur  jo  në  atë  rrugë  që  na  thotë   kalendari  i  hapur  i  botimit,  por  atë  shteg  të  vështirë  që  çel  filli  i  padukur  që  digjet  i  mbuluar  dhe  që  lidh  së  brendshmi  fjalën  dhe  të  vërtetën  e  shkrimtarit  të  madh.  Ja,  këtë  bëra  unë:  mblodha  mençurinë  që  digjet  mbi  këtë  fill  të  përrallshëm  dhe  kjo  mençuri  e  vështirë  u  rrit  dhe  një  ditë  u  bë  libër.  Po  ky  libër  erdhi  në  këtë  botë  me  një  kusht  ekzistencial  të  habitshëm:  erdhi  si  dy  libra  në  një.  Ngaqë,  në  të  njëjtën  frymë,  libri  foli  jo  një  po  dy  herë:  një  herë  shqip  dhe  herës  tjetër  anglisht.  Ishte  e  pamundur  të  vinte  ndryshe.  Apo  që  të  guxoja  të  mos  i  bindesha  këtij  urdhëri  të  frikshëm.  Libri  thjesht  më  kthente  krahët.  Kish  gjëra  që  thuheshin  më mirë  në  shqip  dhe  gjëra  që  thuheshin  më  mirë  në  anglisht.  Ndaj,  veçmas,  libri  është  përherë  më  shumë  se  një.  Ngaqë  është  bashkë  me  vëllain  e  tij  siamez.  Sa  vajti  kjo  punë?  Më  shumë  se  tre  vjet,  dhe  me  një  regjim  spartan  që  nuk  pranonte  ditë  në mes,  gjithmonë  paradite,  nga  ora  nëntë  gjer  në  dymbëdhjetë.  Në  fund  libri  zgjodhi  edhe  emrin  e  vet,  edhe  të  pjesëve  që  e  ndërtojnë.  Tani  ju  më  pyesni  për  shtegun  me  dritë  që  shkela,  me  fjalë  të  tjera,  asaj  që  greku  i  lashtë  i  thotë  methodos.  Nuk  e  dija.  Këtë  e  mësova  kur  libri  ndërkohë  erdhi.  Ma  tha  James  Wood,  një  nga  mendjet  letrare  më  të  ndritura  sot,  me  librat  e  tij  të  mrekullueshëm.  Është  një  qasje,  thotë  ky  njeri  i  shquar  i  letrave,  që  këto  vitet  e  fundit  po  bën  ballë  dhe  po  zë vend  rëndë-rëndë.  E  vështirë,  vërtet,  por  nga  më  të  mençurat  që  i  janë  shfaqur  botës  së  kërkimit  letrar.  Dhe  pastaj  ai  i  vë  emrin  kësaj  methodos  dhe  e  quan  kështu:  të  shkruash  jo  p ë r  librin  e  aksh  autori  por  të  shkruash  p ë r m e s  librit  të  tij ( through  his  book ).  Ja,  pikërisht  këtë  bëra  me  Kadarenë  dhe  ky  është  shtegu  i  vështirë  që  shkela  dhe  që  mua  m’u  shfaq  në  të  bërë,  si  praxis  dhe  shumë  më  vonë  si  emër.  Kur  mësova  që  qasja  ime  nuk  ish  jetime  dhe  kish  emër,  kënaqësia  ishte  e  jashtëzakonshme”.

Në  veprën  e  Kadaresë  koha  e  tij  letrare  në  disa  raste  e  tejkalon  kohën  reale.  Si  e  shikoni  elementin  e  kohës  që  përdor  shkrimtari  në  veprën  e  tij  dhe  përballjen  me  njeriun  shqiptar?
“Kështu  ndodh  tek  Kadare  ngaqë  kështu  ndodh  gjithmonë  me  artin  e  madh.  Koha,  reale  ( me  fjalë  të  tjera:  e  njëmendtë )  qoftë  apo  letrare  ( me  fjalë  të  tjera:  imagjinare )  qoftë,  në  thelb  është  një:  kuptimi  qenësisë.  Megjithatë,  brenda  këtij  kuptimi  universal,  shkrimtari  i  madh  përherë  ndërton  lidhjen  e  tij  të  mëvetësishme  që  të  mund  të  shpërfaqë  begatinë  e  personalitetit  të  tij  krijues.  Ndaj  që  të  mund  të  mësojmë  lidhjen  e  vështirë  të  Kadaresë  me  kohën  na  duhet  të  pyesim:  Cili  është  njeriu  i  tij?  Dhe  që  të  mësojmë  këtë,  na  duhet  të  pyesim  më  parë  tjetrën:  Cila  është  bota  e  tij?  Kadare  ngriti  më  këmbë  botën  e  vet,  nga  më  të  begata  të  ndërtuara  ndonjëherë  në  letrat  e  mëdha  europiane.  Kjo  botë  është  e  tëra  e  tij.  Ndaj  ai  i  vë  emrin  asaj.  Si  e  quan?  Mosjeta.  Me  këtë  fjalë-koncept  madhore,  Kadare  i  bën  të  dyja  të  vështirat:  edhe  e  rrok  këtë  botë  me  gjithësej,  edhe  e  mban  në  pëllëmbë  të  dorës.  Në  këtë  botë  koha  rrjedh  ndryshe.  Kjo kohë  nuk  flet  gjuhën  e  njeriut.  Ngaqë  kjo  kohë  nuk  i  thotë  njeriut:  hajde  të  bëjmë  bashkë.  Kjo  kohë  flet  gjuhën  e  terrorit  politik  dhe  i  thotë  njeriut:  tutje  nga  unë.  Kjo  kohë  nuk  e  qas  njeriun  pranë,  kjo  kohë  e  përzë  njeriun.  Qysh  mund  të  hyhet  në  këtë  kohë?  Kjo  është  çudia  që  bëri  Kadare  me  artin  e  tij  të  pashoq.  Ai  mbeti  në  vijën  e  parë  të  kësaj  kohe  që  i  ngjeth  mishtë  njeriut,  mbërriti  gjer  në  ashtin  e  saj,  gjer  aty  që  nuk  guxonin  të  shkonin  as  xhindet,  me  një  fjalë,  shkoi  gjer  në  afrinë  më  të  afërt.  Si  e  mbajti  fjala  e  Kadaresë këtë  barrë  që  ngjan  e  prerë  për  zotat?  Ngaqë  Kadare  guxoi  dhe  bëri  tjetrën,  me  art  gjithaq  të  madh:  ai  u  shty  më  larg  se  gjithkush  tjetër,  gjer  në  rajonin  e  epërm  homerik,  me  një  fjalë,  mbërriti  gjer  në  larginën  më  të  largët.  Kjo  është  lidhja  e  Kadaresë  me  kohën:  nga  largina  më  e  largët  gjer  në  afrinë  më  të  afërt.  Ky  është  zembreku  i  kohës  së  tij,  mekanizmi  i  saj  i  gjallë.  Pastaj  mbi  këtë  shpirt  të  gjallë  mbahet  vet  fjala  e  tij,  ashtu  sikundër  mbahen  dhe  veç  rriten  edhe  liria,  edhe  e  vërteta  e  tij  e  vështirë”.


Personazhet  e  Kadaresë  vazhdimisht  pikëtakohen  në  vepra  të  ndryshme.  Ka  qenë  një  ndikim  i  letërsisë  klasike  apo  autori  e  ka  menduar,  në  mendimin  tuaj,  se  kështu  mund  të  kapte  më  mirë  pulsin  e  jetës  shqiptare?
“Ju  bëni  fjalë  për  ndikim.  Një  shkrimtar,  aq  më  tepër  kur  është  i  madh,  nuk  bën  dot  pa  ndikim.  Ngaqë  mjeti  i  tij  themelor:  gjuha,  e  tillë  është,  tejet  e  ndikuar,  e  mbushur  plot,  saqë  tjetri  është  në  hall  të  gjejë  qoftë  edhe  një  fjalë  që  është  e  gjitha  e  tij.  Ndërsa  ndikimi tjetër,  ai  që  thotë:  kjo  është  tek  tjetri  i  madh  ndaj  është  tek  Kadare,  këtë  ndikim  mediokër  Kadare  nuk  e njeh.  Për  arsyen  e  thjeshtë  se  shkrimi  i  tij  është  elitar  ndryshe,  ai  pranon  të  flasë  vetëm  gjuhën  dhe  shpirtin  e  të  zotit.  A  ka  shtegtim  të  personazheve  në  botën  e  paanë  të  Kadaresë?  Natyrisht,  për  shembull,  të  marrim  motrat  Krasniqi.  Edhe  sikur  ky  të  ishte  i  vetmi  shembull,  ne  do  t`i  përgjigjeshim  pozitivisht  pyetjes.  E  tillë  është  pesha  e  tyre  pa  të  dytë.  Pse,  ç`bëjnë  motrat  Krasniqi?  Prania  e  tyre  ngjan  të  jetë  bari  çudibërës  që  nuk  e  lë  njeriun  të  egërsohet.  Aura  që  vjen  prej  tyre  është  mirësi  tjetër,  dora  e  padukur  që  e  ngre  njeriun,  ndaj  lule  e  rrallë  në  hatanë  që  zien  rrotull.  Megjithatë,  mendoj,  që  shtegtimi  i  personazheve  nuk  është  dukuri  që  e  shenjon  botën  e  Kadaresë.  Më  tepër  se  prani  fizike,  tek  ai  shtegtimi  është  prani  e  psikikës  dhe  e  një  formati  shpirtëror  lehtësisht  të  identifikueshëm  ngaqë  janë  rritur  në  klimën  e  sertë  të  Mosjetës”.

Ju  flisni  për  lirinë  e  fjalës  së  Kadaresë  dhe  e  lidhni  me  të  vërtetën.  A  mund  ta  shpjegoni  me  pak  fjalë  për  publikun  shqiptar?
“Është  kjo  që  ju  ndërkohë  e  keni  thënë.  Ngjan  që  për  Kadarenë  është  shkruar  shumë,  në  gjuhën  e  mëmës,  por  mbase  më shumë  dhe  më  mire  nga  njerëz  të  ditur  jashtë.  Po  të  mbajmë  vesh  mire  ato  që  dëgjojmë,  biem  mbi  një  të  vërtetë  që  çudit  jo  pak.  E  tërë  energjia  e  këtij  rrëmeti  të  paepur  mblidhet  dhe  na  flet  nga  një  frazë  e  vetme:  Kadare  është  shkrimtar  i  madh.  Kështu  e  zënë  kuvendin  me  Kadarenë  thuajse  të  gjithë,  edhe  në  vendin  e  tij,  edhe  jashtë.  E  keqja   nuk  është  me  këtë  frazë,  që  është  më  se  e  vërtetë.  E  keqja  është  se  kjo  e  thënurë  nuk  di  se  ç`thotë.  Këndej  dalin  vetiu  jo  një  po  dy  pyetje.  Pse  është  Kadare  shkrimtar  i  madh?  Ngaqë  ndodhka  kështu:  Fjala  e  Kadaresë  flet  që  të  sjellë  në  dritë  të  Vërtetën  e  saj.  Cila  është  kjo  e  vërtetë  me  shtat  të  ndritur  europian  tek  Kadare?  Pastaj  e  Vërteta  e  Kadaresë  rritet  dhe  bën  përpara  në  botën  që  ngre  më  këmbë  dhe  që  është  e  tëra  e  saj.  Cila  është  kjo  botë  pa  të  dytë  tek  Kadare  dhe  si  quhet?  Më  në  fund,  e  Vërteta  dhe  Bota  e  saj  zihen  për  dore  në  vallen  e  pakëputur  të  kuptimit  që  nuk  ngjan  të  mbarojë  një  ditë.  Cila  është  kjo  valle  e  mahnitshme  e  kuptimit  te  Kadare  dhe  ç`demonë  të  dëgjuar  e  mbajnë  më  këmbë?  Shikojmë  përreth  në  ato  që  dëgjojmë  të  thuhen  dhe nuk  shikojmë  gjëkafshë. Këto  janë  gjërat  që  gjykojnë  artin  e  madh  dhe,  natyrisht,  për  Kadarenë  janë  të  rëndësisë  së  pare.  Pastaj  është  tjetra:  Ku  është  Kadare  shkrimtar  i  madh?  Jo  në  rrugë,  ku  përditshmëria  fjalëshumë  rreket  ta  bëjë  mik,  sikundër  bëri  më  parë  me  Tolstojin,  tek  thoshte:  është  cari  aty  ku  është,  por  është  edhe  Tolstoj.  Tolstoj  nuk  u  vuri  kurrë  veshin  banaliteteve  të  tilla.  Kadare  është  i  madh  në  Librin  e  tij  të  shquar,  por  jo  në  ato  katër-pesë  vende  që  kritika  ka  qëmtuar  shkarazi  gjer më  tani.  Kadare  është  i  madh  në  botën  e  tij  të  dëgjuar  që  ngriti  më  këmbë  dhe  që  i  thotë  me  përbujë  kështu:  Mosjeta,  këtë  botë  që  ai  e  ndërtoi  me  art  të  pashoq,  me  vizion  të  ndritur  europian,  me  angazhim  qytetar  ndryshe.  Kadare  zgjodhi  me  sens  të  vërtetë  krijues  një  dorë  ngrehash  sublime  që  patën  qenë  aty  qysh  nga  kohët  që  s`mbahen  mend  dhe  që  quhen:  Kali  i  Trojës,  eposi  homerik,  ura,  banesa,  piramida,  vajza  e  Agamemnonit  dhe  pikasi  në  to  me  syrin  e  gjeniut  një  gjë  të  madhe:  këto  ngreha  bartin  europianizmin  e  mirëfilltë.  Pastaj  ai  bëri  atë  të  vështirë  që  bën  arti  i  madh:  i  zbrazi  ato  me  gjithsej,  i  ngriti  nga  e  para  me  themel,  i  bëri  kështu  krejtësisht  të  tijat,  dhe  me  ato  bëri  të  padëgjuarën:  arriti  zemrën  e  mbyllur  në  hapsanë  të  njeriut  të  Mosjetës,  duke  përmbushur  me  vetëdijë  krijuese  tjetër,  kushtin  suprem  të  artit  të  madh:  edhe  njeriu,  edhe  fjala  duhej  të  mbeteshin  përherë  përtej  goditjes  vrastare  të  tiranisë.  Kjo  është  liria  që  na  u  shfaq  dhe  një  ditë  na  tha  se  quhet:  Liria  e  Fjalës  së  Penguar.  Kadare  është  shkrimtar  i  madh  i  kësaj  lirie  pa  të  dytë  në  letrat  europiane.  Pastaj  nga  maja  e  kësaj  lirie,  Kadare  pikasi  tjetrën:  e  Vërteta  që  ngrihej  rrotull  tij  ishte  e  zënë  me  energjinë  e  ur-  krimit,  në  dy  pamjet  e  tij  të  zanafillta:  edhe  si  ur-krim  i  qiellit,  edhe  si  ur-krim  i  tokës.  Pasi  jo  një  po  dy  përbindësha  bëhen  bashkë  që  të  sjellin  në  jetë  këtë  krim  të  ri,  të  padëgjuar  më  parë:  përbindëshi  i  Tebës  dhe  përbindëshi  i  Trojës.  Kadare  është  shkrimtari  i  madh  i  kësaj  të  vërtete,  përsëri,  pa  të  dytë  në  letrat  europiane.  Kështu  që  e  vërteta  nuk  është asnjëherë  vetëm.  Është  e  vërteta  bashkë  me  lirinë  e  saj.  Ngaqë  nuk  ka  asnjëherë  liri  që  varet  mbi  humnerë.  Liria  është  përherë  drita  e  së  vërtetës  që  mblidhet  në  zemër  dhe  bëhet  gjaku  i  saj,  që  mblidhet  në  sy  dhe  bëhet  dritë  e  tij”.

Figura  e  Enver  Hoxhës  spikat  në  korpusin  e  veprës  së  tij.  Një  element  që  Kadare  e  ka  justifikuar  me  peshën  e  vërtetë  të  Hoxhës  në  jetën  shqiptare.  A  mundet  shkrimtari  që  mendon  të  krijojë  gjini  korale  të  tilla  si  romani,  në  kuptimin  tuaj,  t‘i  shpëtojë  figurës  së  diktatorit?
“Jo, – është  përgjigjja,  madje  me  sëpatë  dardhare.  Është  koha  që  historia,  po  ashtu  dhe  arti  që  rëndon,  të  kuptojnë  një  të  vërtetë  të  thjeshtë  por  të  qëruar:  me  Enver  Hoxhën  nuk  mund  të  luhet  me  atë  amatorizëm  ulëritës,  sikundër  ka  kohë  që  po  ndodh  në  Shqipërinë  tonë  të  gjorë.  Sepse,  ç`po  ndodh?  Gjëma  po  mblidhet  sërish,  nxin  fare  pranë,  na  shikon  dhe  nuk  kemi  sy  ta  shikojmë.  Hoxha,  në  vend  të  tret  në  askund  ku  i  takon,  mbetet  në  sofrën  e  parë  të  fjalës.  Pikërisht  këtu,  dhe  askund  gjetkë,  duhet  kërkuar  lidhja  e  vështirë  e  Kadaresë  me  diktatorin.  Pse,  ç`bëri  Kadare?  Atë  që  mund  të  bëjë  vetëm  arti  i  madh.  Ai  i  hapi  shtëpinë  e  tij  të  fisme  me  dritë  diktatorit.  Pastaj,  këtë  tjetrën,  që  vetëm  shkrimtari  i  madh  di  të  bëjë.  Nuk  e  vuri  në  bimcën  e  kësaj  shtëpie  hijerëndë,  por  i  hapi  odën  e  saj  të  parë,  larë  me  dritë  ndriçonjëse,  që  ta  shikojnë  të  tërë.  Në  Kadare  diktatori  është  në  librin  e  tij  të  madh,  një  epope  brilante,  nga  më  të  bukurat  të  shkruara  ndonjëherë  në  letrat  e  mëdha  europiane.  Po  si   arrin  Hoxha  të  gjendet  aq  lart,  aty  ku  rrinë  zotat?  Fare  thjesht:  ai  hidhet  nga  zyra  e  tij  e  madhe  dhe  bie  drejt  e  në  sarajet  e  artit  të  madh.  Kadare  nuk  vë  fare  dorë  mbi  të.  Është  po  ai  Hoxha  i  rrugës  së  madhe,  përherë  mbathur  me  pallton  e  tij  të  zezë  shumë  të  gjatë,  me  borsalinën  e  zezë  në  kokë,  me  buzën  e  poshtme  plumb  të  rëndë…  Kjo  është  mençuria  e  artit  të  madh:  me  një  të  goditur  të  vetme,  qenia  e  vështirë  e  Hoxhës  shkrep  vetëtimthi  në  dritë,  si  këto  dy  gjëra  në  një:  në  zyrën  e  madhe:  diktator;  në  libër:  një  personazh  i  plotësuar  së  gjithash,  që  do  ta  lakmonte  vet  Shekspiri.  Hoxha  është  kjo  çudi,  ndaj  mund  të  bënte  gjëmën  që  bëri.  Kadare  këtë  pikasi  me  syrin  e  shqiponjës.  Dhe  kjo  është  punë  e  gjeniut.  Ndaj  te  Kadare  ndodh  një  gjë  e  madhe  që  nuk  ndodh  te  Tolstoj.  Jo  Tolstoj  por,  përkundrazi,  është  Napoleoni  që  fiton  mbi  tekstin  e  tij,  edhe  pse  narratori  i  Tolstojit  mbetet  mbase  arritja  sipërane  e  artit  novelistik.  Ndërsa  te  Kadare  ndodh  tjetra.  Fiton  teksti  mbi  diktatorin.  Dhe  kjo  është  ngjarje  e  lumtur  për  lirinë  e  artit  të  madh. Po  ç` bën  Hoxha  në  librin  e  madh  të  Kadaresë?  Këtu,  edhe  pse  vendin  e  kemi  me  krëk,  nuk  bëjmë  dot  pa  thënë  këtë  tjetrën.  Të  shumtë  janë  ata,  në  vendin  e  tij  dhe  gjetkë,  që  i  qajnë  hallin  Kadaresë  dhe  heqin  në  shpirt  se  qysh  e  bëri  këtë,,  në  këtë  libër  aq  të  mirë,  pse  t`i  bënte  vend  Hoxhës?  E  quajnë  lëshim,  mëkat  të  pafalshëm  që  e  rëndon.  Ndërsa  përditshmëria,  me  zuzarët  e  saj  të  rrugës,  këtu  gjen  bukën  e  saj  të  parapëlqyer  që  të  thur  e  të  shthur  turpe  të  padëgjuar.  Po  vet  Kadare?  Askush  nuk  mund  të  trondisë  fillin  e  pakëputur  që  lidh  Kadarenë  me  këtë  libër  të  tij  të  dashur,  ashtu  sikundër  u  duk  kjo  edhe  në  incidentin  e  famshëm  me  të  venë  e  diktatorit.  Po,  do  ti,  ndën  trysninë  e  kësaj  energjie  të  verbër,  qëllon  që  edhe  shkrimtari  të  lodhet,  i  largohet  bisedës,  ashtu  siç  bëjmë  pak  a  shumë  kur  gjendemi  pranë  vendit  ku  ka  ndodhur  një  aksident  i  rëndë.  Nuk  është  për  t`u  çuditur  atëherë  pse  Dimri  i  famshëm  i  Kadaresë  zemërohet  me  të  tërë.  Po  zemërimi  i  tij  të  kujton  mërinë  me  dritë  të  Akilit.  Të  gjithë  e  kanë  një  fjalë  për  të  sharë  zemërimin  e  tij,  por  kur  i  gjenden  pranë,  si  pa  kuptuar,  zgjasin  duart  ta  puthin   në  ballë  por  nuk  e  arrijnë  dot.  Po  të  mbash  veshin  mbi  zemrën  ku  mblidhet  mençuria  e  rrallë  e  këtij  libri,  është  e  pamundur  të  mos  thuash  këtë:  edhe  sikur  sot  ta  shkruante  këtë  libër  Kadare  do  të  dilte  po  ky  libër  që  erdhi  në  jetë  dje.  Pasi  ky  libër  nuk  njeh  sot,  apo  dje.  Ai  është  punë  e  artit  të  madh  dhe  shkruhet  vetëm  një  herë,  që  të  mund  të  flasë  gjithmonë.  Tani  mund  t`i  kthehemi  pyetjes:  Ç` bën  Hoxha  në  librin  e  madh  të  Kadaresë?  Shumë  gjëra  bën,  dhe  çdonjëra  nga  këto  rëndon  më  shumë  se  tjetra,  ngaqë  të  tëra  janë  larë  në  dritën  e  artit  të  madh.  U  bë  plot   një  qindvjeçar  që  Europa  bën  fjalë  mbi  atë  që  ajo  ndryshe  i  thotë  kështu:  Komunizmi  i  Lindjes.  Historianë  të  dëgjuar,  shkencëtarë  me  një  barrë  mend,  burrashteti  me  emër  shkruajnë  e  flasin.  Po  ç` mbetet  mbi  shoshë  dhe  ç` vjen  në  dritë  këndej?  Pak,  zhgënjyeshëm  fare  pak  nga  kjo  përpjekje  thuajse  planetare.  Duket  sheshit  që  ky  përbindësh  fshihet  në  një  terr  tjetër.  Dhe  në  këtë  terr  nuk  hyn  dot  historia,  por  as  edhe  shkenca.  Ky  muzg  i  paudhë  është  punë  e  artit  të  madh.  Shkrep  epifania  nga  qielli  i  paanë  dhe  zgjedh  Kadarenë  për  njeriun  e  saj  të  parë.  Pse,  ç` vëren  ai?  Këtë  të  thjeshtë  të vështirë:  ky  muzg  është  me  shtat  perandorak  por  një  ditë  mblidhet  sa  gishti  i  dorës  dhe  zë  vend  në  Shqipërinë  e  tij  të  vogël  dhe  të  paemër.  Ngaqë  pikërisht  këtu  ky  muzg  gjen  njeriun  e  tij  që  e  ka  kërkuar  për  shekuj  me  radhë.  Nga  ky  muzg  del  Hoxha  dhe  i  flet  njeriut  evropian.  Ç`i  thotë?  I  thotë  se  kush  është.  E  çë  pastaj? _  mund  të  thuhet.  Kjo  është  shumë.  Ngaqë  Hoxha  nuk  është  më  udhëheqësi  vogëlan  i  një  vendi  të  vogël  dhe  të  paemër.  Tani  Hoxha  është  njeriu  i  Moskës  dhe,  kur  kthehet  në  shtëpi,  e  gjen  veten  këngë.  Pse,  ç` ka  ndodhur  ndërkohë?  E  Keqja  lë  Kremlinin  dhe  zë  vend  brenda  Hoxhës,  bëhet  qenia  e  tij  dhe  ai  streha  e  saj  pa  të  sharë.  Hoxha  bëhet  kështu  njeriu  i  parë  i  Komunizmit  të  Lindjes,  diktatori  i  tij.  Ky  është  momenti  unikal  që  pikas  Kadare  dhe  që  pastaj  bëhet  zemra  me  dritë  e  librit  të  tij  të  madh.  Më  tej,  Kadare  i  hap  udhë  kësaj  metamorfoze  të  vështirë  të  vijë  në  dritë,  me  drit-hijet  e  saj  të  njohura  dhe  të  panjohura  tragjikomike.  Dhe  pastaj  ajo  që  vjen  në  dritë  është  vërtet  shumë,  saqë  mund  të  thuhet  pa  frikë  kjo:  metamorfoza  e  përrallshme  e  Hoxhës  është  mbase  paradoksi  i  parë  i  shekullit  të  kaluar.  Më  në  fund,  kjo  mençuri  e  vështirë,  pasi  kullon  nëpër  struktura  brilante,  mblidhet  në  vendstrehimin  e  famshëm  që  më  shumë  se  gjithçka  të  kujton  Guvën  e  dëgjuar  të  Platonit.  Ç` bën  këtu?  Na  flet  nga  një  frazë  e  vetme  dhe  thotë  se  quhet  kështu:  diçkaja  e  panjohur.  Ç` është  kjo  enigmë?  Përsëri,  është  shumë.  Është  terri  i  Hoxhës  që  i  ngjeth  mishtë  njeriut  europian.  Këtu  fshihet  e  Vërteta  që  Kadare  do  sjellë  në  dritë.  Ndaj  Kadare  dhe  fjala  e  tij  këtu  hyjnë  që  njeriu  të  mund  të  bëjë  prapa.  Ky  është  projekti  i  tyre,  kthesa  që  ushqen  spiralen  e  pandalur  në  tërë  veprën  e  Kadaresë.  Në  se  në  pak  fjalë  vepra  e  Kadaresë  është  kronika  e  murtajës  komuniste,  burimi  dhe  drita  e  saj  këtu  i  kanë  rrënjët,  brenda  kësaj  fraze  të  padëgjuar  më  parë”.

Si  e  mbajti  bashkëkohësinë  e  letërsisë  vepra  e  tij?  Ku  qëndrojnë  ato  elementë  që  e  bënin  të  tillë  letërsinë  e  Kadaresë?
“Kjo  pyetje  plotëson  atë  që  ndërkohë  kemi  thënë  mbi  kohën.  Tek  Kadare  nuk  është  që  bashkëkohësia  thjesht  mbahet  mbi  elementë  të  veçantë.  Ngaqë  këtu  bashkëkohësia  është  vet  shpirti  i  veprës.  Ku  qëndron  kjo  bashkëkohësi  dhe  ç` e  mban  më  këmbë?  Është  parimi  që  përmendëm  atypari:  nga  afria  më  e  afërt  në  larginën  më  të  largët.  Kadare  u  shty  gjer  në  agun  e  fillimit  europian  por  vetëm  që  të  mbetej  në  ballkonin  e  parë  të  kohës  së  madhe  të  njeriut.  Në  një  vështrim  më  të  rrokshëm,  koha  te  Kadare  ngërthen  segmentin  që  përcakton  kohën  moderne  të  shqiptarit,  gjysëm – mijëvjeçarin  që  fillon  me  pushtimin  otoman  e  këndej.  Në  këtë  mynxyrë  shqiptarët  nuk  hyjnë  si  mjeranë  apo  të  paemër.  Ata  hyjnë  me  torbën  plot  ngase  janë  bij  të  Motit  të  Madh  të  Skënderbeut.  Pastaj,  kur  është  fjala  për  bashkëkohësinë,  te  Kadare  ndodh  një  diçka  që  rrallë  piqet  në  të  mëdhenjtë  e  tjerë.  Nuk  është  që  koha  e  librit  dhe  koha  e  njëmendtë  thjesht  janë  pranë  e  pranë.  Këtu  kufiri  thuajse  fshihet,  tjetri  kalon  nga  njera  anë  në  tjetrën  pa  asnjë  kokëçarje,  natyrshëm,  ngaqë  këtë  e  bën  se  kjo  është  mënyra  e  tij  e  ekzistencës.  Kjo  shpjegon  faktin  e  njohur  por  që  flet  aq  shumë.  Kur  arrin  rrugëtimi   epik  i  Kadaresë  në  bregun  e  tij?  Njësh  në  kohë  me  njeriun  që  del  nga  nata  llahtarë  e  Hoxhës.  Ndaj  qytetarë  të  zakonshëm,  më  shumë  se  nga  shtëpia  e  tyre,  ngjajnë  të  dalin  nga  librat  e  Kadaresë  në  ditën  e  parë  të  lirisë,  kur,  mes  fjalëve  të  para  që  shqiptojnë  në  gjuhën  e  lirisë  së  re,  janë  këto:  Kadare  është  me  ne”.

Kadare  nuk  heziton  të  përdorë  në  letërsinë  e  tij  dhe  kategori  sociale,  që  në  shoqërinë  tonë  janë  disi  tabu.  Në  një  moment  flet  incestin,  në  të  tjera  për  tabu  të  tjera.  Është  ky  një  provokim  për  të  shpluhurosur  shoqërinë  shqiptare  apo  për  t‘i  dhënë  frymëmarrje  letërsisë  së  vet?
“Mendoj  se  është  edhe  njëra  edhe  tjetra,  dhe  pastaj  diç  më  shumë  se  të  dyja  këto  bashkë.  Si  shkon  një  shkrimtar  i  madh  te  njeriu  i  tij?  Është  kjo  që  thotë  Shklovsky:  befas  njeriu  harron  të  çuditet.  Pastaj  vjen  arti  i  madh  që  njeriu  të  mësojë  të  çuditet  përsëri.  Po  qysh  e  kujton  njeriu  këtë  zeje  që  e  harron  në  mënyrë  që  ta  mësojë  më  mirë?  Përherë  përmes  keqkuptimit  të  fisëm,  çlironjës.  Po  ky  i  fundit  nuk  është  keqkuptimi  banal  i  përditshmërisë.  Ai  është  i  epërm,  nuk  njeh  kohë,  dhe  ndaj  i  duhet  artit  të  madh.  Për  shembull,  mbase  keqkuptimi  më  i  fisëm  Shekspirit  i  erdhi  shekuj  më  vonë,  nga  Tolstoj  i  madh.  Tabutë  që  ju  zutë  ngoje  këtu  e  kanë  vendin.  Në  këtë  terren  të  vështirë  është  Migjeni  ai  që  hapi  hullinë  me  dritë  ne  letrat  shqip,  me   thirrmën  e  tij  legjendare:  Hiqi  bragashat.  Fjala  e  Kadaresë   në  këtë  mes  këndej  ngrihet,  nga  ky  vizion  i  epërm  europian.  Pastaj  ju  bëni  fjalë  për  incestin,  dhe  bëni  mirë.  Pasi  incesti  i  Kadaresë  vazhdon  të  dergjet  në  të  errtin  e  keqkuptimit  banal,  edhe  sot  e  gjithë  ditën.  Pse, –   thotë  njeriu  shqiptar,  edhe  ai  që  di  pak,  edhe  ai  që  di  shumë,  –  ka  incest  te  Doruntina?  Dhe  harron  që  përgjigjja  është  dhënë  me  kohë  nga  Shekspiri.  Po  të  mbetej  te  kronikat  daneze,  Hamleti   i  tij  nuk  do  të  vinte  kurrë  në  jetë.  Ku  kronikat  daneze,  e  ku  Hamleti  i  Shekspirit.  Madje,  Shekspiri  bën  tjetrën,  që  njeriu  europian  të  mësohet  të  çuditet  edhe  më  shumë.  Robert  Green  ishte  bashkëkohës  i  Shekspirit.  Shkruante  edhe  ky  tragjedi,  por  nuk  qulloste  gjëkafshë.  Ishte  i  mësuar,  kish  mbaruar  Oxfordin,  ndryshe  nga  Shekspiri,  ndaj  nuk  e  kish  për  gjë  t`i  nxirrte  gjuhën  këtij  të  fundit,  e  quante  të  pamësuar.  E  dëgjoi  Shekspiri  dhe  në  vend  të  përgjigjes  bëri  këtë:  mori  librin  e  Robert  Green- it  dhe  me  këtë  libër  shkroi  librin  e  tij:  Përrallë  Dimri.  Ç`ndodhi?  Ndërsa  librin  e  Green – it  nuk  e  zuri  njeri  me  dorë,  libri  i  Shekspirit  ngriti  gjithë  Londrën  më  këmbë.  Tani  të  kthehemi  te  Doruntina  dhe  incesti  i  saj.  Është  e  vërtetë  që  Doruntina  e  Baladës  nuk  e  ka  incestin  të  shkruar  ne  ballë.  Ndaj  nuk  e  shikonin  dot  të  gjithë.  Po  kjo  nuk  do  të  thotë  se  incesti  nuk  ishte  dhe  u  soll  me  përdhunë  nga  jashtë.  Incesti  ishte,  thellë  qenies  me  dritë  të  Doruntinës,  por  duhej  syri  i  gjeniut  që  ta  pikaste.  Këtë  bëri  Ismail  Kadare.  Dhe  që  nga  ky  çast  fatlum  për  artin  e  madh,  Doruntina  u  bë  e  tëra  e  tij.  Mos  humbi  Doruntina  nga  kjo?  Ç`thotë  incesti  i  saj  me  gjuhën  e  tij  të  ndritur?  Thotë  këtë:  njeriu  nuk  vete  në  Europë  me  torbën  bosh.  Njeriu  vete  në  Europë  duke  mbetur,  në  thelb,  aty  ku  është.  Kapërcimi,  për  në  Europë,  ndodh  brenda  qenies  së  njeriut.  Po  qysh?  Njeriu  bën  bashkë  me  burimin  mëmë  këtë  që  ka  brenda  vetes,  të  trashëguar  brez  pas  brezi,  dhe  që  Doruntina  na  mëson  ta  quajmë  kështu:  e  ngjashmja  e  qenësishme.  Doruntina  e  merr  këtë  të  fundit  dhe  e  bën  bashkë  me  kontinentin  mëmë.  Ky  është  incesti  me  dritë  i  Doruntinës,  Doruntina  është  zogu  i  përrallshëm  i  këtij  pjalmimi  të  mahnitshëm.  Aq  sa  mund  të  themi  këtë:  çdo  popull,  rrugës  për  në  Europë,  ka  Doruntinën  e  vet.  Ja  se  qysh  Doruntina  rritet  në  strukturë  sublime,  me  shtat  të  ndritur  evropian”.

Gjirokastrës  i  kthehet  shpesh,  por  aty  duket  edhe  sfida  më  e  madhe  për  lokucione  reale  e  kur  qytetin  e  identifikon  gati  në  vetën  e  parë  të  disa  personazheve.  A  mundet  që  lokaliteti  në  vepër,  përdorur  në  kohën  dhe  mënyrën  e  duhur,  t‘i  japë  një  shikim  ndryshe  veprës dhe  më  tepër  realitet…
“Është  pyetja  që  ngjan  se  nuk  kënaqet  asnjëherë  me përgjigjen  që  merr,  përherë  pret  diç  më  shumë.  Ngaqë  prek  lidhjen  e  vështirë  të  autorit  me  vendlindjen.  Pse,  ç`është  vendlindja  për  autorin  e  shquar?  Vendlindja  bën  atë  që  ngjan  punë  e  prerë  për   zotat:  mbledh  dhe  mban  gjallë  fëmijërinë  e  autorit  dhe  kësisoj  mbetet  përherë  e  gjallë  për  vete  në  kujtesën  e  tij.  Si  arrin  të  përmbushë  këtë  mrekulli  aq  të  vështirë?  Në  të  vetmen  rrugë  të  mundshme:  me  vendlindjen,  fëmijëria  mbetet  një  tani  e  përjetshme  që  i  vjen  autorit  përherë  nga  e  ardhmja.  Ndaj  kjo  është  lidhja  që  ushqen  rrënjën  e  fjalës  ngaqë  më  parë  ushqen  rrënjën  e  kohës.  Pa  këtë  lidhje  fatlume  fjala  e  autorit  thahet,  ndërsa  koha  që  kalon  kthehet  thjesht  në  kohë  të  zbrazur,  një  djerrinë  e  pagjë.  Në  se  Gjirokastra  është  aq  shumë  për  Kadarenë,  përgjigjja  është  vetëm  një:  askush  si  Kadare  nuk  arriti  të  hyjë  aq  thellë  në  misterin  e  saj  të  gurtë  dhe  me  aq  mençuri.  Aq  sa  themi  pa  frikë  këtë:  kudo  që  fjala e  Kadaresë  flet,  ajo  vjen  përherë  larë  me  dritën  mitike  të  gurit të  lashtë  gjirokastrit. Dhe  pastaj,  në  çastin  e  duhur,  Gjirokastra  dhe  biri  i  saj  i  madh,  bëhen  bashkë  dhe  ngrenë  më  këmbë  figurën  brilante  që  rrok  dhe  mban  gjallë  në  lulëzim  lidhjen  e  vështirë  me  vendlindjen  dhe  që  kushdo  që  e  këndon,  shqiptar  qoftë  a  i  huaj,  mbeten  pa   mend:  “ Nëpër  qytete  të  huaja,  duke  ecur  nëpër  bulevarde  të  gjëra  dhe  plot  drita,  më  ka  qëlluar  shpesh  të  më  pengohen  këmbët  atje  ku  s`pengohet  askush. “  Kjo  perlë  mahnitëse,  është  një  nga  venat  me  dritë  që  e  çojnë  shkrimin  e  Kadaresë  në  elitën  europiane,  atje  ku  rrinë  vetëm  një  grusht  emrash  të  dëgjuar.  Këtë  e  kanë  vënë  re  edhe  studiues  të  shquar  në  përtejdet.  Për  shembull,  James  Ëood”.

A  mendoni  se  hija  e  madhe  e  Kadaresë  e  pengon  disi  emrin  e  autorëve  të  tjerë  shqiptarë?
“Nuk  ngjan  të  jetë  kështu.  Po  të  mbash  vesh  mitomanët  trushkulur  shqiptarë,  dëgjon  që  ata  bëjnë  fjalë  për  dhjetëra  vepra  që  kanë  shkruar,  madje  që  i  kanë  kaluar  të  njëqindtat,  dhe  që,  në  vështrimin  e tyre  të  sëmurë,  duhej  të  kishin  marrë  gjermë  tani  jo  një  po  dy  çmime  Nobel.  Qytetërimi  europian  ka  një  paradigmë  të  paarritshme  në   këtë  që  thoni  ju.  Dhe  ky  është  Aristoteli.  Kontinentit  plak  iu  desh  plot  një  mijëvjeçar  e  gjysmë  të  shtonte  një  fjalë  në  ato që  kishte  thënë  Aristoteli.  Nuk  ngjet  kështu  me  letërsinë  e  madhe  ngaqë  liria  e  saj  është  tjetër.  Është  e  vërtetë  që  kjo  liri  është  me  rrënjë  tiranike  ngaqë  flet  nga  krenaja,  por  sodoqoftë  bën  një  gjë  të  madhe.  Çë?  Ndërsa  flet  përherë  hap  një  mundësi  të  re.  Me  këtë  shpirt  të  shenjtë  çlironjës,  ajo  qas  pranë,  nuk  largon.  Pastaj  është  tjetra  e  qenësishme.  Idetë,  sado  të  mëdha  qofshin,  janë  të  dhënëshme.  Ato  nuk  mbesin  tek  i  zoti.  Vetiu  kërkojnë  syrin  e  njeriut,  mezi  ç`presin  të  hyjnë  në  shpirtin  e  tij.  Veç  nuk  është  kështu  me  si-  në  e  tyre,  me  atë  që  i  thonë  methodos,  me  teknikën  e  shprehjes.  Kjo  është  mrekullisht  e  vetmbrojtur,  ndaj  mbetet  përherë  e  padhënëshme.  Autori  e  merr  me  vete.  Dhe  është  shumë  mirë  që  është  kështu.  Pasi  me  këtë  autori  ngjan  t`i  bëjë  shërbimin  më  të  vyer  lirisë  së  tij.  Të  gjithë  kanë  marrë  nga  vizioni  i  ndritur  i  Kadaresë.  Dhe  fjala  nuk  ka  të  keq  nga  kjo.  Përkundrazi,  liria  e  saj  rritet,  bëhet  më  shumë.  Por  askush  nuk  mund  të  verë  dorë  mbi  shpirtin  e  fjalës  së  Kadaresë.  Pasi  ky  është  vetëm  i  tij  dhe  i  askujt  tjetër.  Dhe  shumë  mirë  që  është  kështu.  Kjo  i  bën  mirë  lirisë  së  fjalës,  e  mbron  nga  e  keqja  mbase  më  vrastare  e  saj.  Pastaj,  këtu  ka  dhe  diçka  tjetër  që  nuk  bëjmë  dot  pa  e  thënë.  Kadare  nuk  është  vetëm.  Ai  është  bashkë  me  dy   gjigantët  e  tjerë:  me  Lasgushin  dhe  me  Migjenin.  Hollë-hollë,  kjo  është  çudia  që  ka  ndodhur  në  letrat  shqip,  në  një  kohë  që  nuk  ka  ndodhur  në  letërsi  të  tjera  më  të  mëdha  apo  me  traditë  më  të  pasur.  Bie  fjala,  në  Angli.  Këtu,  mbas  Shekspirit,  u  deshën  më  shumë  se  dyqind  vjet  të  vinte  një  tjetër,  jo  aty  ku  ishte  Shekspiri,  po  së  paku  t`i  qasej,  larg  e  larg.  Dhe  ky  ishte  Dickens.  Këtij  tani  së  fundi  i  kremtuan  dyqindvjetorin  dhe  presin  ende  të  vijë  një  dikush  që  t`i  bëhet  shok.  Nuk  ndodh  kështu  me  letërsinë  tonë.  Ajo  është  nga  të  pakta  fatlume.  Pasi  ç`ndodh  këtu?  Jo  një  por   tre  gjigantë  ranë  nga  qielli,  fare  pranë  sho-shokut,  si  për  të  zbutur  disi  shortin  e  ashpër  të  shqiptarit.  Letërsia  e  fisme  e  kujt  vendi  të  madh  evropian  nuk  do  të  ndihej  paq  me  Lasgushin?  Por  kjo  që  thuhet  për  Poetin  e  Liqerit  mund  të  thuhet  plot  gojën  edhe  për  Migjenin.  Atëherë  kritika  u  zu  ngushtë  dhe  nisi  të  belbëzojë:  Lasgushi  apo  Migjeni?  E  dëgjoi  Ismaili  këtë  katrahurë  dhe  vuri  rregull  me  dy  fjalë  të  mençura  që  tha.  Kanë  ndarë  mes  tyre  qiellin  dhe  tokën.  Ka  tjetër  masë  më  të  epërme  që  të  mbajë  gjeninë  e  tyre  krijuese  si  në  pëllëmbë  të  dorës?  Po  mirë  që  themi  këtë,  po  pyetja  është  atje:  Ç`mbetet  për  të  tjerët?  Këtu  shfaqet  Kadare  dhe  ardhja  e  tij  është  zgjidhja  e  lumtur  e  këtij  udhëkryqi  thuajse  të  pamundur.  Çfarë  bën  ai?  Ai  është  hallka  e  artë  që  edhe  lidh  dy  skajet  e  kësaj  mase  të  paanë,  edhe  i  kapërcen  ato  me  spiralen  e  paepur  të  fjalës  së  tij  të  madhe.  Sepse  –  le  ta  theksojmë  këtë  –  nga  Lasgushi  dhe  Migjeni,  shtegu  me  dritë  çon  vetëm  tek  Kadare  dhe  tek  askush  tjetër”.

Ka  një  simbolikë  të  tërë  përdorur  në  veprën  e  tij.  A  mendoni  se  interpretimi  i  tyre  ka  qenë  ndihës  për  zhvillimin  e  shoqërisë  shqiptare?
“Natyrisht  që  ka  ndihmuar  dhe  ju  keni  të  drejtë  ta  pohoni  këtë.  Pasi  kjo  është  simbolikë  që  rron  dhe  flet  në  një  vepër  të  madhe,  ndaj  rëndon  dhe  është  vlerë  e  shquar.  Studiues  të  njohur  e  kanë  pikasur  këtë  dhe  e  kanë  trajtuar  jo  në  një  po  në  disa  libra  të  rëndësishëm.  Po  pyetja  është  atje  dhe  ende  pret  përgjigje:  a  duhet  të  mbetet  kjo  përpjekje  më  se  e  dëshiruar  vetëm  gjer  këtu?  Ngaqë  nuk  ka  simbolikë  thjesht  per  se.  Aq  më  tepër  në  një  vepër  të  madhe.  Pasi,  ç`është  në  punë  në  një  vepër  të  madhe?  Përgjigjja  është  një:  e  Vërteta.  Ndaj  ka  simbolikë  si  dritë  mbi  të  vërtetën.  Kjo,  po,  ka  munguar  gjermë  tani”.

Pse  ju,  personalisht,  jeni  kaq  i  dhënë  pas  Kadaresë?
“Jean  Baudrillard  mbase  ka  të  drejtë.  Njeriu  në  jetë  ka  vetëm  një  shkrimtar,  një  filozof,  një  ide  të  madhe.  Nuk  është  punë  e  lehtë  të  zbresësh  në  pusin  e  thellë  të  këtij  mendimi  të  mençur.  Ngaqë  kjo  një  nuk  është  ajo  e  aritmetikës.  Përkundrazi,  kjo  një  edhe  hap  udhë,  edhe  kërkon  vetiu  shumësi  të  tëra.  Në  letrat  shqip  hyra  në  fillim  me  Lasgushin,  pastaj  me  Migjenin,  dhe  drita  që  vinte  syresh  më  çoi  pashmangshëm  tek  Kadare.  Këtë  nuk  e  dija,  e  mësova  një  ditë  krejt  papritur  kur  Ismaili,  si  pa  kuptuar,  –  do  të  thoshte  Lasgushi  –    m`u  shfaq  nga  brenda  rrënjës  së  fjalës  së  tij  ku  rrinte  fshehur,  dhe  nisi  të  më  flasë.  Dhe,  si  e  këputur  nga  qielli,  hodhi  shtat  kjo  një  e  magjishme  që  thotë  Baudrillard.  Sepse  që  nga  ky  çast  ndodhi  kjo  që  shenjon  lidhjen  e  vështirë  me  shkrimtarin  e  madh:  unë  kisha  më  shumë  vend  për  të  mëdhenjtë  e  tjerë.  Ndaj  tek  unë  gjithçka  fillon  ditën  kur  Ismaili  i  fshehur  në  rrënjë  të  fjalës  së  tij  të  madhe  nisi  të  më  flasë.  Pse,  ç`erdhi  në  dritë  pas  këtij  çasti  fatlum  në  jetën  time  krijuese?  Shumë,  aq  sa  është  vendi  të  them  këtë  plot  gojë:  këtë  dritë  të  epërme  nuk  do  ta  këmbeja  jo  me  një  Harvard  por  as  me  dy.  Pastaj  është  tjetra  në  lidhjen  e  trazuar  me  shkrimtarin  e  madh.  Dhe  kjo  është  e  tëra  imja,  ngaqë  ma  mësoi  përvoja  ime  e  vështirë.  Unë  rroj  në  mërgim  dhe  libri  atje  erdhi  në  jetë.  E  çë  pastaj?  –  mund  të  thuhet.  Po,  ja,  është  kjo  që  i  themi:  s t r e h ë.  Ç`është  ajo?  Jeta  këndej  fillon,  me  strehën:  mëma  është  e  para, pastaj  familja,  plotësohet  më  tej  me  fqinjërinë,  me  vendlindjen,  gjer  tek  shteti  dhe  më  gjerë.  Mbase  jeta,  në  një  kuptim,  nuk  është  veçse  ky  plotësim   i  pakëputur  i  strehës.  Mirë,  jemi  në  rrugë  dhe  ndihemi  të  mbrojtur:  ku  është  streha?  Njeriu  hedh  sytë  rrotull  dhe  zihet  ngushtë  ngaqë  nuk sheh  gjëkafshë.  Ndryshe  ndodh  me  kërmillin  që  e  mban  shtëpinë  me  vete.  Këtu  ndërhyn  mërgimi  pasi  ai  ngjan  se  është  zoti  i  kësaj  pyetje.  Ngaqë  mërgimi  këtë  bën  në  thelb:  rreket  të  ngrejë  më  këmbë  strehën  që  është  shembur  me  gjithësej.  Po  ku  kërkon  ta  ngrejë  strehën  mërgimi?  Atje  ku  ajo  nuk  është,  në  dhe  të  huaj.  Këtu  zë  fill  kalvari  i  hidhur  i  mërgimit.  Ndodh  ajo  që  pikasi  vienezi  i  madh,  Alfred  Polgar.  Ky  është  shorti  i  emigrantit,  thotë  ai.  Dheu  i  huaj  nuk  i  bëhet  mëmëdhe,  ndërsa  dheu  mëmë  i  bëhet  i  huaj.  Unë  gjithashtu,  si  plot  të  tjerë,  nëpër  këtë  kalvar  kalova,  u  mbajta  me  thonj  e  me  dhëmbë  më  këmbë,  gjeta  një  punë  të  fisme,  zura  shtëpinë  time,  çova  fëmijët  në  shkolla  të  mira,  kishim  për  të  ngrënë  mirë,  vura  dhe  diçka  mënjanë.  Dhe  megjithatë  ndodhte  kjo  që  më  zbrazte  ligsht:  kur  ecja  në  rrugë  dhe  qëllonte  të  rrokullisej  diku  mbi  pullaz  qoftë  dhe  një  guriçkë,  mes  dhjetra  kalimtarëve  të  shkujdesur,  i  vetmi  që  e  dëgjonte  këtë  dhe  vinte  duart  në  kokë  për  t`u  mbrojtur,  isha  unë.  Ç`më  thoshte  kjo?  Vazhdoja  të  isha  në  thelb  i  pa – strehë.  Streha  e  vërtetë  nuk  ishte  kjo  që  dukej,  ishte  tjetra  që  ndërkohë  kishte  zënë  të  ngrihej  në  të  errët,  nga  pak  e  përditë,  me  mund.  Kishte  nisur  të  ndërtohej  me  Lasgushin,  pastaj  me  Migjenin, më  tej  me  Kadarenë.  Gjer  kur  zgjati  kjo?  Gjer  ditën  kur,  si  pakuptuar,  streha  la  muzgun  e  saj  dhe  në një  çast  të  vetëm  shkrepi  në  dritë  dhe  më  foli  e  pagojë  qenien  e  saj  të  vështirë  kështu:  pashë  drejt  në  sy,  si  i  barabartë,  jo  grekun  e  rëndomtë  por  grekun  e  mësuar.  Kjo  është  streha.  Madje  një  ditë  ajo  më  foli  edhe  më  shkoqur,  me   gjuhën  e  një  rrebeshi  të  tërë  emocionesh.  Para  disa  vjetësh  im   bir  ishte  në  shkollë  të  mesme,  një  shkollë  e  mirë  dhe  me  mësues  të  dalluar.  Një  ditë,  mësuesi  i  letërsisë  hyn  në  klasë  me  një  libër  në  dorë.  Ishte  Prilli  i  Thyer  i  famshëm  i  Kadaresë.  Themi  prill  i  thyer,  dhe  aty  për  aty  shikimi  na  merr  tjetër  teh.  Është  drita  verbonjëse  e  kësaj  metafore  të  rrallë,  nga  më  të  bukurat  të  ngritura  ndonjëherë.  Ndaj  gjuhët  e  tjera  zihen  ngushtë  dhe  nuk  e  mbajnë  dot  rrëmetin  e  saj  me  dritë.  Francezët  diç  kanë  bërë  kur  thonë  avril  brisé,  ndërsa  anglezët  s`kanë  qullosur  gjëkafshë  kur  thonë  broken  April.  Po  grekët?  Këtu  ndryshon  puna.  Nuk  thonë  thjesht  spasmenos,  ndaj  kanë  qëlluar  aq  mirë  në  shenjë.  Rimagmenos,  thonë  me  shijë  e  sharm.  Fjala  është  tek  Seferis  dhe  bën  fjalë  për  shkatërrim  të  gjëmshëm  por  jo  nga  ata  që  vijnë  për  të  gremisur  njeriun  në  humnerë.  Përkundrazi,  ky  shkatërrim  vjen  që  ta  ngrejë  njeriun.  Kështu  që  fjala  e  grekut  rrok  me  shkëlqim  të  veçantë  zjarrin  e  pashuar  që  digjet  në  metaforën  e  rrallë  të  Kadaresë.  Por  fjala  e  grekut  flet  aq  mirë  brenda  lidhjes  së  re  me  prillin,  që  më  parë  nuk  ishte.  E  flet  Kadare,  pastaj  e  dëgjon  greku.  Ndaj  në  lidhjen   e  krijuar  shqipja  vazhdon  të  jetë  përsëri  zonja  e  parë:  jep  pastaj  merr.  E  shikoni  këtë  libër?  –  i  drejtohet  greku  klasës,  larë  me  dritën  e  kësaj  metafore  të  rrallë.  Është  libër  i  madh.  E  ka  shkruar  një  fqinj  yni.  Dhe  ai  është  shqiptar.  Aq  mjaftoi  që  të  zgjojë… çë?  I  thonë  e  qeshur  e  ligë,  por  nuk  është  gjendur  ende  fjala  që  mund  të  mbajë  këtë  llahtarë  që  ngjan  se  ka  mbledhur  gjithë  acarin  e  përçmimit  njerëzor.  Dëgjoni,  u  drejtohet  greku  i  mirë,   ky  është  shkrimtar  i  madh.  Dhe  vetëm  me  këtë  libër  meriton  të  marrë  çmimin  Nobel.  Dhe  pastaj  vjen  pyetja  që  shenjon  thelbin  e  këtij  çasti  të  paharruar:  E  ka  lexuar  njeri  këtë  libër?  Nuk  di  si  ndodhi,  më  tha  im  bir,  por  pashë  që  po  ngrija  dorën,  në  fillim  me  drojë  dhe  si  i  mpirë,  i  bindur  që  isha  i  vetmi,  por  nuk  bëja  dot  pa  parë  edhe  anash.  Kur,  ja,  çudia  ndodhi…  U  ngrit  një  dorë  tjetër,  pastaj  një  tjetër,  edhe  një  tjetër,  u  bënë  disa.  Pastaj…pastaj  ngrita  dorën  fort  lart  dhe  lotët  më  mbuluan.  Por,  do  ti,  qaja  dhe  ishte  hera  e  parë  që  nuk  më  vinte turp.  Po  bir,  i  thashë,  kjo  është  burrëria  dhe  kështu  na  gjen  një  ditë.  Kjo  është,  me  fjalë  të  tjera,  streha:  larë  me  lot  të  nxehtë,  me  dhimbje  të  thellë,  me  metafizikë  tjetër.  Ndaj  një  popull  që nxjerr  nga  gjiri  i  tij  një  Kadare  nuk  ka  të  humbur.  Pse,  çfarë  i  jep  njeriut  shqiptar  kjo  fjalë  e  madhe?  I  jep  para  së  gjithash  këtë:  të  drejtën  që  ta shikojë  tjetrin  në  sy  si  i  barabartë,  lirinë  e  shenjtë  që  të  ulet  bashkë  me  të  tjerët  në  strofën  e  kuvendit  ku  shtrojmë  jo  gjë  tjetër  por  europianizmin  tonë  të  fisëm  që  ndajmë  me  të  tjerët.  Ndaj  për  të  gjitha  këto,  të  falemnderit  Ismail  Kadare,  të  falemnderit  shumë.  Madje  kjo  fjalë,  edhe  pse  mbase  tingëllon  më  fisëm  se  simotrat  e  saj  gjetkë,  këtë  radhë  se  pse  më  dëgjohet  e  zbehtë.  Më  shpëton  Kuteli  me  motërzimin  e  tij ndriçonjës.  Atë  dëgjoj  në  këtë  çast  të  trazuar  dhe  flas  përsëri.  Për  të  gjitha  këto,  Ismail  Kadare:  të  jam  falur”.

Çfarë  do  presë  publiku  prej  jush  në  të  ardhmen  e  afërt?
“Sikundër  thashë,  në  letërsinë  tonë  të  fisme  mua  më  hapi udhë  Lasgushi  në  fillim,  pastaj  Migjeni,  dhe  fati  më  qeshi  vërtet  kur  m`u  shfaq  Kadare.  Kjo  është  krenaja  e  letrave  shqip  dhe  këtu  gjërat janë  në  punë  me  ligje  të  tjera,  shfaqen  me  të  vështirë  dhe  tepër  rrallë,  pa  se  kur  vijnë,  kjo  nuk  parathuhet.  Ndaj  përgjigjja  për  pyetjen  që  më  bëni  më  flet  jo  një  po  dy  herë.  Një  herë  si  këshillë  e  urtë  dhe  e  flet  përralla  e  famshme  e  bariut  me  zanën.  Mos  nxirr  zë,  më  thotë,  se  të  marrë  gojën.  Herës  tjetër  më  flet  si  maksimë  e  mençur  dhe  vjen  nga  Sofokliu  i  lashtë,  në  Ajaksin  e  tij  të  dëgjuar.  Ajo  që  na  shfaqet  nuk  është  punë  e  njeriut  por  e  kohës.  Koha  këtë  bën,  thotë  ai,  zbulon  atë  që  është  e  mbuluar.  Kjo  gjë  aq  e  thjeshtë,  thënë  dy  mijë  e  pesëqind  vjet  më  parë,  vazhdon  të  jetë  guri  i  parë  që  shenjon  marrëdhënien  e  vështirë  të  njeriut  europian  me  kohën”.

 

Cili është Dr. Anastas Kapurani?
Anastas Kapurani ka mbaruar Universitetin e Tiranës për anglisht. Më vonë ka ndjekur studimet në fushë të letërsisë në një program të nivelit pasuniversitar, hartuar në atë kohë pranë Institutit të Letërisë. Pikërisht këtu, më 1992, ka paraqitur disertacionin “Poetika e fjalës dhe individualiteti i poetit” (një triptik studimor që, sikundër u vlerësua, sillte një frymë të re në lëmë të kërkimit letrar) dhe më këtë mori gradën shkencore Doktor.
Po në atë vit shkoi në Universitetin e Athinës dhe gjatë periudhës 1992 – 1996 ka ndjekur një kurs të kompletuar në nivelin pasuniversitar në fushën e poetikës moderne nën drejtimin e profesorit amerikan Robert Crist. Në fund të kursit paraqiti një punim të plotë mbi poetikën e Ëhitman – it (From Ëhitman to the Ëhitmanesque). Pritja e mirë që pati ky punim e nxiti të përcaktonte përfundimisht fushën e tij të kërkimit, atë të tekstit modern.
Po ashtu, gjatë viteve 2002 – 2004 mbaroi një program tjetër në fushën e poetikës dhe të tekstit modern në Universitetin amerikan në Indianapolis. Në po atë vit, më 2004, përfundoi një monografi të plotësuar mbi poetikën e Fjalës së Lasgushit (The Myth of Lasgush), e cila është e vetmja monografi e shkruar për Poetin e madh. Libri u shkrua në anglisht dhe u botua po atë vit në Angli nga shtëpia botuese “Upfront Publishing”.
Më 2010 shkroi librin Migjeni ose parathënia e dyzuar dhe me këtë libër fitoi çmimin kombëtar “Faik Konica”
Nga viti 1992 e më tej, autori vazhdon të jetojë në Athinë ku punon në Institutin “City & Guilds” të Londrës, në campus – in e Athinës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pune e mire e z. Anastas i mire vleresuar vleresuar edhe ne Greqi.Aq pasion shkrin ne hulumtimin e tij letrar per Z. Kadare sa te duket se ben “Zbulime” e zgjidhje heroglifesh ne piramidat e Egjyptit.Kjo vec e zbeh vleren e letrave qe shumekush ka te drejte ta shohe vete.Kritika nuk eshte per te shtuar vleren por per ta Formalizuar ate.Nuk di sa i kenaqur ka ngelur Kadare me vlerat qe shpalos studiusi qe “tejkalojne” dhe vete ate.Nje gje eshte e vertete: Kurre nuk kane munguar ne Librari veprat e Kadarese.Perjashtuar profesionistet shkrimtare romanet e te madhit Kadare nuk laxohen dy here.Europa plake veshtire te manipulohet nga “dashakeqet shqiptare’ per dhenien e cmimit Nobel.Ndoshta ma ndihmen e Anastasit …….

    Përgjigju ↓