KULTURË

“Arti përtej kritikës e provokimeve”

08:45 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kritika nuk mjafton. Këtë herë, arti shkon përtej kritikës dhe provokimeve, përveç këtyre do të ketë qëllim të ‘riciklojë’ alternativa të reja. Në këtë mënyrë do të gjendet ‘shtëpia’ te gabimet gjatë procesit, gjatë periudhës së pritjes për riparim, te pasiguria e përpjekjes”. Driant Zeneli, drejtori artistik i bienales “Mediterranea 18” që u mbajt këtë vit për herë të parë në Shqipëri, mes Tiranës dhe Durrësit, e niste kështu prezantimin e forumit ‘Rebirth’ në Tiranë, “Love Difference – Mesdhetarët”. Shënonte se, duke marrë shkas nga tema e bienales, që e konsideron ‘shtëpinë’, si një proces që sjell së bashku historinë, konfliktin, ëndrrën dhe dështimin, kërkohet t’u kushtohet vëmendje mekanizmave të dështimit dhe të riparimit të cilat bëjnë reale mënyrën tonë të bashkëjetesës. Vërente mandej, se sot ‘shtëpia’ që jetohet në Shqipëri “përbëhet nga kontekste që kanë dinamikën e pushtetit që nganjëherë dëmtojnë dhe pengojnë, por edhe nga kontekste të tjera që prodhojnë bujarisht zgjidhje dhe vizione të së tashmes”.
Në kuadër të mbylljes së bienales “Mediterranea 18”, u mbajt këtë fundjavë (26-28 maj) forumi ‘Rebirth’ në Tiranë, një projekt i Cittadellarte – Fondacioni Pistoletto. Ministria e Kulturës e ka quajtur kantier të ri, forumin ‘Rebirth’ në Tiranë që u realizua si bashkëpunim mes Cittadellarte-Fondazione Pistoletto Bjcem, Bienales së Mesdheut, me mbështetjen e Regione Puglia dhe të Institutit Italian të Kulturës.





ARTI PËRTEJ KRITIKËS
Mes 17 objektivave të Kombeve të Bashkuara, nga të cilat zhvillohet forumi ‘Rebirth’, u zgjodhën tri që u konsideruan urgjente për rritjen personale dhe kolektive të njerëzve që jetojnë në Shqipëri, përfshirë edhe ata që jetojnë, bashkëndajnë ose punojnë në distancë.
“Objektivi i 8-të ka si qëllim të ‘Stimulojë rritjen ekonomike të qëndrueshme, punësim gjithëpërfshirës dhe të frytshëm, të plotë dhe produktiv si dhe të sigurojë punë të denjë për të gjithë’. Në këtë kontekst, ne ballafaqohemi me situata të veçanta, që në këtë vend u kanë bërë ballë pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë ekonomike shqiptare duke përdorur një strukturë sociale”, – shënonte Driant Zeneli, drejtor i Bienales. Ai pyeste se, si mund të gjejmë zgjidhje për të dëgjuar shoqërinë civile në lidhje me vendimet që kanë të bëjnë me ndryshimin e qyteteve tona dhe ambientit në të cilin jetojmë? “Kësaj pyetje i përgjigjemi duke pasur parasysh objektivin 11 që nënkupton: ‘Ndërtimin e qyteteve dhe vendbanimeve njerëzore përfshirëse, të sigurta, afatgjata dhe të qëndrueshme’. Për Shqipërinë, kuptimi i drejtësisë, sot më shumë se kurrë kalon nëpër një fazë delikate dhe komplekse”. Sipas Zenelit, në kontekstin tonë, ne duam të nxjerrim në pah se si paqja dhe drejtësia nisin me mundësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në art dhe kulturë, në mënyrë që të lejohet zhvillimi i individëve dhe i komuniteteve që janë të lira për të imagjinuar dhe të afta për të mbrojtur të drejtat e tyre. “Këtë herë, arti shkon përtej kritikës dhe provokimeve, përveç këtyre do të ketë qëllim të ‘riciklojë’ alternativa të reja. Në këtë mënyrë do të gjendet ‘shtëpia’ te gabimet gjatë procesit, gjatë periudhës së pritjes për riparim, te pasiguria e përpjekjes”, – thotë Zeneli.
FORUMI “REBIRTH”
Forumi “Rebirth” në Tiranë u nyjëzua në tri ditë përballje dhe debate ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve publike, profesorëve të universiteteve dhe studiuesve, mësimdhënësve, shoqatave civile dhe subjekteve të tjera. Jo vetëm një simpozium, por një përpjekje për të transplantuar një kantier të vërtetë social, që sheh si protagonist qytetin e Tiranës, si laborator i një modeli që do të përdoret më pas në të gjithë vendin. Forumi nuk është një pikëmbërritje, por një pikënisje: Punët e caktuara gjatë tri ditëve do të vijojnë pastaj për një vit pikërisht në Tiranë dhe në Shqipëri. Në këtë mënyrë me forumin u hap në Tiranë, një kantier pune që do të zgjasë një vit, qëllimi i të cilit është të përhapë kuptimet e Projektit Rebirth, dhe po në lidhje me to, të kontribuojë në zhvillimin e praktikave që synojnë ndryshimin e shoqërisë, të cilat tashmë janë në proces në këtë territor, në harmoni me aktivitetin që Cittadellarte, me Rebirth dhe ambasadat e saj, zhvillon në botë, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. fa.ni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.