EKONOMI

Ersida Golemi: Rëndësia e tiroides në shtatzëni, çfarë duhet të dini

09:00 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

 

Dëmtim i zhvillimit të trurit të fëmijës, lindje e parakohshme, lindje me peshë të vogël, risk i lartë për aborte i fetusit, hipertension i nënës në shtatzëni apo insuficiencë e zemrës së nënës janë disa nga problemet që mund të shfaqen si pasojë e sëmundjeve të tiroides gjatë periudhës së shtatzënisë.” Deklarata vjen nga mjekja endokrinologe, pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.3, Ersida Golemi, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages”, të “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje gjithçka duhet të ketë parasysh një grua, jo vetëm gjatë shtatzënisë, por edhe kur është duke planifikuar një të tillë.
Doktoreshë, cili është funksioni i gjëndrës tiroide dhe pse merr rëndësi të veçantë në periudhën e shtatzënisë?
Tiroidja është gjëndra më e madhe endokrine, ka formën e fluturës dhe vendoset në pjesën e përparme të qafës. Peshon 10 – 25 gr dhe funksioni i saj është jetësor. Ajo kap jodin, i cili ndodhet në shumicën e ushqimeve dhe e konverton në T4 dhe T3 (tiroxinë dhe trijodtironina), të cilat luajnë rol në metabolizëm, sistemin kardiovskular, sistemin nervor, riprodhues, tretës dhe në qarkullimin e gjakut. Tiroidja e fetusit fillon koncentrimin e jodit dhe sintezën e hormoneve të tiroides pas javës 10-12 shtatzënisë.

Pak hormon sintetizohet deri në javën e 18-20 e më pas rritet gradualisht prodhimi i tyre. Deri në këtë periudhë (java 10-12) bebja merr hormonet e tiroides nga nëna, ndaj në këtë periudhë hormonet e nënës janë të rëndësishëm për zhvillimin e trurit të bebes. Hormonet e tiroides janë parësore në formimin e trurit të fëmijës. Ndaj sidomos në 3-mujorin e parë të shtatzënisë është shumë e rëndësishme që nëna të ketë një funksion të mirë të gjëndrës tiroide. Është e rëndësishme të vlerësohet funksioni i saj që para një shtatzënie ose në rast të kundërt që në momentin e parë që gruaja është shtatzënë.
A pëson ndryshime tiroidja e nënës në shtatzëni?
Tiroidja ka tendencë të rritet në shtatzëni. Ajo zmadhohet deri 2-fish në vendet që kanë mungesë të jodit. Kjo rritje vjen si pasojë e nevojës së rritur për jod në shtatzëni. Rritet gati 50% prodhimi i hormoneve të tiroides, që shoqërohet me një rritje me 50% të nevojave për jod në shtatzëni. Krahas tyre rritet prodhimi i TGB ( proteina lidhëse e hormoneve të tiroides), si pasojë e rritjes së prodhimit nga mëlçia dhe një stimulimi estrogenik.

Ndaj te gratë shtatzëna niveli i hormoneve T4 dhe T3 ka tendencë të jetë më i ulur. Gratë, të cilat kanë një marrje adekuate të jodit përpara dhe gjatë shtatzënisë, kanë një depo të mjaftueshme intratiroidiene të jodit për të përballuar rritjen e sintezës së hormoneve të tiroides.


Cilat janë sëmundjet e tiroides më të shpeshta te një grua shtatzënë?
Një prej tyre është deficenca jodike. Jodi është përbërësi esencial për sintezën e hormoneve të tiroides, të cilin e marrim nga dieta apo suplementet. Nevojat për jod rriten në shtatzëni, sepse rritet prodhimi i hormoneve të tiroides dhe eliminimi i jodit nga veshkat. Sipas ATA (Shoqata Amerikane e Tiroides) rekomandohet që gratë të cilat: janë duke planifikuar shtatzëni, janë shtatzënë apo duke ushqyer me gji duhet të marrin një minimum prej 250µg/ditë jod.

Defiçenca jodike vlerësohet me anë të jodit në urine (Joduria). Rreth 38% e globit vuan nga defiçenca jodike. Ajo prek si nënën dhe beben. Te nëna shoqërohet me zmadhim të gushës, abort dhe hipertension, ndërsa te fetusi me prapambetje mendore. Por, ajo që vlen të theksohet është fakti se deficenca jodike është shkaku kryesor i parandalueshëm i vonesës mendore në gjithë botën.
Çfarë është hi-potiroidizmi?
Defiçenca jodike është shkaku më i shpeshtë i hipotiroidizmit. Hipotiroidizmi, që është ulja e funksionit të gjëndrës tiroide, prek 0.3 – 0.5% të grave shtatzëna. Në vendet ku sasia e jodit është e mjaftueshme shkak i tij janë sëmundjet autoimune si tiroiditi kronik hashimoto, që shoqërohen me rritje të antikorpeve të larta në gjak si: Ac Anti TPO dhe Ac Anti Tg. Prania e tyre në nivele të larta thuhet se është risk për aborte.

Shkaqe të tjera janë: heqje kirurgjikale e tiroides, terapia me jod radioaktiv, medikamentet, etj. Klinikisht shprehet me vështirësi në jashtëqitje, shtim në peshë, rrahje të ulura të zemrës, përgjumje, lodhje, intolerancë nga i ftohti, simptoma që shpesh ngatërrohen me shtatzëninë. Efekt i hipotiroidizmit në shtatzëni është dëmtim i zhvillimit të trurit të fëmijës, lindje e parakohshme, lindje me peshë të vogël, risk i lartë për aborte i fetusit apo hipertension i nënës në shtatzëni. Trajtimi bëhet me hormon zëvendësues, e cila jepet në mënyrë që TSH të arrijë vlerat e referencës për çdo 3-mujor të shtatzënisë.
Një tjetër sëmundje e tiroides në shtatzëni është hipertiroidizmi. Çfarë është ai dhe cilat janë disa nga shenjat, që duhet të shqetësojnë një grua shtatzënë?
Hipertiroidizmi përcaktohet si sindrom klinik i hipermetabolizmit dhe hiperaktivitetit që rezulton kur niveli në gjak i fT4 dhe/ose fT3 është i rritur. Klinikisht shprehet me djersë të shtuara, rrahje të shumta të zemrës, ankth dhe pa gjumësi. Hipertiroidizmi maternal i rëndë është i lidhur me lindje para kohe, kufizim i rritjes intrauterine, hipertension në shtatzëni, insuficencë e zemrës së nënës si dhe rritje të riskut për abort spontan.
Kur rekomandohet vlerësimi i funksionit të tiroides në shtatzëni?
Niveli i TSH matet në shtatzëninë e hershme te gratë, të cilat kanë risk për probleme të tiroides. Këtu futen: Histori për keqfunksion të tiroides apo kirurgji të tiroides, mosha > 30vjec, diabeti tip 1 apo sëmundje të tjera të tiroides, simptoma të keqfunksionit të tiroides apo prezencë të gushës, anticorpe anti TPO pozitive si dhe histori aborti apo lindje para kohe. Po ashtu, vlerësimi i funksionimit të tiroides duhet të bëhet edhe në rastet kur ka histori rrezatimi të qafës apo të kokës, histori familjare për disfunksion të tiroides, obezitet morbid (BMI>40kg/m2) apo kur personi është rezident në zona me deficiencë jodike të moderuar apo jo prezente.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.