MILOSAO

Poezi nga Jasna Dimitrijevic

09:56 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shkrimtarja pjesëmarrëse në Rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Between” – gjatë muajit Maj 2017 ishte tregimtarja dhe kritikja letrare nga Beogradi, Jasna Dimitrijevic.
Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë Jasna Dimitrijevic u përfshi në veprimtari dhe lexime publike, dha intervista për mediet dhe u bë pjesë e takimeve me studentë të Universitetit të Arteve. Jasna Dimitrijevic (1979), ka studiuar Letërsi të Përgjithshme dhe Teori Letërsie. Ajo është kritike letrare dhe autore tregimesh të cilat janë publikuar në revista dhe antologji të botuara të rajonit tonë dhe Evropës (Liceulice, Pouèak o nizovima, Booksa, Beton, Ulaznica, Zarez, Beležnica, Novi kaos, Arteist, Urbani vraèevi, Literatura, Lichtungen). Tregimet e Jasna Dimitrijeviæ janë shpallur fitues në konkurse të ndryshme të prozës së shkurtër (në Vranac, Beležnica, Ulaznica), ndërkohë që libri i saj me tregime “Prepoznavanja” (Recognitions, 2015) u botua pasi u shpall fitues i vendit të parë në konkursin e krijimtarisë në dorëshkrim, organizuar nga Biblioteka “Karlo Bijelicki” (Sombor), si dhe u përzgjodh në shortlist-ën e librave më të mirë që konkurronin për çmimin kombëtar “Biljana Jovanoviæ” dhe “Dušan Vasiljev” (2015). Prej këtej libri u bë fitues i çmimit “Mirko Kovaè” për shkrimtarët e rinj ( në hapësirën e ish- Jugosllavisë).
Jasna Dimitrijeviæ është bashkëorganizatore e konkursit të parë “Biber”, mbi tregimin më të mirë shkruar rreth temës së pajtimit, konkurs i organizuar për tregimet e shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, malazeze, kroate dhe serbe. Ajo është bashkëhartuese e përmbledhjes shumëgjuhëshe me tregime të zgjedhura. Qëndrimi i saj në Rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Between”, u mbështet nga rrjeti evropian për letërsinë dhe librat – TRADUKI, në të cilin marrin pjesë Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtajn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.




Nga Jasna Dimitrijevic
çka ka dashtë
me thanë motra
që kam diçka në flokë
që mundem me ndejt edhe pak
që n’mëngjes i ka hapë sytë e ka pyet për mua
që s’ka ndryshime
që dyshemeja asht e lagun dhe me u kujdesë kur të dal
që me sjellë nji këmishë të pastër nate
që po i vjen keq
që kam vathë t’bukur
që mos me e harru çadrën
që vizita është për dhjetë minuta
që mos me ardhë kur s’asht koha për vizita
që me ia shiku kambët
janë ba mavi
s’janë ba mavi
që kemi buzë t’njajta, hundë, vetulla t’njajta
që s’kemi shumë kohë
që s’ka me u zgju
që ka me u zgju
që asht e kënaqun
që ka besu gjithë kohën
që mos me pasë frikë
që ma mirë po dukem me flokë t’shkurta
që me luftu
që mos me heqë dorë
që me e lanë duhanin
që me e skenu pasaportën kur dal jashtë
që ka pritë e ka pritë
e që s’ka me mbërri
që asht lodhë
që nuk varet prej saj
që kostumi asht n’dollap
që udhëzimi asht në këpucën e majtë
kamba hyn ma lehtë kur futet n’qese t’plastikës
falemnderit
krejt këto ka mujt me i thanë motra
n’korridorin e spitalit
në mes të tetorit
në mes të shiut dhe heshtjes
por veç m’ka shiku
m’ka matë e ka ngurru
e unë kam ikë
që krejt këto gjana
me qenë prapë të munduna

çka po dridhet mas murit
frigoriferi i markës obodin
flaka e qiriut me e thithë tymin
rrobat që thahen
zani i një gruaje kur pyet ku je
ku ke qenë
gishtat e burrit që po e kallë cigaren
e mas saj edhe nji tjetër
dridhet heshtja e tij
dridhet syni i tij i majtë
dridhet buza e saj e poshtme
dridhet gota e xhamit n’tavolinë
se atij po i k’cen gjuni
e po i k’cen dora e djathtë
e mbase ka me fluturu
nëse e pyet edhe nji herë
po ndij se krejt po dridhet
e prapë po flej thuajse është veç
frigoriferi i markës obodin

çka ndodhi
sa isha në gjumë
terroristët sulmuan brukselin e bagdadin
bota ndryshoi
bota mbeti e njëjtë
dikush vdiq e dikush u lind
miqtë më braktisën
erdhën sejmenët
disa morrën vesh që i tradhtova
disa morrën vesh që s’vlej të humbin kohë me mua
erdhën faturat e ujit të telefonit të internetit
në frigorifer u prish djathi
një diktator u lajmërua nga lokacioni i sigurtë
mijëra njerëz vrapuan mas pokemonëve

e unë po rri kot
e ngathët
e palënduar
e panevojshme

çka kam n’duar
dy decilitra ujë t’ftohtë për me u zgju
nji palë çorape të lame
filxhanin e palamë ku e mbushi edhe nji kafe
lapsin dhe letrën për porosi
çelësin dhe syzet
dorezën n’dalje
ma shumë s’mundem me mbajt
krejt të tjerat ma të mëdha se këto

e nëse më mpihet muskuli
nëse mas nji ndeshjeje t’randësishme
mas vallëzimit a vrapimit mas fatit
muskuli përnjiherë nalet
kam me e fërku derisa të zbutet
kam me e ledhatu
kam me i tregu përralla
kam me u frikësu
e nëse edhe atëherë nuk e ndij pulsin
kam me e qitë n’dritare
që me zbritë zogjtë
me e çukit e me e ndukë
që macet me e rrokullisë n’oborr
që qentë me e gropu mas shtëpisë
me e dënu
derisa t’zgjohet
derisa t’përgjigjet
kam me e shiku botën në sy
kam me e pyet veten a ka ndryshu diçka
kam me kuptu se kurrgja s’ka ndryshu
kam me u kthy n’anën tjetër
kam me u ba thuajse kurrë s’e kam pasë

ku me e çu kartolinën
mbase në atë adresë ku e kam tavolinën me pajisje shkollore
me pasaportën e parë dhe emna t’skalitun përjetësisht n’drrasë
ku vij për pushime verore
me lujt letra e me e shajt pushtetin
apo në adresën e spitalit n’dritaret e s’cilit
gratë n’korniza ia tregojnë botës shamitë
pembe dhe mavi
apo në adresën e shkollës me g’shtenja n’oborr
dhe me hymjen në anën e gabume
e vonohemi edhe kur mbërrijmë me kohë
apo me e lanë dikush në park
ndërmjet bankës dhe çesmes
ku i gjuanim duqat e parë
apo në adresën e sh’pisë n’cep t’qytetit
ku nji plakë
me xhemper jeshil e me çorape të thuruna
me shami t’arnume n’kokë dhe me kaçik pule n’pjatë
po vdes n’këtë moment
fillikat vetë
kohëve të fundit u përmend veç për kokëfortësi
apo atje ku s’asht ma kurrkush
se unë jam n’rrugë
apo n’atë adresë në atë ndërtesë me portretin e aktorit të ndjerë
me fasadën socialiste
te vendi për heronjtë
ku asnjiherë nuk kam hy
por mrenda zemra po m’rrahë
dhe e pyes veten qysh po ndihet
njimend
ku të shkon mendja kur thua
shkruaji sh’pisë

*Përktheu nga origjinali serbisht
Qerim Ondozi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.