OPINION

Moralistët e vonuar

08:00 - 30.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Brizida GJIKONDI

 

Në Shqipëri prej rreth një dekade është në fuqi një ligj zgjedhor antidemokratik, i centralizuar, përjashtues si për ata që i gënjen mendja se kontriubojnë ndershëm në jetën politike të një partie, por sidomos përjashtues për shqiptarët që presin të përfaqësohen denjësisht nga intelektualët, qytetarët, ose dhe politikanët më të spikatur dhe me kontribute të sprovuara në të mirë të vendit. Tashmë prej 2008 deputetët emërohen qartë dhe prerë nga kryetari i partisë respektive. Pavarësisht çfarë shkruhet në statutet e këtyre partive, ku presupozohet që deputetët zgjidhen dhe propozohen nga baza dhe zonat zgjedhore në terren, kryetarët nuk zbatojnë statutin si akt moral të partive të tyre, por ligjin zgjedhor, ligj i cili pikërisht se është antidemokratik dhe imponues, iu leverdis atyre ta zbatojnë. Ky ligj me ndryshimet e tij është aprovuar edhe nga ata që sot ngrenë zërin kundër listave dhe kundër kompetencave ligjore të kryetarit për të emëruar personat që i leverdisin në këto lista. Bindja e tyre e verbër, heshtja dhe nënshtrimi patjetër që do sillte pasoja edhe mbi ata. Agresiviteti, fryma shkatërrimtare që personat e përjashtuar nga lista tregojnë sidomos kur këto lista mbyllen, tregojnë më së miri se kontributi i tyre në politikë dhe në atë forcë politike nuk ka qenë një kontribut idealist dhe i përkushtuar, por një marrëdhënie tregtare këmbimi favoresh. Ky agresivitet bën kurban edhe vetë atë forcë politike, që po këta vetë kanë kontribuar që të ngrihet, pikërisht këtu qëndron dhe metamorfoza dhe harakiri i tyre, si politikan, por edhe si qenie sociale. Mendoj se mënyra më e mirë dhe më dinjitoze në një cikël të tillë të paralajmëruar do ishte reflektimi dhe heshtja, për më tepër që pikërisht këta persona kanë qenë vendimmarrës dhe aktorë kryesorë të këtij ligji zgjedhor antikombëtar dhe ndëshkues, me pak fjalë ata tashmë po hanë çorbën që vetë kanë gatuar, ndaj ashtu siç thotë dhe populli, tani ata s’mund të mallkojnë “gjellën që s’e ha unë, i raftë miu brenda”.

Listat janë pasoja, shkaku gjendet tek miopia kombëtare që kjo klasë politike ka si udhërrëfyese të saj, shkaku gjendet tek kapja klienteliste që kjo klasë politike ka në mënyrë superiore ndaj interesave të një grusht personash pa shpirt, pa atdhe, pa moral. Listat e deputetëve të propozuara nga kjo klasë politike janë pasqyra më e kthjellët se si funksionon kjo klasë politike dhe sidomos kryetarët e saj. Në shumicën e qarqeve ke deputetë turistë, që as nuk jetojnë dhe as nuk e njohin e ndjejnë atë qark, por edhe kur jetojnë aty, e vetmja lidhje e tyre në shumicën e rasteve është biznesi ose bizneset që kanë ngritur në atë zonë, qoftë dhe me emra të kamufluar. E gjithë lista është e mbushur me njerëz besnikë të kryetarit, nga ata të heshturit, nga ata që i binden  telekomandës edhe kur asaj i bien bateritë, nga ata që në shumatorin e tyre janë garanci për vazhdimësinë e jetës si kryetar, por edhe të bizneseve dhe interesave të tyre. Deliri dhe demagogjia e kryetarëve se përpiqen për të mirën e Shqipërisë është një mashtrim i madh, thjesht të shikosh ligjin zgjedhor që ata kanë hartuar dhe zbatojnë në realitet. Kryetarët e partive kanë një mendim poshtërues dhe përdorues për shqiptarët deri në momentin që këta shqiptarë t’i provojnë të kundërtën, ata i trajtojnë shqiptarët si një masë bagëtie pa tru, pa dinjitet, inteligjencë dhe pa kujtesë. Dhe këtë mendësi, ligësi, cinizëm, fodullëk dhe konfliktualitet ata shpalosin sidomos në periudha zgjedhjesh kur iu përplasen dhe rrezikohen interesat e tyre të vogla personale. Pikërisht në kësi momentesh kuptohet se sa larg janë ata Shqipërisë reale dhe sa shumë dëm i sjellin si asnjë armik tjetër kombit shqiptar dhe interesave të tij.

Me kalimin e kohës, moshës dhe leximeve pa pasion e objektivitet, kupton që Shqipëria nuk është tkurrur në territor për shkak të fqinjëve, por për shkak të bijve të saj miopë, të paaftë, përtacë, tradhtarë dhe konfliktualë, kupton se shqiptarët duhet të rreshtin së mburruri me pellazgët, ilirët, Skënderbeun dhe Nënë Terezën, mburrja dhe deliri nuk justifikojnë dhe kamuflojnë të tashmen, tani është epoka jonë, një epokë që duhet shkruar me dinjitet, dije, punë ndërtuese, reflektim dhe bashkim interesash kombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.