EKONOMI

Vlerësimi për dosjet e vitit ‘95/ Shoqata, pronarëve: Mos njihni ATP-në, shkoni në gjykata

12:41 - 31.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela MANJANI

Pronarët që kanë një vendim përfundimtar për vlerësimin financiar të pronës, të cilët kanë aplikuar për kompensim në vitin 1995, kanë vetëm 11 ditë kohë për t’i ankimuar në Gjykatën Administrative ankesat e tyre. Bëhet fjalë për ata pronarë që nuk janë të kënaqur me vendimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Ndërsa pronarët që kanë mungesë dokumentacioni, kanë kohë deri në nëntor për të plotësuar dosjen për të marrë kompensimin. Nisur nga problematika e madhe që kanë dosjet dhe nga pakënaqësia e shtuar e pronarëve për vlerësimet e ATP-së, shoqata “Pronësi me Drejtësi” u bën të ditur të gjithë pronarëve hapat që duhet të ndjekin për të fituar të drejtën e tyre mbi pronën.

 Shpjegimi i shoqatës

“Më datë 10 maj 2017, Agjencia e Trajtimit të Pronave shpalli në faqen zyrtare elektronike të institucionit dhe në mediat publike listën e vlerësimit të vendimeve përfundimtare të subjekteve të shpronësuara që zotëronin një vendim përfundimtar Komisioni të Kthimit e Kompensimit të Pronave, për kompensim, për vitin 1995. Agjencia i ka duart të lira të punojë për zbatimin e këtij ligji që ne e kemi ankimuar edhe në ‘Strasburg’, sepse me vendimin nr.1, datë 16 janar 2017, Gjykata Kushtetuese pavarësisht shfuqizimit të nenit 6, pika 3, dhe nenit 6 pika 5 të ligjit, e ka vlerësuar në përputhje me Kushtetutën ligjin 133/15. Sipas nenit 19, pika 3 e ligjit, lista me vlerësimin financiar të vendimeve përfundimtare të shpallura nga ATP-ja më datë 10 maj 2017, bëhet titull ekzekutiv më datë 10 qershor 2017 në qoftë se nuk ankimohet nga subjektet e shpronësuara. Sipas ligjit, pas datës 10 qershor 2017 lista e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare për kompensim të vitit 1995 nuk mund të ankimohet më për asnjë lloj arsyeje apo shkaku, në asnjë institucion gjyqësor shqiptar apo edhe atë të ‘Strasburgut’. Ky ankimim duhet bërë në Gjykatën Administrative të Apelit brenda datës 10 qershor 2017, pra brenda 30 ditëve nga data e publikimit të aktit.

Të detyrueshëm e kanë këtë ankimim:

a) Të gjitha ato subjekte pa përjashtim që në listën e publikuar e gjejnë veten në zërin “Ezauruar” në listë (janë 730 subjekte të tilla). Ju sqarojmë se emërtimi “Ezauruar” do të thotë se juve ju ka humbur e drejta për kompensim sipas ligjit sepse prona që ju prisnit t’ju kompensohej është në vlerë më e vogël se ajo që ju eshtë kthyer, kjo sipas përcaktimit absurd “përfitime të zbritshme” të ligjit .

b) Të gjitha ato subjekte pa përjashtim që në listën e publikuar për vitin 1995 kanë një vlerë kompensimi të publikuar me të cilën nuk janë dakord. Në listën e publikuar nga ATP-ja janë 1.422 subjekte, në vendimet për kompensim, të cilave u është ndryshuar zëri kadastral i pronës nga “tokë truall” në “tokë bujqësore”, gjë që ka sjellë një ulje drastike të vlerës së pronës së tyre.

Në listën e vendimeve të vlerësimit financiar të vendimeve, 2.384 vendime janë pa vlerësime; ato nga ATP-ja janë trajtuar si dosje me mangësi. Pronarët e këtyre vendimeve duhet që brenda 6 muajsh, pra deri më datë 10 nëntor 2017 të plotësojnë mangësitë që ka vlerësuar ATP-ja. Mangësia e tyre kryesore është mospërcaktimi i zërit kadastral të dokumentit të origjinës së pronës së tyre nga ATP-ja. Pra ata duhet të bindin ATP-në se toka e tyre ka qenë brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara në momentin e shpronësimit. Në të kundërt ATP-ja do ua vlerësojë pronën e tyre në rastin me të mirë si tokë bujqësore, dhe në qoftë se kanë brenda kësaj toke ndonjë pjesë të kthyer vendimi do të jetë “ke humbur të drejtën e kompensimit”, pra je “Ezauruar”. Të nderuar pronarë: para 72 vitesh regjimi i kaluar ju shpronësoi me dhunë dhe pa shpërblim, sot pas 72 vitesh, nëpërmjet ligjit 133/2015, po shpronësoheni për herë të dytë, por këtë radhë me ligj dhe pa shpërblim.

Si të ankimoni në gjykatë

Ankimimi që duhet të bëni në Gjykatën Administrative të Apelit sipas rretheve përkatëse është e vetmja mundësi që, pavarësisht vendimit të gjykatës, e drejta juaj për kompensim të drejtë të vazhdojë deri në ‘Strasburg’.

1) Në vlerësimet financiare për vitet 1993-1994 të ATP-së, me termin “Ezauruar” ishin 472 vendime për kompensim të pronarëve. Në këto vendime pronarët e tyre në shkallë vendi duhej të kompensoheshin për një sipërfaqe trualli prej 118.1 hektarësh dhe që vlerësoheshin me një vlerë prej 12.9 miliardë lekësh sipas ligjit të vjetër (9235). Për hir të faktit se këtyre subjekteve të 472 vendimeve iu ishin kthyer vetëm 4.4 hektarë tokë, Agjencia e Trajtimit të Pronave, në zbatim të ligjit 133/15 iu ka mohuar kompensimin e kësaj sipërfaqeje toke prej 118 hektarësh dhe i ka vlerësuar si të kompensuar. Pra me ligj shteti iu ka mohuar dhe vjedhur këtyre pronareve një vlerë prej 12.9 miliardë lekësh të reja.

2) Po ashtu ishin një pjesë e 1.667 subjekteve pronare, që si rezultat i ndryshimit të zërit kadastral të tokës, nga “truall” në “tokë bujqësore”, kanë humbur dhe iu është vjedhur me ligj një vlerë kompensimi prej 19.2 miliardë lekësh të reja. Në këto vendime që bënin fjalë për kompensimin e një sipërfaqeje trualli prej 426.4 hektarësh në shkallë vendi, nga ana e ATP-së me vlerësimin sipas ligjit të ri, janë vlerësuar si tokë truall vetëm 91.8 hektarë, dhe pjesa tjetër është vlerësuar si tokë bujqësore.

Afati i ankimimit për rreth 2 mijë dosje

1.863 vendime nuk ishin të vlerësuara, ato ishin klasifikuar “dosje me mangësi”. Pronarët e këtyre vendimeve, brenda datës 30 nëntor 2016 duhej të bindnin ATP-në se toka e tyre ka qenë truall para vitit 1945. Në qoftë se nuk e bënin një gjë të tillë, toka e tyre do vlerësohej si tokë bujqësore me vlerë minimale ose do vlerësoheshin “Ezauruar”. Deri më sot ATP-ja nuk e ka publikuar vlerësimin e këtyre 1.863 vendimeve. Pronarët e këtyre vendimeve, me publikimin nga ATP-ja të vlerësimit të këtyre vendimeve, duhet që brenda 30 ditëve nga data e publikimit të bëjnë ankimimin në Gjykatën e Apelit Administrativ. Edhe vendimmarrja e ATP-së për vendimet e vitit 1995 publikuar më datë 10 maj 2017, për 730 vendimet “Ezauruar” dhe 1.422 vendimet me ndryshim të vlerësimit nga “tokë truall” në “tokë bujqësore” po këtë trend vlerësimi do të ketë. Në kaq pak kohë e kemi të pamundur të vlerësojmë humbjen ekonomike që do të kenë pronarët e këtyre vendimeve.

Vlerësimet sipas viteve

 ATP-ja ka vlerësuar vendimmarrjen e vendimeve të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për kompensim, për vitet ’93, ’94 e ’95. Në total ajo ka pranuar se janë vlerësuar 10.763 vendime, nga 23.628 vendime për kompensim të dhëna në harkun e viteve 1993-2013, pra 45.5% të të gjithë vendimmarrjes. Por kjo vendimmarrje e marrë deri më sot për vitet ’93-’95 ka pranuar se ka vlerësuar si të ezauruara 1.217 vendime ose 11.3% të tyre. Vendime të vlerësuara, konkretisht janë 48% e gjithë vendimeve ose 5.189 vendime. 41.5% e vendimmarrjes së viteve ’93-’95 ose 4.247 vendime nuk janë të vlerësuara sepse ATP- ja e ka pasur të pamundur të vlerësojë llojin e tokës para vitit 1945.

Dosjet në ATP

Sipas vlerësimit të ATP-së, nga viti 2008 e deri më sot nga pronarët janë depozituar 10.131 kërkesa për njohje të së drejtës së pronës që në nenin 20 vlerësohen si ‘kërkesa të patrajtuara’. Pronarët kërkojnë t’u kthehen apo kompensohen 4.185 ha tokë truall dhe 144.024 ha tokë bujqësore, pyll e kullotë. “Pronarët nuk kanë mundur të marrin atë u takon deri më tani, ndaj shoqata është e vendosur që të kundërshtojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut papajtueshmërinë e këtyre mënyrave të vlerësimit të pronave. Pengesat e paparashikueshme dhe arbitrare të autoriteteve me të drejtat tona themelore në dy dekadat e fundit na kanë mësuar se në nivelin e brendshëm ne nuk gëzojmë asnjë mbrojtje konkrete ose efektive dhe se e drejta jonë ligjore ndërkombëtare është alternativa jonë e fundit dhe alternativa e vetme e besueshme dhe efektive për të mbrojtur të drejtat tona themelore”, thuhet në reagimin e shoqatës së pronarëve.

 

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pershendetje!
    Shkrimi i shkruajtur ne Gazeta Shqiptare nga Ornela Manjani e vleresoj ne lidhje me infomacionet qe u jep Pronareve per ndryshimet e ligjeve qe behen her pas here.Ju falenderojme,por ne kete shkrim nuk po mar informacion ne lidhje me vendimet e vitit 1999 qe jane mare,personalisht per pronen qe disponojme,ne Korce.
    Toka eshte bujqesore prej rreth 7500 m2,per te cilen ka dale vendimi,dhe njotimi eshte bere duke cilesuar se shteti nuk ka mundesi financiare per kompesin.Per kete problem jemi djetuar ne ATP dhena jepet e njejta pergjigje.
    Ju lutem po pati mundesi nje informacion te thjeshte ne lidhje me keto lloj pronash,si duhet te veprojme ne zyrat e ATP per te mare kontakt me ate personel.
    Ju lutem dhe njehere informacionin e pres ne adresen e i-mail.

    Ju faleminderit.

    Përgjigju ↓