OPINION

Të dalësh nga errësira, sa tragjike është? “Lukrecia Borxhia”!

07:42 - 01.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Përparim KABO

 

Kur Viktor Hygoi shkroi tragjedinë “Lukrecia Borxhia” në vitin 1833, Franca s’e kishte më Republikën të cilën e pati provuar dikur. Në historinë e Francës, Republika e Parë, zyrtarisht Republika Franceze u themelua më 21 shtator 1792 gjatë Revolucionit Francez. Republika e Parë zgjati deri në shpalljen e Perandorisë së Parë në 1804 nën Napoleonin. Ndërsa Republika e Dytë Franceze ishte një qeveri republikane e Francës në periudhën afatshkurtër midis Revolucionit të 1848 dhe grushtit të shtetit të vitit 1851 nga Louis-Napoléon Bonaparte që inicioi Perandorinë e Dytë.

U miratua zyrtarisht motoja e Republikës së Parë: Liberté, Égalité, Fraternité. Republika e Dytë dëshmoi tensionin mes “Republikës Social-Demokratike” dhe një formë liberale të republikanizmit, e cila shpërtheu gjatë kryengritjes në Ditët e Qershorit të vitit 1848. Pikërisht në kohën që pararend republikën e dytë dhe që frymëzohet nga jehonat e republikës së parë, Hygoi, ky reformator i teatrit tronditi skenën. Me pjesën “Mariona e Lormës” – që fillimisht u titullua “Një duel në kohën e Risheljesë”, ai vë në rrezik tragjedinë klasike, sepse përfshihet dhe ngjiz frymën e shekullit, që përplaset mes një epoke që koha tregon se do duhej të ishte tejkaluar, ndërsa realiteti flet për të kundërtën, ndaj për këtë arsye drita e lirisë republikane ka mbetur thjesht një rreze, por në udhën e saj duhej ecur dhe luftuar. Personazhet historike identifikohen si mjete teatrore që aludojnë me Karlin X, asokohe në fuqi. Pjesa ndalohet.

Mbreti dhe mëkëmbësit e tij e joshin dhe e miklojnë autorin, që nga pagesat e rritura si pagë, deri te postet në administratë. Drama tjetër “Hernania” sërish është në frymën hygoliane. Të çmitizohet mbreti nga hyjnor në tokësor dhe më tej akoma nga mbretëror në njerëzor, duke e treguar ashtu si është ai realisht, me veset dhe dobësitë që mund të barti si njeri. Një gjuhë e tillë e guximshme shkaktoi goxha turbullim. Pjesa u shfaq në 25 shkurt 1830. Duhet të sjellim në mendje se në historinë e Francës ngjarjet e korrikut të 1830-ës janë një pikë kulmore.

Në 16 mars 1831, del në shitje në dy vëllime romani “Shën Mëria e Parisit”. Edhe në këtë roman është sërish e ravijëzuar me gjithçka që bart periudha e mesjetës, është fryma e providencës përballë imoralitet njerëzor, gjejmë vetëglorifikimin e pushteteve dhe thjeshtësinë e njeriut të zakonshëm që ka pasuri vetëm dashurinë njerëzore. Autori ngre në roman kultin e monumentales dhe rëndësinë e qyteteve. Në vitin 1832, pikërisht në 22 nëntor, vihet në skenë një tjetër pjesë e Hygoit me titullin tejet provokues “Mbreti që zbavitet”, që u shfaq në teatrin e Komedisë Franceze. Momenti kur loloja shpërthen me fjalë të ndyra ndaj fisnikëve, krijon shqetësim të madh, duket si provokim imoral. Kuptohet se pas personazhit të Fransuait I, mund të lexohet lehtë se janë Orleanët që drejtonin Francën asokohe.

Kundër pjesës nisin persekutimet. Hygoi hedh në gjyq teatrin që e bllokoi pjesën. Në gjykatë fjalët e tij janë lapidare. Citoj: “…Sot më merret liria e poetit nga një censurues, nesër do të më marrin lirinë e qytetarit nëpërmjet një xhandari; sot po më fshijnë nga Teatri, nesër do të më fshijnë nga vendi; sot po më shtuposin gojën, nesër do të më marrin e do më syrgjynosin; sot shtetrrethimi është vendosur në letërsi; nesër do të vihet shtetrrethimi në krejt qytetin…”

Pikërisht në vlagën dhe tallazet e këtyre ngjarjeve, në datën 2 shkurt 1833 lexohet për herë të parë pjesa e Hygoit “Lukrecia Borxhia” përpara artistëve në Théâtre de la Porte Saint-Martin. Gjendja nuk qe e mirë. Hygoi nuk ndalet. Ai me një letër “dërguar kontit d’Argout, ministër i Brendshëm i asaj kohe, e njofton se hiqte dorë nga pagesa mbretërore prej 2000 mijë frangash që merrte qysh prej vitin 1823. Tashmë ai mbahej vetëm nga të ardhurat që siguronte më të drejtën e autorit. Dy ngjarje lidhen me pjesën “Lukrecia Borxhia”, njohja me Juliette Gauvin, me të cilën Hygoi dashurohet, dhe kjo është dashuria e tij e jetës që zgjat një gjysmë shekulli. Dhe fakti që përballë suksesit që shtypi e cilësoi me fjalët “nuk ishte më një sukses, ishte një çmenduri e vërtetë” vjen vendimi drejtorit të Harel që të bllokonte shfaqjen. Këtij qëndrimi Viktor Hygoi i përgjigjet duke e ftuar në duel dhe duke lajmëruar se cilët do të ishin dëshmitarët e tij. Harel tërhiqet dhe lejon rivënien në skenë të “Lukrezia Borxhias”. E dashura e Harelit, zonjusha George, luan Lucrezia Borgian. Ajo është e para aktore në historinë e këtij roli, ndërsa rolin e Genaros e luan për herë të parë aktori Frédéric Lemaître.

* * *

Autori guxoi sepse, paçka se subjekti merrej nga Mesjeta në Italinë e ndarë në principata, jehonat vinin të thella, ushtonin dhe linin të kuptonin, se që të dalësh nga errësira në dritë nuk është e lehtë. Me sa duket ky lloj kalimi është një përmbysje që mallkohet me tragjizëm. Nëse Viktor Hygo, ky reformues i teatrit nga klasicizmi në romantizëm do ishte në jetë, qoftë dhe si një hije e moçme në moshën 215-vjeçare (në 26 shkurt 2017 mbushi këtë moshë) dhe do të çapiste e të hynte në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, për të parë atë që shkroi në vitin e largët 1833 “Lukrecia Borxhian”; të luajtur nga një trupë shqiptare profesionistësh me gjak pellazgjik e me tragjizëm ballkanik, por edhe si banorët e Kalabrisë, të ngjizur nga historia dhe marrëzitë e tyre, pa mëdyshje ai do psherëtinte thellë. I mallëngjyer do të lëshonte një rrymë ajri qiellor duke thënë: “Lukrecia, më fal që të vrava, por nëse ti do duhej të jetoje, historia do ishte e pabesueshme. Ajo kohë e errët që u quajt Mesjetë, e vriste jetën edhe me helm, edhe me thikë”.

Do të përpiqej ajo hije e moçme hygoliane gjysmë kujtim e gjysmë rrymë eterike, me mjekrën e zgjatur deri në tokë të ndalonte Genaron-shqiptar, ta rrokte në duart e tij duke i thënë: “Bir, më fal që në rrjedhat e kësaj drame tragjike ti duhej të pije helmin kur kishe vetëm një ideal në jetë, të takoje nënën e bardhë, engjëllore, të dëlirë dhe të përsosur, të pandotur dhe inspiruese, të takoje dritën që të mungonte edhe të mos të të prezantonin më si njeriu pa njeri të cilit nuk i njiheshin prindërit. Genaro, unë Viktor Hygo e di se çfarë kam hequr me nënën time të gjorë. E varrosëm ne tre vëllezër pa praninë e Leopoldit, atit tonë tiran. Por unë jam krenar për ty, Genaro, si një kordhëtar i vërtetë, i besës dhe hero i përditshëm i dinjitetit. Madje ju vdisni si një fajtor i pafajshëm i dinjitetit të munguar në një shoqëri mbytur nga poshtërsia.”

Tek shfaqja “Lukrecia Borxhia” në Teatrin Kombëtar mbaroi dhe aktorët po përshëndesnin spektatorët që nuk reshtnin me duartrokitje frenetike pas asaj pauze të gjatë të frymës pezull, unë u afrova bashkë me hijen e Hygoit në zemër dhe në venat e emocionit. “Ja engjëll, – i thashë, – shikoje nga afër Lukrecia Borxhian shqiptare që të mahniti sonte. Ajo quhet Luiza Xhuvani…” Hija hygoliane m’u largua, hipi në skenë dhe u ndal para saj duke e përqafuar e duke i puthur duart… Po po, drita e shpirtit të Viktor Hygoit ishte në teatër dhe u magjeps me shfaqjen. M’u bë se i tha Luizës: Jam 215 vjeç, 83 vite kam qenë njeri me pasione dhe ideale, me një jetë të bukur dhe me tallaze, me dashuri dhe me dhimbje, me liri dhe me izolim, por me dinjitet. Pjesa tjetër e jetës sime është eter dhe frymë. Kur e vumë për herë të parë ‘Lukrecia Borxhian’ në skenë, unë njoha Julietten, të dashurën time të përjetshme, ajo që më frymëzoi, por edhe më pranoi ashtu si isha, një mashkull që nuk ndalej. Isha vetëm 30 vjeç kur e takova. Lukrecia u vu shumë herë në skenë në të gjallë dhe në të vdekurin tim, por kjo jotja m’u duk ndryshe, m’u duk shumë e vërtetë, nuk e di se çfarë kishte.

Sjellja juaj me djalin Genaro ishte një mrekulli më vete e komunikimit. Shpalosja e ndjenjave qe aq dallgëzuese, aq e fshehtë dhe aq e hapur, aq e butë dhe përdëlluese, por edhe aq lutëse dhe e dëshpëruar, aq krenare dhe aq shpaguese. Luiza, dukeni një shpirt i vuajtur dhe si e tillë ju e shihni botën përtej perdes së lotit që të vjen nga thellë. Një grua që vuan është një univers tejet ndjellës. Një grua aktore që vuan është universi që të rrëmben me gjithçka nga arti i saj. Qenkësh e thënë që unë të takoja majën e këtij interpretimi te një shqiptare, dhe jo në të gjallë, por në historinë time prej hijeje apo kujtimi, merre si të duash. Sot ju më ringjallët si art dhe si frymë. Ndërsa spektatorët vijonin me duartrokitje, drita hygoliane kishte mbetur pezull, hynte e dilte si frymëmarrje e shpeshtuar e të gjithëve në atë sallë. Hygoi ishte te ne dhe ne ishim me të. Takimin na e krijoi Luiza Xhuvani, Artan Imami, Vasjan Lami, Xhino Musollari, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Genti Deçka, Gent Hazizi dhe Marsel Rupi. Për herë të parë gjeniu universal, mjeshtri i teatrit, i poezisë dhe i romanit mbërriti edhe në skenën e Teatrit Kombëtar. Shumë vonë, por me shumë dinjitet. Sprova të tilla janë shansi dhe sfida, prova dhe mundësia, rreziku dhe triumfi.

“Lukrecia Borxhia” në Teatrin Kombëtar në Tiranë, vjen e vendosur në skenë në një dekor të studiuar e ndërtuar mrekullisht. Mure të larta dhe vetëm një aks në qendër në formën e një gjarpri në mënyrë asketike. Dritat janë të kursyera. Zhurmat dhe muzika japin atmosferën mrekullisht të një bote që pritet të të befasojë me misterin. Gjithçka duket e mbyllur në një arkivol të madh. Ishte një kohë që duhej të mbaronte, një periudhë që po perëndonte skuqur në horizonte gjaku, një sistem që kishte ndërtuar pushtetin e mizorisë dhe ku nuk mund të vijohej më kështu. Ngjarja është në dekorin dhe psalmin e demaskimit dhe po ai dekor në fund të pjesës me të njëjtët protagonistë shndërrohet në vendin e shpagimit. Kjo jetë dhe kjo botë na mjafton t’i takojmë dhe provojmë të gjitha.

Ishte aq e pamoralshme ajo grua, apo ishte dhe është aq e pamoralshme vetë shoqëria? Historia është trupi i pasionit të një gruaje apo pasioni i pushtetit që duhet të flejë me trupin e saj? Pushteti poshtëron vlerat, nxit gjithçka që e tejkalon moralin e virtytshëm dhe sjell njeriun në kundërshti të tilla që nuk e ndan dot qenien nga trupi, fatin nga pafuqia, pushtetin nga ndjenjat, lirinë e të qenit vetja nga detyrimi për të qenë i tjetërsuar. Kjo filozofi është ngjizur aq thellë në lojën e aktorëve, në sjelljen e tyre në pohimet dhe mohimet, në sjelljet individuale dhe në koralet akuzuese. Akuzojnë, por me ç’të drejtë, mbi cilët parime, kur po këta akuzatorë, atë grua të mbuluar me një vello dhe me emër ndryshe e duan në shtrat, dhe ‘jo’-ja e saj i tmerron. Ai shtrat gruaje mban brenda të gjitha historitë dhe të gjitha përbetimet. Njeriu dhe njerëzimi kishin nevojë për dritë, e ky lloj zgjimi, donte edhe heronjtë, edhe viktimat, edhe dëshmitarët.

Regjisori francez Eric Vigner, me një stil impresionues kishte ndërtuar një dramaturgji drithëruese duke mbajtur në ekuilibër të gjitha pikërëndesat e ngjarjes, veprimet skenike, raportet e fjalës dhe relievin e emocionit që krijohet me kundërrryma shumë të fuqishme. Gjithçka duket si një qiell pezull që pret shtrëngatën. Me vënien në skenë të “Lukrecia Borxhias”, ai ka sjellë organikisht kohën, ka ndërtuar atmosferën, ka shprehur natyrshëm rrjedhat mentale dhe njeriun e Mesjetës duke luajtur vetëm me një mjet komunikimi, me teatrin e fjalës, ashtu si luhej edhe në tragjizmin e Antikitetit të Eskilit, Sofokliut e Euripidit. Teatri i fjalës i vetëmjaftueshëm, pa musical apo teatrin festiv, është si të luash në tehun e thikës, sepse fjala vetëm kur është e ngarkuar me të gjithë magjinë shumëplanësore të saj e realizon misionin. Ndryshe ajo mund të të rrëzojë. E mbetur vetëm fjalë, ajo mund të duket si një hon i hapur. E përcjellë me emocionin që krijon duke ndërtuar rrëfenjën, historitë, përjetimet dhe dhimbjet, fjala është në këto kushte vetë jeta, vetë fati i njeriut, është magjia që të përpin.

Lukrecia Borxhia e trupës së Teatrit Kombëtar ishte me ngjyrë gri, herë-herë opake si nën një qiell të mbyllur ose si në nëndheun e rëndë. Ndërtimi i dekorit krejt të zbrazur jepte shansin për të provuar fjalën si komunikim, si ndjenjë, si emocion, si meditim i jashtëm dhe i brendshëm, si përdëllim, si vuajtje, si tragjizëm dhe shpagim. Luiza Xhuvani në rolin e Lukrecia Borxhias është një arritje (ndoshta pa e ekzagjeruar) që nga krijimi i teatrit në trevat e Arbrit. Rol të tillë kaq kompleks si karakter, kaq interferues në dinamikën e impulseve njerëzore, kaq kundër rrjedhës në ngjarje dhe emocion, kaq i fshehur dhe kaq i hapur si komunikim, kaq hakmarrës dhe kaq lutës si sjellje, kaq i gënjeshtërt dhe kaq i vërtetë si besueshmëri, kaq grua katile dhe kaq nënë e pashfaqur ndaj pjellës së tij me gjithë ndjenjat e përunjësisë, kaq sharmante dhe po aq shpaguese në qëndrimin ndaj botës mashkullore, kaq delikate në ndjenjat më të holla dhe aq e ftohtë në marrjen e jetës së kundërshtarëve të hapur dhe të fshehur, kaq përtej feminiles në lidhje me pushtetin dhe kaq e shpërdoruar deri në lidhje inçestike, kur trupi dhe epshi i saj ishte sulmuar e rrëmbyer deri nga njerëzit e saj më të afërt të gjakut, nga vëllezërit.

Tek e shihja, m’u kujtua Ladi Makbeth kur tha “dua ta ndërroj seksin; e gjitha kjo mizori nuk i shkon një gruaje”. Si mundet një aktore të mbajë gjithë këtë gamë ndjenjash dhe përjetimesh?! Ky lloj mallkimi dramatik, mental, emocional dhe interpretativ është krijuar për aktore të një kalibri të lartë, të tilla që nëse e realizojnë të plotë këtë figurë janë artiste unikale. Nëse nuk arrijnë, do të kishin bërë mirë që ta mendonin më shumë se një herë vendimin e tyre për t’i hyrë kësaj ndërmarrjeje. Luiza Xhuvani ia ka arritur të ndërtojë Lukrecia Borxhian organike. E folura e saj e qelqtë përcjell një tekst brilant me një të folur të ftohtë gati-gati të akullt, të kulluar si ujërat malore, gurgullues si fjalë-ndjenjë-intonacion dhe digresione tallazesh të brendshme e të jashtme, që njëherësh shpërfaqin tri botë, të vërtetën, të rremen dhe atë të dëshiruarën, si një fat që nuk është, por që dëshirohej të ishte. Kjo botë e dukshme dhe e nëndheshme, si duhet të shihet me maska dhe pas tyre; apo pa to dhe në një realitet ku të gjithë dinë e duhet të dinë gjithçka? Komunikimi në këtë hulli është përroi emocional që Luiza Xhuvani ka krejt unikal. Rrjedha e ndjenjave njeh dhimbjen dhe butësinë, intrigën dhe shpagimin, lutjen dhe urdhrin, refuzimin dhe pranimin e fatalitetit. Mesjeta me gjithçka unikale të saj si epoka e errët në fatin dhe fuqinë e një gruaje!

Ngjarja fillon me maska dhe mbyllet pa to. Regjisori, si pa u vënë re përpiqet të na nxjerrë nga errësira drejt dritës, nga mesjeta në liri, nga mbretëria në republikë, me një empati që ka kredo jetën, por ama një jetë me dinjitet. Kjo lloj drite nuk është shtim i intensitetit të ndriçimit, nuk është lojë materiale e hiçfare butaforike… Drita që afrohet është e zbehtë, e brendshme e arsyes që do të sqarojë fatalitetin. Ajo do që gjithkush e gjithkund të kuptojë në pragvdekje se ç’po ndodh, ku po gremiset shoqëria, pse vdekja është kaq pranë dhe i vetmi shteg i vetë sistemit. Regjia me të gjitha mjetet tejet të kursyera na bind se nga errësira qenka e thënë se duhet të paguajmë me tragjizëm.

Genaro e di që nëna sjell jetën, ndaj e do nënën, e imagjinon nënën, betohet për nderin e saj, aq sa qielli dhe nëna janë gati-gati identikë për të. Nëna e ndjek atë, ai ndjek mirazhin e saj. Nëna e ndjek që ta mbrojë, ai kudo që është gati të mbrojë me jetën e tij figurën sublime të saj. E ka kaq pranë dhe nuk e di, sepse ajo grua është Lukrecia Borxhia famëkeqe, e tmerrshmja, gjakatarja, gruaja e shtratit të hapur për shumëkënd, deri me ata që i ka në gjak, pra është edhe heroinë e turpshme e incestit. Eh, nëna e imagjinuar e Genaros, nuk mund të jetë për të e tillë. Është një gjetje e Viktor Hygoit në dramaturgjinë e dramës që Lukrecia mund ta mbronte të birin vetëm duke e trajtuar si të dashur, dhe i biri që nuk e dinte se ajo ishte nëna, por as edhe se ishte gruaja e tmerrshme Borxhia i dorëzohet pasionit mashkullor, por vetëm me një kusht… “Të dua, – i thotë, – por ti nuk je dashuria më e madhe, sepse dashuria ime e madhe eshtë dashuria që kam për nënën.” Ideja është fondamentale.

Si meshkuj të epshit na duhet femra që ta tregojmë sepse jemi heronj të pasioneve në shumës. Si njerëz jemi bij të nënave dhe mbi to nuk ka. Atje në ngjizjen e saj për të na sjellë në jetë është ëndrra dhe misioni, sublimja dhe e patjetërsueshmja. Të gjithë burrat janë Adamë, por jo të gjithë Adamët janë mbretër. Ndaj, monarkë apo lypsa, trima të shpatës apo spiunë, shërbëtorë apo aventurierë, ne jemi të sjellë në jetë si njerëz nga gruaja-nënë. Përballë saj të gjithë biem në gjunjë dhe nuk mund të pranojmë të na e fyejnë figurën e saj. Po kundërvëniet e mëdha në këtë kryevepër të dramaturgjisë janë si lëvizjet tektonike nga thellësia e nëntokës që ndihen deri në majat qiellore të maleve. Duke mos e ditur se e ka nënë pikërisht atë, Lukrezia Borxhian, dhe se ka baba atë që kishte qenë vëllai i nënës së tij, nuk ndalet ta fyejë, ta poshtërojë, ta baltosë, pa u trembur deri në rrezikimin e jetës kur miqtë e tij i tregojnë se ajo grua e bukur që e joshi është pikërisht ajo, e tmerrshmja Lukrecia Borxhia. Incesti seksual nuk na vjen si ngjarje në skenë, por jehona e tij e fshehur vulos fatin e ngjarjeve.

Mesjeta e njihte këtë deviacion seksual gati-gati si një provë që pushtetin e duam me çdo kusht dhe nuk e ndajmë. Madje Mesjeta njeh edhe incestin antropologjik si mënyrën e organizimit dhe orientimit shoqëror, por pjesa në skenë është minimizuar në një raport të vetëm. Bijtë e incestit si Genaro, a janë gati të bëjnë ndryshimin edhe me koston më tragjike, që të vrasin ato që i sollën në jetë? Mesjeta, me poshtërimin në emër të providencës, kishte degjeneruar në një pushtet papal dhe një jetë fetare që kishte vetëm fasadën etike. Në brendësi gjithçka ishte ndryshe. Si i thotë Lukrecia të birit Genaros. “I gjithë helmi vjen nga Vatikani, por edhe kundërhelmi vjen prej andej”. Të dilej nga kllapia e mesjetës, nga errësira dhe okultizmi i asaj epoke duhej paguar me aq shumë tragjizëm, intrigë, kundërrrjedhje dhe aventurë. Sjellja në skenë e “Lukrecia Borxhias” edhe pas kaq vitesh nuk është një ngjarje thjesht me vlera estetike. Një argumentim i tillë do të ishte i pamjaftueshëm.

Pavarësisht se jemi në kohën e modernitetit, brenda nesh janë të gjitha kohërat dhe epokat me marrëzitë dhe pengjet që krijojnë. Provat për daljen prej tyre jepen vazhdimisht. Si pa u kuptuar e shkuara rivjen dhe njerëzimi ka detyrimin për t’u ripërballur me të nën peshën e fatit. Gjithnjë jemi në dilema të mëdha, ndaj fjalët e Hygoit “Jetojmë në një kohë kur njerëzit kryejnë aq shumë akte të tmerrshme” nuk mund të shfuqizohen sa kohë bota është e njeriut dhe njeriu është peng i veseve të tij deri në shpagimet me vrasje. Duket si një mallkim që nuk ndalet, njeriu edhe në shekullin XXI nuk vetëpengohet të krijojë dhe të ushqehet nga tragjizmi, nga shpagimi dhe nga urrejtja edhe brenda atij habitati që mirësisht do të quhej vëllazërimi njerëzor. Nga një realiteti i tillë duhet luftuar për t’u larguar çdo ditë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.