Speciale

3 shokët e ish-policit në gjykatë: Dalipaj ndodhej me ne në lokal kur u rrëmbye Gazmend Çollaku

11:45 - 09.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Xhensila KODRA

 

Tre shokët e ish-policit Ervin Dalipaj, dëshmuan dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin që është duke u kryer kundër Denis Shtrazës. Ky i fundit është i vetmi i pandehur që qëndron në qeli për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, pas ekzekutimit mafioz të të akuzuarit tjetër të po kësaj çështjeje, Dalipajt. Pas vdekjes së tij u pushua edhe akuza për të cilën ai ishte shpallur në kërkim, ndërsa prokuroria kërkoi më herët që si dëshmitarë në gjyq të thirreshin shokët e tij.

Z. Allaraj, ish-punonjës i Policisë së Shtetit, tha se mbrëmjen kur është rrëmbyer Çollaku, miku i tij ka qenë në shoqërinë e tij, si dhe me disa shokë të tjerë policie dhe ish-punonjës policie. Sipas dëshmitarit, Dalipaj kishte shkuar në lokalin ku ndodheshin, te Tregu Elektrik në Tiranë me makinën e tij dhe ndodhej bashkë me dy persona të tjerë.

Ndërsa, në momentin kur dëshmitari Allaraj u pyet nga avokati mbrojtës i Denis Shtazës se sa orë ka qëndruar me Dalipajn, ai pohoi se janë takuar rreth orës 15:30 të 6 janarit të vitit të shkuar dhe kanë qëndruar deri në orën 22:30. Ai foli edhe për njohjen e tij me Dalipaj që në kohën kur ishin pjesë e Policisë së Shtetit, kohë kur të dy punonin në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet.

Ndërkaq, edhe dy shokët e tjerë të Ervin Dalipajt, konkretisht E. Guri dhe M. Laca, pohuan para trupit gjykues se Dalipaj ndodhej me ta në një lokal në zonën e Tregut Elektrik në momentin që është bërë rrëmbimi i Gazmend Çollakut, në një lokal në Durrës. Pasi dëgjoi dëshmitë e këtyre tre personave, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për javën që vjen, ku pritet të merren në pyetje dëshmitarë të tjerë. Pak ditë më parë, në këtë proces gjyqësor dëshmuan edhe e fejuara e Çollakut, kamerieri dhe banakieri ku u rrëmbye Çollaku, si dhe një kliente e lokalit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.