OPINION

Bej – harbut[1]

07:50 - 09.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Uran BUTKA

 

 Mos pandehë këndonjësi se po i përdor këto dy fjalë, ngaqë më pëlqejnë. Jo. I përdor me pahir. Se në Shqipëri s’ka “harbut”, në qoftë se e marrim këtë fjalë me kuptimin “njeri prej fisi të ulët”. Shqiptari është fisnik, makar bujk, makar malok, makar edhe shërbëtor qoftë. Sedra dhe krenaria e shqiptarit janë cilësi e vlefshme, një karakteristikë e racës sonë.

Për fat të keq, këto dy fjalë janë bërë hobé në zënka, për më tepër akoma këto dy vitet e fundit. Në zgjedhjet e motit 1923, “bej” dhe “harbut” u bënë dy shenja politike, gjë që s’i ndaloi do “bej” të venë me grupin e “harbutëve” dhe do “harbutë” të përzihen me “bejtë”.

Them, pra, se është çelur një plagë e tillë në trupin tonë dhe, si çdo plagë tjetër, duhet shikuar dhe shëruar edhe ajo. Një trup i vogël si yni, një Shqipëri, që ka nevojë për bashkim dhe bashkëpunim, ku fuqitë e çdokujt duhen puqur, nuk mban dot plagë dhe përçarje të reja. Mjaft gjer më sot qarkrrethimet politike dhe historike na kanë çarë dhe dobësuar. Tani është koha e shëndetit.

Pse kjo luftë midis dy klasash? Thamë se nuk mund të ketë shqiptar harbut në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe më ngjan se nuk ekzagjeroj gjë, duke thënë se askush në Shqipëri s’e merr përsipër harbutërinë. Kjo është për t’u gëzuar, se na jep shpresë që populli ynë, duke pasur ndërgjegjen e dinjitetit dhe të fisnikërisë së tij, do të bëjë përpjekje për të fituar gjithë cilësitë morale dhe intelektuale, që ta bëjnë të denjë për shkallën fisnike të tij.

Nga ana tjetër pyesim: ç’shkak të fortë mund të ketë populli, që ta bëjë një flamur zihjeje dhe grindjeje fjalën “bej”? Ky titull u hoq qysh në të parën mbledhje të parlamentit tonë[2] dhe tani qeveria më nuk e njeh zyrtarisht. Shumë prej tyre, që edhe sot quhen “bej”, janë prej prindësh, që gjer më dje ose pardje s’e kanë bartur këtë titull. Me fjalë të tjera, s’kemi në Shqipëri një trap midis klasave, një ndarje ndërmjet popullit, plebenjve dhe fisnikëve.

Mbase do ta shpjegojmë këtë luftë të shurdhër, në e këqyrshim si një rivalitet, si një zili të klasës së varfër për palën e begatshme e të pasur të kombit, një zihje e të vobektëve me kapitalistët.

Është e vërtetë se në çdo kohë, në çdo shekull, në çdo vend dhe në çdo komb, të varfrit janë ngrënë me të pasurit, kanë dashur ta rrëzojnë fuqinë dhe despotizmin, që i jep njeriut kapitali, kamja e madhe e grumbulluar në një dorë. Këto zihje kanë qenë qysh se u krijua bota; sot u kanë dhënë emrin socializmë, marksizmë, komunizmë, të gjitha manifestime të proletariatit kundër kapitalit.

Mund të thuhet se edhe Shqipëria nuk do të shpëtojë nga kjo sëmundje e përgjithshme dhe e përbotshme. Vetëm do të përgjigjem se, në vendin tonë, kjo luftë është fiktive, e krijuar me dashje, që nuk vjen prej nevojës, prej natyre ngaqë ashtu e do puna. Jam i sigurt se po e shpikim me pahir, kundër natyrës. Dhe kjo për shkakun fort të thjeshtë se në Shqipëri s’kemi kapital, ashtu si ekziston gjetkë, se nuk gjenden as njerëz vërtet të pasur, as fabrika dhe ndërmarrje të tjera, ku argjendi të japë një prodhim të madh, të sjellë një të ardhur të fortë. Përkundrazi: vendi ynë vuan prej varfërie, prej mungimit të kamjeve të mëdha. Do të ishim të lumtur, sikur të gjendeshin edhe në Shqipëri kamës të mëdhenj, që të mundnim edhe ne të krijonim shoqëri me kapital, të themelonim banka dhe të mundte edhe vendi, edhe populli bashkë me të, të fitonte e të pasurohej. Shqipëria mjerisht është një vend ku i pasuri është më i varfër se i varfri.

Nuk shohim dot, pra, sesi mund që të ketë lindur ndarja faktike midis dy klasave, ku e ka origjinën. Mbase për kapitalistë, disa duan të kuptojnë pronarë toke, latifondistë, pronarë të mëdhenj.

Këtu çështja komplikohet me problemin agrar. Do kujtuar që në krye se, edhe zihja ndërmjet atyre që kanë toka dhe atyre që s’kanë, nuk është e sotme, është gjë e vjetër: historia njeh një tok eksperimentesh të bëra për copëtimin e tokës; po kjo s’e ka ndaluar dheun, si edhe kapitalin, që të venë prapë tek ai, që është më i zoti, më i zgjuari dhe më punëtori.

Çështja agrare, pa dyshim, do studiuar dhe do zgjidhur edhe në Shqipëri. Prej disa vjetësh po fryn një erë për shpronësim: të copëtohet toka dhe të jepet tek ata që e punojnë ose do ta punojnë. Rumania, Serbia, tani afër Greqia aplikoi këtë sistem; Rusia deshi ta suprimojë fare kamjen, bolshevikët nuk njohën asnjë prioritet, asnjë të drejtë të ndokujt mbi tokën. Hungaria dhe Anglia s’e kanë hequr sistemin e pronave të mëdha, as çifligjet s’janë shpronësuar, as pasurisë nuk i është vënë ndonjë kufi.

Them se te ne çështja do studiuar, duke medituar mirë zgjidhjen e problemit, duke e pjekur projektin; edhe kjo për interesin e gjithë shqiptarëve, të pronarit, si edhe të bujkut, me një frymë drejtësie të paanshme, për interesin e bashkët si qytetas baras që jemi dhe bij të kësaj Shqipërie. Nuk do bërë ndonjë paragjykim, se e drejta nuk mund të peshojë me pahir vetëm më një anë, në dëm të tjetrës.

Shumë pandehin se në Shqipëri i dëmtuari është vetëm bujku. Ata që dinë, pretendojnë se ai që dëmtohet më tepër është pronari, i cili më të rrallë merr më tepër nga tre për qind prej kapitalit të tij; disa venë gjer atje sa të thonë se i vobektë i vërtetë në Shqipëri është pronari i tokës, që është dhe shumë herë skllavi i bujkut dhe i metodave prapanike të tij. Kështu që toka nuk bën të pasur as të zotin, as atë që e punon, as shtetin.

Çështja është më tepër e komplikuar nga ç’duket, se shpronësimi lyp një tok kondita: duhen njerëz të mjaftë për të punuar dheun; duhet që çdo pronar i vogël të ketë kapital të mjaftë (farë, qe, parmendë, vegla të tjera…) dhe duhet zhdëmtuar pronari i sotëm, se begatia dhe drejtësia nuk mund të ngrihen mbi një padrejtësi dhe një shkatërrim.

Është, pra, një fjalë e kotë që të themi se do të marrim pasurinë e pronarëve. Jemi akoma larg nga grabitjet e bolshevikëve. Çështja do zgjidhur në dobi të popullit dhe me një metodë të arsyeshme, duke siguruar mirëshkuarjen dhe mirërrojtjen e popullit, fitimin e pronarit dhe të shtetit.

Këtu detyra më e madhe u bie tani pronarëve, dhe dua t’u adresohem atyre veçanërisht: Pronari i vogël ka një barrë më të vogël në dukje: ai duhet të kujdeset për të punuar mirë tokën, të marrë fitimin më të madh, të mos këmbëngulë në metodat e këqija të punës të shekujve të parë. Le të na japë një herë pronari i vogël, ai që punon tokën për llogari të tij, provën se kjo metodë është më e fitimshmja.

Pronari i madh ka detyra më të rënda dhe më të shumta. Ai vetë qahet se nuk fiton gjë prej çifligut. Po shteti dhe kjo shoqëri, që i themi Shqipëri, ka më të mëdhatë qarje kundër pronarit të madh.

Qahet: 1. – se tokën e lë djerrë, nuk e punon, shkon kot; 2. – se nuk bën asnjë forcim për të ndrequr dheun, bimët, drurët, kafshët; 3 – se nuk bën asnjë kujdes për njerëzit, që rrinë apo punojnë në tokën e tij.

Është e vërtetë se tani pronarët e mëdhenj sillen më tepër si armiqtë e gjësë që kanë sesa si miq. Nuk di në gënjehem, po më duket se gjer më sot nuk gjenden më as njëqind pronarë, që ta shikojnë çifligun, ta përdorin inteligjencën dhe aktivitetin e tyre, për të siguruar një fitim të ndershëm, për të sjellë një zbukurim e përparim për pronën dhe vendin. Të tjerët vuajnë në varfëri, shumë herë janë në ngushticë më të madhe se nga bujku i tyre. Po janë të lumtur se nuk lodhen, ushqehen si ulokë dhe të verbër!

Ajo që harrojmë më tepër, është një bashkëpunim i pronarit me njerëzinë e çifligut, me bujqit. Marrëdhëniet që mbretërojnë midis të dyja palëve janë si ato që kanë dy shtete armiq. Harron i mjeri pronar se, në do që të fitojë nga pasuria e tij, lypset më parë se çdo send, të kujdeset për kapitalin që ka; dhe kapitali më i vlefshëm për çdo punë, është njeriu që punon.

I zoti i çifligut sot flet me një përbuzje për bujkun; mbase më tepër i jep rëndësi bagëtisë se njerëzve, që i sigurojnë rrojtjen dhe mirëshkuarjen e tij. Kam takuar shumë pronarë, që s’dinë as numrin e bujqve që kanë në tokën e tyre. Mbase asnjë pronar s’është menduar gjer më sot që të kujdeset për gjendjen morale dhe fizike të bujkut, të vejë e ta shikojë si rron, a ka nevojë për gjësend, a vuan. Edhe i mjeri bujk, i çoroditur, duke mos ndier shijen e jetës, duke mos pasur ndonjë kërkesa materiale ose morale, bëhet më përtac, më prapanik edhe se nga i zoti.

Kujdesja për trupin dhe moralin e bujkut, vërejtja për shëndetin, për rrojtjen e mirë, për edukatën dhe arsimin e tij, s’është vetëm një detyrë morale dhe njerëzore, po një detyrë për interesin e pronarit vetë, por edhe një barrë e shoqërisë dhe e shtetit. Të mosmbushurit e kësaj detyre është një faj i padurueshëm.

Në qoftë se kjo detyrë kuptohet dhe përmbushet me inteligjencë, atëherë gjysma dhe më e rënda pjesë e çështjes agrare do të jetë zgjidhur, meqenëse çdo masë do të ketë për qëllim lumturinë dhe mirëshkuarjen e popullit, dhe jo sjelljen e rrëmujës ose shfryrjen e inatit.

Në Evropë, vendi ku çifligjet janë më të mëdhenj dhe ku bashkë me këtë kamja është më e madhe, fisnikëria më e respektuar, është Ingliterra. Dhe bash atje pronarët e mëdhenj, aristokratët e vërtetë dhe familjet e vjetra, kujdesen më tepër për bujqit e tyre, duke bashkëpunuar për fitimin e përbashkët.

Ky kujdes, ky interes plot inteligjencë dhe njerëzi, nuk ua pakëson aspak nderin, përkundrazi, më tepër ua shton. Ua forcon edhe lidhkat e mirënjohjes, duke i bërë bujqit të punojnë me zell më të madh.

Fisnikëria i jep barrë të rëndë njeriut. Është bukur të lindë kush prej dere fisnike, është më bukur akoma – dhe fort rëndë – që të dijë të mbajë radhën. Të mos jetë njeriu krenar vetëm me shortin e fatit. Të përpiqet të ketë edhe vetë cilësi fisnike.

***

Shumë herë takon që çështjet nuk dalin jashtë shkaqeve të vërteta. Kështu që edhe zihja “bej-harbut” mbase shfrytëzohet – në mos thënçim shpiket – prej njerëz të huaj në këtë punë, që s’kanë të bëjnë as me njërën palë, as me tjetrën, po kanë interes të helmojnë gjërat, për të bërë politikën e tyre në një atmosferë demagogjie.

Demagogjia është të gënjyerit e popullit, me shpresa dhe me premtime të rreme, me qëllim intrige për turbullime. Një shkrimtar i madh e ka quajtur demagogun armik të popullit.

Miku i popullit nuk mbjell grindje midis vëllezërve, po sjell afrim; nuk përpiqet të ulë dhe të rrëzojë të madhin, po kujdeset sesi të lartësojë dhe të forcojë të voglin; nuk djeg dhe prish, po ngre dhe forcon. Barazimi, legaliteti, s’do kërkuar në baltë, po në sferat e larta.

**

Ndoshta zihja midis klasave – dhe u përpoqa këtu të provoj se në Shqipëri një zihje e tillë është fiktive e nuk duhet të ekzistojë, – ndehet edhe midis popullit dhe zyrtarëve, midis llauzit dhe qeverisë. Do ta shohim në një kaptinë tjetër shëmtimin e një grindjeje në mes të kombit dhe të qeverisë, dhe krimi i madh bëhet duke lënë të besohet se qeveria është veçse populli…

Por është barra e zyrtarëve, edhe këtu dua të drejtohem që nga personat në shkallët më të larta të shtetit, gjer te xhandarmëria, prej ministrave, deputetëve dhe gjithë funksionarëve të mëdhenj – deri te nëpunësit e vegjël, që të çrrënjosim këtë gjykim të dëmshëm, duke i dhënë popullit provat e dukshme të vullnetit të mirë të tyre, duke tërhequr respektin dhe besimin e tij me sjelljet e tyre. Është nevojë që zyrtarët të përpiqen me një kujdes fetar për mbushjen e detyrës, të meritojnë nderimin e botës me një karakter dhe me një sjellje pa njollë, të rrëfejnë se nuk formojnë një trup që shfrytëzon gjindjen, po një shërbëtor me ndërgjegje, që njeh rëndësinë e detyrës dhe që di qysh ta kryejë atë.

[1] “Plagët tona”, Tiranë, 1924
[2] Ky titull jepej prej Turqisë, shumë herë për ata që i bënin një shërbim. Duke menduar se fjala “bej” qe bërë një monopol i elementit mysliman, qeveria shqiptare me të suprimuar titullin ‘bej”, jo vetëm dha një provë liberalizme, duke dashur të zhdukë kujtimin e një sundimi të huaj, po edhe një shenjë demokratizme, dhe më tepër akoma një koncesion për elementin e krishterë. (Shënim i M. Frashërit)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.