Kryesore

Si i furnizonte me drogë miku i Elton Çiços grupet kriminale që operonin në Katania

08:46 - 10.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Xhensila KODRA

 

Katër personat e arrestuar pak ditë më parë, të akuzuar për trafik narkotikësh, në mesin e të cilëve ndodhej edhe miku i Elton Çiços të vrarë një vit më parë, e dërgonin drogën për disa familje mafioze në zonën e Katanias. Konkretisht, kanabisi dërgohej tek vëllezërit Moraboito dhe në familjen Nizza. Drogën e shisnin të pavarur nga njëri-tjetri, edhe pse furnizuesi i tyre i ishte i njëjtit grup nga Shqipëria, ku 3 vite më parë u arrestuan 7 persona. Ndërkaq, pak ditë më parë në vendin tonë, në kuadër të operacionit të koduar “Laguna e Vilunit”, u arrestuan Altin Rramolli, banues në Tiranë; Kasëm Piluri, banues në Vlorë; Andi Mita, banues në Vlorë; si dhe Andrea (Renato) Çaushi, banues në Tepelenë, të cilët u lanë në arrest me burg. Ky i fundit, mik i Çiços. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se të gjithë personat, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal kanë pasur role të ndryshme në trafikimin e mbetur në tentativë të rreth 780 kg kanabis, e cila u zbulua në zonën e “Lagunës së Vilunit”, në datat 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 2014-të. Për shkak se sasia e drogës u gjet në këtë zonë, mori emrin edhe operacioni i koduar i policisë. Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se nga hetimet ka rezultuar se në krye të këtij grupi kriminal, si dhe personi që siguronte lëndën narkotike ka qenë Andrea Çaushi. Sasinë e drogës ai e siguronte kryesisht në zonën e Tepelenës. Ndërsa me pjesën tjetër të punës merrej shtetasi Bardhok Pllanaj, i cili vijon të jetë në kërkim. Ky i fundit është cilësuar si një nga personat më të rëndësishëm të këtij rrjeti në trafikun e drogës, pasi dyshohet se merrej me organizimin e transportit të lëndës narkotike, si dhe me personat që do e transportonin atë. Në vijim të veprimeve procedurale, në atë kohë (tetor 2014) u arrestuan dhe tashmë janë në gjykim shtetasit Mikel Hoxha, Ervis Sulo, Indrit Rraja, Leonidha Dhimojani, Mirjan Vitaj, Alfred Syli dhe Kristian Cokaj të akuzuar se kanë kryer veprën penale “Trafik lëndësh narkotike, në bashkëpunim”. Nga hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezultoi se këta persona dhe të tjerë, për të cilët në atë kohë nuk kishte të dhëna të plota kishin përgatitur trafikimin nga Shqipëria në Itali (Sicili) të lëndës narkotike të sekuestruar.

Hetimi i prokurorisë

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda ka koordinuar veprimet hetimore me autoritetet italiane. Në përgjigje të letër-porosive të dërguara nga Prokuroria shqiptare, autoritetet italiane kanë përcjellë të dhëna të rëndësishme për hetimin e këtij grupi kriminal. Nga përpunimi i të dhënave të autoriteteve italiane, Prokuroria shqiptare siguroi të dhëna të mjaftueshme, që dëshmojnë se ky grup është përgjegjës për të paktën dy ngarkesa, me rreth 3.5 tonë në total, të cilat janë sekuestruar nga autoritetet italiane në muajt mars dhe prill të vitit 2014. Në ato dy operacione të policisë italiane, sasia e lëndës narkotike është gjetur në dy peshkarexha, të cilat drejtoheshin nga shtetas italianë dhe se lëndën narkotike e kishin siguruar nga grupi shqiptar i njohur nga autoritetet si “Viluni” (në bazë të zonës ku u arrestua pjesa e parë e këtij grupi). Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon veprimet e saj procedurale të nevojshme për këtë hetim. Në periudhën gjatë të cilës janë zhvilluar hetimet, janë marrë informacione të rëndësishme në lidhje me tri grupe kriminale që operonin në territore të ndryshme të Katanias. E konkretisht, vëllezërve Moraboito, që zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën e populluar të lagjes ‘Picanello’; familjes Nizza e cila zhvillonte aktivitetin në lagjen Libriono dhe Lorenzo Saita, i quajtur “Skeleti”, duke i furnizuar këto lagje me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, nga i njëjti furnitor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.