Kryesore

Si e organizoi miku i Elton Çiços transportin e drogës, nga Tepelena në Fushë-Krujë

11:30 - 11.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Xhensila KODRA
Të tjera detaje dalin në dritë lidhur me 4 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”, në mesin e të cilëve ishte edhe miku i Elton Çiços, Andrea (Renato) Çaushi, banues në Tepelenë. Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se ky i fundit, ka rezultuar se më datë 31.08.2014, së bashku me shtetasit Mikel Hoxha e Ervis Sulo (të arrestuar në tetor 2014), me një makinë fuoristradë kanë organizuar edhe transportimin e një sasie lënde narkotike kanabis sativa nga Krahësi i Tepelenës për në Fushë-Krujë, ku është magazinuar nga shtetasi Indrit Rraja (i arrestuar në tetor 2014), bashkë me një sasi tjetër të konside-rueshme të siguruar më parë prej tij. Gjithashtu, nga hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka rezultuar se Çaushi është edhe furnizuesi me lëndë narkotike në episodin e datës 06.09.2014, ku në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, automjeti me targë AA 041 CP është ndaluar nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, te kryqëzimi i Cakranit. Ky mjet drejtohej nga shtetasi Gazmir Rraja. Pas kontrollit të mjetit, u gjetën dhe sekuestruan disa pako me forma të ndryshme të mbështjella me natriban, me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa, e cila kishte një peshë prej rreth 100 kg. Ndërkaq, në sajë të hetimeve, për hetuesit e çështjes ka rezultuar se shtetasi Ermal Mehmeti (i arrestuar në tetor 2014), për organizimin e trafikut të paligjshëm ndihmohej nga bashkëpunimi aktiv i shtetasit Kasëm Piluri. Ky i fundit, banues në Vlorë, u arrestua një javë më parë së bashku me shtetasit Altin Rramolli, banues në Tiranë, Andi Mita, banues në Vlorë, si dhe Andrea (Renato) Çaushi. Ky grup kriminal, lëndën narkotike e siguronin kryesisht në zonën e Tepelenës, e më pas e dërgonin atë në zonën e Sicilisë, në Itali. Grupi shqiptar bashkëpunonte me tre grupe kriminale që operonin në territore të ndryshme të Katanias. E konkretisht me vëllezërit Moraboito, që e zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën e populluar të lagjes “Picanello”, familjes Nizza, e cila e zhvillonte aktivitetin në lagjen “Libriono”, dhe Lorenzo Saita, i quajtur “Skeleti”, duke i furnizuar këto lagje me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, nga i njëjti furnitor. Ndërkaq, burime të besuara pranë prokurorisë sqaruan se me qëllim finalizimin e trafikut, dorëzimi i shumave të mëdha të parave për blerësit shqiptarë bëhej nëpërmjet transportimit të tyre nga shoferi i autobusit të linjës Shqipëri-Sicili, i identifikuar si Altin Ramolli. Si pjesë e këtij grupi kriminal, 7 prej të cilëve janë arrestuar në 2014-ën, janë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Mes tyre është biznesmeni nga Shkodra, shtetasi Bardhok Pllanaj. Për këtë person, policia ka kryer kontrolle të imtësishme në banesën e tij dhe të të afërmve të tij, por nuk kanë mundur ta arrestojnë.
Hetimet
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se të gjithë personat të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal, kanë pasur role të ndryshme në trafikimin e mbetur në tentativë të rreth 780 kg kanabis, e cila u zbulua në zonën e Lagunës së Vilunit, në datat 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 2014. Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda ka koordinuar veprimet hetimore me autoritetet italiane, ku ka rezultuar se ky grup është përgjegjës për të paktën dy ngarkesa, me rreth 3.5 tonë në total, të cilat janë sekuestruar nga autoritetet italiane në muajt mars dhe prill të vitit 2014. Në këto dy operacione të Policisë Italiane, sasia e lëndës narkotike është gjetur në dy peshkarexha, të cilat drejtoheshin nga shtetas italianë, dhe lëndën narkotike e kishin siguruar nga grupi shqiptar i njohur nga autoritetet si “Viluni” (në bazë të zonës ku u arrestua pjesa e parë e këtij grupi).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.