KULTURË

Instituti “Çabej” për çfarë la përgjysmë profesori

10:10 - 13.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




Organizimi i veprimtarisë “Dita Çabej”, dhënia e çmimit “Çabej”, mbledhja, arkivimi e sistemimi i dorëshkrimeve dhe materialeve të ndryshme (si psh. regjistrime zëri, video etj.) që lidhen me gjuhën shqipe e kulturën kombëtare shqiptare janë veçse tri prej zotimeve të Institutit “Çabej”, që themelohet në Tiranë.

Ai është një fondacion kushtuar punës në lëmin e gjuhës shqipe, shkencave albanistike dhe kulturës sonë kombëtare. Instituti “Çabej” themelohet duke u mbështetur në trashëgiminë intelektuale të dijetarit Eqrem Çabej. Nisma për themelimin e tij është marrë nga Brikena Çabej dhe Gjergj Shiko, në bashkëpunim me një grup specialistësh e dashamirësh të veprës së Eqrem Çabej e të studimeve albanistike.

Një njoftim dërguar mediave, sqaron se Instituti “Çabej” është institucion kulturor i pavarur jofitimprurës, organizatë e pavarur nga administrata shtetërore, nga partitë politike dhe nga institucionet a organizatat fetare, qofshin këto shqiptare ose të huaja, anipse pritet të krijojë degë në rrethe të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Synimi i tij është të bëjë të njohur, të botojë dhe të përhapë veprën dhe trashëgiminë shkencore, kulturore e didaktike të Eqrem Çabejt dhe figurave të tjera të shquara të albanistikës e të kulturës kombëtare. Shpreh dëshirën të nxisë, të mbështesë, të organizojë, të bëjë të njohur e të përhapë punën kërkimore në fushën e gjuhës shqipe e të kulturës kombëtare shqiptare, duke botuar në shqip e në gjuhë të huaja, me të gjitha mënyrat (shtypje në letër, elektronike etj.) veprat themelore të gjuhës e kulturës kombëtare shqiptare. Instituti “Çabej” kërkon të kontribuojë në bashkërendimin e veprimtarisë kërkimore, botuese, edukuese etj. në fushën e gjuhës e kulturës shqiptare në Shqipëri e jashtë saj. Njëherësh thotë se do kujdeset për bashkërendimin e edukimit në fushën e albanistikës, në të gjitha nivelet, si atë universitar e pasuniversitar, në Shqipëri e jashtë saj, edhe duke bërë të njohur, botuar dhe përhapur veprën dhe trashëgiminë e figurave të shquara të shkencave albanologjike dhe të kulturës shqiptare.

Ndër synimet më të vyera të këtij instituti, prej se është shumë me vend, e prej se ka nevojë është themelimi i një biblioteke materiale e dixhitale të trashëgimisë mbarëshqiptare e ndërkombëtare në fushën e albanistikës dhe ta vërë atë në përdorim të studiuesve dhe publikut. Duke dashur të mbështesë e të nxisë me mjete të ndryshme, përfshirë edhe ato financiare, punën kërkimore e edukative në fushën e albanistikës, “IÇ”, do nisë së pari botimin shterues të veprës së plotë (opera omnia) të dijetarit Eqrem Çabej dhe përhapjen e saj.

Bashkëpunimi, nxitja, mbështetja, financimi dhe organizimi i projekteve kërkimore, studimore etj. në fushën e albanistikës është një prej veprimtarive të ardhshme, sikundër përgatitja dhe botimi i një reviste periodike shkencore-kulturore në përputhje me standardet e njohura shkencore ndërkombëtare (peer review). Emri i revistës do të jetë “Buletin Shkencor i Institutit Çabej”. Buletini do të përgatitet me pjesëmarrjen aktive të albanologëve elitarë shqiptarë e të huaj, si dhe me botimin e punimeve të pabotuara të Eqrem Çabejt. Buletini do të jetë në gjuhën shqipe, por do të përfshijë edhe ndihmesa në gjuhë të tjera. Shpërndarja e këtij Buletini do të bëhet brenda e jashtë Shqipërisë.

 

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.