AKTUALITET

Kush e porositi vrasjen e Artan Cukut? Policia i njeh dhe i shpall në kërkim, ja ku ndodhen

14:58 - 13.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Pas arrestimit të Mikel Shallarit, personit që ekzekutoi ish-drejtorin e Policisë, Artan Cuku, janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë.

Burime nga grupi hetimor thanë dje se është saktësuar se 24-vjeçari Mikel Shallari është porositur nga persona të tjerë për kryerjen e krimit, edhe pse vetë i dyshuari refuzon të flasë.

Me përdorimin e metodave speciale të hetimit dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, janë identifikuar paraprakisht dy persona si porositës të ngjarjes. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të sekretit hetimor, por mësohet se ata ndodhen jashtë Shqipërisë.

Burime të rezervuara thanë dje se ka dyshime të forta se njëri prej të kërkuarve është një person nga Vlora, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë kriminale, të cilin vetë Artan Cuku e pati arrestuar në vitin 2012, kur drejtonte Policinë e Vlorës.

Por ky person, në rrethana ende të pasqaruara mirë, e ka rifituar lirinë, ndonëse akuzat e ngritura ndaj tij nga rihapja e një dosjeje të vjetër ishin të rënda.

Burimet thanë se, pavarësisht se hetimet janë përqendruar kryesisht në këtë drejtim, me emra konkretë personash të shpallur në kërkim, nuk përjashtohen as pistat e tjera të ngritura menjëherë pas vrasjes së Cukut.

Edhe vëllezërit Bujar e Florin Daka, që u shoqëruan pas krimit të 8 prillit si të dyshuar, vijojnë të mbahen në vëzhgim. Megjithatë, burimet thanë se pas arrestimit të Mikel Shallarit ata ende nuk janë marrë në pyetje për njohje apo bashkëpunim që mund të kenë pasur me të. I vetmi veprim konkret i kryer nga Policia ndaj tyre, është pengimi për të kaluar kufirin shtetëror deri në zbardhjen e ngjarjes. /Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.