KULTURË

Art/ Si të përballesh me të shkuarën në modelin polak

08:22 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ben Andoni

Përballja me të shkuarën mbetet një nga sfidat më të mëdha të popujve evropianë dhe sidomos ato që destini natyror-historik i ka vendosur në Lindje. Arsyeja lidhet me faktin se ndërsa pas vitit 1945, Evropa Perëndimore filloi ta gëzonte paqen, lirinë dhe filloi të merrte veten falë Planit Marshall, Polonia dhe disa vende të tjera prej Evropës Qendrore iu nënshtruan një lloj okupimi të ri, që ishte ai sovjetik, varësisë prej tij në të gjitha fushat, kurse sa i përket historisë: manipulimeve, e më keq akoma shkatërrimit të kujtimeve, që erdhën si rezultat i zhvendosjes së dhunshme të popullatave nga Lindja në Perëndim. Në shumë vende të Lindjes, librat që do t’i kujtonin këto ngjarje nuk u lejuan të ishin publikë ose u anatemuan, kurse libra të tërë propagande, në vend të tyre, mbushën plot raftet.
Polonia, në ditët e sotme, ka dhënë një nga rastet më interesante të përballjes me të shkuarën përmes artit. Dhe, mënyra sesi në art pasqyrohen kujtimet, në jo pak raste fillojnë me vendin ku ndodhi dikur ngjarja apo momenti që ngjall kujtesën për artistin. Poeti polak Tadeusz Gajcy, nga të parët, do të nënvizonte në veprën e tij se Polonia ka vende të panumërta kujtese, që lidhen me data të dëmeve që i janë bërë popullit polak, vende ku janë përjetuar trauma kombëtare, pa harruar edhe vendet e fitoreve të lavdishme. Dhe, polakët, ashtu si nuk mund t’i harrojnë kurrsesi betejat e humbura, ekzekutimet e kalimtarëve të rastit në rrugët e Varshavës nga nazistët, përpjekjet e udhëheqësve të kryengritjeve polake kundër rusëve, historitë e jashtëzakonshme të mbrojtjes së qyteteve, vendet e torturës, vendet e vuajtjes e shumë gjëra me radhë, i kushtojnë kujdes dhe triumfeve të tyre historikë. Këto të fundit, të gjitha, janë të ngulitura në kujtesën kolektive madje arkivuar falë librave të mirë.


Instituti i Kujtimeve
Instituti kombëtar i Kujtimeve ose më gjatë Komisioni për Ndjekjen e Krimeve kundër Kombit Polak (Polonisht: Instytut Pamiêci Narodowej – Komisja Œcigania Zbrodni przeciwko Narodowi Polskiemu; IPN) është institucioni që ka marrë përsipër përcjelljen e historisë ndryshe të Polonisë, por edhe institucioni që ka ndihur të shikohet ndryshe ajo. Ky institut kërkimor, që është ngushtësisht i lidhur me qeverinë polake, mbart në ditët tona edhe prerogativa lustracioni, por ka edhe kompetencat e prokurorisë. Legjislacioni për ndërtimin e këtij institucioni të kujtesës, ashtu si merret me mënd, ka qenë i miratuar nga parlamenti, kurse vetë Instituti mbetet i fokusuar në shqyrtimin ligjor dhe historik të historisë së shekullit të 20-të të Polonisë. Për ata që se dinë IPN jo thjesht heton krimet naziste dhe komuniste të kryera në Poloni midis viteve 1939 dhe ngjarjeve deri në vitin 1989, por përpiqet që edhe të dokumentojë gjetjet e saj dhe t’i bëjë të aksesueshme rezultatet e hetimeve për publikun në forma të ndryshme.
Historia e Institutit fillon që nga miratimi i tij nga Parlamenti Polak më 18 dhjetor 1998. Ai e filloi punën më 1 korrik 2000. Kurse gjatë pesëmbëdhjetë viteve të para, pas fillimit të tij, IPN arriti të grumbullojë mbi 90 kilometra arkiva, publikoi plot 1.794 raste të hetimeve, organizoi ngado 453 ekspozita, zhvilloi 817 konferenca dhe ka promovuar 30 portale për internet. Gjatë kohës së ekzistencës, Instituti zhvilloi intervista me mbi 103.000 dëshmitarë dhe mori në pyetje 508 persona të akuzuar për vepra penale, duke i çuar në 137 gjykime nga gjykatat e drejtësisë.
Ndërkohë që konform një ligji të ri, i cili hyri në fuqi më 15 mars 2007, IPN do të kishte mandat edhe për të kryer procedurat e lustrimit të përshkruara nga ligji polak. Gjithsesi, disa nga nenet kyçe të këtij ligji janë vlerësuar si jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Polonisë më 11 maj 2007, kështu që roli i IPN-së në procesin e lustrimit është ende i paqartë. Ky është një nga elementët që e bën si shumë të ngjashme punën e Autoritetit shqiptar sa i përket qasjes me të shkuarën.
IPN është një anëtar themelues i Platformës së Organizimit të Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane, pjesë e të cilës është edhe Autoriteti Shqiptar i Hapjes së Dosjeve, që sapo ka nisur rrugëtimin e tij.
Në ditët që po flasim Instituti kishte kaluar në strukturat e saj rreth 527 raste, që lidheshin me Luftën e Dytë Botërore,  duke i përgatitur çështjet e tyre për gjyq, nga të cilët 35 raste ishin gjykuar më vonë si të pafajshëm. Ka të ekstraduar rreth 44 njerëz dhe puna vazhdon

Rikthim te kujtesa përmes artit
Puna më kryesore, që është bërë nga autoritetet polake, lidhet me zbulimin e vendndodhjes së ngjarjeve, të cilat kanë përcjellë jo vetëm traumat por edhe lavditë e kombit polak. Në këto vende, fillimisht kujtesën e bënë qytetarët në mënyrë individuale porse një rol të madh luajtën teatrot e vendit, që me audiencat e tyre dhe një numër aktorësh patriotikë sollën shikimin e shumë ngjarjeve ndryshe, në atë që do konsideroheshin si risi. Krijimet satirike që bënë artistë si Mrozhek, u panë si metafora të situatave të kaluara por edhe të tashme. “Epoka e Etërve” e Adam Mickiewicz, e interpretuar në teatrot në Varshavë dhe Krakov, u bë një rast për artikulimin simbolik të superioritetit moral mbi rusët, të perceptuar si armiq të Polonisë në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe gjithashtu në të njëzetën. “Ëndrra e Argjendtë e Salomea” e Juliusz Slowacki, në mënyrë të mrekullueshme arriti që me performancën e saj në Teatrin Wielki në Varshavë në vitet 1980, të kthehej në një rast për një rrëfim melankolik të gabimeve të kaluara të politikës ndaj Ukrainës. Të dy dramat bashkëkohore dhe historike u interpretuan dhe më vonë u konsideruan si simbolikë e përpjekjes së punëtorëve që ranë gjatë protestave periodike në fabrikat në vend gjatë viteve 1956, 1970, 1976 dhe 1980. Shfaqjet u interpretuan edhe si një përgjigje për vrasjet e pazgjidhura të priftërinjve katolikë, burgosjen e kardinali Stefan Wyszynski, si dhe ekzekutimin në burg të disa mijëra patriotë polakë në vitet 1940 dhe fillimin e viteve 1950.
Në fakt, përpjekja nuk mbaron këtu, pasi arti polak mendoi që të shkoj përtej. Harta polake e memories gjithashtu u provua dhe u konfirmua nga filmat e shumtë të atyre veprave të letërsisë polake që kontribuuan në mitin bazik të qenësisë së Polonisë si një komb. Gjatë dekadave të fundit, shkrimtarët polakë treguan në mënyrë të saktë tragjeditë politike të vendit duke shkruar romane, poema dhe në gjini të tjera. Ato u transformuan pastaj në filma. Një transformim i tillë i suksesshëm ishte “Pan Tadeusz” nga Andrzej Wajda i cili thyen të gjitha të dhënat e audiencës që natën e parë në Poloni. Ka pasur filma mbi veprat e Henryk Sienkiewicz “Triologjia” dhe “Quo Vadis”. Kurse “Toka e Premtuar” nga Wajda (mbështetur mbi romanin nga fituesi i Nobel Wladyslaw Reymont) portretizoi vuajtjet e industrializimit, ndërkohë që “Njeriu i hekurit” ngriti shumë ngjarjet e kohës, që lidheshin me Solidarnost.

Nuk mbaron këtu. Pjesa e popullsisë që nuk frekuenton artin do të shfrytëzojë traditën duke nderuar të rënët në varrezat polake në Ditën e Gjithë Shpirtrave, që festohen në vend më 2 nëntor të çdo viti. Si vendi ku kryesisht kryhen ceremoni fetare, varrezat do ishin përtej objektit të përgjimit të autoriteteve të qeverisë komuniste dhe mund të përdoreshin si vend grumbullues për ata që dëshironin të përkujtonin një ngjarje. Dhe “Dita e Shpirtrave” bën atë që se bën arti, ajo kthehet në një festë unike që kombinon nderimin për të afërmit, si dhe heronjtë e kombit. Në varrezën Powazki në Varshavë varret dhe monumentet përkujtimore të kryengritjeve të 1831, 1863 dhe 1944 marrin shumë vëmendje në “Ditën e Shpirtrave”.

Monumentet
Ngritja e monumenteve, ashtu si edhe në Shqipëri  ka qenë një mjet qendror për mënyrën polake të kujtesës. Monumentet e dedikuara heronjve të Luftës së Dytë Botërore në veçanti janë pjesë e peizazhit përkujtimor polak. Komunistët i lejuan këto monumente të ngriheshin për shkak të përkujtimit të luftës kundër nazistëve; kurse krimet sovjetike në Poloni mbetën subjekt tabu deri në vitin 1989. Pas rënies së komunizmit, krimet sovjetike filluan të përkujtohen, në një sens krejt tjetër. Shumica e këtyre monumenteve nderojnë njerëzit që kanë vdekur në ato vende, por disa prej tyre janë vendosur në vende alternative. Midis këtyre të fundit, më e shquara është seria e monumenteve të dedikuara për viktimat e Katyn-it. Jo vetëm polakët në Poloni, por edhe diaspora polake mbeten shumë të ndjeshme për këtë çështje. Si rezultat i kësaj përpjekje, sot qytete të ndryshme si Toronto, Kanada dhe Johanesburg, Afrika e Jugut, kanë sot monumentet kushtuar Katyn. Asgjë nuk e mobilizon diasporën polake sesa kur flitet për faktin që po ndërtohet një monument kushtuar Katyn. Rasti në fjalë dhe propaganda për të tregon se trauma Katyn është e zhytur thellë në kujtesën kolektive. Nga të gjitha vrasjet e polakëve prej sovjetikëve kjo është kujtuar edhe më së miri. Deri kohët e fundit ishte e vështirë të zbardhej, pasi qeveria ruse ka ngurruar të pranojë fajin, e lëre të bëjë ndryshime simbolike. Rusët më në fund kanë pranuar bashkëpunimin e tyre në vrasje, por asnjë ndjekje simbolike nuk është realizuar. Gjatë vizitës së Presidentit Putin në Poloni në janar të vitit 2002, ai e hodhi poshtë çështjen e apologjisë. Kurse, pak para kësaj vizite, Gennadi Ziuganov deklaroi se asnjëherë nuk duhet të jepet asnjë ndjesë për Katyn, sepse nuk duhet harruar që sovjetikët humbën gjysmën e milion njerëz duke “çliruar” Poloninë.
Ndërkohë që edhe ngjarjet e dekadave të fundit të shekullit XX kanë sjellë gjithashtu një numër monumentesh. Një i tillë i kushtohet demonstrimit të punëtorëve që u zhvillua në Gdansk në vitin 1970, gjatë së cilës policia vrau një numër pjesëmarrësish. Në përgjigje, menjëherë pasi u legalizua Bashkimi i Punës së Solidaritetit, u ngrit një monument për punëtorët e vrarë në dhjetor 1980. Mu në hyrje, në kantierin e ndërtimit të Gdanskit punëtorët ndërtuan tre kryqe të montuara në trarëve prej çeliku shumë të gjatë. Mbishkrimi poshtë thotë: «Zoti i jep forcën popullit të tij, / Zoti i jep bekimin e paqes popullit të tij» (Psalmi 29).

Nga dhjetë vendet e pranuara në Bashkimin Evropian më 1 maj 2004, Polonia do ishte vendi më i madh i pranuar. Ndërkohë që polakët iu la të mendojnë se Evropa i mirëpriti, prania e tyre duket si e pasigurtë dhe kjo duket nga fërkimet e shpeshta të Unionit me vendin. Gjithsesi, duke u kthyer te kujtesa, ndërsa Fukujama do të shpallte gabimisht fundin e historisë, disa mendimtarë vunë në dukje se njerëzimi mund të ishte shumë më mirë nëse historia do të harrohej plotësisht, nëse të gjithë do përbënim një popull pa kujtesë. Të gjitha këto mbeten natyrisht, utopike. Liria për të kujtuar dhe ruajtur kujtimin e së kaluarës është një kusht i nevojshëm për një shoqëri të civilizuar që të ekzistojë.

Sot, Polonia përballet jo thjesht me kujtesën por edhe problematikën e institucionit që merret me të. Jo më kot, zgjedhja e presidentit të ri të IPN në dhjetor 2005 mbeti e diskutueshme. Janusz Kurtyka, presidenti i IPN, u kontestua nga Andrzej PrzewoŸnik. Vetë kandidatura e PrzewoŸnik do të pengohej pas gjetjes së dokumenteve që hidhnin dyshime për bashkëpunimin e tij të mundshëm me S³u¿ba Bezpieczeñstwa, agjencinë e brendshme të inteligjencës dhe policinë sekrete të Polonisë. PrzewoŸnik do të pastrohej nga akuzat vetëm pasi kishte humbur zgjedhjet. Fatkeqësisht qoftë PrzewoŸnik dhe Kurtyka të dy do të vdesin në rrëzimin e Tu-154 të Forcave Ajrore të Polonisë 2010 bashkë me presidentin polak dhe shumë personalitete të tjerë. Veprimet e IPN-së gjithashtu kanë tërhequr mbështetje, por edhe kundërshti. Në vitin 2006 u bë një përpjekje kombëtare për katarsis, kur intelektualët vendas botuan një letër e hapur, duke deklaruar se: “Historia e kundërshtimit të totalitarizmit i takon miliona polakëve dhe jo një grupi social apo politik që uzurpon të drejtën për të mbrojtur gjoja të drejtat e njeriut. Të vendoset se cilat pjesë të historisë kombëtare duhet të diskutohen dhe të harrohen”. Asokohe letra mbante firmat e personaliteteve më të njohura në vend.
Sot, Polonia, është një nga vendet që përballet hapur me të shkuarën e vet dhe vendos të ndahet nga ajo pjesë e dhimbshme që e ka helmuar për dekada të tërë, mendjen dhe shpirtin e popullit. Arti ka shërbyer që ky shërim fillimisht të vijë përmes përgatitjes së saj.
Fillim-Verë 2017, Warshaw


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.