MILOSAO

Tregim/ Të fala Sinanit

08:26 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Petraq PECANI




Pavarsisht se godita gishtin e vogël të këmbës së djathtë, rrëmbeva receptorin dhe mezi arrita të nxirrja zërin tim paqësor:
–  Urdhëroni, zotëri..!!!
– Jam gruaja e Sinanit – ishte përgjigjja matanë. -A mund të ma sjellësh porosinë e Sinanit Te Ura e Milotit..! Se deri aty zbres vetë me furgon…- vazhdonte e sigurt ajo femër që me siguri nuk dinte se me kë fliste.
– Më falni, zonjë ..!- i thashe duke mos kuptuar asgjë nga ato që dëgjova e duke shtrënguar me dorë gishtin e vogël të këmbës që kish filluar të më digjte ja ktheva. – Keni ngatërruar numrin, zonjë.! – dhe përplasa receptorin disi i nervozuar për t’i dhënë fund asaj katraure.
Por, pas pak, zilja cërriti përsëri.
– Jo, mor burrë.. – ngulmoi ajo, – A nuk je ti filani..!? – Me befasoi duke cituar emrin tim, – porosinë e Sinanit e keni pru dje me shoferin,. prej…

Ah, shoferi !.. Me siguri, e gjithë, kjo anomali, ishte bëma e tije. Ashtu turbullt m’u kujtua, që, sëbashku me ngarkesën time, mbrëmjen e shkuar pat lënë edhe dy  pako për të tjerët, por unë s’e prisja që, pa zbardhur dita, të më zgjonin e të filloja me shpërndarje pakosh.

– Po.. po, është një porosi, dhe.. duhet të jetë e Sinanit.- i thashë pa e ditur nëse kisha thënë të vërtetën.
– E Sinanit është, mor burrë, po a mundet me ma sjellë Te Ura e Milotit.?
– Do mundohem, zonjë – i thashë i çoroditur gjersa të mblidhja veten dhe, ndofta, shpëtoja nga gracka tek kisha rënë.
– Të falenderoj nga zemra… – ishin fjalët e fundit që më kapi veshi, para se të mbyllja telefonin.
Në çast,  ndeza dritat dhe celularin për t’i telefonuar shoferit, por, kur ndjeva se  telefoni i tij nuk kishte sinjal, e hodha mbi shtrat dhe po vishesha.


Si u qetësova disi, në mendje më mbeti imazhi i bëshëm i shoferit,.. shoferit që më shërben për transportet e mallrave. Nga ai e pata atë mëngjes të hidhur. Po gjithsesi…mos e paragjykoni shoferin tim. Ai nuk është aventurier… Ai kryen transporte nga shteti fqinj, po vuan nga dëshira e mirë për t’i kënaqur të gjithë,
dhe kjo e bën të befet, gjithmonë i shqetësuar,.. por… edhe si tejet i ngatërruar!
Në kroskotin e kabinës së tij gjen përherë të ngjitura copa letre, me shënime adresa, e numra telefoni. Me porositë që sjell e me porosi që con. Në disa prej tyre shkruhet sipër, urgjente. Aty mpleksen porosi të vjetra e porosi të  reja, porosi që janë kryer apo që presin të kryhen. Ato më të vjetrat kuptohen lehtë : se letrat e tyre kanë më shumë njolla grasoje apo vaji nga i makinës.  Te  rejat janë taze.
Ndërsa, porositë më të veçanta e më të rëndësishme, ai i ngjit te pasqyra e mesit të kabines dhe i kujton sa herë bën injetro apo eshte i detyruar të shohe pas, pavarsisht se e pengojnë “pak” gjatë manovrimit.
Pra, kabina është si memoria e tij, funksionon si hark disk për lëvizjet që kryen. Ai gjithmonë është në lëvizje, gjithmonë duke kërkuar adresa apo persona të njohur e të panjohur. Mund të të thoje që, për pak, po mbërrij dhe ti mund të presësh tërë ankth: orë të tëra, mbase dhe ditë të gjata pa mbarim. Dhe të qëllojë që edhe të mos të vijë fare.
Sakaq ka raste qe ti s’e pret dhe ai të shfaqet në derë për të shkarkuar. Ndodh, që nga nxitimi, ngarkesën time ta lërë diku tjetër e porosinë e të tjerëve ta lërë tek unë e të zhduket si fantazëm. E keqja është se për këtë nuk njofton në çastin e duhur.
Kohë më vonë, pas shumë përpëlitjesh nëpër telefona, sigurisht qe gjithesejcili do ta gjeje të vërtetën.

Provova ta marr sërish ne telefon dhe mësova se porsa pat kaluar kufirin për në shtetin fqinj ku ai prej vitesh edhe banonte së bashku me familjen.
Mësova, gjithashtu, se shqetësimi i atij mëngjesi ishte për një sobë ngohjeje e përdorur që Sinani e dërgonte për familjen e vet këtu në vendlindje.
Që dy fëmijët e vegjël të Sinanit prisnin të ngroheshin nga ajo sobë…Ndaj, pra, shoferi më nisi me mesazh edhe numrin e celularit të gruas së tij. Të Sinanit pra. Unë i premtova se do ta zgjidhja atë problem. Dhe, me të vërtetë, duke qenë motiv njerëzor dhe, sigurisht prekës, do të ndihmoja për ta zgjidhur.
Po mendoja të merrja makinën e të shkoja në magazinë, të ngakoja sobën e Sinanit, e të nisesha drejt një ure…ura ..; Ura e Milotit ! Më erdhi në mendje. Në cast, u stepa. Truri im tashmë ishte i vetëdijshëm dhe perceptonte me saktësi objekte e distanca reale.
Ura e Milotit…shumë larg!..Dhe,..Dhe e pamundur.!! Në axhendën e ngjeshur të ditës sime nuk gjeja hapësirë për atë udhëtim.
Për këtë i kërkova ndjesë,..dhe ajo e  kuptoi situatën time, ndaj takimi u la pas tri orësh Te Rrethrrotullimi i Zogut të Zi ku, në përgjithësi, sic më tha, ndalojnë furgonat që vinin nga zona e saj.
Si formova numrin e celularit, po hetoja personazhet e mundshëm për të qëlluar tek ajo që kërkoja. Arrita të pikasja një grua të bëshme me veshje të asaj zone, e cila ngriti aparatin e vogël të telefonit. Me c’nuhata ajo u shkëput, nga dy fëmijë, e po hetonte rreth e rrotull për t’më gjetur.
–  Më falni ,zonjë,.. ju jeni gruaja e Sinanit !?
–  Po, mor burrë, une jam..- Ajo më zgjati dorën gjithë respekt dhe, pa mbaruar               mirë fjalën iu drejtua fëmijëve që vazhdonin të më shihnin me admirim.
–  Takojeni shokun e babit … – u tha duke i kapur nga supet, dhe të dy i solli drejt meje.
Në çast, desha t’i kundërshtoja, t’i sqaroja se nuk e njihja Sinanin, se ishte shoferi ai që… po, kur pashë shprehjen e fytyrës së atyre vogëlushëve, ngurrova dhe ndryshova mendje: Nuk doja t’i zhgënjeja e t’u hiqja nga sytë atë shkëlqim mirënjohës.
– Më ka thanë Sinani në telefon që sobën do ta sjellë një njeri shumë i mirë, dhe tash po të shoh vetë se ç’njeri qenke.
Unë miratoja me zell, po njëkohësisht ndihesha në siklet: më vriste ndërgjegjia për atë që po ndodhte.
Zilja e telefonit më shkëputi nga ajo gjendje dhe më kujtoi punët e shumta që më prisnin.
Gruaja u foli fëmijëve për t’u  përshëndetur dhe m’u drejtua :
–  Nuk po të vonoj, po dy gjëra kam për t’i thanë: E para: rrofsh që ma zgjidhe
këtë hall e Zoti ta shpërbleftë ! E dyta: i thuaj Sinanit që fëmijët i ka si kokrra e mollës, prandaj t’i solla të dy që t’i thuash se i pe me sytë e tu.
Unë miratoja në heshtje me gjithë se mendjen e kisha të turbullt.
Nëna e vocërrakeve vazhdoi:
E treta: i thuaj Sinanit t’i mbarojë ato të shkreta letra e të vijë se i ka marrë malli fëmijët, po edhe fisi pyet për ditë,.. E fundit; kur të ikësh prapë, du me t’dhan një gja t’vogël që ma ka kërku Sinani; nga java tjetër po ta nis me kunatin, se ai vjen shpesh në Tiranë..
I skuqur në fytyrë, mbeta me gojën kyçur.
Unë pata kohë që nuk shkoja  në shtetin fqinj! Nuk ishte problemi i porosisë së saj, se atë mund ta nisja me shoferin në rrugën e ardhshme, por si do të shkonte puna e këtij roli që luaja padashje!
–    Kur ke me u  nis..? – pyeti sërish ajo.
–    Shumë shpejt…- i thashë për ta mbyllur takimin.
Tashmë nuk ia vlente t’i thosha të vërtetën. Le që do të dukesha  qesharak  para saj dhe fëmijeve. Dhe, që atë cast, mendova për shoferin… jo vetëm për porosinë, po, më tepër, për të marr informacion për Sinanin, përshkrimin e tij fizik, gjithashtu edhe hollësi të tjera rreth statusit të tij.
Kjo do të ma qetësonte disi ndërgjegjen.

Kunati i Sinanit: një burrë thatim dhe energjik, ishte i mirëinformuar rreth personit tim. Që në takimin e parë, ai m’u hodh në krah duke më përqafuar si të njiheshim prej vitesh. Njërën dorë ma mbajti në sup gjatë bisedës, e, me tjetrën nuk lëshonte dorën time. Pasi më pyeti, se pari, për familjen më bombardoi me pyetje për Sinanin aq sa po më hutonte edhe më.
–  Më ka marrë malli shumë për Sinanin; shkonim shumë me njeri tjetrin,.. po më thuaj…më thuaj dicka për shejtanin, ato balluket i ka akoma apo i ka prerë ?
–  I ka prerë pak.. – i thashë duke qeshur, paksa i përmbajtur duke mos ditur asgjë për pamjen e tij.
Po të mos i ketë prerë !… më thosh një zë i brendshëm. Nuk do të harroja që t’i kërkoja  shoferit të më sillte një foto të Sinanit në rastin më të parë.
–   Edhe që është shëndoshur e kam marrë vesh….- vazhdoi ai.
–  Po, ka marrë ca kile.. – pasova unë.
–  Eh… mor mik, e di që s’i thua të gjitha…po e kam marrë vesh që si derr është bërë. Po të punosh në furrë buke, e ç’farë do bësh tjeter!.. Po mirë që filloi punë aty se ngeli roje ..si buf  nate, ..vetëm natën  nuk punohet gjithë jetën, or mik.!
Pronari e di që e ka për zemër, po, siç kam dëgjuar, edhe shefi i policisë së zonës paska respekt e do t’i bëjnë letrat…për hajër qoftë !..po hajt, or mik, pimë një kafe!
Ai më lëshoi dorën dhe më tregoi derën e një lokali.
Për t’u shmangur, i tregova makinën që kisha lënë me fleshët ndezur , për më tepër doja t’i shmangesha pyetjeve të tija të shumta. Eh Sinan ,.. Sinan, në ç’bela  më ke futur ,.. mendoja me vehte.
Nuk duhet të piqesha me askënd,  pa takuar më parë me shoferin nga i cili me siguri do të kisha informacion të bollshëm për t’u përballur me situata të tilla.

Duke çuar cantën te makina, më pyeti se kur mund t’i dilnin letrat Sinanit, sa      e paguante pronari në muaj, sa paketa cigare pinte në ditë, e për kë ngrinte dolli kur uleshin në klubin e atij fshatit. Para se të mbyllja portbagazhin, më spjegoi se çfarë kishte brenda çanta duke e hapur e përcaktuar një e nga një.
–  Këto dy kile duhan i ka për pronarin, po është duhan ama! ndërsa kjo shishja
me raki është për shefin e madh,… atë të letrave !.
Më sqaroi se fasulet ishin të reja e zienin shpejt, e për gjizën, kur ta provonin të lokali i fshatit, le t’i jepnin përshtypjet në telefon.
Mbylli bisedën me dy këshilla specifike për Sinanin : Të linte duhanin, e të hiqte ca kile.
Gjithashtu, më tha se isha i ftuar  në festën që do të organizonin ditën që do të kthehej Sinani në fshat.

Për çudi, shoferin munda ta kap në telefon. Kishte për të shkarkuar pranë Kryqëzimit  të Doganës e do të qëndronte mbi gjysmë ore aty. Më premtoi të pinim një kafe bashkë.
Mora makinën e nxitova, se mos më ikte. U ula  në lokalin ku lamë takimin dhe prisja me padurim që të vinte.
E pikasa nga larg tek ecte me duar në xhepa e duke u lëkundur herë majtas e herë djathtas.
Pa u ulur mirë, e pyeta:
–    I ka prerë balluket Sinani !??
–    Nuk e di, se mos e kam parë ndonjëherë..- mu përgjigj dhe iu drejtua kamarjerit për t’i dhënë porosinë.
Kjo më befasoi: mendova se bënte shaka, sepse diçka e këtillë nuk ishte në natyrën e tij.
–    Të lutem, e kam seriozisht.!
–   Të vërtetën po të them, nuk e kam takuar asnjëherë në jetën time.- vazhdoi              ai qetësisht.
–    Po sobën ku e more..?!!
–    Ma solli komshiu im atje që ja kishte dhënë pronari i Sinanit , per gruan e Sinanit !.
–    S’po të kuptoj ! – e ndërpreva duke e parë në sy.
–    Po më dëgjo njëherë, mor burrë, që ta kuptosh !…Atje ku banoj unë kam një
komshi pensionist. Jeton i vetëm, po është zotëri burrë. Ai, çdo të shtunë shkon në fshatin e lindjes e kthehet të hënën. Ështe disa orë larg ai fshat, por ia vlen që të shkosh. Unë vetë nuk kam shkuar, por ç’ndodh ne atë fshat i di të gjitha se m’i thotë gjitoni që sapokthehet. Ai vend shquhet për një verë të rrallë që prodhon. Atje ai ka prona, ullinj e vreshta e një shtëpi rrethuar me limona. Shtëpine e prindërve qe nuk i rrojnë. Por ka edhe një mik të ngushtë, mik të fëmijërisë. Ai,. është pronari i Sinanit. Miku i tij, veç vreshtave, ka një furrë buke në qendër, ngjitur me lokalin kryesor të fshatit.  Kur takohen, komshiu im i flet për mua mikut të vet, e miku i tij i flet për Sinanin.  E kur ndahen, komshiu vjen e më tregon për Sinanin e miku shkon e i tregon Sinanit për mua. Kështu unë di shumë për të e ai për mua, po s’jemi takuar kurrë.! – beri nje pauz per te rrufitur kafene e vazhdoi:
Burrat e moshuar në atë fshat ulen në lokal me një gotë uzo,  dy cironka e tri kokrra ullinj në pjatë, me orë të tëra qajnë hallet e  gjithë botës. Në darkë, burrat ja thonë grave e gratë diskutojnë me njëra tjetrën. E fshati zien si koshere.  Mund të fillojnë me historinë e Levinskit e përfundojnë  te byreku me kungull i gruas se Goles. E nisin me Cernobilin dhe e mbyllin me Fukushimën. Po të gatuaj diçka te vecante një nikoqire në fshat, do ta dinë të gjithë në kafene… Të mos harrojmë porosinë, or aman,. Dhe hajde dëgjo komshinë pastaj,.. atje presin të provojnë gjizën që ka bërë gruaja e Sinanit.
E mbylli ai historinë e vet. Histori që më bëri të heshtë e të mos bëj më asnjë pyetje tjetër.

Dikush që erdhi nga jashtë lokalit e njoftoi se shkarkimi kish mbaruar dhe unë
e shoqërova shoferin me makinën time.
Kamioni i tij qëndronte në një fushë me gropa pranë një ndërtese të vjetër. Fusha lidhej me një rrugë të paasfaltuar e cila përfundonte në rrugën kryesore e, më pas ,në autostradë.
Ai u ngjit me ngadalë në shkallët e kabinës, duke u kapur në dorezën metalike.
Unë i zgjata çantën për Sinanin, të cilën e futi, me vështirësi, në derën e kabinës në të cilën të shumtën e hapësirës e kishte bllokuar me trupin e vet. Më pas, u ul në  sedile duke peshuar rëndë, dhe i rehatuar , nxori nga kroskoti një palë syze të mëdha të harkuara me xhamat me refleks . I kapi me dy duar nga bishtat dhe me një lëvizje delikate po i kalonte mbi veshë, e, me siguri ato do t’i mbulonin një pjesë  të konsiderueshme të fytyrës.
–    Kam edhe një porosi, – i thashë, kur pash që erdhi çasti i nisjes.
Ai tërhoqi sërish syzet me ngadalë, po me të dyja duart dhe i vendosi në pjesën para timonit. Dhe u kthye nga unë.
–    Më thuaj….
–    Dua t’i bësh të fala…Të fala Sinanit..!
–    Pa diskutim…- ma ktheu, duke u zgjatur për të marrë bllokun e letrave.
Shkëputi njërën nga fletët dhe e ngjiti me kujdes në një nga vendet bosh që kish mbetur mbi kroskot. Sipër shkroi Të FALA SINANIT, dhe më poshtë emrin tim dhe numrin tim të telefonit. Pasi la stilolapsin, në një mbajtëse të posaçme, u kthye nga unë;
–    Nesër mbrëma kam mbërritur e në darkë takoj komshinë, pas tre ditësh, të shtunën që vjen, ai niset…të dielën atje, te Klubi i Fshatit  porosia është e mbaruar.

Vendosi sërish syzet, i dha gaz makinës, e duke lëshuar freksionin me ngadalë, kamioni u nis duke u lëkundur bashkë me të.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.