KULTURË

Mbijetesa, një artist para termit dhe debatit

08:02 - 21.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tema globale e muajit qershor për “Creative Mornings” është “Mbijetesa”. Takimi mbahet të premten, datë 23 qershor, në orën ora 9:30, te Qendra Multifunksionale TEN, rruga “Myslym Shyri”.
Rreth kësaj teme do të flasë Oltsen Gripshi, artist, historian arti dhe eseist. “Mbijetesa, si perceptim real i realitetit, si ndjesi mendore psiko-dinamike, si dyshim brenda vetes, si e vërteta dhe e pavërteta e së tashmes, si një luftë e ashpër mes vetëdijes dhe pavetëdijes, si lënda përbërëse e materies gjithëformuese apo si diçka materiale ekonomike, si nocion fizik apo metafizik?! Ky është përcaktimi im për mbijetesën. Një përcaktim, i cili më shpien drejt një perceptimi në formë hierarkie të qenies, si evoluim i fuqisë së veprimit nga ku njeriu arrin të mbijetojë përballë gjithçkaje”, – thotë Gripshi.
Ai shton se mbijetesa në nivel lokal-kombëtar në shoqërinë tonë ka kaluar nga një fenomen në vitet e sistemit totalitar në një antropologji pas viteve ’90. “Mbijetesa si fizionomia e së përditshmes tonë, e cila është e pranishme në cilindo dhe kudo. Mbijetesa si qasje ekonomike, sociale, politike, identitare, historike, gjuhësore dhe kulturore është ajo bërthamë, e cila vendos në lëvizje një makineri të madhe, atë të forcës njerëzore jo vetëm në nivel lokal-kombëtar (pikërisht për t’i bërë ballë vetë mbijetesës) në realitetin shqiptar, por edhe në politikat ekonomike dhe social-kulturore globale të një shoqërie kapitaliste”, shkruan historiani i artit. Si individ, por edhe si artist në artin e tij thotë se nuk mund t’i shmanget dot “Mbijetesës”. Një e vërtetë sa e prekshme në realitetin ku jetojmë, aq edhe e largët subjektive në mënyrën e të perceptuarit. “Mbijetesa si temë ka një rol formues në veprat e mia, e cila konkretizohet nëpërmjet përdorimit të mediumeve të ndryshme. Në artin tim gjithmonë kam shtruar pyetje se: A ka artisti ende një rol në shoqërinë bashkëkohore dhe se si ai mund të ndikojë me artin e tij në trajtimin e çështjeve të ndryshme? A është ende e mundur mbijetesa e artistit si krijues i një të vërtete paralele në shoqërinë e sotme kapitaliste?”, pyet Gripshi.





JETËSHKRIM
Pasi studioi në liceun artistik “Jan Kukuzeli” të Durrësit, ai vazhdoi studimet e larta për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura G. B. Cignaroli të Veronës, ku dhe diplomohet shkëlqyer në vitin 2006.
Në vitin 2009 mbrojti shkëlqyeshëm titullin Master Profesional Post Lauream në “Ilustrim, estetikë dhe kritikë arti për pedagogji në leximin e ikonave”, pranë Fakultetit të Shkencave të Formimit në Universitetin shtetëror të Padovës, Itali. Në vitin 2012 përfundon me rezultate të shkëlqyera shkollën e specializimit të nivelit të dytë (Laurea Doctus) në “Artet e bukura dhe disiplinat e spektaklit”, pranë Akademisë së Arteve të Bukura G. B. Cignaroli të Veronës, Itali. Nga viti 2013 ndjek studimet për mbrojtjen e gradës akademike Doktor i Shkencave (Filosofae Doctor) në “Historinë e artit shqiptar”, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve për Artin në Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA) Tiranë.
2009-2010 ka punuar në Bibliotekën Shtetërore të Veronës, në arkivën dhe restaurimin e librit antik, si dhe katalogimin e fondit letrar të “Giuseppe Tucato”. Tanimë jep mësim në lëndët e Historisë së Artit dhe Estetikës, si dhe njëkohësisht është titullar i Departamentit të Arteve pranë American College “Woodrow Wilson” Tiranë. Qasja filozofike e artit të tij është ajo e gjuhës surrealo-konceptuale, duke e aplikuar atë nëpërmjet mediumeve të ndryshme si: pikturë në kanavacë, video-art dhe instalacione. Karriera e Oltsenit nis me hyrjen e emrit të tij në vitin 2010 në Enciklopedinë e Artit Italian, e cila pasurohet më pas me pjesëmarrje nëpër ekspozita, bienale, konkurse dhe evente të ndryshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.