DOSSIER

Raporti i Komitetit Qendror: Xhevahir Spahiu ka vjersha armiqësore te libri “Zgjimi i thellësive…”

10:00 - 21.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Dashnor KALOÇI

 

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar u njohëm me një pjesë të raportit të Komitetit Qendror të PPSH-me temë: “Disa probleme të pastërtisë së përmbajtjes së krijimtarisë letrare artistike”, të mbajtur në mbledhjen e zgjeruar të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila drejtohej nga Ramiz Alia, ku merrnin pjesë dhe Manush Myftiu, Xhelil Gjoni, Tefta Cami, Anastas Kondo, Dritëro Agolli, Marash Hajati, etj. Siç u njohëm në pjesën e parë të këtij raporti, aty u mor në analizë puna dhe veprat e disa shkrimtarëve e poetëve jo pak të njohur të asaj kohe, si: Ndoc Papleka, Agim Gjakova, Agim Isaku dhe Rudolf Marku, duke u akuzuar se në vëllimet e tyre poetike kishte gabime të rënda ideore. Dhe disa pjesë prej këtyre poezive, ato “më të errëtat” kishin zënë vend në raportin që u lexua në atë mbledhje. Në numrin e sotëm po publikojmë pjesën e dytë të këtij raporti, ku në atë mbledhje janë marrë në analizë edhe dy prej emrave më të njohur të poezisë shqipe, Xhevahir Spahiu e Fatos Arapi, të cilët janë akuzuar se në vëllimet e tyre poetike kanë poezi me përmbajtje reaksionare dhe armiqësore.  

(vijon nga numri i kaluar)
a.    Pak kohë më parë Shtëpia botuese nxori në qarkullim vëllimin me poezi “Zgjimi i thellësive” të Xhevahir Spahiut. Në të ka poezi me përmbajtje të gabuar si dhe mjaft të tjera të paqarta. Po ne po ndalemi te njëra prej tyre, në vjershën reaksionare “Poezia”. Autori u drejtohet zogjve dhe u thotë se ata kanë një armik për vdekje, që poezinë e do të jetë pa krahë, sa një kthinë. Po të jetë poezia diçka e ngrirë, si një trung, atëherë sipas autorit i kemi këmbët në tokë. Ai u bën thirrje zogjve t’i nxjerrin sytë këtij armiku, por nuk sqaron se kush është ky armik, prandaj poezia tingëllon armiqësore, si diçka që i bën sfidë shoqërisë. Në poezinë tjetër të gabuar ideologjikisht, “Poeti”, heroi lirik identifikohet me Migjenin dhe shpreh protestën ndaj shoqërisë, e cila gjithashtu mund t’ia marrë, por jo penën. Poezia duke mos qenë e konkretizuar në kohë dhe duke u kufizuar vetëm me protestën, tingëllon e tëra ideologjikisht e gabuar. Në fillim ka edhe poezi të tjera të gabuara ose formaliste. Të tilla janë poezia “Deti borë e bardhë”, “Njeriu frazë”, ku propagandohet një moral jo i shëndoshë dhe herë thuhen mendime të gabuara si “i deformuar si nënat”, “unë e ndjej dashurinë që s’shoh”, “unë jam thelbi i fjalës dhe fjala thelbi im” etj.
Një shembull tjetër: kohë më parë u përgatit të hidhej në qarkullim vëllimi me poezi i Fatos Arapit. Në të kishte disa poezi të errëta, hermetike, ndonjëra prej të cilave ishte e gabuar dhe formaliste. Librit iu hoqën disa faqe dhe pasi u korrigjua, doli në qarkullim. Po s’shkoi shumë kohë dhe në gazetën “Drita” (datë 4 nëntor 1979) po ky autor boton një poemë “Dita e Dritave”, e cila në disa vende ka vargje të errëta dhe me ide të shtrembra.
Shumë shkrimtarë dhe kritikë kanë bërë vërejtje serioze për këtë poemë, mbasi nuk kuptohet se çfarë thotë poeti, meqenëse ka shumë pjesë të palidhura logjikisht, flitet në përgjithësi dhe nuk pasqyrohen qartë ato aspekte që lidhen me jetën tonë. Në poemë bëhet fjalë për ‘intelektualë të ndershëm’, ‘të vdekur të ndershëm’ etj. Po nuk kuptohet se kush janë këta të ‘ndershëm’. Po kështu, ka pjesë të tjera të shkruara në një konceptim abstrakt e formalist.
“Armiku ynë kishte antidrita/ antinjeriu/ sepse s’ishte njeri/”. Përsëri nuk kuptohet se ç’ishte ky “antinjeri”, pa tipare konkrete social-kulturore. Mendojmë se këto janë mendime të artit borgjez dhe revizionist. Shfaqjet e hermetizimit, të errësimit në poezi janë shfaqje të pakta, ato nuk formojnë ndonjë prirje. Por, fakti që herë pas here i ndeshim në disa autorë tregon se vigjilenca ndaj tyre nuk duhet të mungojë asnjëherë.
b) Në prozë, kohët e fundit doli nga shtypi novela “Një vajzë në kishën e martesës” e një autori të ri. Në këtë libër problemi është kufizuar vetëm në të drejtën e vajzës për të dashuruar, dashuria konceptohet disi në mënyrë liberale. Personazhet nuk paraqiten në asnjë aktivitet shoqëror, por vetëm në marrëdhënie dashurie. Në këtë mënyrë, në vepër nuk ndjehet në asnjë mënyrë atmosfera reale e shoqërisë sonë shqiptare. Personazhin kryesor e rrethon ambienti, regresi. Kështu që krijohet një ide e shtrembër për shoqërinë tonë. Heroinën e novelës e përfshin një frymë pesimiste dhimbjeje dhe trishtimi. Ajo thuajse nuk flet, nuk vepron, por vetëm bën filozofime abstrakte, që shpesh tingëllojnë të gabuara dhe nuk burojnë nga fakte reale. Në novelë ka letrarizime me përmbajtje të papranueshme, të cilat dallohen që janë ndikime të huaja.


Kohë më parë doli nga shtypi novela e Nasho Jorgaqit, “Dashuria e Mimozës”, e kritikuar rëndë shumë vjet më parë për dobësi në përmbajtje. Pa marrë fare parasysh kritikat, pa bërë korrigjimet e nevojshme, vepra u përgatit t’i jepet publikut. Libri u ndalua nga qarkullimi, por praktika e përgatitjes së tij dëshmon për qëndrime liberale. Edhe në letërsi ka pasur ndonjë rast plagjaturë, duke kopjuar ndonjë tregim të ndonjë autori të huaj.
c) Në fushën e muzikës vitet e fundit kemi pasur një krijimtari të pasur, e cila është karakterizuar nga një përmbajtje e shëndoshë. Megjithatë, sidomos vitin e kaluar, kanë tërhequr vëmendjen e krijuesve disa shfaqje të huaja në muzikën e filmit, të cilat u analizuan gjerësisht në mbledhjen e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve. Por, nga disa mendime të shfaqura në diskutime të vogla, midis muzikantëve, shihet se edhe në këtë gjini ka disa probleme të përmbajtjes, të cilat në një farë mënyre dëshmojnë për koncepte jo të shëndosha ideoartistike dhe për ndikime të huaja. Për disa këngë thuhet se në to ka filozofim ireal, një mbyllje në vetvete dhe nuk shprehet qartë mendimi. Disa herë dëgjojmë të përmendet se në këngë ka “intonacione neutrale”, të rëndomta, që s’thonë asgjë, por ngjajnë me disa klishe, me renditje tingujsh. Kur pyesim se ç’përbëjnë këto, del se ato janë elemente që i ka muzika moderniste. Po ashtu bisedohet midis specialistëve se në ndonjë rast vihen re imitime të teknikave të huaja, që shfrytëzohen për të bërë përshtypje e për sensacion. Të tilla janë imitacione të zhurmës, të tingujve konfuzë, sidomos kur paraqesin personazhe negative. Ne s’jemi specialistë dhe s’mund të vendosim për to, por deri sa diskutohet në rrethe të ngushta, atëherë këto çështje duhet të diskutohen hapur përmes debateve të shëndosha, të kritikohen dhe t’u jepet rrugëzgjidhje.
Në koreografi në disa valle tematike e me motive të punës dhe të jetës në ushtri janë vënë re shfaqje natyraliste, duke imituar lëvizje të zakonshme deri në mundje për të vënë armikun me shpatulla përtokë, ose poza pompoze, të cilat jo vetëm s’thonë gjë, por janë largim nga përvoja e mirë e koreografisë sonë. Me sa shihet në mënyrën se si janë konceptuar, ato shprehin një ndikim të disa valleve kineze. Shfaqje të huaja janë edhe ato këngë banale dhe pa ide, me një sentimentalizëm të sëmurë, që këndohen nga disa të rinj parqeve dhe plazheve për dashurinë e humbur, ato këngë që u kritikuan në një mbledhje, që u bë në Komitetin Qendror vitin e kaluar dhe u quajtën Art i Zi, të cilat ndonjëherë kanë përmbajtje armiqësore dhe shtrembërojnë realitetin tonë. Të tilla janë edhe ato piktura naive në xham, apo kafshë në allçi, që shiten ende nga disa matrapazë. Këto nuk janë aq të pakta sa të mos tërheqin vëmendjen tonë dhe nga ana tjetër, ato lozin një rol të keq edukativ tek të rinjtë të paformuar, prandaj duhen të kritikohen ashpër njerëz që i përhapin.


Mund të përmendim këtu edhe ndonjë kritikë që është bërë për ndonjë roman apo pjesë teatrale, me gabime ideore, por qëllimi nuk është të numërojmë të metat, por të tërheqim vëmendjen që sado këto shfaqje janë të pakta, të vogla, nuk duhet të ulim vigjilencën, por të sqarohen problemet dhe të ndihmohen krijuesit për një art të pastër, të partishëm dhe militant dhe kryesorja, të forcojmë kërkesat, të mos lejojmë që të publikohen vepra me të meta të tilla.
III. Është e kuptueshme se përderisa ekziston presioni i ideologjisë së huaj dhe lufta e klasave në fushën e krijimtarisë letrare artistike, do të kemi shfaqje të huaja. Për këtë është e domosdoshme që kuadrot që merren me artin të luftojnë sistematikisht kundër këtyre fenomeneve. Nuk duhet të lejojmë të dalin në qarkullim vepra me të meta ideore, ato duhet të kapen me kohë që nga recensentët e organet e tjera që kanë të bëjnë me artin.
Qëndrimet liberale shihen në ato raste kur gabimet ideore zbuten, justifikohen duke vënë në ndukje se “në tërësi vëllimi militon” dhe nuk shikohet se vjersha të veçanta janë ideologjikisht të gabuara. Disa kanë mendime që veprat me gabime ideore mund të botohen, pastaj kritika të thotë fjalën e saj. Për të justifikuar këtë qëndrim liberal, së pari zbuten gabimet ideologjike me një varg emërtimesh se autori “ka dash të thotë këtë apo atë gjë”, apo që “në tërësi vëllimi është i mirë dhe gabimet janë të pakta”. Kështu p.sh., ndonëse libri “Zgjimi i thellësive” për poezi të gabuara u kritikua ashpër në Komitetin Qendror të Partisë, e për këto iu tërhoq vëmendja edhe drejtorisë së shtëpisë botuese, nuk shkoi shumë kohë dhe nga ajo ndërmarrje erdhi një relacion, në të cilin vërejtën dhe kritikuan situatën, duke vënë në dukjen midis të tjerave se shqetësimet ideoartistike “kanë të bëjnë me prirjen e autorit për të pasuruar arsenalin e tij shprehës figurativ”.
Partia ka luftuar kundër ndërhyrjeve administrative dhe qëndrimeve burokratike, të cilat frenojnë krijimtarinë. Por nga ana tjetër nuk pranojmë të qarkullojnë vepra me gabime ideologjike, të konceptuara në mënyrë formaliste dhe pastaj “kritika të thotë fjalën e vet”.
Sukseset e artit na shkaktojnë gjithmonë kënaqësi, por në disa kuadro kjo ka sjellë një eufori dhe një farë neglizhence për t’u marrë edhe me probleme që dalin, pa i zmadhuar, por edhe pa i zvogëluar. Po të pyesësh disa drejtues të artit se ç’probleme i preokupojnë ata në fushën e krijimtarisë, shprehen me eufori se gjithçka shkon mirë, duke mos dalluar në tërësinë e rezultateve shumë të mira që kemi, ato probleme të pjesshme që duhet të na preokupojnë më shumë.
Shpesh për luftën kundër shfaqjeve të huaja, për presionin e huaj borgjezo-revizionist flitet me fraza stereotipa të përgjithshëm dhe nuk përmenden fare ç’probleme dalin. Kohët e fundit në Lidhjen e Shkrimtarëve u bë një diskutim për poezinë. Ndonëse shtëpia botuese kishte ngritur një sërë problemesh të shfaqjeve të huaja, në këtë mbledhje referuesit dhe diskutantët folën në përgjithësi, me teza të njohura. Deri sa foli shoku Dritëro Agolli, që ngriti probleme konkrete veç shfaqjeve të huaja që preokupojnë, të gjithë diskutantët as që i përmendën fare këto çështje, madje as ata të cilët u ishin kthyer vëllimet pikërisht për dobësi të tilla.
Ndonjëherë thuhet se shfaqjet e huaja i kanë krijuesit e Tiranës. Por, në të vërtetë dy nga poetët më të njohur në krijimtarinë e të cilëve janë vënë re shfaqje të huaja punojnë në Lezhë dhe në Tropojë, ndonjë pjesë teatrale që është kritikuar për të meta të tilla është vënë në skenë në rrethe. Tirana ka peshën e vet, por problemin e luftës kundër shfaqjeve të huaja duhet ta shikojmë më mirë edhe në rrethet.
Në disa raste qëndrimet liberale kundër këtyre shfaqjeve duken në presionet e padrejta që bëhen. Formë presioni është edhe shprehja e mendimeve të gabuara e me qëllime të caktuara se gjoja “në sirtarët e shtëpisë botuese qëndron poezia e mirë”. “Ka tendenca për të qenë brenda”, “nuk po inkurajohet talenti i vërtetë”, etj. Autorët e këtyre thënieve shpesh janë vetë autorët ose recensentët e dorëshkrimeve të pabotuara. Nuk përjashtohet mundësia e vlerësimeve subjektiviste, apo të shpejtuara nga ana e botuesve. Por, këto presione shpesh janë bërë për vepra, në të cilat shumica e veprave të paraqitura kanë qenë me mungesa të theksuara ideoartistike.
Shqetësues është edhe fakti që shokët e Radio-Televizionit shkojnë në rrethe për të incizuar pjesë teatrale dhe disa prej tyre i gjejnë me të meta ideore dhe si të tilla, ato nuk i transmetojnë, ndërsa drejtoritë dhe komisionet përkatëse të Ministrisë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve nuk vendosin nëse ka të drejtë rrethi apo shokët e televizionit. Si të tilla janë kritikuar pjesët e teatrit të Vlorës dhe të Korçës.
Fronti unik i luftës kundër shfaqjeve të huaja jo gjithmonë është në shkallën e duhur. Ka raste që poezi me të meta ideore dhe të parealizuara nuk pranon t’i botojë Ndërmarrja Botuese, por i shikon të dalin në organet e shtypit ose në emisionin “Fjala në televizion”.
IV. Shkaqet e dobësive që përmendëm janë të ndryshme. Një ndër kryesorët është se nuk ka qëndrim të qartë kritik ndaj Letërsisë dhe Artit të huaj me të cilin bien në kontakt krijuesit tanë. Kritika ndaj artit të huaj borgjez dhe revizionist është e përgjithshme dhe jo konkrete që të përballojë kërkesat e krijimtarisë sonë.
Edhe për problemet e artit tonë, me gjithë përparimet e arritura, kritika ka mjaft dobësi dhe nuk i përballon si duhet problem që nxjerr zhvillimi i letërsisë dhe artit.
Artikujt problemorë teorik shpeshherë janë të përgjithshëm, globalë dhe nuk vijnë si rezultat i një studimi të veprave të reja letrare-artistike apo i njohjes së fakteve të reja teorike. Nga shkrimet e botuara shihet se të paktë janë ata studiues, pedagogë, kritikë që studiojnë me vëmendje veprat konkrete dhe arrijnë në përgjithësime shkencore. Këtu ka edhe mungesë forcash, por nuk përjashtohet edhe një lloj indiferentizmi dhe ndjenjë euforie për zhvillimin e sotëm të arteve tek ne, gjë që shpie në panoramë të përgjithshme, në superlative dhe në analizë të cekët.
Në praktikë vihen re shfaqje të një qëndrimi konformist, për të mos prishur qejf autorit. Megjithëse tani atmosfera është e mirë, por edhe krijuesit nuk e presin gjithmonë me objektivitet kritikën objektive shkencore. Këtë e kanë detyrë redaksitë, por edhe vetë kritikët, të cilët u shmangen “telasheve”. Ka raste kur vihen re simpati të papërligjura dhe shkrihet me një indulgjencë të madhe, duke lënë mënjanë të metat. Vetë zhvillimi i vrullshëm i artit tonë, problemet që nxjerr ecja përpara dhe lufta kundër ideologjisë së huaj, na bëjnë të nevojshme që kritika të bëhet më e thelluar e konkrete dhe të gjallërohen diskutimet për problemet ideoartistike. Partia ka vënë në dukje se pa ballafaqim dhe pa rrahje mendimesh nuk mund të zbulohen rrugët e zhvillimit të shpejtë e të drejtë të artit tonë.
Diskutimet për problemet e artit dhe të letërsisë duhet të jenë të tilla që të ndjehet mirë mendimi i vetë artistëve dhe i masave, duke luftuar konceptet e gabuara, që zhvillimin e kritikës artistike ta bëjnë vetëm disa kuadro të paktë, që merren në mënyrë të veçantë me këtë punë.
Pa diskutime të thelluara dhe pa rrahje mendimesh nuk mund të luftohen si duhet që në embrion shfaqjet e huaja, nuk mund të krijohen bindje të forta për krijuesit për karakterin reaksionar të drejtimeve të letërsisë borgjeze dhe revizioniste. Në ndonjë mbledhje me të drejtë është shtruar problemi që duhet të bëhet një analizë kritike e asaj kulture dhe literature me të cilën, në një farë mënyre bien në kontakt artistët tanë. Kjo duhet të bëhet jo vetëm për artistët e rinj, por edhe për të afirmuarit. Por, e rëndësishme është që këtë kritikë duhet ta bëjnë konkrete dhe jo me fraza të përgjithshme e standarde.
Mendojmë se duhen përcaktuar masa konkrete për detyrat që ka çdo institucion për rrahjen dhe zgjidhjen e problemeve ideoartistike që e preokupojnë. Në këtë drejtim ndihet shumë pak jo vetëm roli i institucioneve artistike qendrore, por edhe i Fakultetit të Filologjisë, i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë, i Institutit të Lartë të Arteve etj. Mendojmë se këtë çështje duhet ta trajtojë më thellë Ministria e Arsimit dhe Kulturës si edhe Akademia e Shkencave.
Një varg gabimesh që vihen re e kanë burimin në paqartësinë për disa probleme ideoartistike. Përgjithësisht shihet se për mënyrën e tipizimit, për paraqitjen dhe për zgjidhjen e kontradiktave në shoqërinë tonë dhe për heroin në veprat humoristike ka mjaft paqartësi, të cilat duhet të sqarohen përmes studimeve dhe diskutimeve serioze.
Disa shfaqje të huaja e kanë burimin në mosnjohjen e jetës, në kërkime libreske. Për këtë na bie detyrë të gjithë neve të përcaktojmë masat konkrete, që mund të merren për të zbatuar atë porosi të vazhdueshme të partisë për njohjen e jetës dhe të mos flitet nën përgjithësi, apo të bëhen teorizime, “se tani artistët e njohin jetën”. Në këtë mënyrë, njohja e jetës konceptohet si një proces, që kryhet njëherë dhe merr fund.
Një nga burimet e shfaqjeve të huaja sidomos në poezinë e të rinjve është ndikimi i manierizmit dhe hermetizimit të disa poetëve kosovarë. Kur lexon disa poezi të pabotuara, të krijohet bindja se disa duan të paraqiten se dinë të shkruajnë dhe këta në atë mënyrë që shkruajnë disa poetë kosovarë. Dhe kështu harrohen kushtet dhe kufizimet shoqërore të asaj poezie.
Së fundmi, është e nevojshme të vëmë në dukje se ne jemi kundër kërkimeve formaliste, kundër imitimeve të huaja, por njëkohësisht theksojmë dhe domosdoshmërinë e novatorizmit, e freskisë së temave dhe problemeve, përmes një forme të lartë artistike, të mbështetur në traditën tonë të kaluar dhe të re. Partia vazhdimisht e ka theksuar nevojën e luftës në të dyja krahët, si kundër ndikimeve të artit borgjez dhe revizionist, ashtu edhe kundër shfaqjeve kundër konservatorizmit, që mund të duken në skematizmin, në frenimin e kërkimeve novatore, në botimin dhe ekspozimin e veprave me një nivel të ulët kulturor dhe artistik. Kjo duhet të tërheqë më shumë vëmendjen e opinionit dhe të drejtuesve të artit, pasi edhe niveli i ulët artistik është problem ideologjik. Idetë e rëndësishme nuk mund të shprehen me një nivel të dobët e të zbehtë. Seleksionimi rigoroz dhe forcimi i kërkesave për cilësinë duhet të na preokupojë më shumë, mbasi janë kritikuar kushtet materiale që pretendojnë për një nivel shumë më të lartë. Politika e inkurajimit të krijimtarisë nuk mund të bëhet vetëm duke botuar sa më shumë, por edhe duke pasur kërkesa të rritura për nivelin ideoartistik. Stadi i zhvillimit të shoqërisë sonë kërkon që letërsia dhe artet të ngrenë më lart nivelin kulturor dhe artistik. Ato duhet të përcjellin mendime më të thella dhe emocione më të mëdha për epokën tonë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të bëhet pronë e të gjithë shoqërisë.
Në përgjithësi organizatat bazë të Partisë, të institucioneve artistike ose të atyre që merren me drejtimin e artit dhe Komitetet e Partive të rretheve dhe në mënyrë të veçantë ai i Tiranës, kanë bërë një punë të lavdërueshme për zhvillimin në rrugë të mbarë drejt krijimtarisë. Ato i kanë vënë në pozita të shëndosha pune institucionet dhe organizmat artistike. Kështu, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, përmes plenumeve, aktiveve, diskutimeve krijuese ka trajtuar mjaft probleme të letërsisë dhe të arteve. Gjithashtu, mjaft aktivitete ka bërë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Kinostudio, Teatri, Radio-Televizioni, degët e Lidhjes në rrethe etj. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Komitetin e Kulturës dhe Artit në Ministrinë e Arsimit e Kulturës, i cili ka analizuar probleme të rëndësishme të krijimtarisë. Por, ne e kemi fjalën për një veprimtari sistematike e më të kualifikuar, për një punë me përgjegjësi qytetare dhe partie më të lartë, që t’u përgjigjet si duhet problemeve që nxjerr krijimtaria.
Është me vend të theksojmë se zëri i organizatave bazë, të cilat i konstatojnë dhe i trajtojnë të metat, duhet të dëgjohet më shumë në organizmat shtetërore, në institucionet kulturore dhe artistike. E theksojmë këtë, pasi në organizmat shtetërore, shpesh nuk i vënë në jetë ato që ngrenë organizata bazë. Pjesa më e madhe e këtyre problemeve që trajtuam sot janë ngritur nëpër organizata bazë dhe nëpër forume të tjera, d.m.th. janë shtruar si çështje, por rrugët e zgjidhjes nuk janë në lartësinë e kërkesave të kohës. Megjithatë, organizatat bazë duhet të ngulin këmbë më shumë dhe të nxisin mendimin kritik, që të metat jo vetëm të thuhen qartë dhe hapur si për autorin e ri, ashtu edhe për autorin e vjetër, por edhe të gjejnë zgjidhje problemet që shqetësojnë.
Organet dhe organizatat bazë të partisë është e domosdoshme që të përcaktojnë masat konkrete për edukimin e artistëve, për njohjen e jetës dhe për trajtimin me nivel të lartë teorik dhe praktik të shumë problemeve që ka nxjerrë procesi i zhvillimit të letërsisë dhe arteve në stadin e sotëm.
24.3.1980


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.