DOSSIER

DOSSIER / Debatet e Agollit në Byronë Politike me Ramizin për Fatos Arapin e Agim Gjakovën

13:30 - 22.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Dashnor Kaloçi




Gazeta Shqiptare” publikon për herë të parë debatet në mbledhjen e zgjeruar të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, të 24 marsit të vitit 1980 të drejtuar nga Ramiz Alia. Të gjitha kritikat dhe akuzat ndaj disa prej emrave më të njohur të artit, kulturës e letrave shqipe si Teodor Laço, Dhimitër Xhuvani, Fadil Kraja, Fatos Arapi, Agim Gjakova, Naum Prifti, Ramiz Lika etj.
Diskutimi i Ramiz Alisë në mbledhjen e Sekretariatit për letërsinë kosovare: “Ajo s’është vetëm te hermetizimi. Ideologjikisht ajo s’është në rrugën tonë. Vëmë re në gjuhë, kemi maninë për të marrë kalke të kosovarëve, të krijuar nga sllavishtja”.
Në pjesën e dytë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar u njohëm me pjesën e dytë të raportit të mbajtur në mbledhjen e zgjeruar të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e datës 24 mars të vitit 1980, me temë: “Disa probleme të pastërtisë së përmbajtjes së krijimtarisë letrare artistike”. Raporti i mbajtur në atë mbledhje ishte hartuar nga anëtari i Komitetit Qendror, Mehmet Karakushi, (i ngarkuar për problemet e artit e kulturës), i cili mori në analizë punën dhe veprat e disa prej emrave më në zë të kulturës dhe letrave shqipe të asaj kohe si: Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Teodor Laço, Dhimitër Xhuvani, Fadil Kraja, Fatos Arapi, Agim Gjakova, Naum Prifti, Ramiz Lika etj. Dhe ku shumë prej tyre u akuzuan se në veprat apo vëllimet e tyre poetike kishin vjersha dhe poezi me përmbajtje reaksionare dhe armiqësore. Në numrin e sotëm, që është edhe pjesa e tretë të këtij shkrimi, po vijojmë botimin e dokumentit sekret arkivor me debatet që janë mbajtur në mbledhjen e zgjeruar të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Ramiz Alia, Manush Muftiu, Xhelil Gjoni, Dritëro Agolli dhe të tjerë kanë diskutuar rreth raportit e problemeve të tjera, të cilat preokuponin artin, kulturën dhe letrat shqipe të asaj kohe.
(vijon nga numri i kaluar)


PROTOKOLL
PER MBLEDHJEN ME DREJTUES TE ARTIT DHE
TE SHTYPIT
PER PROBLEME TE PASTERTISE SE ARTIT. DATE 24.3.1980
Marrin pjesë shokët: Ramiz Alia, Manysh Myftiu, Tefta Cami, Dritëro Agolli, Anastas Kondo, Xhelil Gjoni, e drejtues të tjerë të artit në kryeqytet.
Ramiz Alia:
Në art dhe në letërsi ka lëshime. Prandaj kemi ndaluar ndonjë vepër. Veç kësaj, problem është cilësia në të gjitha gjinitë. Vëmë re cilësi të dobët. Të mos i inkurajojmë kot. Këtyre fenomeneve t’u dalim përpara.
Dritëro Agolli:
Shqetësimi është i drejtë se janë përsëritur në disa raste dhe në të botuar. Ka koncepte, por ka edhe keqkuptime për poezinë. Dhe ja një shkresë bëhet hermetike. Por, Fatos Arapi dhe Agim Gjakova janë të moshuar, me shumë vëllime. Nga Lidhja kemi dërguar ekipe, janë diskutuar vëllimet e tyre.
Të kemi kontakt më të madh për ta. Kemi nisur të forcojmë lidhjet me Komitetet e Partisë. Këtë duhet ta bëjmë edhe me institucione të tjera kur vemi në bazë.
Shtrohen problemet, por nuk zgjidhen.
Bëhen kritika në shtypin letrar, s’thuhen të metat, flitet në përgjithësi. Dhe anët e mira s’thuhen konkretisht. Bëhet një punë globale. Kemi turp t’i themi autorit që ti s’ke bërë gjë me këtë vëllim të ri, jo më prapa.
“Zëri i Popullit” pak probleme të tilla ngre.
Të mos stepen krijuesit. Të kërkojmë cilësi dhe të mos ulet kërkesa për cilësi.
Për nivelin e kulturës kemi skematizëm, kemi vepra të dobëta. Ka rënie Dh. Xhuvani, (në të fundit) dhe N.Prifti. Ka uljen në dramën e T. Laços, F. Cakaj, R. Likaj, Xh. Spahiu.
Pak kërkime ka për të vënë në skenë, kritikuam modernizmin në vënien në skenë.
Katër rrethe, me humor të pasur kanë Estrada të dobëta. (Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Dibra). Të luftojmë të ngremë nivelin dhe për pastërtinë e artit.
Anastas Kondo:
Shqetësime ka sidomos për Estradën (Berati, Dibra etj.). Estradat i shohin në një vit, një mijë spektatorë. Ka vetëkënaqësi se sallat mbushen për Estradat.
Në skenarë ka shfaqje të dukshme në mosnjohjen e jetës.
Këta që gabojnë, kanë mbaruar shkollat tona. Por në Tiranë s’ka asnjë shkrimtar që të japë gjuhë apo letërsi. Të gjithë kanë pasur mësues shkrimtarë. Të kemi edhe mësues shkrimtarë.
Me shkrimtarët që kemi në Tiranë, të drejtojmë rrethe në shkolla.
Diskutimet krijuese nuk po i bëjmë mirë për letërsi, muzikë, ndërsa për artet figurative bëhen pak.


Ramiz Alia:
Bëhen diskutime, por të sqarohen këto çështje që dalin nga krijimtaria.
Anastas Kondo:
Në afate diskutimet mbahen konkrete.
Ka eufori. Pas koncertit të vitit të ri me Estradat thonë jemi mirë. Radio ka dhënë novelën e A. Xoxes, që u kritikua. Duhet forcuar kontrolli paraprak në rrethe, sidomos për teatër estradë.
Thanas Leci:
Shqetësimi që ngrihet është i drejtë. Kritikat që bëhen për ne janë të drejta. Ne të rritim kërkesat për nivelin ideo-artistik dhe vigjilencën.
Pse na kanë shpëtuar ne? Nga analiza kemin arritur në konkluzion se kemi pasur edhe lëshime. Në poezi raporti i asaj që botohet me atë që nuk botohet është 1 me 6. Në prozë, 1 me 4. Raportet na duken plotësisht normale.
Në fund të viteve ’50, raporti i botimit të prozës (romanit) ishte 1 me 1.
Ne duhet të bëjmë diskutime më shumë. Ne bëjmë diskutime krijuese 25 – 30 për dorëshkrime, por problemi është se bëhet i cekët. Për vepra të pabotueshme, në diskutime dalin si të botueshme.
Recensentët shpesh nuk thellohen. Tri recensione për një libër, diametralisht të kundërta. Redaksitë i kemi të vogla, prandaj të rrisim kërkesat ndaj recensentëve.
Një pjesë e veprave që fitojnë në konkurse nuk arrijnë të botohen, ka qëndrime liberale.
Krijimtaria e anëtarëve të Degës të diskutohet në rrethe.
Marash Hajati:
Të luftojmë shumë për cilësinë.


Në Teatër dhe Estradë ka nivel të ulët. Kemi shumë aktorë me 8-vjeçare.
Puna për edukimin ideo-artistik bëhet e varfër. Dhe niveli i regjisorëve është i dobët.
Dramat ngjajnë me njëra-tjetrën.
(Ramiz Alia, në televizion të zgjerohet këndshikimi. Televizioni ka mundësi të mëdha. Të shihet teledrama. Të dalë jashtë studios).
Kemi 10 drama që nuk i regjistrojmë. Disa edhe me gabime ideore. Na thonë se i ka parë ministria. Nuk jemi në pozita të shëndosha.
Komedia e F. Krajës, e dobët artistikisht, edhe të meta ideore ka.
Estradat kanë material të varfër. Me estradat s’bëhet vetëm me materialet e tyre. Të bëjmë vetë materiale. Shtypi dhe TV të japin informacione për aktivitetin kulturor. Dy informacione të kundërta midis “Zëri Popullit”, “Bashkimi”, “Drita”.
Shoku Manush Myftiu:
Problemi është i rëndësishëm, kemi shfaqje të huaja dhe kur s’janë botuar. Deri sa kemi kudo, në ekonomi etj., edhe këtu kemi. Këto janë shfaqje, por duhet të kemi vëmendje. Gabime ka në të botuara dhe të pabotuara, në të rinj dhe në të vjetër.
Shprehjet e errëta, ato që shtrembërojnë faktet, janë ndikime të huaja.
Dhe tendenca për të qenë brenda është po shfaqje e luftës së klasave, se nuk militon, fsheh, por nuk zhduk.
Ka vepra që nuk thonë gjë. Filmi për shkollën shqipe s’të kënaq. Nivel i ulët, këto vepra s’të edukojnë. Në këto vepra duket sikur nuk ka gjë të keqe, por e keqja është se s’thonë gjë?


Kritika të jetë më serioze dhe më e thellë, s’merret vesh se ç’pikëpamje demaskon.
Roli i Fakultetit dhe i Institutit të Arteve, s’po na ngrenë probleme krijimtarie në fushën e artit. S’po bëhet si duhet për t’u përgatitur për jetën, si krijues. Ka probleme në këtë mes.
Që puna të ketë rezultate, të diskutohet në mbledhje, por edhe në ambiente të ngrohta, të ngushta dhe me 7-8 veta.
Të bëhet diskutimi dhe pas një premiere, duhen edhe ambiente. Stimujt moralë të shfrytëzohen më shumë. T’u jepet rast të vijnë në diskutime edhe artdashës. Jo vetëm diskutime në Lidhje, por në shumë qendra.
Ramiz Alia:
Të kemi parasysh që çdo fenomen të shkojë lidhur me situatat, ç’armiq kemi, lufta e klasave, po roli i Partisë sonë? Presioni i fortë, gjithmonë vigjilentë. Pastërtia e artit të jetë më e madhe.
Po të kemi parasysh këtë situatë, mbledhje të tilla bëjmë gjithnjë.
Ka problem lidhur me pronën, me punën (cilësi, mosrealizime, norma etj.), që marrin karakter të rrezikshëm. Qëndrimet liberale duhet të jenë të papranueshme.
Të kemi parasysh kur i diskutojmë se s’bëjnë alarm, por as t’i minimizojmë.
Nuk kemi rrezik të stepen njerëzit, nëse i diskutojmë këto çështje me frymë Partie.
Të luftojmë që të mos i hapim rrugë mediokritetit. Të luftojmë për një cilësi më të lartë.
Të kemin parasysh influencën negative që vjen nga letërsia kosovare. Ajo s’është vetëm hermetizimi. Ideologjikisht, ajo s’është vetëm në rrugën tonë.
Vëmë re në gjuhë, kemi manin për të marrë kalke të kosovarëve, të krijuar nga sllavishtja.
Për cilësinë, vepra e dobët, kthehet në dobësi ideologjike. I kemi edhe mundësitë për këtë. Të botojmë kur janë të talentuar. Në librin “Tajfun” që para Partisë s’është kuptuar nga të gjithë, që në BS është prishur gjithçka. E njëjta gjë po ndodh si “Në kërkim të së vërtetës”.
Në shumë vepra flitet si me parullat e sotme dhe për vitet ’50.
“Tajfuni” i bën luftës sonë një propagandë të keqe.
Aktualja dhe historikja s’janë zgjidhur drejt. Ndryshe zgjidhet të “Kështjella”.
Të kemi kujdes për cilësinë! Të botojmë më pak, edhe arsye letre. Të jemi me cilësi të lartë nga ana ideo-artistike. Të botojmë ato që janë për t’u botuar.
Letërsia artistike në vendin e parë si mani, për shkencën botohet pak?
Nga kjo mbledhje:
Lidhja e Shkrimtarëve:
Të përmirësojmë punën për diskutimin krijues dhe për ndihmë rretheve. Gjërat t’i themi siç janë. Kur kemin gabime ideore, t’u qëndrojmë gabimeve. Të mos rezervohemi për të kritikuar kur gabojmë.
Kritika të jetë më e hapur, më e qartë.
Kritika letrare të jetë më aktive, me fjalë më konkrete. Të zbërthejmë fenomenin të hapim horizonte.
Organet e botimeve, shfaqjeve etj., të jenë më kërkuese, jo të lëshojnë. Pse s’përdoren drama të kaluara, si “Toka jon”‘ etj., të ripërsëriten.
Ministria, Komiteti Qendror i Rinisë Komiteti Partisë i Tiranës të mendojnë më mirë për edukimin e talenteve të reja. Të organizohet ndihma. Prandaj të merren masa. Të nisë puna që me Fakultetin dhe Institutin e Arteve. Të behet një punë e mirë edukative, ideologjike.
Të bëhet punë komunikuese e afërt, jo e ngurtë dhe e skematizuar.
Instituti i Arteve të bëjë diskutime krijuese të lira etj., flasin në mes tyre, të bëjnë edhe diskutime.
Dhe forma e puna në këtë organizëm të gjallërohet.
Xhelil Gjoni:
Dhe marrëdhëniet me institucionin të rregullohen.
Dhe Fakulteti i Filologjisë të gjallërohet nga diskutimet.
Komiteti Qendror i Rinisë të vijojë traditën për t’u marrë me talentet e reja.
24.3.1980 (Shënimet e mbajtura nga Jakup Mato)


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.