DOSSIER

DOSSIER/ Letra për Ramizin në 1976: Nëndrejtori i ATSH-së tregon barsoleta për Haxhi Lleshin e Rita Markon

10:22 - 27.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Dashnor KALOÇI

Publikohet raporti sekret i vitit 1976 me ngjarjen e rëndë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ku nëndrejtori i saj Nasho Nathanaili fliste kundër regjimit komunist dhe vinte në lojë “shokët e udhëheqjes”. Si dhe shënimi i Ramiz Alisë për dënimin e tij dhe pushimin nga puna të 20 gazetarëve e zëvendësimin e tyre nga klasa punëtore.
Raporti sekret: “Nasho Nathanaili ka thënë: ‘Sot jepet skifter kafeja’ (fjala për një delegacion kinez), ‘tani që shkoi Presidenti, shpëtoi Peshkopia’, ‘sot jep pritje mbreti’ (për shokun Haxhi Lleshi), ‘të mos nxijmë të kaluarën, se do na qeshin dynjaja’ (është fjala një lajm se në rrethin e Sarandës sot janë 6 farmaci, nga 1 që ish në të kaluarën), ‘Rita Marko meqë nuk doli në gazetë, shkoi dhëndëri dhe e nxori në televizion’ (kur shoku Rita Marko priti një delegacion)”.
Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një raport-informacion me siglën “Sekret”, i datës 22 janar të vitit 1976, ku sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, Sotir Kamberi, denoncon te Ramiz Alia, gjithçka që ndodhte në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e cila asokohe drejtohej nga Fiqiri Vogli si drejtor, dhe Nasho Nathanali si nëndrejtor. Nisur nga rëndësia tepër e madhe që kishte ai institucion politiko-informativ i propagandës së regjimit komunist, dokumenti në fjalë duket se paraqet mjaft interes, gjë e cila duket edhe nga shënimet që ka vënë aty Ramiz Alia, lidhur me problemet që u kishin shkaktuar udhëheqjes dy drejtuesit kryesorë të saj. Kryesisht nëndrejtori, Nasho Nathanaili, i cili tregonte anekdota me zarar kundër “shokëve të udhëheqjes”, dhe gjithashtu vinte në lojë kuadro të tjerë të lartë të institucioneve të propagandës, siç ishte Radio Televizioni Shqiptar. Dhe kjo gjë duket se i ka kushtuar shtrenjtë Nathanailit, ndaj të cilit udhëheqja e lartë dhe vetë Ramiz Alia, morën “masat përkatëse” duke mos bërë asnjë lëshim ndaj tij. Për më shumë rreth “problemit ATSH” dhe drejtuesve të saj na njeh dokumenti, të cilin po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim.

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
shokut Ramiz Sekret
KOMITETI I PARTISE
Ekzemplar Nr. 1
TIRANE
Nr. 100. Prot.
Tiranë, më 22.1.1976
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
TIRANE
Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin “Mbi gjendjen në ATSH”

SEKRETARI I K.P. TIRANES
(Sotir Kamberi)

INFORMACION PER GJENDJEN NE ATSH
Byroja e Partisë së rrethit të Tiranës më datë 23.12.1975 shqyrtoi raportin e Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.3 “Mbi gjendjen në organizatën e Partisë në ATSH”. Raport ky i kontrollit punëtor dhe i ekipit të Komitetit të Partisë së rajonit. Në byronë e Partisë së rrethit u thirr Byroja e Partisë e institucionit, sekretarët e organizatave bazë të Partisë dhe shokët e drejtorisë.
1 –    Organizata bazë nuk ka qenë në rolin e saj udhëheqës e drejtues. Vëmendja e organizatës është spostuar nga problemet themelore politike e ideologjike në thashetheme, në sulme karshi njëri-tjetrit në diskutime të gjata dhe boshe. Në organizatë ka pasur mbytje të kritikës. Autokritikë nuk kish, se nuk jepnin shembull as byroja e as kuadrot. Byroja dhe kolegjiumi thuajse përbëhej nga të njëjtët njerëz. Kështu që byroja spostohej nga kolegjiumi. Në organizatën bazë të Partisë dhe në kolektiv ka pasur thashetheme, grindje, e përçarje deri në krijimin e tarafeve. Një palë në krah të drejtorit Fiqiri Vogli dhe një palë në përkrahje të Nasho Nathanailit. Shumë i dobët ka qenë kontrolli dhe kërkesa e llogarisë për zbatimin e vendimeve si ndaj komunistëve ashtu edhe ndaj drejtorisë. Organizata e Partisë nuk ka thirrur asnjëherë në raport administratën apo sektorët për të njohur gjendjen dhe për të përcaktuar detyra. Jo vetëm kaq, por byroja është bërë ortake me kolegjiumin duke bërë mbledhje të përbashkëta ku drejtonin dhe i jepnin konkluzionet drejtuesit e institucionit. Është nënvleftësuar organizata e Partisë, pasi problemet, qoftë ato themelore të institucionit, qoftë ato të fërkimeve midis drejtorit Fiqiri Vogli e zëvendësdrejtorit Nasho Nathanaili nuk zgjidheshin në organizatë, por jashtë saj, dhe poshtë e përpjetë ka munguar debate ideologjik në organizatë. Kjo ka ndodhur se ka pasur oportunizëm e liberalizëm. Kuadrot në vend të jepnin llogari vinin në dukje meritat e tyre. Punonjës të veçantë janë shprehur se karakterin kombëtar ATSH-ja e ka marrë me ardhjen e Fiqiri Voglit, mendim të cilin Fiqiriu nuk e ka kundërshtuar.
2 – Ka munguar vigjilenca lidhur me shfrytëzimin e shtypit të huaj. Duke mos punuar sa duhet në drejtim të edukimit politik e ideologjik të kuadrit për t’u sqaruar atyre orientimet e Partisë dhe kriteret bazë për përdorimin e literaturës së agjencive të huaja të shtypit borgjezo-revizionist për hartimin e lajmeve tona dhe për kundërpropagandën, e duke mos ushtruar kontroll të rreptë e të vazhdueshëm në këtë pra, kanë ndodhur kopjime të lajmeve të agjencive revizioniste dhe të shtypit revizionist sovjetik si nga revista “Krasnaja Zvezda” e të tjera. Këto fakte nuk janë bërë problem i organizatës në kohën e duhur dhe për rrjedhim nuk janë marrë në kohë masa për t’u prerë rrugën këtyre veprimeve.
3 – Organizata bazë e Partisë dhe drejtoria nuk janë shqetësuar dhe të qëndronin ndaj shprehjeve e shakave të karakterit politik e me përmbajtje armiqësore, të cilat sipas diskutimeve të komunistëve janë thënë nga Nasho Nathanaili, por që janë vlerësuar si shaka: “Sot jepet skifter kafeja”, (fjala për një delegacion kinez), “tani që shkoi Presidenti, shpëtoi Peshkopia”, “sot jep pritje mbreti” (për shokun Haxhi Lleshi), “të mos nxijmë të kaluarën, se do na qeshin dynjaja” (është fjala për një lajm se në rrethin e Sarandës sot janë 6 farmaci, nga 1 që ish në të kaluarën). “Rita Marko me që nuk doli në gazetë, shkoi dhëndëri dhe e nxori në televizion” (kur shoku Rita Marko priti një delegacion). Shprehje të tilla janë përhapur edhe nga të tjerë, si; “po të shkosh pas udhëheqjes, çmendesh”, “në Jugosllavi jetohet më mirë”, “në kohën e Zogut gazeta shpërndahej me aeroplan”. Këto thënie qarkullonin në redaksinë e brendshme, por janë përhapur edhe në redaksinë e jashtme. Është e qartë se përgjegjësia për këtë gjendje të sëmurë rëndon në radhë të parë mbi organizatën bazë e byronë e saj e mbi dy kuadrot kryesorë: Fiqiri Vogli e Nasho Nathanaili. Fiqiri Vogli në vend që të nxirrte konkluzione e detyra për këtë gjendje, herë insiston se ay nuk është fajtor, se ay ka punuar dhe luftuar për rregull e ka kërkuar llogari, herë justifikohej se ay ka qenë për një kohë i sëmurë dhe nga kjo kanë përfituar elementë ngatërrestarë për të krijua përçarje.
Me kontrollin që u ushtrua në ATSH me konkluzionet, masat dhe detyrat e lëna gjendja natyrisht ka filluar të ndryshojë, por me ngadalë, mbase duke filluar që nga drejtori dhe komunistët të tjerë, nuk kanë qenë plotësisht dakord me konkluzionet, bile Mersin Seitaj i kundërshtoi ato, duke hedhur poshtë faktin që atje ka pasur dy tarafe etj.
Komiteti i Partisë i Rajonit Nr. 3 ka marrë këto masa:
1. I dha vërejtje në kartën e regjistrimit Fiqiri Voglit dhe u vendos që t’i propozojë nomenklaturës përkatëse për ta qarkulluar.
2. Nasho Nathanailit iu dha vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit dhe u largua jashtë rrethit të Tiranës.
3. U vendos që të largohen nga ATSH 19 veta, nga të cilët 10 anëtarë partie, si ngatërrestarë që merreshin me thashetheme. Tre kuadro u dërguan në prodhim si intrigantë.
4. U dërguan disa kuadro pa parti me prejardhje punëtore.
5. Të forcohet kolegjiumi, të futen dhe një numër punëtorësh të jashtëm.
Byroja e Komitetit të partisë, pasi analizoi për gjendjen në dt. 23.12.1975, mori këto masa:
1. Duke qenë se anëtarët e byrosë të partisë nuk kanë luftuar me vendosmëri kundër kësaj gjendjeje të sëmurë në ATSH dhe nuk kanë marrë masa të shpejta, për të ndryshuar gjendjen u vendos të shkarkohet e gjithë Byroja dhe të bëhen zgjedhje të Byrosë, ku të vijnë komunistë të pakompromentuar e me prejardhje punëtore.
2. Nasho Nathanaili, ish-zëvendësdrejtor, Byroja kërkoi që të thirret dhe të thellohet masa ndaj tij. Për këtë u thirr nga Komiteti i Partisë së Rajonit dhe më 29.12.1975 u përjashtua nga partia për këto arsye:
Si zëvendësdrejtor në ATSH mban përgjegjësi për gjendjen e sëmurë e përçarjen e krijuar. Në redaksinë e brendshme të cilën e ndiqte direkt ka pas shthurje, liberalizëm, thashetheme, intriga, shpifje, shprehje banale, nderim allazogiste, e deri parulla armiqësore. Ka mbajtur qëndrim mospërfillës e përçmues ndaj njerëzve e kuadrove.
Është përpjekur t’u imponojë organizatës mendimet e veta, është bërë shkaktar i prishjes së unitetit në organizatë dhe në kolektiv. Nuk ka kërkuar llogari. Është marrë me thashetheme, ka krijuar tarafe, ka marrë nëpër gojë kuadro duke thënë se; “ju hap goja Dritëro Agollit”, “foli ai qafleshi”, për Veiz Lelon etj. Ka përdorur thënie me karakter politik dhe armiqësor
3. Meqë akoma disa kuadro, që është vendosur lëvizja e tyre nuk janë larguar, u vendos që brenda 15 janarit 1976, të përfundojnë lëvizja e tyre dhe sjellja e elementëve të rinj.
4. U vendos që t’i propozohet nomenklaturës përkatëse që Fiqiri Vogli të shkarkohet nga detyra e drejtorit, pasi ai mban përgjegjësi për gjendjen e rëndë të krijuar në ATSH. Është treguar mendjemadh, hakmarrës dhe përkrahës i tarafeve. Problemet në vend që t’i zgjidhte në organizatë, e ka spostuar atë duke u përpjekur t’i zgjidhë jashtë saj. Ka lejuar që të bjerë vigjilenca e të lejohen raste të kopjimit të literaturës së huaj. I ka munguar vigjilenca për t’i kapur e bërë problem, parullat armiqësore.
Me gjithë kritikat dhe thirrjet që i bëri Byroja e Partisë e Tiranës për të kuptuar dhe vlerësuar gabimet, ai nuk bëri autokritikë të shëndoshë e më shumë vuri në dukje meritat e tij, duke shprehur hapur se ai nuk ish dakord me qëndrimet që mbaheshin ndaj tij.
5. Duke qenë se punonjësit e ATSH-së ndodhen për çdo çast nën presionin e ideologjisë së huaj, Byroja porositi që të forcohet puna e organizatës së Partisë dhe e drejtorisë për edukimin ideologjik të punonjësve, dhe sidomos puna për aftësimin e kuadrove të reja që kanë ardhur në ATSH.
Tiranë, më 20.1.1976
SEKRETARI I K. P. TIRANES
(Sotir Kamberi)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.