Kryesore

Jemin Gjana: Kritikët e Bashës u thanë mbështetësve “mos votoni”. Kujt duan t’i shesin përralla kolegët e mi…?

16:00 - 01.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Valentina MADANI 

 

Jemin Gjana ndjehet i keqardhur për humbjen e thellë të PD-së. E priste humbjen, por jo në përmasat e 25 qershorit. Ai i di arsyet, sepse është pjesë e PD-së që në krijimin e saj. I njeh kritizerët, sepse janë kolegë të tij dhe bashkëjetesa e gjatë me ta ka bërë që t’i kuptojë qëllimet më qartë se të tjerët, pikërisht tani që kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së. Ish-ministri i PD-së tregon për “Gazeta Shqiptare” se ata nuk kanë moral të akuzojnë, pasi Basha ndoqi të njëjtat praktika për zgjedhjen e kandidatëve, siç është bërë edhe vite me radhë në PD dhe siç kanë bërë vetë ata përmes pushtetit që kanë pasur për vite me radhë në PD. “Por – thotë z.Gjana – atëherë ata nuk folën, sepse karriget i kishin të sigurta dhe tani që nuk i kanë më, duan të largojnë Lulzim Bashën. Z.Gjana zbardh mënyrën se si merreshin vendimet në PD dhe peshën që kishin Topalli, Bode, Patozi, Bregu, Imami në hartimin e listave, ndërsa shprehet për “GSH” se ka fakte se ata u kanë kërkuar mbështetësve të tyre që më 25 qershor të mos dalin në votime…

Z.Gjana, pse kaq e thellë humbja e PD-së më 25 qershor?

Unë nuk kam besuar se ne do të fitojmë, ose do të kalonin numrin e 72 deputetëve. Arsyeja e parë është se u futën të papërgatitur në proces. PS-ja dhe LSI-ja kishin një vit që kishin përcaktuar emrat e kandidatëve. Aty ku e majta besonte se nuk do të fitonte vota, çoi njerëz me para si Sadri Abazi, Gjici etj. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe LSI-ja. Kurse ne bëmë një fushatë trejavore. Së dyti janë blerë votat me paratë që kanë qarkulluar nga droga, krimi, nga koncesionet, abuzimet me tenderimet publike etj. Janë para të pafundme, me të cilat janë blerë vota me shumicë. Po i referohem Tiranës. PS-ja nuk ka mundur të shtojë vota në Tiranë. Ka mbajtur ato vota që kishte, çfarë do të thotë se nuk janë shitur shumë tek PS-ja. LSI ka shtuar 20 mijë vota. Për çfarë arsye? Skënder Gjinushi nuk futet vetë në parlament, por në parlament fut një pareli. Shpëtim Idrizi nuk futet vetë në parlament, por fut dy pareli të mëdhenj në Elbasan dhe në Dibër. Pra, është e qartë që vota është shitur masivisht. Natyrisht, me gjithë përpjekjet që u bënë, intimidimi, presioni mbi votuesit, kërcënimet me mjete të ndryshe në qendra të ndryshme votimi, ka bërë edhe ai pjesën e vet. Kështu që koha e mangët e PD-së për t’u futur thellë në fushatë, blerja e votës, presioni, grupet e krimit që kanë dalë nga burgjet dhe shumë faktorë të tjerë, janë rrjete shumë të errëta, janë rrjete që punojnë në prapaskenë, që nuk dalin në publik. Ata kërcënojnë, ata intimidojnë, ata bëjnë që njerëzit të votojnë kundër vullnetit të tyre. Të gjitha këto e kanë bërë këtë rezultat që doli më 26 qershor. Ka edhe një faktor tjetër, që e kanë pohuar të djathtët më shumë se të majtët. Të paktën në këto dy vite është thënë që nga Shqipëria kanë ikur 250 mijë veta. Kanë ikur kryesisht njerëz që janë në moshën e votimit. E sigurt është që 70 për qind e tyre kanë qenë dhe janë votues të së djathtës, sepse ata mbetën pa punë, ata u demotivuan, ata u futën në burgje për dritat, ata u bllokuan për patentën, për biznese etj. Pra, është një numër i madh votash të munguara. Kjo është pjesa që nuk ka qenë në dorën e PD-së.

…Dhe ajo që ishte në dorën e PD-së?

Janë disa faktorë të tjerë, njëri prej të cilëve është dilema e madhe, hyjmë apo nuk hyjmë në zgjedhje dhe të detyruar për shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm për të shkuar në zgjedhje pas një qëndrimi 3- mujor. Por, brenda pak ditësh nga presioni kryesisht amerikan, por edhe presioni brenda PD-së nga aktorë me peshë ndër vite në PD bënë që të hynin në zgjedhje. Mirëpo u futën në zgjedhje edhe ata që bënë presion që PD-ja të hynte në zgjedhje, ishin ata që nuk u panë asnjë ditë në fushatë dhe madje për fat të keq kërkuan tek mbështetësit e tyre që të rrinin në shtëpitë e tyre.

Ju po thoni që u kanë kërkuar mbështetësve të tyre që mos të votojnë PD-në?

Po, u kanë kërkuar mbështetësve të tyre që mos të votojnë PD-në. Harruan se kjo nuk është një hakmarrje ndaj Lulzim Bashës apo një intimidim. Ishte një hakmarrje ndaj demokratëve, sepse demokratët e pësuan, sepse ra rezultati i tyre zgjedhor.

Kjo është një akuzë e rëndë…

Janë absolutisht të vërteta, të deklaruara.

Kush konkretisht?

Nuk po zë emra, por janë shumica e këtyre që u lanë jashtë listës së deputetëve, të mos them që ka pasur prej tyre që kanë hyrë në intelekucion me individë që kandidonin jashtë PD-së në struktura të tjera dhe që çështja ka shkuar deri në pazare. Ata mendojnë se i kanë bërë në një mënyrë të fshehtë, por njerëzit flasin dhe unë kam fakte konkrete. Unë kam bërë për një muaj natën dhe ditën fushatë në Kamëz dhe Paskuqan. Kam bërë fushatë në Shkodër, kam bërë fushatë në Pogradec, kam lëvizur në Kukës dhe në Dibër dhe Mat, kështu që nuk jam njeri pa informacion, sepse jam shumë jetëgjatë në PD. Një tjetër faktor janë listat, që sipas mendimit tim, nuk patën listat më përfaqësuese siç e deklaroi z.Basha. Në atë listë u futën njerëz nga pjesa e hershme e PD-së, që nuk mund të them se ishin më të mirët e pjesës së hershme, por ishte në të drejtën e z.Basha që t’i nominonte. Ikën një pjesë shumë e madhe për të cilët mendoj se Basha mund të mbante një qëndrim tjetër.

Çfarë qëndrimi mund të mbante z.Basha?

Mund t’i vinte në pjesën fundore të listës, me qëllim që ata të shkonin dhe të fitonin vota, nëse do të dëshironin që të ishin në Kuvend. Por di edhe një gjë tjetër, që po t’i vinte ata në fund të listave, do të fillonin të jepnin dorëheqjet, siç bënë disa të tjerë, pasi u shpallën listat. Ka pasur edhe përfaqësime nga të rinjtë, që unë nuk i kam parë që të zhvillojnë performancën e duhur. Pra, lista është një çështje e debatueshme. Nuk mund të them se ishte lista e duhur. Është një listë e bërë në nxitim e sipër.

Çfarë po ndodh me kritizerët?

Unë i njoh shumë prej tyre, siç më njohin edhe ata mua. Me një pjesë prej tyre kam bërë jetë të gjatë politike. Por kujt duan t’ia shesin përrallën kolegët e mi, me të cilët kam qenë edhe unë duke thënë që listat u bënë për herë të parë pa vendim kryesie dhe pa pyetur njeri? Kur kanë pasur stolat nën b… për vete nuk e kanë e thënë, por e vërteta është që në 2011 nuk është mbledhur kryesia e partisë që të caktojë 400 kandidaturat për pushtetin lokal. Në 2013 jemi mbledhur në kryesinë e PD-së dhe Sali Berisha ka deklaruar se ju kam thirrur që t’ju konsultoj në kryesi dhe pas shumë debatesh dhe diskutimesh pjesa më e madhe e listës së 2013 është bërë pas orës një të mesnatës. Këtë e dinë mirë ata që flasin sot. Kur janë marrë vendimet si në 2011, ashtu edhe në 2013 kanë qenë Berisha, Topalli për pjesën e vet, Patozi për pjesën e vet, Olldashi ndjesë pastë, Ritvani për pjesën e vet, Noka për pjesën e vet. Kështu u vazhdua edhe në 2015-ën, po kështu edhe në 2017-ën. Tani ka një gjë, pse unë jam kundër këtyre që flasin? Sepse në Jurispudencë, precedenti është i barabartë me germën ligjore. Pra, precedentët i kemi krijuar në 2011, 2013, i kemi vazhduar në 2015 dhe i vazhdoi edhe Lulzim Basha në 2017-ën. Nëse do të jemi korrektë, gabuam ne, i kemi bërë keq, por të dalësh sot e të thuash se ne i kemi bërë mirë dhe se vetëm ky (Basha) po e bën keq, kjo është thjesht për të denigruar dikë. Qëllimi nuk është për ta zgjidhur lëmshin e ngatërruar, por për të denigruar z.Basha. Nuk dua të besoj, por nëse ka pasur akuza në publik se familjarët e drejtuesve të lartë të PD-së përzihen në kandidatura, nuk është një thashethemnajë vetëm e 2017-ës. Është një thashethemnajë që ka ekzistuar shumë vite më parë. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që: Stop se po përzihen edhe familjarët. Kjo akuzë për familjarët ka ekzistuar herët, ekziston edhe sot. Mendoj se nuk është e drejtë që familjarët të përzihen në vendimmarrje, por nëse ka ose jo, ne e dimë të gjithë. Por, them se është një vendim i gabuar, i padrejtë nëse familjarët përzihen në vendimmarrje. Por që ta quash një fenomen të sotëm kjo është e gabuar dhe emrin tribal nuk mund t’ia atribuojë sot askush PD-së. Në fakt, vetëm tribale nuk është, pasi po të ishte e tillë, shumë nga ata që kanë abuzuar me pushtetin e PD-së do të kishin votuar me trupa mbi heshta.

Çfarë do të thoni me këtë?

Më e keqja është se flasin ata, të cilët i kanë bërë gjërat vetë po me të njëjtat mënyra, po me të njëjtat metoda. Moralin nuk e kanë, sepse nuk kanë më karrige. Unë jam një prej atyre që vazhdoj të bëj fushatë, jo se i kam borxh thjesht PD-së, por u kam borxh demokratëve, të cilët më kanë bërë gjashtë herë deputet nga të katërta anët e vendit, pastaj jam bërë ministër. Por, po të mos më votonin gjithë shqiptarët, unë nuk bëhesha dot ministër. Prandaj këtë borxh që kemi ndaj demokratëve, ne duhet ta kthejmë, sepse kemi marrë mandate politike. Unë nuk jam më deputet dhe nuk ndjehem keq për këtë. Nuk është fundi i botës, por nuk kam dëgjuar asnjë nga kolegët e mi që të kenë shprehur ndonjë keqardhje, as të thonë se përse ndodhi. Madje, në bisedat me ta më kanë thënë se: “Duhet të largohesh dhe t’i lëshosh vendin dikujt tjetër…”.

Zj.Topalli ju ka thënë se duhet të largoheni nga parlamenti?

Shumë nga këta që flasin sot dhe disa të tjerë me heshtje, mund të flisnin edhe në 2013 siç flasin edhe sot në 2017. Përkundrazi mbajnë qëndrime të tjera. Unë kam bërë fushatë në Dibër dhe e nxora këtë qark 4 me 2 për PD-në dhe pas lëvizjeve të kryetarit, unë nuk shpreha keqardhje, përkundrazi i kam mbështetur. Kurse lidhur me Majlinda Bregun, do ju them një gjë tjetër. Nuk është parimore në qëndrimet e saj, sepse ndryshe flet sot dhe ndryshe ka folur atëherë kur Berisha e kishte caktuar si “kapitene të parë” që të kontrollonte të gjitha deklaratat publike të kolegëve të saj në qeveri dhe në parlament. Ajo thotë se sot duhet të merremi me vetveten. Atëherë kur vetë ishte në karrige nuk ka pasur të njëjtin princip. Ndaj po ju rrëfej një histori personale. Në fillim të 2013 kam qenë në një debat televiziv para gazetarit Çim Peka përballë Blendi Klosit dhe Andi Bushatit. Në atë debat përveç të tjerash kam pranuar se në përballjen e radhës elektorale, ne duhet t’u argumentojmë shqiptarëve edhe disa defektet tona në qeverisje. Të nesërmen gazetarja Anila Basha hap gazetën ku ajo drejtonte me titull të madh: “Gjana del kundër PD-së”. Po udhëtoja drejt Burrelit, isha deputet i qarkut të Dibrës dhe i pari më telefonon Berisha shumë i nervozuar dhe më pas debati vazhdon me Majlinda Bregun për sakrilegjin që kisha bërë. Ja përse këta njerëz me dy standarde, mua as më bindin dhe as nuk më pëlqejnë.

Z.Basha veproi drejt që i la jashtë listave të PD-së?

Shumë prej tyre mund të mbaheshin, por të vendoseshin në kufijtë e listës që t’i detyronte që të bënin fushatë për PD-në. Por, ata nuk kanë moralin që të thonë: ‘Përse nuk na thirrën?’. Edhe mua nuk më ka thirrur njeri, por që ditën e parë të fushatës kam shkuar në Kamëz e Paskuqan, në Shkodër, në Dibër, në Kukës sepse kam dalë për PD-në. Jozefina Topalli do t’i shtonte pikë vetes nëse sapo nisi fushata të shkonte në Shkodër dhe jo vetëm  të thoshte: ‘Mos dilni të votoni, sepse ju nuk keni punë me këta’, por të bënte thellësisht fushatë, donte apo nuk donte. Të njëjtën gjë duhej të bënte Ritvan Bode në Korçë, sepse ka shumë miq dhe njerëz të PD-së me të cilët ka punuar për vite me radhë. Duhej të punonte sërish me ta. Të njëjtën gjë duhej të bënte Patozi dhe shumë nga këta të tjerët që nuk ishin në listë. Në fund të fundit, ata do t’i kthenin borxhet që u kemi PD-së dhe demokratëve.

Besoni se pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha, siç pretendohet?

Unë nuk besoj që Lulzim Basha i ka bërë vetë listat. Ka apo nuk ka lidhje në këtë rast Berisha, këtë duhet ta thotë z.Basha. Unë nuk e them dot. Por nuk e besoj.

Si e konsideroni kërkesën e këtij grupi për shkarkimin e z.Basha?

Grupi është pjesa ekzistuese që moraliteti i tyre në këtë pjesë është i dyshimtë, sepse e bëjnë këtë kërkesë pasi u iku karrigia e pushtetit, ashtu si pjesa e të rinjve, të cilët para se të kërkojnë sot standardin, duhet t’i kishin menduar këto standarde atëherë kur janë përzgjedhur. 23 apo 25 koordinatorë të PD-së, shumë prej të cilëve e kanë emrin në listën kërkesës për shkarkimin e Bashës janë nominim i tij. Lind pyetja: Mbi çfarë kriteresh u përzgjodhën? Me kë konkurruan ata? Po ata që u bënë drejtues të departamenteve apo anëtarë kryesie? Kanë qenë me qindra kërkesa të tjera, por z.Basha përzgjodhi nga dy emra për secilin departament dhe u votuan. Të tjerët mbetën jashtë sipas pëlqimit të tij, pa zbatuar një sërë kriteresh të tjera. Ata janë futur në garë dhe kanë menduar se sapo morën detyrat e reja, menjëherë duhet të shkonin në skalionin e parë, të bëheshin deputetë. Kjo, pa pyetur se mbi çfarë standardi u përzgjodhën, cili kishte qenë kontributi i tyre i “madh” në PD? Unë kam qenë aty. Unë di të flas për secilin prej tyre. 90 për qind e tyre nuk kanë qenë në fushatë. Janë përzgjedhur dhe u është dhënë ajo detyrë për efekte shkollimi, për efekte të përbërjes familjare, për efekte të përfaqësimit zonal etj. Por, më parë duhet të kontribuojnë, të tregojnë se cilët janë, sepse të rinjtë që po vijnë në PD nuk po e shfaqin profilin e tyre politik. Duhet t’u tregojnë njerëzve që janë të zotë dhe jo të mendojnë direkt se si të bëhen deputetë. Por kjo ndodh si shumë të tjerë, por në teoritë elektorale ka një gjë: kush është humbës në zgjedhjet pararendëse, nuk mund të kandidohet në zgjedhjet pasrendëse. Këto standarde nuk janë zbatuar dhe në këtë rast mendoj se një pjesë të përgjegjësisë e ka kryetari i PD-së.

(Vijon në numrin e nesërm)


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Basha me mbeshtetje mori 450000 vota. Disidentet pa fushate te hapur 200 000 vota. Keshtu qe politika e Bashes nuk ka qene e duhura. Kane apo nuk kane kellqe te tjeret. Por me kellqet e Bashes PD vetem po tkurret.

    Përgjigju ↓