OPINION

Një mundësi për të dalë nga kriza

07:39 - 01.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Enno BOZDO

 

Rezultati zgjedhor është pak të thuhet që ishte shumë i rende për Partinë Demokratike, i rende dhe i pamerituar, dhe për fat të keq, jo i papritur. Së pari, të gjitha të dhënat nga terreni, nga ata të cilët u përballën në vetë të parë me fushatën, treguan se përballë formacionit politik të PD, nuk garoi thjesht PS dhe LSI, por sekserët me shumë para dhe banditët, të cilët nuk rreshtën se intimiduari votuesit. Përdorimi gjerësisht i administratës në paralel me bandat kriminale, paratë pafund të derdhura për blerjen e votës, shpjegojnë gjerësisht rritjen prej afro 100 mijë votash të PS, pas katër vjeçarit më skandaloz në qeverisjen e vendit, që prej vitit 1991.

Operacioni masiv për blerjen e votës kish filluar, në fakt, që në shkurt të këtij viti, atëherë kur demokratët nisën protestën dinjitoze në Çadrën e Lirisë. Personalisht kam qenë në dijeni të mbledhjes së kartave të identitetit në mes të Tiranës, sigurisht kundrejt pagesës.

Nuk e ofroj aspak këtë argument për të justifikuar rezultatin zgjedhor, sepse afro 200 mijë vota demokratë që munguan, munguan për shkakun tonë dhe jo për meritë të kundërshtarit. Në këtë kuptim, problemet që shoqëruan fushatën, si p.sh. cilësia e përfaqësimit në listën e PD, mesazhi i zhbalancuar që u dhamë njerëzve tanë, flirtimi absurd (i perceptuar) me PS dhe më pas me LSI, mos fokusimi i mjaftueshëm në pikat e rëndësishme të programit (aq sa çuditërisht u krijua përshtypja e gabuar që PD nuk kishte çfarë të ofronte), patën ndikimin e tyre të konsiderueshëm në rezultat.

Sigurisht zoti Basha ka marrë mbi vetë përgjegjësinë e këtij rezultati. Ai e ka pranuar plotësisht përgjegjësinë. Dhe kjo është diçka, por jo e gjitha. Demokratët kanë nevojë të dëgjojnë nga zoti Basha përse-në e kësaj humbjeje, duhet të dëgjojnë të gjitha arsyet, edhe gabimet personale. Kjo ndershmëri në komunikim, do t’u bëjë mirë të gjithëve.

Ne tashme kemi hyrë në një proces zgjedhor brenda partisë. Ne mendimin tim është procesi më delikat në këto 27 vjet, proces, i cili potencialisht mund të ribashkojë PD, por, edhe mund ta copëtojë atë më tej. Prandaj ky proces duhet të jetë i tillë që të mundësojë dhe sigurojë bashkimin dhe jo përçarjen, forcimin e PD dhe jo bjerrjen e mëtejshme të saj. Duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të mos përjashtojë askënd duke i përfshirë të gjithë.

Ky proces duhet t`i ofrojë PD mundësinë për të dëgjuar zërin e demokratëve, nga anëtari më i thjeshtë, deri te zyrtari më i lartë. PD nuk mund të jetë e shurdhër, sepse nuk e ka luksin për të qenë e tillë. Duhet të garantohet mundësia që çdo demokrat të flasë dhe të thotë atë që mendon, ashtu siç e mendon ai!

Me duhet të pohoj se ka një mosbesim absolut nga palët për këtë proces. Palët i referohen statutit të PD, dhe kjo tregon qartë që askush nuk ka besim që mund të ofrohen të gjitha garancitë për zgjedhje të ndershme dhe të drejta brenda PD. Ka një debat tashmë mbi çështjen e dorëheqjes së z. Basha. Unë besoj se do të ishte në të mirë të barazisë së procesit ky gjest, por besoj, gjithashtu, se z. Basha duhet të rikandidojë n.q.s. dëshiron. Normalisht që çdo kandidat kërkon (me shumë të drejtë) garanci absolute për të hyrë në garë. Më duhet të them se deri tani këto garanci nuk janë shpalosur. Unë personalisht nuk i gjej të shkruara në asnjë dokument, apo të pasqyruara nga asnjë media. N.q.s. këto garanci do të ofroheshin, atëherë çdo gjë mund të tejkalohej, madje edhe vetë debati mbi dorëheqjen. Por nga ana tjetër, nuk do të ishte e ndershme që në rast se të gjitha garancitë ofrohen, dikush të përbaltë procesin thjesht për përfitim politik dhe jo për meritë të tij.

Më poshtë po rendis disa pika kryesore të një platforme, plotësimi i të cilave mund të sjellë një proces të drejtë dhe një garë të pranuar nga të gjithë, që bashkon PD duke e ringritur atë:

  1. Afati i fushatës: Besoj janë të gjitha mundësitë që afatet e fushatës të jenë fleksibël, brenda një kornize të caktuar. Afati i pranimit të kandidaturave, ashtu si edhe data e votimit nuk mund dhe nuk duhet të jetë tabu për t’u ndryshuar, n.q.s. kandidatet bien dakord për një gjë të tillë. Sikundër nuk mund të zgjaten pafundësisht, sepse kjo sjell dëmtimin e PD dhe opozitës së saj përballë një maxhorance agresive si dhe për të filluar menjëherë përgatitjet për fushatën elektorale (zgjedhjet vendore pas 2 vjetësh).

 

  1. Modaliteti i fushtates: Kandidatët duhet të bien dakord me mënyrën sesi do të zhvillohet fushata, cili do të jetë formati i debatit, si dhe cila do të jetë mënyra e votimit. Personalisht do të sugjeroja një fushatë ku kandidatët përballen përpara demokratëve me njeri-tjetrin, ku kanë mundësi të bëjnë pyetje dhe komente, si dhe t’u përgjigjen pyetjeve të audiencës. Kjo zgjidhje është veçanërisht e dobishme, sepse konsumon edhe konceptin e “analizës”, që me të drejtë konsiderohet si e domosdoshme. Analiza e rezultatit ndodh kur demokratët kërkojnë shpjegime për fushatën, por edhe për angazhimin e gjithkujt në fushate. Gjithashtu, kjo mënyrë do të zbuste shumë edhe konfliktualitetin potencial në bazë, sepse kandidatët do të dalin së bashku. Nga ana tjetër, votimi duhet të zhvillohet në një ditë të vetme.

 

  1. Administrimi i procesit: Kandidatët duhet të kenë akses të barabartë, imediat, totalisht transparent në listën e zgjedhësve (lista e anëtarësisë). Kandidatët duhet të kenë akses në shtypin e partisë në mënyrë të barabartë. Kandidatëve duhet t’u ofrohet zyrë në PD dhe gjithë infrastruktura tjetër e nevojshme për një primare elektorale. Duhet shmangur plotësisht ndikimi i personave influentë mbi strukturën, duke realizuar monitorimin e tyre dhe ndërhyrjen kur një influencë behet e padrejtë. Kushtet e fushatës duhet t’u sigurohen të gjithëve njësoj. Struktura duhet të vihet në dispozicion të kandidatëve sa herë që ata e gjykojnë të nevojshme. Duhet të formohen grupe me përfaqësues (nga një për çdo kandidat) të kandidatëve, të cilët do të kontrollojnë nga afër angazhimin neutral të strukturave. Duhet të ketë nga një grup miks për çdo qark.

 

  1. Etika e procesit: Sjellja dhe gjuha e përdorur në fushatë duhet të jetë e kontrolluar, në mënyrë që të shpalosen idetë dhe jo sulmet personale. Demokratet, por edhe gjithë shqiptaret duhet të shohin një fushatë model, civile, me ide dhe platforme konkrete opozitare.

Nëse të gjitha këto kushte plotësohen dhe jepen garanci konkrete për zbatueshmërinë e tyre, besoj se do mundësonte një fushate ekselente qe do t’i shërbente PD. Këto garanci do të tejkalonin edhe debatin e dorëheqjes, sepse praktikisht ofrojnë kushte të barabarta për të gjithë.

 

 

Autori është sekretar organizativ i Partisë Demokratike


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nje analize shume e sakt. Kush nuk pranon keto rregulla minimale te propozuara nga vete sekretari organizativ i pd, dmth qe ka plan te manipuloje zgjedhjet

    Përgjigju ↓