KULTURË

“Ekrani i Artit” / Një festival filmi për artin e lirinë

09:00 - 05.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Nga tensioni i Sara-jevës dhe mishërimi i kurajës së  një popullit për liri, te një udhëtim nëpër galeri; nga aparteidi i Afrikës te mesazhi i Oppenheim për lirinë; një autoportreti të pazakontë i Hirst dhe një rrëfim mbi dritën.
Anri Sala, Olafur Eliason, Damien Hirst, Jack Cocker, William Kentridge, Meret Oppenheim sjellin së bashku artin dhe mesazhet e tyre në Shkodër në një festival filmi, që shënon të parin udhëtim në Shqipëri. “Art House” i Adrian e Melisa Pacit bart nga Firence “Lo Schermo dell’Arte” për të shfaqur “Ekranit e artit” mes kinemasë së qytetit dhe Arkës në datat 7-9 korrik në Shkodër. “Lo Schermo dell`Arte” është një festival ndërkombëtar i filmit, që organizohet prej 2008-ës në Firence në bashkëpunim me institucione kulture, qendra arti, akademi e universitete. Sivjet, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Institutin Italian të Kulturës synon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, duke takuar filmat me instalacionet e videot, artistët me kuratorët. Të ftuar te “Ekrani i artit” janë Silvia Lucchesi, drejtoreshë e “Schermo dell’Arte” dhe Leonardo Bigazzi, kurator i ‘VISIO European Programme on Artists’ Moving Images, një projekt paralel, që zhvillohet në Firence në kuadër të “Lo Schermo dell’Arte”.
Ditët e festivalit, krahas projeksioneve të filmave, do të shoqërohen me takime dhe diskutime mbi filmat e prezantuar pranë Qendrës Rinore “Arka”.
FILMAT
“1395 ditë pa të kuqen” i Anri Salës (Shqipëri, 2011, 50’), shfaqet më 9 korrik, ora 20:00. Fryt i një bashkëpunimi me Šelja Kameric, përmes muzikës të Patetica-s të Tchaikovsky-t, e luajtur nga orkestra filarmonike e Sarajevës nën udhëheqjen e Benjamin Meyers dhe interpretimit të aktores spanjolle Maribel Verdu, “1395 Days without Red” sjell atmosferën e tensionuar të njërës prej 1395 ditëve të rrethimit të Sarajevës nga 1992-1996. Gjatë këtyre ditëve jeta e qytetit nuk ka ndaluar asnjëherë, ndonëse edhe një veprim i thjeshtë, si të dalit nga shtëpia apo kalimi në rrugë nënkuptonte rreziqe ekstreme për banorët e tij. Ndër figurantët e ndryshëm në film, përfshirë këtu edhe protagonisten në rrugëtimin e saj të heshtur e pa ngjyrë në rrugën e njohur si Sniper Alley është edhe Meliha Vareshanovic, e cila ecjen e saj të guximshme dhe elegante, e kapur befasisht në një fotografi, mëshiron kurajën dhe thirrjen për liri të një populli të tërë.
“Turning the Art world Inside Out” nga Jack Cocker (Britani e Madhe, 2013,70′) rindëron historinë dhe fatin e të ashtuquajturit “outsider art” që nga formimi i ‘Collection de l’Art Brut di Jean Dubuffet’ në Losanna e deri tek lindja, në kohërat tona, e realiteteve të tilla si ‘Museum of Everything’ (Muzeu i çdo gjëje). Në përpjekjen për të përcaktuar shumëllojshmërinë e përvojave që lindin nën një etiketë të vetme, Jack Cocker, drejtori kreativ i BBC ka shëtitur të gjitha qendra e produksionit, galeritë dhe studiot private duke takuar protagonistët e një universi kreativ e paralel, që duket gjithnjë e më i integruar në sistemin zyrtar të artit.
”William Kentridge: Anything is Possible” nga Susan Sollins (SHBA, 2010, 54′), Kentridge tregon mbi aparteidin në Afrikën e Jugut, duke reflektuar këtë në një punë mbi 30-vjeçare të lidhur me tematika historike, politike e sociale. I intervistuar në studion e Johanesburgut, ai tregon rrugëtimin dhe poetikën e tij duke u shfaqur si performues, regjisor e skenograf gjatë realizimit të projekteve të ndryshme: që nga video e “Breathe” (2008) tek performanca e “I Am Not Me, The Horse Is Not Mine” (2008), realizuar nga vetë Kentridge e deri tek vepra teatrale “The Nose” (2010) e Dmitri Shostakovich, frymëzuar nga libri me të njëjtin emër i Gogolit.


“Meret Oppenheim ou le Surréalisme au féminin”- Daniela Schmidt-Langels (Gjermani, 2013, 56’) shfaq Oppenheim (1913-1985) një nga artistet më të jashtëzakonshme të shekullit XX. Puna e saj bazohet në çmontimin e të zakonshmes dhe paraqitjen e papritur të reales, e gjitha e ekuilibruar nga një sens humori. Nga kjo rrjedhin subjekte njëkohësisht të mirësistemuar e perversë, i pari ndër të cilët “Colazione con pelliçia”, një portret brilant që na paraqet një artiste poliedrike, piktore e skulptore që shkroi poezi dhe realizoi kostume, duke vënë në dukje lidhjet e saj me artistë të famshëm si Man Ray i cili i kërkon të pozojë për të, Daniel Spoerri për të cilin vizaton maska e kostume, Alberto Giacometti të cilin e kundron me vëmendje. Dokumentari na tregon përmes intervistave të miqve sfidën e madhe të të qenurit një grua artiste si Meret Oppenheim, e cila pohon se “lirinë nuk ta jep askush, por duhet ta marrësh vetë”.
“Damien Hirst: Thoughts, Work, Life” nga Chris King (Britani e Madhe, 2012, 37′), shoqëruar nga kolona zanore me këngë të “The Clash”, “The Stone Roses”, “Peters & Lee”, filmi shtrihet që nga vizatimet e tij të para e deri tek veprat më të vona duke eksploruar vitet e fëmijërisë së artistit në Leeds, formimin e tij të mëtejshëm në Londër e arrin deri në ditët tona. E gjitha shoqërohet me fotografi e filmime origjinale, shumë prej të cilëve të marra nga arkivi personal i artistit. Damien Hirst, i vlerësuar në vitin 1995 me çmimin prestigjioz “Turner Prize”, hapi në vitin 2012 ekspozitën e tij të parë retrospektivë në Tate Modern, e cila u parapri në fillim të atij viti nga ekspozita “Damien Hirst The Complete Spot Paintings 1986-2011” e hapur njëkohësisht në 11 qendra të galerisë “Gagosian”. Kjo ekspozitë na prezanton një artist popullor e kontrovers, që flet për vetveten përmes një autoportreti të pazakontë.
”Meeting with Olafur Eliasson” nga Marco Del Fiol (Brazil, 2011, 27′) nis me hapjen e kutive ambalazhuese që mbajnë veprat. Duke qëndruar pezull në boshllëkun e Pinakotekës të Shtetit të San Paolo-s, disa sillen mbi litarë si akrobatë gjatë fiksimit të strukturave të xhamit të “Microscope to Sao Paulo” dhe “Take Your Time”; ndërkohë të tjerë, në SESC Belezinho, lëvizin në ambiente gjysmë të errëta për të vendosur lanternën ndriçuese të “Your Comsic Campfire”. Video na tregon magjinë e pastër të veprave të Eliasson, duke u ndalur tek raporti i tyre me hapësirën dhe qendrën e përfshirjes së personave, eksperienca e të cilëve konsiderohet nga artisti si pjesë e procesit krijues. Lidhur me këto imazhe, Eliasson flet për rolin e dritës, të relativitetit, të orientimit, të kohës duke ndërtuar fjalorin e tij në sajë të një reflektimi mbi kërkimin.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Anri Sala te artist buxhetor i perkrahur nga Rama dhe qeveria Franceze. Ka mijera ne evrope dhe ne shqiperi shume me te mire se ai ppr mami valdete ish komuniste nepermjet sorosit e mbajti ne france se ishte duke ikur. Po ashtu ka disa artiste nga keta te mesilermit qe funksionojne nga qeverite. Nderkohe qe buxhetin per kulturen ne shkoder e merr Adrian Paci, artisti i promovuar nga San Egidio dhe i mbeshtetur nga Rama besimtari. Nga ana tjeter artistet shkodrane skane asnje kokerr leku

    Përgjigju ↓