EKONOMI

Procedurat me pronat, Hipoteka të gjitha shërbimet ‘online’. Beqiri: 51 shërbimet në “e-Albania”

10:00 - 06.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela MANJANI




Qytetarët që duan të kryejnë veprime me pronat, shitblerje, marrje tapie, ndryshim kufijsh apo regjistrime të të gjitha llojeve të kontratave nuk kanë më nevojë të presin radhët në dyert e Hipotekës, pasi këto shërbime ofrohen ‘online’. Janë në total 51 shërbime, të cilat merren nga portali unik qeveritar “e-Albania”. Vetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka publikuar një intervistë të specialistit  Ermal Beqiri, i cili bën të ditur jo vetëm shërbimet që mund të merren ‘online’, por edhe procedurat që duhet të ndjekin qytetarët.
Shërbimet
Projekti “51 shërbimet e ZRPP në portalin e-Albania” është kurorëzimi i procesit të gjatë të dixhitalizimit për Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Procesi i digjitalizimit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka kaluar në disa faza: dixhitalizimi i plotë i informacionit të pasurive të paluajtshme dhe procedurave të ndjekura nga ZRPP-të për procedimin e kërkesave; identifikimi në mënyrë unike të pronarëve nëpërmjet popullimit me NID/NIPT; integrimi i shërbimeve në portalin unik qeveritar “e-Albania” si dhe implementimi i vulës dixhitale nëpërmjet portalit “e-Albania”. Tashmë qytetari mund të aplikojë për secilin prej 51 shërbimeve të ZRPP-së në çdo kohë dhe çdo vend. Menjëherë pas kryerjes së aplikimit dhe pagesës, qytetari për shërbimet e nivelit 4 mund të shkarkojë dokumentin e gjeneruar me vulë dixhitale. Ky projekt synon të përmirësojë ndjeshëm shërbimin e ZRPP ndaj qytetarit, duke rritur besueshmërinë, transparencën dhe duke ulur korrupsionin.


Dixhitalizimi i “51 shërbimeve të ZRPP në portalin e-Albania”, çfarë do të thotë kjo për shqiptarët?
Ermal Beqiri: 51 shërbimet e ZRPP janë shërbime elektronike, që përbëjnë një ndër pjesët më të rëndësishme të portalit “e-Albania”, pasi i krijojnë mundësinë qytetarëve apo bizneseve të marrin shërbimin e kërkuar pa shpenzuar kohë në zyrat e ZRPP si dhe duke evituar burokracitë e panevojshme.? Në këtë mënyrë synohet të përmirësohet disponueshmëria, cilësia dhe transparenca e shërbimeve publike si dhe të reduktohet koha e zbatimit të procedurave dhe kostot e administratës publike.
Cili ka qenë qëllimi i implementimit të një projekti të tillë?
Ermal Beqiri: Qëllimi strategjik është ofrimi i shërbimeve të ZRPP për qytetarët nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”. Nëpërmjet këtij projekti, qytetarët mund të aplikojnë nga kudo dhe kurdo. Gjithashtu, me implementimin dhe hyrjen në fuqi të vulës dixhitale, qytetari mund të shkarkojë direkt nga portali “e-Albania” dokumentet hipotekore, të cilët do të kenë të njëjtën vlerë ligjore si dokumentet e gjeneruara nga vetë institucioni.
Cilat janë përfitimet e qytetarëve shqiptarë?
Ermal Beqiri: Portali unik qeveritar, nëpërmjet ndërveprimit të të gjitha bazave të të dhënave shtetërore dhe ndërfaqësimit unik të tyre në një platformë të vetme ofron shërbime elektronike në kohë reale, pa pasur nevojë që për të dhënat dytësore të kërkuara nga një shërbim, të drejtohesh pranë zyrave të ZRPP. Në këtë mënyrë, shmangen burokracitë nëpër zyrat në ZVRPP si dhe kursehet kohë jo vetëm nga ana e palës që kërkon shërbimin (qytetar, biznes, vizitor apo administratë publike), por edhe nga ana e punonjësve të ZRPP, që duhet të japin informacion në lidhje me hapat e procedurave apo dokumentacionit që nevojitet për përfitimin e një shërbimi.
Cilat janë disa prej shërbimeve kyçe të ofruara?
Ermal Beqiri: Tashmë në portalin “e-Albania” ofrohen 51 shërbimet e ZRPP, ndër të cilat më të kërkuarat janë:
• Regjistrimi i akteve noteriale, që lidhen ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe pronarëve të truallit apo me subjektet e treta.
• Regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ.
• Regjistrimi i kontratave të shitjes.
• Regjistrimi i kontratës së dhurimit.
• Regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia.
• Regjistrimi i kontratës së shkëmbimit.
• Regjistrimi i kontratës së qirasë apo nënqirasë.
• Regjistrimi i aktit të trashëgimisë.
• Kopje të vërtetuara të dokumenteve tekniko-ligjore, në të cilat bazohet regjistri i pasurive të paluajtshme.
• Konsultimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme.
• Verifikim “online” i gjendjes juridike të pronësisë dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme.
• Informacion zyrtar i pasurisë për individët dhe institucionet.
• Lëshim kopjeje të fragmentit të hartës kadastrale.
• Lëshim kopjeje kartele të pasurisë.
• Lëshim vërtetimesh (negativ/pozitiv).
• Lëshim certifikate pronësie.
Sa ka qenë kostoja e implementimit të këtij projekti?
Ermal Beqiri: Kostoja totale e implementimit të këtij projekti ka qenë 115 541 784 lekë.
Si ka qenë numri i përdoruesve?
Ermal Beqiri: Numri i përdoruesve ka ardhur në rritje që nga fillimi i implementimit të këtij projekti. Aktualisht ka rreth 9000 aplikime të kryera nga portali “e-Albania” për llogari të ZRPP.
Këto shërbime a do të vijojnë të ofrohen edhe në sportelet krahas formatit “online”?
Ermal Beqiri: Për qytetarët do vazhdojnë të ofrohen shërbimet edhe në sportele. Duke pasur parasysh që jo çdokush është i aftë të kryejë veprime “online”, qytetari përveçse nëpërmjet “e-Albania”, mund të aplikojë edhe nëpërmjet noterëve apo sporteleve të ZRPP.
Cilat kanë qenë sfidat e implementimit të këtij projekti?
Ermal Beqiri: Si çdo risi, edhe implementimi i këtij projekti ka pasur sfidat e veta. Vështirësitë më të mëdha janë hasur në ndjekjen e procedurave nga “backend” i Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo, për vetë faktin se tashmë çdo procedurë ndiqet në formë dixhitale, duke u eliminuar dokumentet letër dhe mandatet e pagesave me të cilat janë kryer veprimet e mëparshme. Gjithsesi, tashmë kjo pengesë u tejkalua falë mirëmenaxhimit dhe përkushtimit për ta çuar deri në fund këtë proces.
Si është planifikuar përmirësimi i shërbimit në të ardhmen?
Ermal Beqiri: Siç edhe dihet, ZRPP është në proces të vazhdueshëm dixhitalizimi të informacionit alfanumerik dhe atij hartografik. Mbyllja e procesit të dixhitalizimit do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e ofrimit të shërbimeve “online”, sidomos të shërbimeve të nivelit 4, që shoqërohen me gjenerim të menjëhershëm të dokumenteve dixhitale.
Të jesh shërbimi publik më i mirë i vitit, çfarë do të thotë për ju?
Ermal Beqiri: Vlerësimi si shërbimi publik më i mirë i vitit, parë në këndvështrimin e impaktit që ky projekt ka në përmirësimin e jetës së qytetarit, është një stimul shumë i mirë jo vetëm për mua, po për të gjithë ata, të cilët kanë në dorë të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

Dokumentet që merren “online”
• Regjistrimi i akteve noteriale, që lidhen ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe pronarëve të truallit apo me subjektet e treta.
• Regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ.
• Regjistrimi i kontratave të shitjes.
• Regjistrimi i kontratës së dhurimit.
• Regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia.
• Regjistrimi i kontratës së shkëmbimit.
• Regjistrimi i kontratës së qirasë apo nënqirasë.
• Regjistrimi i aktit të trashëgimisë.
• Kopje të vërtetuara të dokumenteve tekniko-ligjore, në të cilat bazohet regjistri i pasurive të paluajtshme.
• Konsultimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme.
• Verifikim “online” i gjendjes juridike të pronësisë dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme.
• Informacion zyrtar i pasurisë për individët dhe institucionet.
• Lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale.
• Lëshim kopje kartele të pasurisë.
• Lëshim vërtetimesh (negativ/pozitiv).
• Lëshim certifikate pronësie.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. ore ca flet ky me ne zrpp duhet te behet qilizem nga drejtori i madhe dhe deri tek drejtoret e rretheve shko nje here ne zrpp e qyteti te durresit mafie e gjalle atje per vec policit dhe pastrueses te gjithe jane te koruptuar 50 euro te kerkojne per nje rregjistrim pallati se futesh tek shumica dhe 10000 leke te reja per nje certifikat individuale dhe i ndajne per nje pallat hartografi 500 euro juristja 500 euro shefi i zones 500 euro drejtori qe eshte tani 500 deri ne 1000 euro nuk firmos ai asnje dokument po si dhe gje kjo eshte e vertete pyesni ne durres dhe do tju tregojne qe cfare flliqesirash jane ti mbajne dokumenta me muaj po nuk dhe gje

    Përgjigju ↓