OPINION

G-20 përballë sfidës në Hamburg

07:26 - 07.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga dr. Jorgji KOTE

 

Si rrallë ndonjëherë nga krijimi i tij, ka pasur një vëmendje, interesim dhe shqetësim politik e qytetar në prag të samitit të 20 vendeve më të zhvilluara të botës (G-20), që zhvillohet më 7-8 korrik 2017 në Hamburg të Gjermanisë. Epilogu i këtij shqetësimi qytetar ka ditë që po shfaqet në Hamburg, ku me mijëra protestantë skeptikë kanë filluar demonstrimin e tyre, që do të përshkallëzohet gjatë dy ditëve të ardhshme, por që shpresohet të jetë paqësor, pa degjeneruar në akte të dhunshme. Ndërkohë, mediat gjermane vlojnë nga debatet dhe polemikat mbi rezultatet e tij të pritshme. Në fakt, ky samit është paraprirë qysh pardje nga vizita zyrtare në Berlin e presidentit kinez, si dhe nga kontakte, biseda dhe telefonata të shumta ndërmjet liderëve pjesëmarrës.

Ndër arsyet kryesore të këtij tensioni të pazakonshëm politik janë problematika e këtij takimi me tema të tilla të nxehta, si Traktati i Paqes i Parisit dhe ndryshimet klimatike, kriza e azilit, terrorizmi, tregtia e lirë ndërkombëtare, proteksionizmi, e deri te kërcënimet më të fundit të Koresë së Veriut. Këto janë tema ku përplasen interesa, parime, traktate dhe konflikte serioze strategjike; këto të fundit, në vend që të përafroheshin ose zvogëloheshin, duket se janë shtuar edhe më tepër, sidomos pas ardhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ishte pikërisht ai që me qëndrimet e tij të njëanshme çoi në dështimin unikal të Samitit të G-7 në qershor në Itali, çka ka hedhur hijet e dyshimit edhe mbi Samitin e Hamburgut. Këtë atmosferë të rënduar e shton dhe fakti se aty marrin pjesë edhe liderë të disa shteteve, të njohur për prirjet e tyre autoritariste, të akuzuar për korrupsion dhe si shkaktarë të gjendjes së krijuar në këto fusha.

Por ka dhe lajme të mira që japin jo pak shpresë. Në sfond të kësaj ngjarjeje janë fitoret e bujshme të forcave të moderuara politike dhe miqësore ndaj tematikës së këtij samiti, sidomos në Francë nga lëvizja politike “Republique en Marche” e presidentit Macron. Lajmi tjetër pozitiv i ditëve të fundit është se presidenti Trump shprehu mbështetjen për kurorëzimin me sukses të demarsheve të nivelit më të lartë politik gjatë këtij samiti. Pas presidentit kinez që ndodhet për vizitë në Berlin, edhe presidenti rus Putin do të ketë një bisedë kokë më kokë me kancelaren Merkel gjatë punimeve të samitit në fjalë etj.

Po çfarë përfaqëson ky grupim, si, kur dhe pse lindi? G-20 u krijua si nismë e përbashkët amerikano-gjermane në vitin 1999, d.m.th. mbi 20 vjet më vonë se G-7. Megjithëse në të përfaqësoheshin vendet më të pasura të botës, G-7 përfshinte vetëm 10 për qind të popullsisë dhe 46 për qind të GDP-së botërore, duke mos pasur kësisoj legjitimitetin e duhur për të diskutuar dhe ca më pak marrë vendime për ekonominë planetare; këtë mision e përmbush shumë më mirë G-20, e cila përfaqëson 2/3 e popullsisë dhe jep 85 për qind të GDP-së botërore.

Krahas vendeve anëtare të G-7 (SHBA, Japoni, Gjermani, Francë, Mbretëri e Bashkuar, Kanada dhe Itali), në këtë grupim politiko-ekonomik të më të “mëdhenjve” të botës bëjnë pjesë edhe Rusia, Kina, India, Brazili, Indonezia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia, Meksika, Argjentina, Australia si dhe BE-ja.

Në forumet e tij marrin pjesë edhe FMN, Banka Botërore, OBT, OBSH, OECD, Banka Qendrore Evropiane etj.

Fillimisht, G-20 mblidhej vetëm në formatin e ministrave të Financave dhe guvernatorëve të Bankave Qendrore. Nga viti 2009 e tutje, filluan të zhvilloheshin edhe samitet vjetore të G-20, me praninë e kryetarëve të shteteve/qeverive. Aty trajtohen temat dhe shqetësimet më madhore politike, ekonomike dhe financiare, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht bashkëpunim shumëpalësh.

Ashtu si në rastin e G-7, diskutimet dhe aty janë informale, pra jo detyrimisht vendimmarrëse. Por, nisur nga tematika dhe trajtimi i problemeve, formati më i lartë përfaqësues i mundshëm, kolaudimi i pozicioneve të palëve të ndryshme për probleme të caktuara dhe imazhi që rrezaton, ky grupim është po aq i rëndësishëm sa dhe G-7.

Kryesimin vjetor të G-20 për këtë vit e mban Gjermania, që është dhe mikpritëse e këtij samiti. Ajo ka zgjedhur posaçërisht Hamburgun për simbolikën e tij specifike, si qytet i hapur, i njohur si qendër e tregtisë ndërkombëtare falë dhe portit të tij, i dyti më i madh në Evropë.

Nisur nga sa më sipër, Gjermania ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e saj të mëdha e të spikatura politike-diplomatike, me qëllim që ky samit jo vetëm të mos dështojë, por edhe të shënojë hapa përpara në trajtimin dhe zgjidhjen e duhur konsensuale të problematikave të lartpërmendura.

Së fundi, Hamburgu do të jetë një tjetër provë dhe sfidë e aftësive menaxhuese të kancelares Merkel, e cila pas çdo krize ka treguar se del më e fortë politikisht dhe moralisht. Edhe pse Merkel e ka pothuajse të sigurt qysh tani mandatin e katërt si kancelare në zgjedhjet e reja parlamentare të datës 24 shtator, arritjet në këtë samit do të jenë një tregues dhe dëshmi tjetër e madhe jo vetëm për reputacionin e saj dhe të Gjermanisë, por mbi të gjitha për përparimin global në këto tema vendimtare; jo vetëm për një apo disa vende, por për fatet e gjithë njerëzimit në të ardhmen.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.