DOSSIER

Raporti për Enverin: Ç’flasin artistët për njëri-tjetrin

09:00 - 10.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dashnor KALOÇI

 

Informacioni sekret i Enver Halilit i marsit 1973 për Enver Hoxhën, lidhur me problemet që zienin në Teatrin e Operës e Baletit dhe Ansamblin e Shtetit

“Besim Zekthi tha: Çdo punë u bë si ka dashur Fadil Paçrami nëpërmjet Koço Vasilit e Zhani Cikos”

Dokumenti arkivor që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një raport-informacion që mban datën 30 mars të vitit 1973, ku Enver Halili, asokohe funksionar i lartë në Komitetin Qendror të PPSH-së, informon udhëheqjen e lartë lidhur me problemet që kishin dalë nga analiza e punës dyvjeçare në Teatrin e Operës, Baletit dhe Ansamblin e Shtetit, ku ai kishte qenë vetë i deleguar dhe kishte marrë pjesë në disa mbledhje të atij institucioni nga më kryesorët e Artit dhe Kulturës. Kjo gjë duket dhe nga dokumenti në fjalë (shiko faksimilet përkatëse), pasi raport-informacioni i Enver Halilit, është parë jo vetëm nga Enver Hoxha, por edhe nga krerë kryesorë të udhëheqjes së partisë dhe shtetit të asaj kohe, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe Haki Toska, gjë e cila ndeshet rrallë në dokumente të tjera arkivore të asaj periudhe dhe më pas (kjo gjë duket edhe nga shënimet dhe firmat që ata kanë vënë në dokument). Ashtu siç do të shohim edhe nga raport-informacioni i përgatitur nga mbledhja, e cila zhvillohej vetëm dy javë pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku si temë kryesore ishte: “Shfaqjet e huaja liberale dhe ndikimi i tyre në art, kulturë, letërsi”, diskutim të cilit i kishte paraprirë goditja dhe anatemimi që i kishte bërë vetë Enveri personalisht, Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizion, fokusi i sulmeve dhe goditjeve në atë institucion, ishin: Mihallaq Luarasi (regjisor), Koço Vasili (Drejtor i Operës), Zhani Ciko (udhëheqës artistik i Operës), Milto Vako (udhëheqës artistik e regjisor) si dhe Ali Oseku, piktor dhe autor i dekoreve pranë atij institucioni. Të gjithë këta akuzoheshin se nën ndikimin e Fadil Paçramit, kishin bërë në Opera, Balet dhe Ansamblin e Shtetit, gjithçka kishte kërkuar dhe sugjeronte ai. Dhe si rezultat, ata edhe u dënuan më vonë me masa nga më të ndryshmet: Mihallaq Luarasi, Milto Vako dhe Ali Oseku përfunduan për vite me radhë në burgjet politike të regjimit komunist, Koço Vasili fillimisht u dërgua në qytetin e vogël të Laçit, ku punoi si punëtor llaçi e betoni me lopatë në kantierin e ndërtimit (Ndërmarrja e Ndërtimeve Industriale) dhe më pas në internim, ndërsa Zhani Ciko, u dërgua si mësues muzike dhe përgjegjës i një vatre kulture fshati afër Ballshit. Dhe e gjithë zanafilla e dënimit të tyre pati si pikënisje, pikërisht këto mbledhje për të cilat bën fjalë dokumenti që po publikojmë në këtë shkrim.


INFORMACION
NGA ZHVILLIMI I MBLEDHJES SË PËRGJITHSHME NË OPERA
Më 11 dhe 12 mars u zhvillua mbledhja e përgjithëshme e komunistëve në Teatrin e Operas dhe Baletit për dhënie llogari dhe zgjedhje. Raporti nga byroja e partisë ishte përgatitur disi, e themi këtë mbasi përveç shumë pytjeve që u bëmë, 40-50, mjaft çështje të tjera u ngritën në diskutime një pjesë e të cilave ato më të rëndësishmet mendojmë se duheshin trajtuar në raport. Në përgjithësi dolën mjaft dobësi dhe të meta si në punën e byrosë së partisë, organizatave bazë, ashtu dhe në drejtim shtetëror të institucioneve, këto jo, sa e si duhet viheshin në dukje me kritikë dhe autokritikë të shëndoshë.
Megjithëse pati shumë diskutime, pa përfshirë dhe mjaft të tjerë të cilët donin të flisnin, dhe nuk folën se ishin çështje të ngjashme me ato që thanë të tjerët, problemet që ngritën ishin jo shumë të përgatitura dhe pak a shumë të karakterit të njëanshëm kryesisht të marrëdhënieve në punë, të qëndrimit të administratës dhe veçanërisht të drejtorit, Koço Vasili, karshi punonjësve të institucionit.
Disa nga problemet që dolën:


1.    Për jetën e partisë
Organizatat bazë të partisë dhe byroja e partisë e institucionit në përgjithësi kanë bërë jetë anemike, tematika e problemeve që kanë diskutuar ka qenë e varfër, e njëanëshme dhe jo sa duhet me problemet e përmbajtjes ideoartistike të punës së përditëshme në opera, balet dhe ansambël.
-Roli udhëheqës i organizatave bazë dhe i byrosë së partisë ka lënë mjaft për të dëshiruar, jo si duhet janë marrë parasysh udhëzimet dhe sugjerimet e organizatës dhe komunistëve. Shpesh herë organizatat bazë nuk kanë konkluduar me detyra dhe vendime, por edhe kur ato kanë nxjerrë ndonjë vendim nuk kanë ndjek zbatimin e tij, sidomos për ato detyra që duhet të zbatoheshin nga drejtuesit shtetëror. Byroja e partisë në të cilën bën pjesë drejtori dhe një tjetër nga aparati i drejtorisë, shpesh herë është kthyer në një organ thjesht në shërbim të drejtorit Koço Vasili. Nganjëherë edhe problem e planifikuara nuk i diskutonin në byro, me “arsyetimin” se ne i kemi parë në drejtori ku bëjnë pjesë gjysma e kuadrit.
Asnjë herë, tha anëtari i byrosë partisë, Hysen Kurti, ne si parti nuk kemi menduar që të kundërvëjmë gjithë këtyre ndikimeve të huaja që janë manifestuar në gjirin e kolektivit tonë, punën edukative ideologjike të organizuar.
2.    Për drejtimin dhe marrëdhëniet në punë
Në fillimin e vitit 1972 është vendosur të jepeshin 13-20 çfaqje në muaj, në fakt janë realizua vetëm 7. Ka mjaft artistë të cilët kanë dhënë pak çfaqje gjatë gjithë vitit deri në 7-8. Regjizorja Jorgji Bitri për pesë vjetët e fundit vetëm 2-javë ka punuar direkt në punën e saj, në një kohë kur për të njëjtën punë janë marrë regjizor nga jashtë, si Mihallaq Luarasi e tjerë.
Ansambli shtetëror ka planifikuar vetëm një premierë në vit, megjithëse kjo është shumë pak, gjatë dy vjetëve të fundit ai ka zhvillua vetëm një premier.
-Në institucion ka çthurrje në punë, ka liberalizëm në kërkesë e llogarisë për punën? Lëshimet bëhen në rradhë të parë nga udhëheqësi artistik, të cilat vijnë të papërgatitur e si rrjedhim me orë të tëra në një ditë artistët rrinë pa punë. Problemi i dublimeve megjithëse është ngritur disa herë nga artistë, akoma dhe sot nuk është zgjidhur. Ka mendime nga Koço Vasili, Zhani Ciko, udhëheqës artistik e disa specialistë të tjerë se dublimet e dobësojnë anën artistike të çfaqjes. Këto mendime u kritikuan si të gabuara dhe se dëmtojnë dhe bëhen pengesë për nxjerrjen e talenteve të reja. Kjo teori e shokëve të sipërpërmëndur ka bërë që në Opera, mjaft artistë të rrinë me javë dhe me muaj pa asnjë rrol, e si rrjedhim pa punë. Artisti i Merituar Besim Zekthi në mes të tjerave tha: “Tek ne ka llafe, mungesa disipline, një pjesë e mirë e punonjësve rrinë pa punë, por dhe i bëjnë pa punë. Këtu çdo punë është bërë si ka dasht Fadil Paçrami nëpërmjet Koço Vasilit, Zhani Cikos dhe Milto Vakos, të cilët edhe këshillin artistik e përdorën për këto piksynime”.
-Mbledhja e përgjithëshme e komunistëve doli me konkluzionin se në përgjithësi në organet drejtuese ka patur konfuzion dhe shtrembërime me qëllim që në një formë ose në një tjetër të mshefshin të metat në punën e institucionit. Me dashje është spostuar roli i Partisë dhe gjithçka është bërë nëpërmjet personave të caktuar nga drejtori, udhëheqësi artistik dhe disa të tjerë rreth tyre. Për këtë shkak është refuzuar ekipi i kontrollit nga Ministria e Arsim-Kulturës, është neglizhuar analiza e turneut në Republikën Popullore të Kinës, është injoruar porosija për t’ju rikthyer diskutimit të fjalës së shokut Enver në Mat, e tjera.


3. Mbi ndikimet e huaja
Çfaqjet dhe ndikimet e huaja janë të shumta dhe janë manifestuar nga njerëz të ndryshëm në skenë, muzike, valle, në disiplinën e punës dhe të planit, në modë e shoqëri e tjera.
-Drejtori i institucionit Koço Vasili është shprehë disa herë se Byroja dhe organizata e partisë dhe të merren me edukimin e punonjësve dhe jo me problemet ideoartistike me përmbajtjen e repertorit me të cilat duhet të merret drejtoria dhe kuadrot udhëheqëse artistike. Në fakt kjo frymë ka depërtuar dhe kështu është vepruar në këtë institucion.
-Në punën e tyre të përditëshme, Koço Vasili, Zhani Ciko udhëheqës artistik, dhe Ali Oseku piktor e përgjegjës për dekorin, janë përpjekur dhe deri në një farë mase ja kanë arritur, të ndajnë forca krijuese në muzikë, pikturë dhe letërsi, në të vjetër “konservatorë” dhe të rinj “modernist”.
Në këto pikpamje, duke shfrytëzuar postin dhe përgjegjësinë në Teatrin e Operas, kanë mënjanuar nga bashkëpunimi disa kompozitor dhe dirigjentë si Çesk Zadeja, Mustafa Krantja, Tish Dainë, Albert Paparisto e tjerë, duke i konsideruar si krijues me mendime të vjetra, nga ana tjetër kanë ofruar, nga njëherë dhe pa qenë nevoja, Mihallaq Luarasin dhe ndonjë tjetër si modernist. Lidhur me këtë, komunisti Dhimitër Jani u shpreh kështu: “Duke shikuar simpatitë dhe antipatitë e personave me tendencë të rinj (modernist) e të vjetër (konservator), është krijuar nga drejtoria dhe këshilli artistik një hendek me kompozitorë e shkrimtarë si Çesk Zadeja, Llazar Siliqi, Tonin Rrota e tjerë, të cilët edhe kur paraqitin ndonjë pjesë ja kemi mbajt 7-8 muaj, kjo është bërë me dashje”.
Koçua me gjithë ata që përmëndëm më sipër, janë shprehur për kuadrot e Ministrisësë Arsimit, sektori i Kulturës, si njerëz të paaftë për drejtimin e artit të sotëm, të nisur nga një mendim i tillë ata kanë mbajt një qëndrim mospërfillës, bile denigrues karshi udhëzimeve dhe vërejtjeve që kanë bërë nga shokët e Ministrisë.


–    Me pretekstin se janë konsumuar shumë pjesë me karakter kombëtar, janë heq nga repertori i Operas dhe Baletit, bile dhe në planifikimin e çfaqjeve dhe premierave për vitin 1973, kishin parashikuar 1/5 pjesë kombëtare dhe 4/5 pjesë të huaja.
–    Në drejtim të përmbajtjes dhe realizmit në disa pjesë ka pasur shtrembërime ideologjike që nuk përputhen fare me tiparet e artist tone socialist, p.sh. numri koreografik “Idili Kurbat” i Panajot Kanaçit, disa numra çoroditës dhe pa ide, dekor dhe veshje ekstravagante, kërcimtar me rroba dhe rrypa kauboj e tjera.
–    Sekretari i organizatës bazë të Operas e Baletit, Dhimitër Jani tha: “‘Travjata’ pati mjaft shprehje dekadente sidomos nga piktori Ali Oseku, u kritikua nga ne por u mor në mbrojtje nga drejtoria, e cila për të mos ju prishë qejfin Mihallaq Luarasit e Ali Osekut, që kishin paralajmëruar në formë kërcënuese se po hoqët ndonjë send sado të vogël nga ajo që kemi vënë ne, do të ikim, provën e përgjithshme e bëri me dyer të mbyllura bile edhe antarët e byrosë, partisë, dhe kolektivit të cilët ishin atë natë aty i nxorrën përjashta”.
–    Komunisti Hysen Devolli në diskutimin e tij tha: “Mendimet dhe veprimet liberale të Zhani Cikos, Ali Osekut, Mihallaq Luarasit, dhe kryesisht të Koço Vasilit janë përkrah nga shoku Fadil Paçrami, ato i kanë pasë shpatullat e ngrohta, kur i bëhej ndonjë vërejtje me një herë të zinin në gojë Fadilin duke thënë e ka pasë ose e ka aprovuar ai”.
(vijon nesër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.