OPINION

Shaban Murati, për fantazmën që rrezikon

08:01 - 14.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Fahri XHARRA

 

“Një fantazmë e rrezikshme sillet korridoreve të zyrave të BE-së në Bruksel. Kjo është fantazma e jugosllavizmit, e cila ëndërron të krijojë ish-Jugosllavinë, me pesë shtete, që dolën prej saj, pa Slloveninë dhe plus Shqipërinë”. (“Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, 2010, fq.54). Ja kështu na paralajmëronte Shaban Murati, diplomat karriere dhe gazetar (autor i shumë librave, shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to).

Nuk mundem të kuptoj se si një popull i vjetër si ne, ende nuk e lindëm një politikan kombëtar, një strateg të së ardhmes së kombit dhe një bashkërendues të fatit tonë.

Kur ato vite flitej që po qarkullon një fantazmë e rrezikshme zyrave të BE-së në Bruksel, ne me atë guximin tonë prej përralloje bazoheshim vetëm në shkrimet e gazetarucëve dhe talleshim ndër veti. E mendonim se ne jemi ata, ku bota sillet vetëm rreth boshtit tonë.

Europa (vaj për ne që ende nuk e mësuam politikën afatgjatë, të strategëve të mëdhenj), nuk e thotë sot për sot; ajo e përgatit terrenin me vite të tëra, së pari për opinionin e vet e pastaj kur e thotë të madhen ajo kryhet.

Sa vjet iu deshën Europës të bindë së pari vetveten e pastaj edhe ne për domosdonë e bombardimit të Serbisë, më 1999? Dhe e bëri.

Zoti Shaban Murati shkruante: “Ka një presion të vazhdueshëm 17-vjeçar mbi diplomacinë shqiptare për të pranuar pa u menduar çdo lloj projekti apo grupimi ballkaniko-perëndimor, të cilat bien të gjitha era jugosllavizëm. Që nga konceptet e “integrimit rajonal ballkanik përpara integrimit europian”, krijimi i një tregu të përbashkët ballkanik, i një bashkimi doganor ballkanik, i një parlamenti ballkanik apo i policisë ballkanike, e deri te projekti efemer i quajtur “Ballkan 6”, janë hartuar mbi arketipin e Jugosllavisë së vjetër. Në një analizë me titull “Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare”, kur u shpall nisma “Ballkan 6” katër vjet më parë, kam shkruar se “Unioni ballkaniko-perëndimor shfaqet si një reminishencë e ideve dhe përpjekjeve jugonostalgjike të rikrijimit të Jugosllavisë. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kenë asnjë interes diplomatik, politik, kombëtar dhe strategjik, të futen nën ombrellën e ndonjë Jugosllavie të re”. (“Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, 2013, fq.148).

Të ndalemi pak dhe të pyesim veten se, a e arsyetuam veten si shtete të menaxhuara nga vetë ne në këta 25 vjet të Shqipërisë dhe këta 17 vjet të Kosovës?

Shaban Murati në paraqitjen e sotme të tij publike shkruan: “Duke qenë se shumë analistë dhe politikanë me rastin e Samitit të Triestes për Ballkanin Perëndimor po paraqiten sikur po zbulojnë tani që Serbia tenton të krijojë Jugosllavinë e re me Shqipërinë brenda, po ribotoj këtu, për respekt të lexuesve të mi dhe për freskim kujtese, artikulimin tim botuar me rastin e deklarimit publik të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në datën 6 prill 2017, se ai planifikon ringjalljen e ‘Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë’. Artikulli im është botuar në 10 prill 2017”.

Pra vërejtja serioze për politikanët tanë është tërhequr qëmoti.

Si duket që testi evropian se a jemi në gjendje të vetëqeverisim po kalon anën më pesimiste; jo!

Mos të shajmë Europë e Amerikë se çka do të ndodhë; zjarrvënësi i vetvetes jemi vetë ne. Neve, vetëm kur të na dalë tymi, atëherë e kuptojmë që diçka po ndizet.

“Me keqardhje më duhet të them se nuk kam konstatuar ndonjë lëvizje shtetërore përballë këtij rreziku para portave, siç do të duhej të vepronin shteti, diplomacia dhe partitë politike shqiptare, të cilët duhet të shqetësohen si senatorët romakë kur panë Hanibalin para portave të Romës”, shkruante Shaban Murati në prill të këtij viti.

“Nëpër Europë, politika udhëhiqet nga të dashuruarit në politikë, të bindur në të mirën e përbashkët, duke e pasur një qëllim për të ndërgjegjësuar popullatën drejt një qëllimi të caktuar politik. Ata jetojnë në politikë me një qëllim fisnik, për të mirat e përbashkëta dhe bërjes për vetveten të emrit për histori. Shumica e tyre jetojnë për politikë, për të krijuar famë e jo për të udhëhequr me pasurinë, të cilën e kishin edhe para sa të hynin në politikë. Në këtë grup janë të mirënjohur të gjithë ata, që jo për ambicie vetjake por për humanizëm, për kombin, për shtetin, për prestigjin e shtetit ia përkushtojnë një pjesë të jetës së tyre politikës. (F. Xharra: “Politika dhe egoistët e politikës”, 11.12.2011)

Nëse politika është vetëm një mjet i thjeshtë për të jetuar shumë mirë personalisht dhe kasta përkrahëse gjithashtu, atëherë politika është një “zanat” që i mundëson politikanit se si të stërfitohet jeta. Ai duhet të bëjë çdo gjë vetëm e vetëm të mbesë në politikë, të notojë në të gjitha ujërat e turbullta, të përdorë dorën e padukshme, të mbyllë sytë para aferave mashtruese, korruptive, jashtëligjore të vartësve të tij. Kur politikani egoist i varur jetësisht vetëm nga politika (se ndryshe s’kishte për të qenë askund) nuk e ka guximin të fusë dorën e të pengojë mashtrimet, vjedhjet e keqpërdorimet, ai me këtë zgjat jetën e tij prej “politikani”. Ku jemi?

Kujdes pra, “Jugosllavia është para portave të Shqipërisë, dhe ato porta nuk duhet t’ia hapim vetë me duart e neglizhencës dhe të indiferentizmit shtetëror dhe kombëtar”!

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.