KULTURË

Për osmanishten, latinishten dhe bizantin

16:40 - 16.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Fatmira NIKOLLI

 

Tri shkolla verore, tri kultura dhe një brez i ri për gjuhët e vdekura

Meskorriku ka shënuar në Tiranë nisjen e tri shkollave verore që synojnë të afrojnë studentë të interesuar për ‘gjuhët e vdekura’ a sipas enciklopedisë frënge, ‘gjuhët që gjallojnë veç ndë libra e letra’. Së pari, nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, u njoftua hapja e shkollës verore për latinishten e kulturën françeskane (Aljula Jubani), mandej shkolla për njohjen e kulturës së bizantit (Andi Rëmbeci) dhe në kërkimet për dy të parat, gjen edhe programin e shkollës verore të osmanishtes dhe kulturës së bartur prej ish-perandorisë(‘Yunus Emre’). Tri shkollat zhvillohen njëherësh, në harkun kohor 10-23 korrik me programe të përafruara ku në fokus është gjuha, kultura e trashëgimia e tri botëve- njohja dhe mësimi i tyre, sikundër vizita në monumente që u përkasin këtyre tri kulturave, dokumente në këto gjuhë, vizita në Arkivin Qendror të Shtetit dhe Muzeun Historik Kombëtar dhe referate nga studiues të tyre. Si zgjim nga letargjia e ndërgjegjes njerëzore, qasja që vlen të vihet në dukje është joshja e një brezi të ri studentësh, drejt tri gjuhëve të vdekura, që fshehin në gërmat e tyre tri kultura dominuese në shekuj të ndryshëm. Lëvruesit e të trijave në Shqipëri, janë të pakët, aq te pakët sa e njohin njëri-tjetrin, a siç më thoshte dje një profesor i njohur ‘jemi pak, po jemi me kimet’. Gjuhët që herë cilësohen të ‘vdekura’, e herë ‘klasike’ njohin gjithnjë e më pak të gjallë që u kushtohen, sidomos në vendin tonë. Media do kohë qe marrë me mangësitë që kemi në njohës të atyre gjuhëve, duke ngritur mure drejt kulturave e dokumenteve që pa njohjen e tyre, mbeten të palexueshme. Përtej Romës e Kostandinopojës (dhe Athinës) si qendrat që bartën këto tri kultura, njohja me këto gjuhë, hap dyer të reja në laminë e kulturave që kaluan këtej pari, duke lënë dëshmi e dokumente që hedhin dritë ende mbi errësirën e mesjetës e më herët- duke qenë gjuhët e shkruara të perandorive të mëdha, kur Iliria e Arbri, qenë përfshirë.

Anipse secila shkollë është më e shumta 10 ditore, vlen më shumë se ç’duket si hap i parë, ndërsa fakulteti duket se do e shtrijë në kurse të mirëfillta, që do ti bënin nder aq sa fakultetit vetë edhe filologëve të ardhshëm.

Në të njëjtin hark kohor ka një shkollë si këto, për Trashëgiminë komuniste- që mundësohet nga Fakulteti i Historisë, Autoriteti Kombëtar për Hapjen e Dosjeve dhe OSBE. Shkolla synon t’u përgjigjet pyetjeve mbi regjimin, mënyrës së funksionimit dhe krahasimit me vendet e rajonit, ndërsa një sondazh i muajve më parë, tregoi se brezi i ri ka shumë pak informacion për katër dekadat e diktaturës.

LATINISHTJA

Shënohet së pari që kultura e letrave shqipe është e lidhur ngushtësisht me trashëgiminë dhe kulturën e përcjellë nëpërmjet latinishtes. Në këtë kuader, institucionet dhe urdhërat e Kishës katolike në Shqipëri kanë luajtur një rol themeltar. Çdo albanolog e veçanërisht studiuesit e gjuhësisë e kanë të domosdoshme përgatitjen në fushën e latinistikës dhe njohjen e një fondi të rëndësishëm të kulturës, të trashëguar në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan. Për këtë arsye, është propozuar organizimi i kësaj shkolle verore me studentë të degëve të Fakultetit të Historisë e Filologjisë.

Gjatë kësaj shkolle verore, zhvillohet një kurs intensiv të latinshtes dhe synohet njohja e studentëve me trashëgiminë kulturore letrare nëpërmjet latinistikës, edhe duke marrë kontakt me trashëgiminë letrare të klerikëve françeskanë. Njëherësh, studentët orientohen drejt punës së filologut dhe studimit të teksteve të vjetra, afrohen me kërkimet arkivore dhe nxitet interesi i publikut nëpërmjet promovimit të kësaj trashëgimie në shkollën verore. Pjesëmarrësit janë studentë të Fakultutetit H.Filologji, të përzgjedhur nëpërmjet aplikimit, në tërësi 25 studentë. Shkolla verore mbahet mes datave 12- 22 korrik 2017 dhe leksionet zhvillohen në sallat e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, në mjediset e Bibliotekës së Kuvendit Françeskan e të Arkivit Qendror të Shtetit. Veç tri orëve kurs praktik të latinishtes dhe më pas ligjërata teorike nga profesorë e studiues, ekspertë të fushave përkatëse, pjesëmarrësit në këtë shkollë verore fitojnë 2 kredite dhe pajisen me një çertifikatë pjesëmarrjeje në përfundim të kursit.

BIZANTI

Është shkolla e parë Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin që organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës dhe një Fondacioni Kulturor grek. Shkolla zgjat 7 ditë, 13-21 korrik 2017 dhe vë në kontakt studentët me gjuhën greke, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri.

Mësimet mbahen mes Filologjikut, Arkivit Qendror Shtetëror, Muzeut Historik i Tiranës, Amfiteatrit dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, Manastirit Bizantin i Apolonisë etj. Jep njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ndërmarrë hapat e parë në leximin e teksteve greke të periudhës bizantine dhe leximin e teksteve klasike. Ndërthur njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes dokumenteve dhe kodikëve të dorëshkruar nga koleksioni i çmuar bizantin dhe pasbizantin (shek. VI-XIX) i Arkivit Qendror Shtetëror. Studentët përballen me tekste bizantine, me fjalorin specifik të periudhës, e përmes leksioneve dhe referateve nga profesorë dhe studiues merren njohuritë e nevojshme mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine, pjesë e pandarë e së cilës vendi ynë ishte përreth 10 shekuj. Kordinatori i projektit, Andi Rëmbeci bën me dije se në këtë shkolël janë 25 vetë dhe se studentët fitojnë 2 kreditë ekstra-kurrikularë e certifikata. Mes referuesve përmenden Agamemnon Tselikas, Andi Rembeci, Lida Miraj, Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Dorian Koçi, Konstantinos Giakoumis dhe Sokol Çunga, ndërsa vizitohetn monumente si qyteti antik dhe manastiri bizantin i Apolonisë (Fier), manastiri pasbizantin i Ardenicës (Lushnje),etj.

OSMANISHTJA

Shkolla Verore e Osmanishtes, organizuar nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, me mbështetjen e Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë, zhvillohet si vazhdimësi e së njëjtës shkollë mbajtur një vit më parë. Ajo synon t’u mundësojë studentëve të nivelit Bachelor, të degëve të Historisë dhe Gjuhë-Letërsisë, përvetësimin e osmanishtes, në mënyrë që më pas ata të jenë në gjendje të transkriptojnë dokumentacione me rëndësi të veçantë historike, që gjenden në arkiva.

Për çdo nivel  pranohen nga 22 studentë. Për hartimin e programit jane mbështetur në përvojën e mëparshme, në nevojat që kanë studentët për këtë lloj dijeje, si dhe në nevojat që kanë arkivat dhe rrethet shkencore për përgatitjen e studiuesve në fushë të studimeve osmane. Leksionet do të zhvillohen pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, si dhe pranë Bibliotekës së Qendrës së Gjuhës dhe të Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë. Programi mësimor do të realizohet në auditor dhe jashtë tij. Programi në auditor përmban leksione për mësimin e osmanishtes, leksione me njohuri të zgjeruara për historinë e periudhës së Perandorisë Osmane, leksione mbi ndikimet gjuhësore të osmanishtes në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit, leksione mbi shkrimet e vjetra të shqipes me këtë alfabet, etj. Leksionet e osmanishtes do të mbahen nga pedagogë turq, të ardhur nga Universiteti i Stambollit në Turqi.

Programi jashtë auditorit përmban vizitë në Arkivin Shtetit dhe bisedë informuese për dokumentacionin zyrtar dhe fermanët që gjenden aty, vizitë në Muzeun Historik Kombëtar, ekspedita në qytetet ku ndeshen gjurmë të arkitekturës osmane, si në Berat dhe Shkodër, ku do të punohet në terren për leximin e shkrimeve të vjetra me alfabet osman. Në përfundim të kësaj shkolle, verore studentët do të përgatisin nga një ese me tematika brenda kësaj fushe studimi, do të japin testin e gjuhës osmane, sipas nivelit të ndjekur dhe do të pajisen me certifikatën përkatës.

TRASHËGIMIA KOMUNISTE

Periudha komuniste është një ndër periudhat më pak të trajtuara nga këndvështrimi i studimeve bashkëkohore në Shqipëri. Me lindjen e nevojës për t’u thelluar në trajtimin e disa tematikave kryesore, si aspektet politike, juridike, sociale, jeta e përditshme, si dhe diskursi i sotëm mbi atë periudhë apo elemente të asaj periudhe, të cilat reflektohen në ditët e sotme. Shkolla verore synon që studentët e masterit, të marrin përgjigje për pyetjet: cila ishte struktura e regjimit komunist, krahasime midis regjimeve komuniste në rajon, cila është trashëgimia e komunizmit sot, cilat ishin të përbashkëtat dhe dallimet në regjimin komunist në Shqipëri dhe shtetet e Ballkanit, cilat janë diskurset kryesore sot mbi komunizmin në Shqipëri, periudha e komunizmit në kurrikulën e lëndës së historisë, memorie kolektive mbi komunizmin në Shqipëri, nostalgjia vs. harresa mbi komunizmin sot, puna e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit, vendet e Kujtesës nën Diktaturë, media, komunizmi dhe diktatura komuniste përmes informacionit mediatik, letërsia dhe censura nën komunizëm. Këto çështje, trajtohen përmes leksioneve gjatë kësaj shkolle verore, ku studentëve u mundësohet zgjerimi i njohurive mbi periudhën komuniste dhe diskurset kryesore aktuale mbi atë periudhë. Zhvillimi i shkollës verore do të ketë karakter inter-aktiv, dhe do të zhvillohet me leksione, diskutimeve në auditor dhe eskursione pranë vendeve të kujtesës, në shoqëri edhe të ish-të burgosurve politikë. Çdo leksion ndahet në dy seanca, ku secila seancë zgjat 90 minuta mësimore. Në fund të shkollës verore studentët pajisen me çertifikata përkatëse të pjesëmarrjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.