OPINION

Ballkani mes Europës apo Rusisë?

07:22 - 17.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Monika Shoshori Stafa

 

“Jam shumë i bindur se pa investuar apo dhe nxitur potencialet ekonomike të rajonit, ne nuk do të mund të shohim kurrë progres në këto vende. Por megjithatë, për ju më duhet të theksoj, se për sa kohë nuk do të garantoni transparencë pushtetesh dhe funksionim të mirë të gjyqësorit, ju nuk do të mund të thithni kurrë investitorë të huaj e madje as do të mund të ngashënjeni qoftë edhe njerëzit tuaj të zakonshëm brenda vendit të investojnë tek ju”.

Johannes Hahn, Komisioneri Europian për politikat e fqinjësisë dhe zgjerimit

 

Deri në kohën sa u arrit zbutja e raporteve mes Republika Srpska dhe Bosnjës, rreth 12 vite plot tension dhe ankth, në qytetin multikulturor të Triestes vendet ballkanike javën që lamë pas nënshkruan një marrëveshje mbi transportin e përbashkët. E gjitha u nënshkrua nën një klimë të pabesueshme optimizmi për ata të paktë, të cilët po mundohen të shohin një tablo krejt tjetër mbi të ardhmen në Ballkan. Deri këtu, ky ishte një hap konkret për disa vende të rajonit, por jo edhe për Shqipërinë.

Po si duhet lexuar kjo arritje ende jo e prekshme për shqiptarët?

Samiti i Triestes shënjoi një moment historik për rajonin, sepse për herë të parë kjo pjesë e Europës u ul e gjitha në një tryezë të përbashkët pune, pavarësisht kostove të ndryshme për palët në bisedime. Është shënuar si një arritje për liderët europianë, por edhe ata rajonalë, sepse për herë të parë Serbia dhe Kosova u takuan më në fund pa ‘pushkët ndezur’ së bashku nën një marrëveshje përulësie ndaj njëra-tjetrës, edhe pse në heshtje të plotë. Që këtej për Brukselin, samiti rezultoi të ishte një test kalimi me notën ‘mjaftueshëm’, sidomos për ato përpjekje të ndrojtura të shteteve ballkanike për ta pranuar njëra-tjetrën e po aq për të shkuar drejt një ‘pajtimi’ të dëshiruar të këtyre popujve, të cilët dolën krejtësisht të shkatërruar prej luftës 25-vjeçare mes vetes, për t’u shpërbërë më vonë në kërkim të identitetit të vet. Por jo vetëm. Samiti gjithashtu ishte hapi i parë konkret në lidhje me krijimin e një tregu të vetëm ballkanik. Një strategji ‘dinake’ kjo, objektiv parësor i Procesit të Berlinit, që do të duhet të shmangte afërmendsh një tjetër Kaliningrad mu në zemër të Europës, shpjegon një burim prej Komisionit Europian. Ky ishte pra, ai çasti historik për të cilin ‘Trieste’ do të hyjë në arshivat e shkencës historiografike si pjesë e historisë moderne të Europës.

Pak rreshta për Procesin e Berlinit

Të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia – janë bashkuar nga një qëllim i përbashkët i anëtarësimit në BE. Megjithatë, këto vende ende përballen me dallime diskriminuese gjinore e raciale, infrastrukturore dhe politike, ku ndër të tjera ato jetojnë një situatë të rëndë ekonomike, duke u karakterizuar njëkohësisht nga mosmarrëveshje politike ndër vete, duke dhënë një tablo gjithëherët të paqëndrueshme në rajon. Procesi i Berlinit lindi si nevojë me qëllimin e mirë për të ‘lehtësuar’ hapat e anëtarësimit institucional të këtyre vendeve në familjen europiane, nën kryesimin e Komisionit Evropian dhe nën patronazhin politik të Gjermanisë, e cila vazhdimisht ka ushqyer në analet e historisë aspiratat e saj ambicioze në Ballkan. Nuk mund të harrojmë se ishte pikërisht Gjermania në vitin e largët 1991, me njohjen e saj të njëanshme të shkëputjes së Kroacisë dhe Sllovenisë nga ish -Jugosllavia, e cila provokoi shpërbërjen e vendeve ish-jugosllave brenda republikës së vjetër, duke nxitur gjithashtu shpërthimin e luftërave civile në rajon. Në atë kohë, prej shtypit të huaj ajo u përcaktua edhe si përfituesja e vetme e këtij realiteti të ri politik që po lindte. Por marshimi drejt aneksimit të vendeve të Ballkanit në klubin e vendeve europiane e në veçanti nën hegjemoninë gjermane do të duhet të përllogaritet mirë, sepse secila fazë përpjekjesh ruan në thelb koston e vet gjeopolitike. Pas pothuaj 20 vjet presioni të vazhdueshëm mbi “europeizmin” (duke përshkruar madje edhe agresionin ndaj Serbisë në vitin 1999 apo dhe 7 vite të luftës civile në ish-Jugosllavi) vendet e Ballkanit Perëndimor shihen ende si “i ndryshmi tjetër” nga vendet e klubit, në aspektin politik qoftë dhe në atë socio-ekonomik. Dhe nisur nga ky realitet paragjykues, samiti i Triestes ofroi një sfidë edhe më të paparashikueshme për ata sy që shohin në një optikë më të thellë.

Frika europiane prej rajonit

“Nëse rezultatet e tij (Trieste) do të ishin të paqarta, kjo do të tregonte se ka pak pritshmëri për zhvillime pozitive për të ardhmen e rajonit”, thuhet në buletinin informativ të zyrës së shtypit për Politikën e Jashtme pranë BE-së. “Dobësimi i besueshmërisë së vendeve të Ballkanit mbi perspektivat e aderimit në BE duket se nxit nevojën e ndërmarrjes së disa masave urgjente. Rreziku që po i kanoset BE-së, se mund të humbasë ndikimin e vet në rajon është i vazhdueshëm. Ndërkohë, faktorë të tjerë po ndërhyjnë për të komplikuar ambiciet europiane dhe gjermane në Ballkan. Trazimet politike që filluan që gjatë vitit që shkoi, në Bosnjë fillimisht, më pas gjatë pranverës së sivjetshme në Serbi me zgjedhjen e Vuçiç president, e po aq në Maqedoni, e cila kujtojmë se u shndërrua në një teatër të përleshjeve politike, u shuan vërtet falë ndërhyrjeve europiane dhe amerikane, por në thelb nuk duhet të anashkalojmë se rajoni i Ballkanit duhet ta rishohë me shumë vëmendje situatën e vet ekonomike. GDP-ja e këtij rajoni është ende shumë inferiore, nëse i referohemi medias europiane. Shifrat tregojnë se shkalla e papunësisë është 21%, ndërsa thirrja e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal, objektivi kryesor i këtij samiti, do të duhej të plotësonte të gjitha parametrat e kërkuara nga BE, që pritet të jetë dhe partneri kryesor tregtar me këto vende. Por nuk duhet ta heqim nga mendja se në raportet sidomos tregtare me vendet ballkanike rëndojnë më shumë se mesatarisht ato të vendosura gjatë gjithë këtyre viteve në tranzicion mes Rusisë dhe Turqisë, që në të shumtën e herës kanë qenë edhe më ekonomike se marrëdhëniet me Brukselin. Kjo është dhe arsyeja përse Samiti i Triestes u trajtua si një test ndaj së ardhmes politiko-ekonomike të rajonit tonë. Ai u pa si një mundësi e klubit europian për të kundërshtuar investimet politike dhe ekonomike që vinin prej Rusisë, Turqisë dhe Arabisë Saudite, në përpjekje për të ruajtur ‘kontrollin’ mbi Ballkanin. Krijimi i infrastrukturës dhe marrëdhënies së brendshme me qëllimin e vetëm europeizmin e tij, do të duhej të shërbente për të ndërprerë ose të paktën të kufizonte investimet që po tentonin të vinin prej kufirit lindor. Paolo Gentiloni, kryeministri italian e theksoi qartazi ‘frikën’ prej lindjes, kur ndër të tjera ai shtoi se, “shikoni sesa gabim është të shmangësh prej vëmendjes europiane këtë pjesë të Europës, e cila ka prodhuar ngahera histori lufte. Braktisja e saj nën ndikimin e disa fuqive të tjera të mëdha shumë më të interesuara për këto konflikte gjithëhershme të përgjakshme në rajon, nesër do të ketë një çmim i lartë për ne”. Nënteksti i këtyre radhëve flet qartë se bëhet fjalë për Rusinë dhe miqtë e saj, por mes tyre kuptohet se ish-perandoria bolshevike nuk është e vetmja referencë.

Historia vazhdon

Vetëm një muaj më parë ministri i Jashtëm italian, Angelino Alfano, pati paralajmëruar vendet e klubit për ca shenja të ‘përkeqësimit të marrëdhënieve mes vendeve të rajonit’, duke dalluar veçanërisht ripërtëritjen e retorikës nacionaliste dhe euroskepticizmin. “Atje ku kalojnë mallrat nuk marshojnë ushtarët”, pat nënvizuar ai, “dhe atje ku ka integrim ekonomik, nuk ka luftë”, duke veçuar thirrjen urgjente për krijimin e një tregu të vetëm për rigjallërimin e ekonomisë së rajonit, sigurimin e stabilitetit të saj politik dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, që vendet ballkanike të mund të bëhen një partner i privilegjuar i unionit. Dhe rezultati i samitit për disa prej tyre ishte mbresëlënës. 194 milionë euro nga fondet e BE-së për infrastrukturën dhe hapjen e rreth 80,000 vendeve të punës deri në vitin 2025. E megjithatë, përkundër bisedimeve për bashkëpunim, të dyja palët shpresojnë vetëm për një përparim gati tepër modest. “Nëse na ulen shpresat për t’u anëtarësuar në këtë klub, nënvizoi kryeministri Edi Rama për POLITICO, kjo do të thotë se vetë BE-ja ka ulur pritshmëritë ndaj vetes së saj”, por duke lavdëruar në të njëjtën kohë aftësinë e samitit për të sjellë ‘normalitetin’ në rajon. E gjitha çfarë na përshkruhet duket se është një tablo e re, që po lind në këtë pjesë të Europës, por të paktë janë ata që mund ta ndjekin e ta parashikojnë. Thelbi i problemit është ecuria e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe si ata të mund të mbështeten më mirë se deri tani financiarisht veçanërisht projektet e mëdha infrastrukturore. Ka teori të shumta, por gjithçka është në zhvillim e sipër.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …ngase , lufta mentale e akterit kryesor dhe shkaktarit te luftrave te pergjakeshme ne Ballkanin Perendimor ne vitet ’91-’99 qe quhet Serbi , akoma s ka mbaruar Monike …ngase , ende ne kokat primitive serbe egzistojne grimasa shprese te krijimit te Serbise se Madhe me dalje te saje ne Detin shqiptar por , nuk jane te cliruar akoma nga mitollogjirat e tyre dhe nuk dojne te besojne se nga 10. Qershori 1999 ata Kosoven , nga ajo date mund ta shikojne me dylbi vetem nga mali Avalla e Beogradit … keto do ti thone provincialit Vuciq sot ne Amerike …!

    Përgjigju ↓