DOSSIER

Raporti: “Ciko e Milto Vako hoqën nga puna sekretarin e partisë, Ansamblit, Haxhi Tafajn”

09:30 - 17.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dashnor KALOÇI

Dokumenti arkivor që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një raport-informacion që mban datën 30 mars të vitit 1973, ku Enver Halili, asokohe funksionar i lartë në Komitetin Qendror të PPSH-së, informon udhëheqjen e lartë lidhur me problemet që kishin dalë nga analiza e punës dyvjeçare në Teatrin e Operës, Baletit dhe Ansamblin e Shtetit, ku ai kishte qenë vetë i deleguar dhe kishte marrë pjesë në disa mbledhje të atij institucioni, nga më kryesorët e Artit dhe Kulturës. Kjo gjë duket edhe nga dokumenti në fjalë (shiko faksimilet përkatëse), pasi raport-informacioni i Enver Halilit është parë jo vetëm nga Enver Hoxha, por edhe nga krerë kryesorë të udhëheqjes së partisë dhe shtetit të asaj kohe si Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Manush Myftiu, Haki Toska dhe Petro Dode, gjë e cila ndeshet rrallë në dokumente të tjera arkivore të asaj periudhe dhe më pas. (Kjo gjë duket edhe nga shënimet dhe firmat që ata kanë vënë në dokument). Ashtu siç do të shohim edhe nga raport-informacioni i përgatitur nga mbledhja, e cila zhvillohej vetëm dy javë pas fjalës së Enver Hoxhës, mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku si temë kryesore ishte: “Shfaqjet e huaja liberale dhe ndikimi i tyre në art, kulturë, letërsi…”, diskutim të cilit i kishte paraprirë goditja dhe anatemimi që i kishte bërë vetë Enveri personalisht, Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, fokusi i sulmeve dhe goditjeve në atë institucion, ishin: Mihallaq Luarasi, (regjisor,) Koço Vasili, (drejtor i Operës), Zhani Ciko (udhëheqës artistik i Operës), Milto Vako (udhëheqës artistik e regjisor) si dhe Ali Oseku, piktor dhe autor i dekoreve pranë atij institucioni. Të gjithë këta akuzoheshin se nën ndikimin e Fadil Paçramit kishin bërë në Opera, balet dhe Ansamblin e Shtetit, gjithçka kishte kërkuar dhe sugjeronte ai! Dhe si rezultat, ata edhe u dënuan më vonë me masa nga më të ndryshmet: Mihallaq Luarasi, Milto Vako dhe Ali Oseku përfunduan për vite me radhë në burgjet politike të regjimit komunist, Koço Vasili fillimisht u dërgua në qytetin e vogël të Laçit, ku punoi si punëtor llaçi e betoni me lopatë në kantierin e ndërtimit (Ndërmarrja e Ndërtimeve Industriale) dhe më pas në internim, ndërsa Zhani Ciko u dërgua si mësues muzike dhe përgjegjës i një vatre kulture fshati afër Ballshit. Dhe e gjithë zanafilla e dënimit të tyre pati si pikënisje pikërisht këto mbledhje për të cilat bën fjalë dokumenti që po publikojmë në këtë shkrim.


INFORMACION
NGA ZHVILLIMI I MBLEDHJES SË PËRGJITHSHME NË OPERA

Konkluzioni i përgjithshëm i mbledhjes për këto ndikime dhe çfaqje të huaja është se ka pasur tendenca nga një grup njerëzish për të spostuar forcat e shëndosha, me qëllim që të ulin vigjilencën e të bëjnë si të duan vetë. Dëme ka sjellë spostimi i të gjitha organeve përkatëse që ngre organizata bazë, komiteti ekzekutiv i rrethit e deri Ministria e Arsimit e Kulturës duke shfrytëzuar hijen e personit të sekretarit të Komitetit të Partisë të rrethit shokut, Fadil Paçrami.

4- Mendime dhe kritika për punën dhe qëndrimin e drejtorit Koço Vasili.

Koço Vasili me dashje ka bërë gabime të rënda, ka spostuar byronë, organizatat e partisë dhe organet shtetërore, me qëllim për të injoruar ato; për të qenë i pavarur, larg çdo kontrolli, për të bërë çfarë e si do vetë. Qëllimi tjetër i tij ka qenë të fshehë të metat dhe dobësitë e tij dhe të punës në institucione. Ka identifikuar partinë në një njeri tek Fadil Paçrami, i është shmangur kontrollit dhe bile takimeve me shokët e Komitetit të Partisë së rajonit nr.1

Ka krijuar psikozë ndrojtjeje tek komunistët dhe punonjësit, duke gjetur mbështetje tek personi i Fadil Paçramit. Është hakmarrë shpeshherë, ka përdorur emrin e tij për të futur frikën tek të tjerët dhe për të mbyllur kritikat e tjera. Anëtari i byrosë, Hysen Kurti për këtë çështje tha: “Koçua ka rënë në liberalizëm, ka përqafuar konceptet liberale të ndonjë specialisti, negativisht ka influencuar në punën e tij Fadil Paçrami, mbas hijes së të cilit ka bërë si ka dashtë vetë jo vetëm për problemet e drejtimit shtetëror, por edhe në sjelljen e trajtimit e njerëzve”.

Këshillin artistik nuk e ka drejtuar e trajtuar drejtë dhe mirë, pa ndjenjë përgjegjësie dhe jo në pozita pune. Të gjitha këto veprime kanë krijuar një autoritet fals tek personi i tij.

Mjaft komunistë, shokë dhe shoqe e kritikuan shfaqje jo të mira, për të cilat edhe 4 vjet më parë është këshilluar nga sekretari i parë i rrethit. Koço Vasilin, Rifat Teqjen dhe dy udhëheqësit artistikë Zhani Ciko dhe Milto Vakon, i kritikuan rreptë për metodën shumë të gabuar që kanë ndjekur për nxjerrjen në punë të kufizuar të 50 artistëve në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave. Me të drejtë thanë komunistët në diskutimet e tyre se në këtë rast shokët e sipërpërmendur krijuan një situatë të rëndë politike në kolektiv, i bënë njerëzit shumë më të pakënaqur, shfrytëzuan vendimin e qeverisë që në esencë ishte shumë i drejtë dhe i favorshëm, për të realizuar dëshirat e tyre subjektive kundër disa personave, bënë edhe gabime të tilla, shkurtuan sekretarin e organizatës bazë të partisë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Haxhi Tafajn, pa e biseduar fare jo vetëm në organizatë bazë as në byro të partisë e komitetit të rajonit.
Për këto veprime shumë të shtrembra u kritikua edhe shoku Fadil Paçrami, i cili ka inkurajuar këtë metodë që ndoqën drejtuesit, bile edhe kur disa komunistë e bënë problem u thirrën nga ai në zyrën e tij dhe iu bë presion që të heshtnin e të bënin autokritikë se gjoja kanë dalë mbi vendimin e komitetit të partisë. Në përfundim mbledhja e përgjithshme e komunistëve mori dhe propozoi këto masa:
1-    Shkarkoi sekretarin e byrosë partisë, Rifat Teqjen dhe i dha vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit.

2-    Koço Vasilit i dha vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit dhe propozoi shkarkimin e tij nga posti i drejtorit.

3-    Nevzat Agollin e shkarkoi nga posti i zëvendëssekretarit të byrosë.

4-    Propozuan shkarkimin e Zhani Cikos nga posti i udhëheqësit artistik.

Në fund të mble-dhjes foli edhe shoku Manush Myftiu, i cili asistoi gjatë gjithë zhvillimit të mbledhjes.

Instruktori i KQ
Enver Halili
30.3.1973

Kopje të këtij relacioni iu dërguan shokëve: 1-Hysni Kapo, 2 – Manush Myftiu


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.