OPINION

Analiza/ Ja arsyja përse Sali Berisha nuk flet, këtë herë u gjend i kapur në kurth

11:07 - 20.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gazetari Armand Shkullaku shkruan sot lidhur me arsyet përse ish kreu i PD-së, Sali Berisha po hesht me çfarë po ndodh së fundmi në këtë forcë politike.

Në një analizë për Mapo ai thotë se Basha i ka prerë paraardhësit të tij trungun e berishizmit dhe e ka lënë si një frut të varur në ajër.

 

PJESE NGA ANALIZA E SHKULLAKUT

Shumëkush e ka të vështirë t’a përfytyrojë pas dy muajsh, liderin historik, të ulur mes një grushti deputetësh, shumica të panjohur për të dhe ai që, dashje pa dashje, do t’i ngjasojë një portreti muzeal, të shkëputur nga koha dhe njerëzit e tij. A ka mundur ta kapërdijë ai faktin që vetë do të vijojë të jetë deputet, por ata që ka patur në krah, si në qeveri ashtu dhe në parti, janë “dënuar” për shkak të jetëgjatësisë politike? Me çfarë morali do ta pranonte një ish kryeministër, një lider që e ka ngritur kultin e tij mbi marrjen e përgjegjësisë, që ai vetë të “shpërblehet” me postin e deputetit, ndërsa shokët e armëve të ndëshkohen se kanë qeverisur nën drejtimin e tij.

Kjo pozitë, ajo e përjashtimit të figurave të së shkuarës por e ruajtjes së ish liderit të tyre, ndoshta është më poshtëruesja ku mund të jetë gjendur ndonjëherë Sali Berisha. Atij i kanë prerë të gjithë trungun e berishizmit dhe e kanë lënë atë vetë si një frut të varur në ajër. Pra individi Sali Berisha mbetet në politikë, pavarësisht se berishizimi si frymë dhe si investim njerëzor u ndëshkua botërisht nga pasuesi i tij në PD. Për të, në PD ka një vend, ndërsa për ata që punuan nën drejtimin e tij, dyert janë të mbyllura. Pika më e fortë e Berishës, ajo e kapitenit që nuk e braktis ekuipazhin e tij, është goditur fort dhe është shndërruar në poshtërim kur për kapitenin është hedhur një komardare ndërsa të tjerët janë lënë të zhduken mes dallgëve.

Sali Berisha e ka pranuar këtë komardare dhe kjo është një nga arsyet kryesore se përse ai sot nuk mund të flasë. Çfarë teksti do të shqiptonte ai në publik si mesazh për bashkëpunëtorët e tij të viteve të largëta e të vështira, si do t’a shpjegonte zgjedhjen për të qëndruar ndërkohë që asgjë e tij nuk mbeti brenda mureve të PD?

Lideri i sprovuar në shumë beteja të egra, deri gati në asgjesim, këtë herë u gjend i kapur në kurthin që askush nuk do kishte qenë në gjendje t’ia ngrinte, përveç vetes së tij. Me bërjen fakt të listave të deputetëve, ku ai kishte mbetur si objekt muzeal dhe jo si simbol i frymës dhe boshtit të një partie, për Sali Berishën ishte shumë vonë të tërhiqej. Ai kishte mbetur aty, pasi predikoi për vite me radhë se kryetar i PD ishte Lulzim Basha dhe se respektonte çdo vendim të tij. Mbeti fizikisht, bashkë me pamundësinë për të folur.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Zoti Shkullaku,

    ne demokraci ka te drejten e vet gjithkush te shprehi ose jo mendimiet personale per ato qe perjeton nga afer apo ne distance.

    Por eshte dicka tjeter mendoj une qe nga nje analize personale te themelosh fakte fiktive mbi evidenca te pabaza.

    Me lejoni te pyes shkurt kuptimin e kesaj fjalie:
    “Ja arsyja përse Sali Berisha nuk flet, këtë herë u gjend i kapur në kurth”

    E kuptoj qarte rolin e vepren e Dr. Berishes ne politiken shqiptare qe prej `90 e deri sot, dhe e mendoj se kur ai flet degjohet nga ata qe duan ta degjojne por edhe nga ata qe s`duan ta degjojne.
    A mendoni ju se heshtja e tij ulurin me shume se fjala e tij?
    Ne rast se PO kjo do te ishte nje deshmi e qarte e impotences profesionale te brezit te ri te politikaneve Shqiptare. Ketu duhet kerkuar me shume e verteta e rrugezgjidhja.

    Përgjigju ↓