OPINION

La vie est belge!

07:36 - 20.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Jorgji KOTE

 

Ky pohim simbolik dhe real është i pranishëm në Belgjikë sidomos këto ditë, në kuadrin e festimeve të shumta me rastin e 21 korrikut, 186-vjetorit të krijimit të Mbretërisë së Belgjikës.

Shqipërimi i duhur i kësaj shprehjeje të huazuar nga dramë-komedia e njohur italiane “La vita est bella” dhe të “belgjikëzuar” mjeshtërisht në një komedi të spikatur muzikore belge të vitit 2014 vetëm me ndryshimin e një germe të vetme nga varianti i saj në frëngjisht, mund të ishte “Jeta e bukur belge” ose “Jeta është e bukur si në Belgjikë”.

Kjo logo tingëlluese gjatë dy viteve të fundit u vu në përdorim të gjerë publik pas atentateve terroriste të Parisit në nëntor 2015, dhe sidomos atyre të 22 marsit 2016 në Bruksel. Këto ngjarje tragjike, veç viktimave të shumta, ku jo pak autorë dhe bashkëpunëtorë të tyre ishin banorë të rrethinave në kryeqytetin belg dhe blindimi total disaditor i Brukselit pas tyre, solli pasoja negative të pallogaritshme për imazhin e Belgjikës dhe Brukselit, zemrës së euro-atlantizmit. Filluan të mbizotërojnë frika dhe paniku, duke hedhur hije dyshimi mbi vlerat dhe arritjet e njohura të qytetërimit evropian. Dëmtimi i këtij imazhi u shoqërua me humbje tejet të mëdha ekonomike dhe financiare, si pasojë e shkurajimit të investitorëve të huaj, anulimit të rezervimeve të hoteleve, restoranteve, koncerteve dhe udhëtimeve turistike për në Belgjikë nga vende të mëdha si Japonia, SHBA-të etj; gjatë vitit të kaluar, të ardhurat nga turizmi ranë gati 50 për qind, me efekte edhe më të mëdha në nivelin e punësimit, tregtisë etj.

Kësisoj, në rend të ditës për shtetin, qeverinë dhe shoqërinë belge doli dhe nevoja e një marketingu të fuqishëm dhe efektiv, për të krijuar një imazh krejt tjetër pozitiv për Belgjikën dhe sidomos Brukselin; që ky i fundit të shihej sërish si “the place to be”. Mirëpo, kjo nuk mund të arrihej vetëm me slogane mediatike apo me atraksionet e njohura si Grand Place, Manekin Pis, Atomiumi, qyteti i Bryzhit ose siç njihet “Venecia e Veriut”; në kushtet e reja kërkohej që “jeta e bukur belge” të mos ishte dukuri virtuale, por me përmbajtje reale, që të shihej dhe prekej kudo dhe nga të gjithë. Ndaj puna filloi me hartimin dhe zbatimin e paketave dhe programeve tërësore për përmirësimin rrënjësor të gjithë treguesve të sigurisë, por pa mbyllje të shoqërisë, si dhe indekseve ekonomike e sociale etj. Synimi ishte që Belgjika, dhe sidomos Brukseli, të rifitonin statusin e privilegjuar të mëparshëm. Hapat dhe arritjet e mësipërme u bënë bazë solide për kapërcimin e shumë pengesave dhe suksesin e fushatës lobuese me logon “La vie est belge” sidomos jashtë vendit.

Në krye të këtij procesi me efekte të menjëhershme, të mbështetur dhe me fonde të bollshme, u vu çifti mbretëror belg, me autoritetin, besueshmërinë dhe vizitat e tij kudo në botë. Gjatë këtij viti, Mbreti Philip ka qenë kudo, në takime me njerëz të thjeshtë, me familjarët e viktimave, në kafen e mëngjesit me punonjësit e pastrimit, në bashkëbisedime me policinë dhe ushtrinë, për iftar në një familje myslimane, duke drekuar me studentë etj. Me mjaft efekt kanë qenë vizitat e tij në SHBA, Britani, Japoni, Kinë, në Forumin “Krans Montana” dhe gjetkë.

Edhe Mbretëresha Matildë, e emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së si një ndër 17 avokatet e larta për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm është po aq aktive në forume ndërkombëtare, në terren, në vende afrikane me misione bamirësie për fëmijët e sëmurë, shkollat etj. si dhe në panaire dhe ekspozita të shumëllojshme, përfshirë edhe ato të modës. Nën kujdesin e kësaj “Ambasadoreje të sharmit” siç konsiderohet me të drejtë, në Bruksel zhvillohet çdo vit konkursi i mirënjohur ndërkombëtar “Mbretëresha Elisabetë” për talentet e reja në piano, violinë dhe violonçel etj. Aktivisht janë angazhuar edhe politika/diplomacia belge me projekte, programe dhe konferenca kushtuar luftës ndaj terrorizmit ndërkombëtar, krizën e azilit dhe ndihmat humanitare, duke u renditur ndër vendet e para në botë në këtë fushë. Organizimi perfekt dhe nga pikëpamja e sigurisë e Samitit të NATO-s, me praninë për herë të parë të presidentit amerikan Donald Trump në muajin maj, ishte rasti më i freskët për të treguar se Brukseli ka ndryshuar shumë në krahasim me disa muaj më parë. Tani gjithnjë e më shumë atij i drejtohen jo thjesht “Bruksel, ma belle” (Bruksel, e bukura ime).

Jeta e bukur belge nuk mund të kuptohet pa shfaqjen dhe “eksportin” e vlerave dhe traditave të shquara kulturore dhe artistike. Belgjika është vendi i lindjes i disa artistëve me jehonë planetare; spikat Jacques Brel, që i ka thurur dhe një nga këngët e tij hit “Bruksel” kryeqytetit belg; tashmë këtu kanë filluar përgatitjet për kremtimin vitin e ardhshëm të 50-vjetorit të vdekjes, ku në Bruksel do të inaugurohet dhe busti i këtij artisti shumëdimensional; belg është edhe legjenda e sotme e rokut frankofon Johny Halliday, si dhe Salvatore Adamo, Lara Fabian e të tjerë, turnetë muzikore të të cilëve vazhdimisht nisin simbolikisht nga Belgjika. Ndërkohë, kryemarka muzikore belge e këtyre viteve të fundit është Stromae, që ka tundur botën muzikore me “Formidable” dhe hite të tjera.

Po kështu, më 15 gusht Belgjika do të përkujtojë me aktivitete të shumta 50-vjetorin e vdekjes së piktorit të madh surealist, René Magritte, i njohur në gjithë botën për krijimtarinë dhe aktivitetin e tij.

“La vie est belge” ka dhe një katalog të pasur me delikatesa kulinare, kryemarka të njohura në botë; vendin e nderit në galerinë “C’est du belge” e zënë 800 llojet e birrave të famshme belge, 60 për qind e të cilave eksportohen deri në Rusi, Japoni, SHBA e gjetkë. Gjithsesi, është gabim ta konsiderosh birrën belge, si dhe atë gjermane, thjesht produkt tregu, eksporti apo ca më pak pije. Në fakt, ajo ideologji dhe kulturë, së bashku me fritet origjinale belge, që të dyja të shpallura trashëgimi botërore e UNESCO-s; pothuajse në të njëjtën lartësi qëndrojnë midhjet, 220.000 tonë çokollatat dhe vaferat e famshëm belgë.

Në këtë përjetim të bukur belg kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm edhe sportet belge, falë rezultateve të nivelit evropian dhe botëror. Kështu, “Diablat Rouge” renditen ndër tetë ekipet më të mira të botës dhe bashkë me monarkinë janë simbole madhore të Belgjikës së bashkuar. Vitin e kaluar, në Rio De Janeiro, 22-vjeçarja belge me origjinë senegaleze Nafissatou Thiam u shpall Kampione Olimpike në Shtatëgarësh, rezultat të cilin pritet ta konfirmojë sërish dhe në Kampionatin Botëror të Londrës në muajin gusht. Me titujt dhe trofetë e shumtë që i janë akorduar, Thiam është bërë kryemarka e re e sportit dhe jetës belge, e adhuruar nga të gjithë. Ndërsa një muaj më parë iu bë shumë jehonë lajmit se i famshmi “Tour de France” në çiklizëm në vitin 2019 do të fillojë nga Brukseli, me rastin e 50-vjetorit të fitores së parë të legjendës emblematike belge të çiklizmit, Eddy Merckx, plot pesë herë kampion i “Tour de France”.

Këtë imazh të ndryshuar për mirë, megjithëse vazhdon të ballafaqohet me shumë probleme, vështirësi dhe sfida tashmë të njohura, Belgjika e kuron çdo ditë edhe me mikpritjen e saj për qindra-mijëra azilkërkues nga gjitha bota. Aty jetojnë banorë me 120 shtetësi të ndryshme ose sa 15 për qind e popullsisë belge. Disa muaj më parë, shoqata botërore përkatëse shpalli si kryebashkiakun më të mirë në botë për vitin 2016 atë të qytetit të Meshelenit, Bart Somers. Për disa arsye, por kryesisht sepse, ndonëse në këtë qytet me vetëm 80.000 banorë ka shtetas nga 100 vende të botës, aty ka një bashkëjetesë shembullore; për më tepër, nuk ka pasur asnjë person të radikalizuar apo që të jetë rreshtuar në Siri dhe Irak përkrah forcave islamike siç ka ndodhur në qytete dhe vende të tjera.

Edhe komuniteti shqiptar me aktivitetin e tij të gjithanshëm jep ndihmën e vet modeste në këtë jetesë tipike belge. Kemi parasysh këtu rolin e tyre si këshilltarë dhe deputetë, zyrtarë në institucionet e BE-së, NATO-s dhe ato të Belgjikës, mjekë, menaxherë biznesi, artistë, gazetarë, studentë të talentuar etj.

Frytet dhe rezultatet konkrete në të gjitha     fushat, sidomos në ato të sigurisë, rritjes së flukseve turistike, investimeve të huaja, multikulturalizmit, kanë filluar të shfaqen në mënyrë premtuese në Belgjikë. Ja përse, “La vie est belge” me të gjithë komponentët e lartpërmendur konsiderohet si një model dhe shembull suksesi i lobimit dhe marketingut efektiv, nga i cili mund të mësohet shumë.

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Gjate udhetimeve te mija per pjesemarrje ne veprimtari nderkombetare kulturore, me ka rene rasti te ndodhem disa here ne Bruksel dhe te jem pjese e aktiviteteve te zhvilluara ne pallatin e Artit Bozar. Aty mes te tjeresh kam patur rastin te takoj edhe z Jorgji Kote , diplomat kariere ne ambasaden tone i cili ka qene i pranishem ne gjithe aktivitete e grupeve shqiptare, ka dhene ndihmese per propogandimin e tyre, ka ndertuar marredhenie shume te mira me grupet dhe eshte bere pjese aktive e veprimtarive tona. gjej rastin ta pershendes dhe te pohoj se me sa njoh punonjesit e kesaj ambasade dhe ne vecanti z Jorgji jane shume te ndjeshem e te pranishem ne keto aktivtete dhe te ndihmojne per cdo gje . Urime per sa shkruan me lart dhe shpresoj qe te percjelle gjithmone lidhjet tona kulturore .

    Përgjigju ↓