DOSSIER

DOSSIER/ Raporti i Çajup Rusmajlit: Odhise Paskali shet bustet e Enverit, lekët i prish me gra dhe vajza imorale

09:00 - 21.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Dashnor KALOÇI

 

Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit dhe që i përket gjysmës së dytë të viteve ’70, është një letër, apo më saktë një raport-informacion zyrtar që i dërgohet instruktorit të Komitetit Qendror të PPSH-së (për artet e kulturën), Çajup Rusmajlit, nga ana e një funksionari të lartë të një institucioni që merrej po me artet e kulturën, gjë e cila kishte të bënte me skulptorin e famshëm Odhise Paskali, i njohur ndryshe si “Kollosi e legjenda e skulpturës shqiptare”. Dokumenti arki-vor me raport-informacionin në fjalë është përpiluar në bazë të një bisede që ai ka zhvilluar me një njeri që thuhet se e njihte mirë Paskalin.

Person i cili ka hedhur “një lumë” akuzash e “denoncimesh” ndaj mjeshtrit të famshëm të skulpturës shqiptare, të cilat kishin të bënin, sa në planin politik, aq edhe në atë moral, e që lidheshin me jetën private e familjare të skulptorit Paskali. Gjëra të cilat, siç bëhen të ditura dhe nga dokumenti arkivor, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër “Kollosin e madh”, (shokë, miq, kolegë dhe të afërm të tij etj.), janë pothuaj të gjitha të sakta e të vërteta, pasi Paskali, falë dhe edukatës e formimit të tij perëndimor, nuk kishte lidhje fare me realitetin shqiptar ku jetonte, punonte dhe krijonte.

Thuhet se artisti dhe mjeshtri i madh, ishte jo vetëm një rebel i lindur, por gjithashtu edhe një tip që nuk donte t’ia dinte fare, as për politikën e “vijën e partisë”, dhe as për gjë tjetër që mund të ndikonte qoftë dhe sadopak në natyrën e bindjet e tij të formuara që në rini, andej nga kishte studiuar e jetuar. Por, ashtu siç do të shohim edhe nga përmbajtja e raport-informacionit (gjë e cila duket edhe nga faksimilja përkatëse), problemet që ngrihen aty, akuzat dhe denoncimet që i bëhen atij, janë tejet të rënda. Saqë më e pakta, do të çonin prapa hekurave të burgut politik, çdo koleg të tij, pa diskutuar këtu njerëzit e thjeshtë. Por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi vetë udhëheqja e lartë, në rastin konkret Ramiz Alia, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë ndaj tij, por ka porositur që, “për ato probleme” që ngrihen në raport-informacion, Odhise Paskali as nuk duhet thirrur fare. Por, nisur nga “alarmi” që kanë dhënë vartësit e tij, ai ka “sugjeruar” që me Paskalin të bisedonte ndonjë nga kolegët dhe miqtë e tij të afërt, si p.sh. Foto Stamo, dhe vetëm nga ana shoqërore.

Zbutja e Ramiz Alisë ndaj problemit “Paskali”, me shumë gjasa nuk kishte të bënte më shumë me natyrën e tij (Ramizit) “të butë”, apo me moshën e thyer të Paskalit në atë kohë, sesa me problemet që do të dilnin dhe ndërlikoheshin paskë-taj jashtë mase në qoftë se do të thirrej zyrtarisht Paskali. Pasi prej kohësh, Paskali kishte bërë një emër të madh, jo vetëm me punët e tij të shumta, si p.sh. monumenti i Skënderbeut në Tiranë, kompleksi “Partizani fitimtar” (i vendosur në Math-Hauzen), shtatorja “I urituri” (e konsideruar si kryevepra e skulpturës shqiptare), busti i Ismail Qemalit, busti i De Radës etj., por më kryesorja ishte busti i Enver Hoxhës. Ku me qindra e mijëra riprodhime mbushnin të gjitha zyrat, shtëpitë, familjet, institucionet, repartet ushtarake, shkollat, fakultetet, universitetin, ndërmarrjet e prodhimit, sallat e mbledhjeve dhe kongreseve etj. në të gjithë Shqipërinë, nga jugu në veri. Dhe, po të dënohej Paskali, normalisht më e pakta do “binte poshtë” edhe vepra e tij.

Nisur nga ky fakt, Paskali në një farë mënyre ishte bërë “i paprekshëm”, pasi monumenti i Skënderbeut dhe busti i Enver Hoxhës nuk mund të “qëndronin në këmbë” nëse autori i tyre do të ishte pas hekurave në qeli. Ky ishte një “rregull” i pashkruar në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe deri diku edhe në vendet e tjera të Lindjes komuniste, gjë të cilën Paskali e dinte mirë dhe nuk kishte as edhe një aluzion për të.

Kështu kishte ndodhur edhe me mjeshtrin tjetër (të letrave shqipe) Kadarenë, i cili pas romanit “Dimri i madh” u bë i paprekshëm nga regjimi, që vetë “e ngrinte lart” dhe vetë “e përplaste poshtë”, sa herë dhe si u interesonte, sipas konjukturave politike e rrethanave të kohës. Siç dhe rezultoi nga vitet që pasuan, ky ishte “fati” apo “destini” i këtyre dy artistëve të mëdhenj, që falë talentit që ata kishin, edhe vetë diktatura u detyrua “të përkulej” para tyre. Ndryshe nga dokumentet e tjera në faqet dhe kapitujt e këtij libri, këtë që po publikojmë për Odhise Paskalin po e japim me disa shkurtime dhe disa emra me iniciale. Kjo dhe për atë që thamë pak më lart, se “Paskali” ishte ndryshe nga të tjerët kolegë të tij.

Letra e Çajup Rusmajlit për Ramizin
Shoku Ramiz
Po ju dërgojmë një informacion të ………… që bën fjalë për disa probleme që ngrihen në adresë të Odhise Paskalit.
Këto janë të dhëna nga…………. Odhise Paskalit. Me sa dimë………. mosmarrëveshje…… dhe nuk përjashtohen ekzagjerimet. Nga biseda që bëmë me ………………… na del se për disa nga këto gjëra, për Odhise Paskalin ka pasë dhe më parë llafe nga të tjerët.
Kemi mendimin se mbasi të saktësohen këtë të dhëna në rrugë të ndryshme, mundet që Odhise Paskali të thirret nga Komiteti i Partisë i Tiranës dhe të këshillohet, por pa hyrë në…………. Mendojmë se kjo do të jetë një masë ndihme për të.
Çajup Rusmajli
25.XI.197…
Letra e sekretarit për …, drejtuar Çajup Rusmajlit
17.11.197…
Shoku Çajup
Po ju informoj për një problem që ka të bëjë me skulptorin Odhise Paskali.
Para pak kohësh më kërkoi të takohet me mua………skulptorit Odhise Paskali, ……..………….. shumë……………. shqetësuar.
E ftova në zyrë, …………. erdhi…. prokupuar ………….jashtë  dëshirës ………?!
Problemet që ngriti ……….. më duket se janë shumë serioze dhe kanë të bëjnë me figurën morale dhe politike të skulptorit të popullit Odhise Paskali.
Problemet që… ngriti përmblidhen në këto:
1.    Ai është njeri me shumë fytyra e shumë flamurë. Që ndryshe sillet në shoqëri e të tjera mendime shpreh në…………..e në kujtimet që shkruan e i ruan me xhelozi në një kamare të studios, kujtime, sikundër ja ka shprehur……….., një ditë do të shpallen e do të konsiderohen si të drejta.
2.    Është mendjemadh dhe egoist që nuk përfill të tjerët e që e konsideron veten si të vetmin artist me potencë në Shqipëri.


3.    Matrapaz dhe lekaxhi që ka shfrytëzuar mundësitë që i ka krijuar shteti, shitjen e bustit të shokut Enver në riprodhim, përdorimin e ndihmësit që i ka dhënë shteti për zhvillimin e krijimtarisë, bazën materiale etj.
4.    Me qëndrim të ulët moral, që shkon me gra dhe vajza të reja me të cilat shpenzon të ardhurat suplementare që siguron.
5.    Që shoqërohet me njerëz jo të mirë, të deklasuar, borgjezë dhe matrapazë, si:

-Llambi C., i cili i paska rregulluar ilaçe për ………………
-Zef Nikaj, me babë të pushkatuar.
-Myqerem Janina, borgjez i fëlliqur.
-Teli Papaj, nipi i Paskalit, me përbërje të keqe dhe mendime jo të mira.
-V., grua e divorcuar, dhe të tjerë njerëz që … i numëronte, elementë të cilët sipas…… janë të ulët politikisht dhe moralisht.
6. Njeri që nuk merret me krijimtari për të cilën shteti i ka siguruar të gjitha kushtet dhe mundësitë, por me kujtime dhe korrespondenca të karakterit të ulët moral dhe politik.
7. Prind që lidh fëmijët e tij me njerëzit e……….….(italiane), të flasin në telefon me Romën, të kenë korrespodencë në Greqi etj. Për këtë …………ishte…….. shqetësuar dhe për faktin se e bija e tij, është nusja e djalit të sh. Sul Baholli, për të cilën ajo familje nuk ka dijeni.
8. Burrë që akuzon………. “Polic……..”, që e kanos………dhe për masa të tjera që ai ka në dorë.
9. ……………e akuzon si njeri apolitik që dëgjon vetëm radiot e huaja, fashist të bindur, mospërfillës për respektin që i bën populli dhe partia.
Ditët e Kongresit, kur i gjithë populli ishte pranë radios dhe televizorit, ai shkon në studio ku nuk dihet se ç’bën.
Shoku Çajup
Për këtë problem unë kam informuar edhe shokun Dritëro dhe……….. Mua kjo gjë më shqetëson shumë pasi ka të bëjë me një artist të popullit, skulptor të zot e me vepra të rëndësishme, por në të njëjtën kohë, siç tregon…………me këto halle dhe poshtërsi. Unë e kuptoj që edhe……….duhet dëgjuar me……., pasi edhe mund ta shtyjë…….dhe të tjera gjëra, por sido që të jetë, këtu ka të vërteta që duhet të bëjmë çmos t’i zgjidhim.
Qëndrimi ynë ndaj këtij problemi është shumë konspirativ dhe i kujdesshëm, i njëjtë karshi Odhise Paskalit dhe jo aq i vëmendshëm ndaj nervozizmit të………
Sekretari për……..


(…………………………………….)
Tiranë, më 17.11.197…
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………


Shënimi i Çajup Rusmajlit për porosinë e Ramizit
Shënim
Për këtë çështje, nga ana e sh. Ramiz iu dha porosi sh. Xhelil Gjoni që Odhise Paskali të mos thirret nga njeri. Mund të bisedohet me të indirekt nga ana e Foto Stamos në mënyrë krejt shoqërore.
Çajup Rusmajli
13.I.’7…


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Te ndritte shpirti atje ku je miku yne Odhiose Paskali. Ti ishe e mbetesh artist i permasave te medha, ke qene dhe do jesh nderi i qytetit tone dhe artit shqiptar. Ndjehem mire qe te kam njohur nga afer dhe jam bere interpret i vepres tende. Ata qe shkruanin e shkruajne letra te tilla mbeten xhuxha para teje, andaj ti i ke njohur me mire se askush tjeter ndaj nuk i perfillje dhe mire ke bere. Por eshte mire qe ato shuarje te emrave te mos beheshin, te ishin atje qe te njiheshin mire fytyrat e tyre se edhe sot mund te jene te strukur diku ne ndonje qoshe e te bejne te njejten pune .
    per fat kete shkrim po e lexoj sot ketu ne Torino , ku sa here dal neper rruget e sheshet e ketij qyteti mendoj se ne ato rruge vite me pare ke shkelur edhe Ti ne vitet e rinise shkollore kur fillove te gdhendje figurat e portretet e para, Eshte qyteti i rinise tende dhe ku ka rrahur fort zemra Juaj endrrat Tuaja . I paharruar do te jesh gjithmone .

    Përgjigju ↓
  2. Te ndritte shpirti atje ku je miku yne Odhise Paskali. Ti ishe e mbetesh artist i permasave te medha, ke qene dhe do jesh nderi i qytetit tone dhe artit shqiptar. Ndjehem mire qe te kam njohur nga afer dhe jam bere interpret i vepres tende. Ata qe shkruanin e shkruajne letra te tilla mbeten xhuxha para teje, andaj ti i ke njohur me mire se askush tjeter ndaj nuk i perfillje dhe mire ke bere. Por eshte mire qe ato shuarje te emrave te mos beheshin, te ishin atje qe te njiheshin mire fytyrat e tyre se edhe sot mund te jene te strukur diku ne ndonje qoshe e te bejne te njejten pune .
    per fat kete shkrim po e lexoj sot ketu ne Torino , ku sa here dal neper rruget e sheshet e ketij qyteti mendoj se ne ato rruge vite me pare ke shkelur edhe Ti ne vitet e rinise shkollore kur fillove te gdhendje figurat e portretet e para, Eshte qyteti i rinise tende dhe ku ka rrahur fort zemra Juaj endrrat Tuaja . I paharruar do te jesh gjithmone .

    Përgjigju ↓